Tuesday, 21 January 2014
Sikur të isha djalë... (ose grua)
Ky titull, i vënë një romani të viteve '30 të shekullit të kaluar, prej autorit të tij, Haki Stërmillit, kur e kam dëgjura të parën herë, më është dukur patetik. Mendoja që në të qënit mashkull ose femër, nuk ka vend për "sikur". Atë kohë homoseksualët përbuzeshin, përqesheshin dhe dërgoheshin edhe në burg. Transeksualët nuk m'i kishte zënë veshi ndonjëherë. Ndaj titulli i romanit nuk më dukej i goditur. Jo të njëjtën gjë mendoja për librin me tregime humoristike të Azis Nesinit "Sikur të isha grua". Atje "sikuri" shkonte pikërisht për ironinë e gjërave, e cila është objektivi dhe njëkohësisht edhe thelbi i një historie humoristike.
Më vonë, kur adoleshenti mendon disi gjatë për gjininë e tij, duke qënë pjesë e një shoqërie gati partriarkale, qënia mashkull më jepte siguri dhe një lloj ndienje të këndshme fati. Se fundi shanset për të patur njërin seks nuk janë as më shumë dhe as më pak se 50%. Ndaj në rini, thuajse kurrë nuk kam dashur të "futem në lëkurën" e një gruaje. Gjithnjë kam preferuar të prekja lëkurën e tyre(dëshirë që çuditërisht nuk venitet me vitet). Një ditë, më vonë, mbeta thuajse i rrethuar vetëm nga gra, jo vetëm në familje, por edhe në një rreth më të hapët. Detyrimisht do filloja të bëhesha më i vëmendshëm dhe edhe pse nuk doja të "mbathja këpucët e tyre", të paktën doja të kuptoja disa nga modelet e të menduarit. Të mësuarin e këtyre gjërave nga librat gjithnjë e kam urryer, se më kujtonte didaktikën e shpifur të teksteve shkollore. Vënia e mendjes në punë nuk më ndihi aspak! Ishte e pamundur t'i kuptoja, jo thjesht se sipas thënies të bërë bozë, ato "vijnë nga një tjetër planet", por pikërisht se janë nga i njëjti planet dhe megjithatë mendojnë e ndiejnë në një mënyrë të padeshfrishueshme për mua. Dikush mund të thotë, që unë nuk kam fuqi mendore zhbiruese apo abstragimi, më mungon imagjinata apo nuk i kushtoj rëndësi detajeve, mund të thotë edhe troç që jam "një gomar e gjysëm", por kjo nuk më ndih as mua, as atë që e thotë dhe as dhjetra "gomerë e gjysëm", të cilët i kam njohur gjatë viteve. Unë dua të kuptoj të paktën disa prej "skemave" të tyre të mendimit e ndienjës!! (Shiko si kërcen individi "macho", prej fëmijërisë në një shoqëri të prapambetur, ku zgjatimi në vund të barkut të jep një ndienjë epërsie. Si mendojnë "ato", grupi i qënieve jo të barabarta me ne?)
Por sepse i dua, kam dëshirë të rri me to, t'i prek, t'ju mar erë dhe për të mos ikur me "shërbimin e gjatë" një kërcu tejet i pagdhendur, si dhe pse dimri është i gjatë dhe i ashpër pa to, do mundohem të bëj debat me veten rreth tyre. Duke nisur me pyetjen e parë:
-Pse kanë ato nevojë për ne?
(vijon)
Saturday, 18 January 2014
Unë isha atje! (2)
vijim
Fatmir Xhafaj
E rruar dhe e krruar, fytyra prej shëmbullori e Fatmir Xhafajt, u shfaq për ne në Tiranë, krahas shokëve Enver e Ramiz, në vitet 1981-82. Deri në atë kohë, studenti i Juridikut, nuk na kishte rënë në sy ...edhe pse mësimet i bënim në të njëjtën godinë. Nuk e kishim njohur as si udhëheqës të rinisë Universitare, se kur hymë në Fakultet, atë post të paguar e mbante Maqo Lakrori dhe pas tij një mirditore, që duhet të kishte një nga tre emrat- Gjela, Prenda apo Marta . Kur Fatmiri punonte ethshëm për përgatitjet e Kongresit të Rinisë, në gusht të vitit 1982, në zyrat e KQ të Rinisë(e njëjta godinë me Komitetin Qëndror), unë "nuk isha atje". Bashkë me Benin, Klitin dhe Pinen "shëlleheshim" në "Iliria"(sektori jo hoteli) dhe talleshim me "sistemin" e gajaseshim me barcoletën me zarar të Tajarit "Unë nuk e q. Partinë!" Atë shtator ose tetor, Xhafaj u zgjodh Sekretar i Parë i Rinisë. Duket, që misioni me qitje të largët(afatgjatë jo thjesht me snaiper) i dështuar i CIA-s, i kryesuar nga Xhevdet Mustafa, ka qënë, që bashkë me Hoxhën të likuidonte edhe Xhafajn. Për fat të mirë, komploti u zbulua nga vigjilenca parti-popull-parti dhe ne patëm jo vetëm udhëheqësin për tre vjet të tjera, por edhe urtësinë e Fatmir Xhafajt për dekada e dekada të tëra. Pas zëvendësimit nga Bashkurti a nga Elezi, nuk kujtoj rreth karrierës së tij, veç kur papritur, Xhafaj shfaqet sërish në qarqet e larta të PS. Sikundër disa ish-aparatçikë të tjerë kishte nisur biznesin e leverdisshëm të ndërtimit duke përfituar nga lidhjet politike. I devotshëm ndaj kryetarit Nano të burgosur, Fatmiri zinte vendin e parë në vizitorët e Bënçës për numurin e vizitave, duke kaluar edhe njerëzit më të afërt të ish-kryeministrit. Humanizmi i tij i pakufishëm, ju shpërblye pas vitit 1997, në formën e disa posteve ministrore dhe të shumë tenderave dhe shesheve të ndërtimit në Tiranë e Vlorë. Tani i çimentuar politikisht dhe ekonomikisht Xhafaj shpresonte të kishte vetëm ngjitje në karrierën e tij, që zinte fill 16 vjet më parë. Si "shërbëtor" i sjellshëm i shumë zotërinjve, ai e braktisi shpejt edhe Nanon, kur pa që kryetari i ri Rama nuk do bashkohej kurrë me të. Vazhdoi t'i shërbente me zellin aparatçikor që e karakterizon dhe besoj se pret me durim ndonjë post ministror të lakmuar. Jeta i ka mësuar, që përulja, durimi dhe shërbimi shpërblehen. Dhe këtë nuk ja kanë dhënë në leksionet në Fakultetin Juridik të studentëve "shembullorë", mes të cilëve shquante Dashamir Myslym Peza.
vijon
Tuesday, 14 January 2014
Janaqët
Janaqët nuk m'i kujtoi dita e Gjon Pagëzorit, por disa foto në FB. Ishin të një dite më parë. Në Korçë festohej dita e Ujit të Bekuar ose dita e Pagëzimit të Krishtit. Nuk kam qënë kurrë i pranishëm në atë festë, veç mbase një herë të vetme, në janarin e vitit 1963 dhe nuk kujtoj asgjë veç urës dhe njerëzve të shumtë, të cilët nuk linin të shihja gjë. Ceremonia atëhere kryhej në ura në Mulliri, atje ku sot është ish-këndi i lojrave me dorë. Më vonë, nga rrëfenjat e të rriturve, kisha mësuar se në ujë hidhej një kryq i artë dhe ai që e gjente në ujë i pari, shpërblehej nga kisha dhe ndoshta dhe nga besimtarët. Më hynin të ngjethurat, kur të mëdhenjtë tregonin për ujin brisk, ndaj ata që hidheshin në ujë ta gjenin ishin si heroj të fantazisë sime prej fëmije. Disi më vonë mësova se "herojtë" ishin disa nga vëllezërit Janaqi, pikërisht më të vegjëlit vëllezër të përgjegjësit të llustros poshtë shtëpisë, Nesti Janaqit. Nuk di numurin e saktë të Janaqëve, por veç Nestit kujtoj Irakliun ose si njihej në Korçë- Rakua i Oxhaqeve, Stavrin, Alqin (ose si e thërrisnin në atë kohë Maksimka) dhe Nikon. Më të rinjtë ishin të përhershmit garista të zhytjes në ujrat e ftohta të Lumit të Korçës dhe shumë herë fitues. Nuk di se nga e kishin origjinën, por duhet të kishin qënë një kohë banorë të Katavaroshit, ose lagjes ku rrinin ata që quheshin kaurë-evgjitë. Korça kishte qënë qytet në zhvillim të shpejtë ekonomik dhe ndoshta edhe më tolerant, ndaj në të kishin ardhur shumë evgjitë nga Përmeti, Leskoviku dhe ndoshta edhe nga zona të tjera të Greqisë dhe Maqedonisë.
Nesti kishte qënë partizan dhe mbase me të krenohej e gjithë familja, ndonëse në natyrën e kaurë-evgjitëve nuk është të krenohen. Ata punojnë e qeshin me jetën dhe me kusuret e tyre. Në mënyrë të veçantë Janaqët, që kam njohur.
Alqi ka qënë mes tyre personazhi më simpatik dhe i veçantë. Deri sa kaloi të pesëdhjetat nuk mund të thoshe nëse ishte 18 apo 32. I shkurtër e me trup të lidhur, por edhe me bark nga të ngrënët e shumtë, Alqi Janaqi ka qënë evgjiti më punëtor, që kam njohur. Në kohën e fëmijërisë sonë, ai veç punës si tornitor alumini, të djelave punonte si llustraxhi "kontrabandë" dhe shpesh e shihnim të ikte me vrap me kutinë në sqetull, për mos u kapur nga u plotfuqishmi i lagjes. Flitej, që kishte qënë ushtar në marinë dhe nofka Maksimka, i ishte vënë nga ngjashmëria me një fëmijë zezak që bëhej muço, në një film të vjetër. Alqi ishte i vetmi i Janaqëve, që nuk pinte. I ndjeri Alqi, të "shuante" në të ngrënë.
Këtë e mësuam vjeshtën e vitit 1978, kur filluam punën në Repartin e Bakrit të Ndërmarjes Artistike. Alqi ishte tornitori më i mirë dhe specialisti, nga i cili varej e gjithë puna e repartit. Punonte me orë të tëra i lidhur pas tornos dhe kthente fletët e bakrit në vazo, ibrikë, kacarola e plot lloje enësh të tjera , të cilat më tej punoheshin e stoliseshin nga dhjetra burra e gra të repartit. Punonte shumë dhe hante shumë. Ndoshta vetëm në atë mënyrë e mbante trupin e fortë si prej të riu. Punëtorët e tjerë tregonin për historitë e "tenxhereve me kërnace" dhe skafave me biftekë, që Maksimka blinte kur merrte rrogën. Dhe Alqi paguhej mirë, se punonte shumë dhe pagesa ishte e bazuar në normë. Jo rrallë, pagesa mujore e kalonte dhjetmijshin, po si theshte vetë"Nuk më arrijnë, se unë i dua mijshet si fletë kalendari, të heq nga një çdo mëngjez e ta prish për të ngrënë".
Në tornon ngjitur, punonte i vëllai më i vogël, Nikua, që edhe nga pamja dhe nga tarbietet ndryshonte nga Alqi. Nikua ishte i gjatë e i pashëm, pinte shumë dhe punonte pak, si dhe i pëlqenin gratë. Ne gajaseshim së qeshuri me qetësinë e tij, kur e shante përgjegjsja për mosrealizim norme. "E mo më tha- dy lashë dy gjeta, indiferent, as skuqesh as zverdhesh! Po pse do skuqem unë? Aq dua të punoj!" Nikua qeshte, ndërsa Alqi ishte serioz për punën dhe paratë, si dhe kishte dëshirë ta bënin Hero të Punës Socialiste. "Po pse s'më bëjnë mua- theshte- apo se jam evgjit?" Dhe kështu vazhdoi të punonte e të jetonte si i pëlqente deri në fund. Kur u mbyll Artistikja dhe Alqi me siguri e kishte kaluar moshën e pensionit, mori sërish kutinë me "furça, bojra dhe xhela" dhe ju kthye punës së hershme të llustraxhiut. Kthehesha herë herë dhe rrija për të bërë muhabet ndërsa Alqi më bënte shpejt e shpejt këpucët me bojë dhe ngacmohej me Janaqët e tjerë më të rinj, që bënin të njëjtën gjë. Duhet të ishte mbi 70 vjet dhe nuk dukej më shumë se një 40 vjeçar. Një të ardhuri nga Tirana, që e pyeste një mëngjes plot diell nëse kishte liçencë llustraxhiu i tha"Po të lenë të bësh llustro këtu para Turizmit, po s'pate liçencë?!!".
Ky ishte Alqi Janaqi, njeriu që dukej gjithnjë i ri dhe që nuk e kisha parë kurrë të grindej apo të ankohej. Kam mësuar që është larguar nga jeta e besoj se duke punuar dhe duke buzëqeshur deri në fund.
Nuk di se ç'bëhet Nikua, pasi Janaqët e tjerë, më të moshuarit ka vite që kanë vdekur.
Më kanç bërë të qesh në vitet që kam jetuar në Korçë dhe ka qënë një e qeshur dashamirëse, e pastër, nga thellësia e shpirtit, si ishin dashamirës e të pastër nga shpirti evgjitët Janaqi të qytetit tim.
Friday, 10 January 2014
Unë isha atje!
Gjendja e mjerueshme e Udhëheqjes së PS-së, më e keqe se kurrë në 20 vitet e fundit, më detyron të përsëris kujtimet e para '90, në të cilat janë disa bashkëmoshatarë të mij, pjesë e Elitës politike në vend. Në të do përmend edhe disa nga femijët e Bllokut, që edhe sot janë aktivë në krahun e Majtë të politikës. Nuk kam ndonjë shqetësim me përfshirjen e tyre në politikë, se fundja s'ka përse fëmijët të paguajnë për mëkatet e prindërve, sa do të mëdha qofshin.
Problemi im është, që në një vend të varfër, ku e Majta normalisht duhet të jetë në pushtet për një kohë të gjatë,(si ka ndodhur në shumë vende të Amerikës Latine), kjo jo vetëm nuk ndodh, por në krye të së Majtës janë pjesa më konservatore e saj, ajo e lidhur me shumë fije me Partinë e Punës. Për arsye, që lidhen me mohimin e etërve të tyre, me transformimin e pronësisë, me liberalizimin e ekonomisë etj., kjo e Majtë, që dashje pa dashje mbart frymën e Bllokut, nuk mund të jetë “lokomotiva” e shoqërisë shqiptare. Ajo ka prirje të ndjekë një rrugë të çoroditur të zhvillimit, larg reformave thelbësore, jo për ideologjinë që mbart(nuk ju bëhet aspak vonë për asnjë ideologji), por pikëërisht për lidhjet kokë e këmbë me shtresa dikur të inkriminuara, synimi I vetëm I të cilave ka qënë të rrinë me çdo kusht në pushtet. Do mundohem ta ilustroj këtë ide, duke përmendur disa nga përfaqësuesit kryesorë të PS, të paktën ata që i njoh më mirë se ç'rrënjë kanë. Po e filloj me një politikan biznesmen, që ka luajtur një rol me rëndësi në këtë 20 vjet dhe së fundi vendosi edhe të bëhet edhe zyrtarisht politikan:
• Koço Kokëdhima. I njohur sot si një nga biznesmenët më të fuqishëm shqiptarë, (me dëshirën për të qënë Donald Trump-i shqiptar jep edhe këshilla në shtyp si "të bëhesh milioner"), Kokëdhima lidhet me Partinë e Punës, që në fundin e viteve '70. Kur filluam universitetin, në vitin 1979, të çuditur mësuam se mes studentëve konviktorë ishin edhe 2 anëtarë partie të pranuar në fund të shkollës së mesme. Njëri quhej Koço Kokëdhima dhe studionte Fizikë në Shkencat. I dyti, po nga Vlora, ishte një ronxhobonxho në inxhinierinë e Ndërtimit, të cilin e kam njohur atë kohë, por nuk kam dëgjuar më të flitet për të. Për ata që nuk i përkasin brezit tim, po spjegoj se të ishe komunist në moshën 19 vjeçare ndërsa mbaroje shkollën e mesme , ishte një gjë e padëgjuar dhe individi ose duhej të ishte shquar për devotshmëri, ose Komiteti i Partisë në Rreth(në këtë rast Vlora) duhet të kishte nisur një lloj eksperimentimi idiot. Ne na qeshej me dy komunistët universitarë, sepse fryma e përgjithshme në rrethet e studentëve(përfshi edhe fëmijët e Bllokut) ishte kundër devotshmërisë dhe e quante në rastin më të mirë qesharake. Duket që Kokëdhima kishte synime të hershme për karrierë dhe këtë e arriti shpejt, ndonëse nuk mundi të bëhej Sekretari i BRPSH-së, për të cilën në atë kohë u zgjodh një tjetër student nga Vlora. Koçoja, pas studimeve nuk arriti të qëndronte në Tiranë por filloi si funksionar, Sekretar i Rinisë i Fierit. Atje filloi karrierën e tij si biznesmen në fundin e viteve '80, kur u shfaq në skenë i zgjedhuri i PP-së, biznesmeni i falimentuar Ajdin Sejdia. I sugjeruar nga lart, Kokëdhima filloi veprimtaritë ekonomike të pavarura nga sistemi shtetëror, me objektet në kontrollin e Komitetit të Rinisë. Me to krijoi një bazë ekonomike për vete, që do ta përdorte më vonë kur të rikthehej në Tiranë, pas një emigrimi të shkurtër. Lulëzimi i i bizneseve të tij, të lidhura me tenderat, ndodhi vetëm pas vitit 1997, kur PS erdhi në fuqi dhe njerëzit më me pushtet ishin miqtë e pedagogët e Koços, profesorët Gjinushi, Fatos Klosi dhe Rexhep Mejdani. Lulëzoi edhe gazeta e tij "Shekulli", të cilën po e nxirrte në treg gati falas, duke konkurruar gjithë botuesit e tjerë dhe duke i shërbyer klanit të tij në PS. I njohur për mosmarëveshjet e tij me klanin Nano, Kokëdhima u bë një mbështetës kryesor i Ramës në përpjekjen e tij për të marë në dorë PS-në, duke braktisur edhe mikun e vjetër Mejdani. Rol kishin luajtur tenderat dhe bizneset e përbashkëta të ndërtimit me kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Gjatë këtyre viteve, ai në gazetën e tij kishte nisur një luftë të çuditshme ndaj Kryepeshkopit Janullatos, të cilën nuk kisha mundur ta kuptoja. Sidomos, kjo luftë ushqehej në një forum shqiptar në internet, të financuar prej tij dhe i drejtuar nga i nipi i tij Dori. Më habiste ashpërsia në forum dhe pasqyrimi i tij në web-in e Shekullit. E dija që Kokëdhima nuk ishte ndonjë patriot i thekur, por nuk dija se ç'interesa mund të kishte për të goditur kreun e Kishës, e të mbështeste një prift torolloz në Elbasan. Zakonisht kjo bëhej nga partitë e djathta gjoja nacionaliste. Me hapjen e çështjes së Thimio-ikona, m'u qartësuan interesat e këtij vagabondi të hershëm të politikës puniste. Rikthimi i Berishës në pushtet solli një rënie të veprimtarisë të tij ekonomike, por bizneset e ndërtimit në Tiranë ishin si gjithnjë të forta, deri sa filloi kriza e ndërtimeve. Tashmë Kokëdhima vendosi të mos mbetej më në prapaskenat politike, por të hynte në politikë, ndoshta me synimin, për tu bërë pas dy-tre legjislaturash kryeministër i vendit. Në vitet e fundit, arriti të mënjanojë edhe rivalin e tij të përhershëm, ish-Sekretarin e KQ të PPSH, vlonjatin politikano-biznesmen Fatmir Xhafa.
(vijon)
Thursday, 9 January 2014
Viti 2014 duhet të jetë për ne shqiptarët Viti i De Radës dhe i kulturës arbëreshe.
Nuk di nëse në Shqipëri, përcaktohet ndonjë përparësi në fushën e kulturës dhe festimeve kulturore-historike dhe nëse diçka e tillë është bërë tashmë, por në shtyp ende nuk më ka zënë syri emërtime të këtij karakteri. Për të mos patur shumë festime në vjeshtë për 70 vjetorin e çlirimit nga nazistët, si bëhej në kohën e Diktaturës, populli ka nevojë të festojë e të mësojë më tepër rreth historisë e kulturës së tij jashtë politizimeve. Sidomos kur është fjala për pjesë dhe personalitete me rëndësi të tyre.
Këtë vit mbushen 200 vjet nga lindja e Jeronim De Radës. Edhe pse kemi mësuar në shkollë rreth poetit arbëresh dhe kontributit të tij në Rilindjen Kombëtare, njohuritë tona rreth jetës dhe veprës së tij janë të kufizuara. Aq më të pakta janë ato rreth një pjese të rëndësishme të kulturës së kombit, asaj arbëreshe që ka bërë aq shumë në formimin e identitetit tonë kombëtar. Madje jo vetëm të kufizuara, por në shumë raste ato janë sipas klisheve të ndërtuara në kohën e Zogut dhe më keq më tej, në kohën e Diktaturës. Kam përmendur diku me shaka rreth klishesë mbi arbëreshët që rrinë ndaj detit me lot në sy dhe këndojnë "O e bukura More!" Edhe pse e ekzagjeruar nga unë, kjo klishe është krijuar vërtet në kohën, kur Shqipëria ishte vënë në qendër të universit dhe detyrimisht, arbëreshet që kishin 5 shekuj në Itali dhe nuk mund të linin dot vatrat e reja, do "zhurriteshin nga malli" për atdheun e dalë tashmë në dritë! Po ashtu, figura e De Radës, ishte dhënë sipas një klisheje të ngjashme, si arbëreshi i përvuajtur, që ka mall për tokën dhe kohën e të parëve, sidomos atë të Kryetrimit Kastriot. De Rada shihej nën dritën e ideologjisë marksiste dhe zhvishej nga të gjithë elementët e tjerë si formimi i tij fetar që në familje dhe në shkollim, marëdhëniet me lëvizjen për Bashkimin e Italisë , niveli i veprës së tij krahasuar me ato të bashkëkohësëve italianë dhe europianë, etj. Aq e përvuajtur ishte krijuar klisheja De Rada, sa edhe në dy tre buste të tij të bëra pas '45, paraqitej me kokë të përkulur e një shikim gati prej lypësi. Jo pa shkak, në një prej tyre në Tiranë, përkrah Lanës, poetit arbëresh i kishin vënë "doçërit" edhe një krodhe të madhe buke!
De Rada është pararendës i Rilindjes Kombëtare dhe edhe në saj të tij, ne jemi sot në gjendje të komunikojmë me njëri tjetrin në gjuhën e stërgjyshëve. E tillë është edhe e gjithë kultura arbëreshe, e ruajtur në vatrat dhe kishat shqiptare të Kalabrisë dhe Siçilisë. Pikërisht për këtë duhet t'i njohim e nderojmë më shumë! Dhe ky vit është një rast i mirë për ta bërë e për t'u marë sa më pak me politikën e ditës dhe se " e lagu apo s'e lagu këmbën ushtari i fundit gjerman, kur u largua nga Shkodra"!
Tuesday, 7 January 2014
Rreth intervistes se Kadarese (2)
Intervista e Ismailit, ishte sjelle ne FB nga youtube dhe ishte transmetuar e perkthyer ne kanalin televiziv shqiptar ABC. Nuk di se ne c'kohe e ka dhene Ismaili.
(vijim)
Duke vazhduar me pikën e tretë, rreth raporteve të shqiptarëve me turqit, së dyti duhet thënë se Harta e Ballkanit e asaj kohe ka qënë shumë shumë e ndryshme nga harta e 150 viteve të fundit, që shpesh jo vetëm nga ne, njerëzit e zakonshëm, por edhe nga ata që meren me histori, ka mbetur në kokë si harta e shpërndarjes të popullsive në Ballkan. E vërteta është tjetër. Jo vetëm nuk kishte kufij në kuptimin e sotëm të kësaj fjale, por edhe vetë kufijtë imagjinarë të principatave dhe mbretërive ishin shumë të lëvizshëm. Nuk ishte çudi që i rrethuar nga principata rumune të ishte një princ shqiptar apo sërb, dhe mbretër bullgarë të kishin "ishuj zotërimi" edhe në territore larg Bullgarisë së sotme. E përhapur ishte dhe lëvizja e fiseve të tërë, që shpërnguleshin nga territoret e një prijësi dhe formonin fshatra në vende të tjera. Ende sot ka fshatra të tillë me banorë të një kobësie tjetër, të rrethuar nga të gjitha anët nga fshatra me popullsi vendase. Nuk kishte kombe. Ky nocion duhet të na udhëheqë, kur flasim për historinë europiane të para shekullit të XVIII. Ndaj të thuash se shqiptarët ranë më vonë se të tjerët është abuzim. Për më tepër kur këtë e paraqit, si cilësi të rezistencës, kokfortësisë dhe trimërisë të tyre.
Ka edhe një arsye tjetër, që e bën më të qartë, përse prijësat shqiptarë ju nënshtruan otomanëve të fundit. Prej fillimit të dyndjeve sllave, fiset ilirë që flisnin gjuhën ku i ka rrënjët shqipja, u detyruan të shtyhen poshtë e më poshtë, në zonat jo më të lakmuara të Ballkanit. Duam apo nuk duam ne, Shqipëria jonë, pas rënies ekonomiko-kulturore të qyteteve greke të Durrësit, Apolonisë dhe Butrintit, nuk ishte me pozitën gjeografike më të favorshme, si mund të jetë sot. Rruga Egnatia kishte humbur rëndësinë dhe terreni i aksidentuar, apo kënetat në zonat fushore, nuk premtonin zhvillim apo pasuri. Ndryshe ishin punët në Ballkanin Verior. Danubi ishte arteria kryesore e lëvizjes së mallrave dhe parave në Europë dhe në afëri të tij ishin shumica e qyteteve të pasura të asaj kohe. Ndaj Turqit(dhe të tjerët) luftonin të vinin në zotërim këto zona edhe para se të kapnin Konstantinopojën. Territoret e prijësve shqiptare, ishin të fundit që ranë, sepse ishin nga të fundit që u sulmuan prej turqve që vinin më shumë nga veriu se sa nga lindja apo juglindja si kemi menduar më parë.
Në planin tjetër, atë të bashkëpunimit apo bashkëqeverisjes, Ismaili bën një deklaratë tjetër që mbart një nacionalizëm krejt foshnjarak. Thotë që vërtet është paradoksale se si ata që rezistuan më shumë u ftuan të parët në bashkëqeverisje dhe për këtë, spjegimin e jep me dinakërinë e turqve "le të përfitojmë duke i përdorur në administratë, këta shqiptarët inteligjentë!".
Që ne jemi po aq të zgjuar dhe po aq gomerë sa tërë ballkanasit e tjerë, këtë gjë, pas pesëdhjet e kusur vitesh që mar frymë, nuk ma heq dot njeri nga koka. Bile dyshoj se jemi një çikë më dembelë se të tjerët, pasi nuk çamë shumë kokë të shkruanim gjuhën tonë. Megjithatë, pjesëmarja jonë në qeverisje, kthimi më në masë në fenë myslimane janë tema shumë të gjëra dhe sigurisht nuk mund të mbulohen këtu. Për t'i rënë shkurt, mendoj se duke qënë në popujt më të vjetër dhe që kishim parë shumë pushtues të vinin e iknin, kemi zhvilluar një lloj pragmatizmi, i cili na ka ndihmuar të mos asimilohemi dhe njëkohësisht të përfitojmë nga bashkëqeverisjet.
(vijon)
Saturday, 4 January 2014
Rreth intervistës së Kadaresë dhënë një radioje franceze.
Ketu jane kundërshtimet e mia ndaj intervistës së Kadaresë dhene dy jave me pare ne nje radio franceze.
Përtoja ta dëgjoj së dyti intervistën dhe do flas rreth atyre të pavërtetave, të cilat mund të kujtoj edhe pse ndonjë ithtar i Is mund të më akuzojë se i kam larguar nga konteksti.
1. Duke folur rreth Mesjetës shqiptare, Ismaili thotë se “shqiptarët në fillim kanë qënë të gjithë katolikë“. Edhe pse nuk përmend se në cilin fillim, le të shkojmë edhe tej kufijve të Mesjetës, për të bërë të mundur të provojmë tezën e Ismailit. Duke parë prej kohës së Këshillit të Nikeas, kur kristianizmi u bë fe zyrtare e Perandorisë Romake, nuk ka asgjë të provojë nëse në territoret ku jetojnë sot shqiptarët, ilirët e më vonë fiset që ruajtën gjuhën, ishin më shumë paganë, kristianë të drejtimit zyrtar (Katolikë), Ortodoksë, Nestorianë, Koptë apo të ndonjë drejtimi tjetër. Edhe në fillimin e Mesjetës Europiane (shek i Vtë) për ta vlen e njëjta gjë. Edhe kur shtyhemi në shekujt pas atij të XI-të, kur ndarja mes Kishave është e plotë dhe përfundimtare, përsëri nuk ka siguri të thuash nëse shumica ishin Ortodoksë, sepse ishim nën Bizantin apo Katolikë. E njëjta pasqyrë është edhe në periudhën e dyndjeve turke, ku edhe pse në një kohë jo të shkurtër nën sërbët, një pjesë jo e vogël e shqiptarëve ishin katolikë dhe mbetën të tillë. Deklarimet e Ismailit, të bëjnë të dyshosh se janë për atë pjesë të publikut europian, që jo vetëm trembet nga rreziku islamik, por edhe nga rreziku rus apo sllavo-grek.
2. Përsëri duke folur rreth katolicizmit shqiptar, Ismaili bën një pohim tjetër, që nuk përputhet aspak me kohën për tëcilën flet, por me dy shekujt e fundit. Duke folur rreth ndikimit pozitiv të priftërinjve katolikë në popullsinë shqiptare, thotë “Priftërinjtë katolikë ishin shumë të kulturuar se kishin mbaruar universitetet më të mira të Europës!” Meqë flet për periudhën e hershme të shqiptarëve, pa u kthyer në ortodoksë e më pas në myslimanë, nuk mund të bëhet fjala për shkollim universitar, sepse universitetet e parë në Europë i përkasin shek XXII. Edhe disa shekuj më vonë, kur universitet ishin të shumta, nuk ishte e thënë që “shugurimi” në prift të kishte si kusht diplomën universitare. Në kohën e Papëve plot pushtet, titujt fetarë jepeshin sipas pagesave dhe interesave. Nuk mundet që Borxhiat, fjala vjen, të bënin një të pashkolluar në Itali kardinal, “por në Shqipëri ama na duhen famulltarë me universitet”. A është kjo dëshmi e mosnjohjes së historisë nga Is apo një lloj servilizmi i tij ndaj Europës Katolike, këtë nuk mund ta ndaj dot.
3. Ismaili prek edhe këtë rradhë të ashtuquajturin paradoks, se “shqiptarët edhe pse ju rezistuan turqve më shumë se të tjerët e ranë një shekull më vonë, morën pjesë më tepër se të tjerët në pushtetin turk!” Kjo tezë është nga falsifikimet më bajate të historisë. E para, duhet thënë, se panorama e Europës Lindore, kur në skenë shfaqen turqit është tepër komplekse. Mbretërit, perandorët dhe princat e këtyre trevave, po griheshin me njëri tjetrin për të shtuar zotërimet(E njëjta ndodhte në gjithë Europën.) Turqit ishin një “lojtar” i ri, që hyri në këtë lufto-politikë I ftuar bile nga Bizanti, për tu mbrojtur nga rreziku i marjes së Konstandinopojës nga Stefan Dushani, Mbreti i sërbëve. Gjatë përplasjeve me njëra tjetrën, forcat e ndryshme në Ballkan, krijonin aleanca me njëra tjetrën dhe me të “jashtmit” si turqit, venetikasit apo me Mbretëritë e Hungarisë, Napolit, Aragonës etj. sipas konjiukturave. Edhe pse me pushtet më të vogël, në këtë lojë hynë edhe princët shqiptarë, për të cilët kalimi nga një forcë e madhe në një tjetër ishte thjesht ndrim vasaliteti.
(vijon)
Subscribe to:
Posts (Atom)