Saturday, 18 January 2014

Unë isha atje! (2)

vijim Fatmir Xhafaj E rruar dhe e krruar, fytyra prej shëmbullori e Fatmir Xhafajt, u shfaq për ne në Tiranë, krahas shokëve Enver e Ramiz, në vitet 1981-82. Deri në atë kohë, studenti i Juridikut, nuk na kishte rënë në sy ...edhe pse mësimet i bënim në të njëjtën godinë. Nuk e kishim njohur as si udhëheqës të rinisë Universitare, se kur hymë në Fakultet, atë post të paguar e mbante Maqo Lakrori dhe pas tij një mirditore, që duhet të kishte një nga tre emrat- Gjela, Prenda apo Marta . Kur Fatmiri punonte ethshëm për përgatitjet e Kongresit të Rinisë, në gusht të vitit 1982, në zyrat e KQ të Rinisë(e njëjta godinë me Komitetin Qëndror), unë "nuk isha atje". Bashkë me Benin, Klitin dhe Pinen "shëlleheshim" në "Iliria"(sektori jo hoteli) dhe talleshim me "sistemin" e gajaseshim me barcoletën me zarar të Tajarit "Unë nuk e q. Partinë!" Atë shtator ose tetor, Xhafaj u zgjodh Sekretar i Parë i Rinisë. Duket, që misioni me qitje të largët(afatgjatë jo thjesht me snaiper) i dështuar i CIA-s, i kryesuar nga Xhevdet Mustafa, ka qënë, që bashkë me Hoxhën të likuidonte edhe Xhafajn. Për fat të mirë, komploti u zbulua nga vigjilenca parti-popull-parti dhe ne patëm jo vetëm udhëheqësin për tre vjet të tjera, por edhe urtësinë e Fatmir Xhafajt për dekada e dekada të tëra. Pas zëvendësimit nga Bashkurti a nga Elezi, nuk kujtoj rreth karrierës së tij, veç kur papritur, Xhafaj shfaqet sërish në qarqet e larta të PS. Sikundër disa ish-aparatçikë të tjerë kishte nisur biznesin e leverdisshëm të ndërtimit duke përfituar nga lidhjet politike. I devotshëm ndaj kryetarit Nano të burgosur, Fatmiri zinte vendin e parë në vizitorët e Bënçës për numurin e vizitave, duke kaluar edhe njerëzit më të afërt të ish-kryeministrit. Humanizmi i tij i pakufishëm, ju shpërblye pas vitit 1997, në formën e disa posteve ministrore dhe të shumë tenderave dhe shesheve të ndërtimit në Tiranë e Vlorë. Tani i çimentuar politikisht dhe ekonomikisht Xhafaj shpresonte të kishte vetëm ngjitje në karrierën e tij, që zinte fill 16 vjet më parë. Si "shërbëtor" i sjellshëm i shumë zotërinjve, ai e braktisi shpejt edhe Nanon, kur pa që kryetari i ri Rama nuk do bashkohej kurrë me të. Vazhdoi t'i shërbente me zellin aparatçikor që e karakterizon dhe besoj se pret me durim ndonjë post ministror të lakmuar. Jeta i ka mësuar, që përulja, durimi dhe shërbimi shpërblehen. Dhe këtë nuk ja kanë dhënë në leksionet në Fakultetin Juridik të studentëve "shembullorë", mes të cilëve shquante Dashamir Myslym Peza. vijon

No comments:

Post a Comment