Tuesday, 7 January 2014
Rreth intervistes se Kadarese (2)
Intervista e Ismailit, ishte sjelle ne FB nga youtube dhe ishte transmetuar e perkthyer ne kanalin televiziv shqiptar ABC. Nuk di se ne c'kohe e ka dhene Ismaili.
(vijim)
Duke vazhduar me pikën e tretë, rreth raporteve të shqiptarëve me turqit, së dyti duhet thënë se Harta e Ballkanit e asaj kohe ka qënë shumë shumë e ndryshme nga harta e 150 viteve të fundit, që shpesh jo vetëm nga ne, njerëzit e zakonshëm, por edhe nga ata që meren me histori, ka mbetur në kokë si harta e shpërndarjes të popullsive në Ballkan. E vërteta është tjetër. Jo vetëm nuk kishte kufij në kuptimin e sotëm të kësaj fjale, por edhe vetë kufijtë imagjinarë të principatave dhe mbretërive ishin shumë të lëvizshëm. Nuk ishte çudi që i rrethuar nga principata rumune të ishte një princ shqiptar apo sërb, dhe mbretër bullgarë të kishin "ishuj zotërimi" edhe në territore larg Bullgarisë së sotme. E përhapur ishte dhe lëvizja e fiseve të tërë, që shpërnguleshin nga territoret e një prijësi dhe formonin fshatra në vende të tjera. Ende sot ka fshatra të tillë me banorë të një kobësie tjetër, të rrethuar nga të gjitha anët nga fshatra me popullsi vendase. Nuk kishte kombe. Ky nocion duhet të na udhëheqë, kur flasim për historinë europiane të para shekullit të XVIII. Ndaj të thuash se shqiptarët ranë më vonë se të tjerët është abuzim. Për më tepër kur këtë e paraqit, si cilësi të rezistencës, kokfortësisë dhe trimërisë të tyre.
Ka edhe një arsye tjetër, që e bën më të qartë, përse prijësat shqiptarë ju nënshtruan otomanëve të fundit. Prej fillimit të dyndjeve sllave, fiset ilirë që flisnin gjuhën ku i ka rrënjët shqipja, u detyruan të shtyhen poshtë e më poshtë, në zonat jo më të lakmuara të Ballkanit. Duam apo nuk duam ne, Shqipëria jonë, pas rënies ekonomiko-kulturore të qyteteve greke të Durrësit, Apolonisë dhe Butrintit, nuk ishte me pozitën gjeografike më të favorshme, si mund të jetë sot. Rruga Egnatia kishte humbur rëndësinë dhe terreni i aksidentuar, apo kënetat në zonat fushore, nuk premtonin zhvillim apo pasuri. Ndryshe ishin punët në Ballkanin Verior. Danubi ishte arteria kryesore e lëvizjes së mallrave dhe parave në Europë dhe në afëri të tij ishin shumica e qyteteve të pasura të asaj kohe. Ndaj Turqit(dhe të tjerët) luftonin të vinin në zotërim këto zona edhe para se të kapnin Konstantinopojën. Territoret e prijësve shqiptare, ishin të fundit që ranë, sepse ishin nga të fundit që u sulmuan prej turqve që vinin më shumë nga veriu se sa nga lindja apo juglindja si kemi menduar më parë.
Në planin tjetër, atë të bashkëpunimit apo bashkëqeverisjes, Ismaili bën një deklaratë tjetër që mbart një nacionalizëm krejt foshnjarak. Thotë që vërtet është paradoksale se si ata që rezistuan më shumë u ftuan të parët në bashkëqeverisje dhe për këtë, spjegimin e jep me dinakërinë e turqve "le të përfitojmë duke i përdorur në administratë, këta shqiptarët inteligjentë!".
Që ne jemi po aq të zgjuar dhe po aq gomerë sa tërë ballkanasit e tjerë, këtë gjë, pas pesëdhjet e kusur vitesh që mar frymë, nuk ma heq dot njeri nga koka. Bile dyshoj se jemi një çikë më dembelë se të tjerët, pasi nuk çamë shumë kokë të shkruanim gjuhën tonë. Megjithatë, pjesëmarja jonë në qeverisje, kthimi më në masë në fenë myslimane janë tema shumë të gjëra dhe sigurisht nuk mund të mbulohen këtu. Për t'i rënë shkurt, mendoj se duke qënë në popujt më të vjetër dhe që kishim parë shumë pushtues të vinin e iknin, kemi zhvilluar një lloj pragmatizmi, i cili na ka ndihmuar të mos asimilohemi dhe njëkohësisht të përfitojmë nga bashkëqeverisjet.
(vijon)
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment