Mbase nuk ka kufi të prerë mes Lindjes së Ideve të rëndësishm
dhe asaj, që klinikisht quhet Marrëzia e Madhështisë. Për më tepër unë nuk kam
ndonjë bagazh në studime psikologjike, që të mund të jap qoftë edhe një opinion
modest në këtë fushë. E megjithatë e di, që po mos u dashurove pas një ideje,
po mos e vure në qendër të veprimtarisë ditore dhe po mos presësh një rezultat
marramendës prej saj nuk mund të kesh përkushtimin e nevojshëm, i cili është në
bazën e e Realizimeve të Mëdha.
Këto po mendoja këto ditë, ndërsa lexoja shumë kalimthi disa
nga diskutimet rreth një ideje për ndërtimin e një Memoriali tek Lëndina e Lotëve.
Ka një pasion për të admiruar nga disa prej ideatorëve, për ta bërë atë pjesë të
Korçës të paharrueshme, bile madhështore.
Sigurisht, që në diskutime të tilla nuk mungojnë skeptikët,
të lëkundurit apo edhe ata , që kundërshtojnë për hir të të kundërshtuarit, ose
se nuk kanë qënë vetë ideatorët e “Përjetësimit të Lëndinës”. Eshtë e natyrshme
dhe ndodh në çdo lloj diskutimi publik jo vetëm në Korçë e Shqipëri, por në të
gjithë botën.
Korçarët, tradicionalisht, janë karakterizuar nga sensi i masës,
në ndërtimet qoftë individuale apo edhe publike. Ka qënë kjo gjë, që bëri , që
në mesin e viteve ’30 të ishte qyteti më modern , por dhe më i këndshëm për të
jetuar në Shqipëri. Ishin të rralla rastet kur njerëz të pasur donin të ndërtonin
gjëra “të papame” për t’ja u kaluar të tjerëve. Kjo logjikë mbizotëroi edhe në
ato pak monumente, të cilat u ndërtuan gjatë asaj periudhe. (Luftëtari Kombëtar
mbetet monumenti më i mirë në Shqipëri edhe sot.)
Ndryshimi i kësaj logjike erdhi vetëm në dhjetëvjeçarin e
fundit të Diktaturës dhe më flagrant ishte në kompleksin e shtatores së Enver
Hoxhës.
Por duket, që “mikrobi” i gjërave të “paharrueshme”, “madhështore”,
“misionit të brezit” e të tjera komplekse të tilla kanë mbetur tek ne. Harrojmë
të bëjmë një raport të ekuilibruar të historisë, me karakterin e qytetit, me
raportet njeri-hapësirë brenda tij e të tjera si këto.
Të dashuruarit pas idesë të Memorialit përdorin si argumenta
në favor të tij rëndësinë e Emigrimit në Historinë e Korçës, dëshirën e
emigrantëve për të gjetur vetveten, përgjegjësinë e brezit tonë para të
Ardhmes, gjendjen ‘e mjeruar” të Lulishtes sot e deri në krahasimin me
Memoriale si ai i arritjes së emigrantëve në Nju Jork. E gjitha kjo vjen nga një
dashurim jo i shëndetshëm me një Ide.
Lëndina e Lotëve si është sot ka nevojën e një “rifreskimi”,
për të ruajtur karakterin, që ka pasur kur është ndërtuar. Për fat të mirë, ata
që e kanë ideuar në atë kohë, së bashku me autorin e Shatërvanit, i dhanë asaj
qoshe të Korçës një fizionomi “jo dramatike”, e cila mund të ndodhte lehtë në
atë kohë, kur sulmohej Emigracioni. Eshtë një qoshe e qetë dhe gjithë diell, ku
njerëzit mund të çlodhen e të sodisin një vepër arti të arritur. Sigurisht, që
shatërvani duhet restauruar e të kthehet në gjendjen e mëparshme. Përsa i përket
komenteve rreth “llambushkave” e të tjera si këto, sot në botë teknikat e ndriçimit
janë aq të arritura, sa krijohen edhe vepra arti vetëm me ndriçim artificial. Për
ndërhyrje të këtij lloji ka nevojë vetë objekti dhe patjetër për një përmirësim
të thellë të gjelbërimit përreth.
Për fatin tonë të mirë, mjeshtri Kristaq Papaargjiri ishte
një artist që e donte të bukurën dhe nuk donte të bënte “zhurrmë“ me ato që
gdhendte me duart e tij. Të tillë ishin edhe të mëdhenjtë Vangjush Mio dhe
Kristo Sotiri. Një sens i tillë i duhet edhe artistëve të sotëm korçarë, për të
ruajtur atë traditë të së bukurës, që flet madhërisht pa qënë “e marrë“.
No comments:
Post a Comment