Tuesday, 14 January 2014
Janaqët
Janaqët nuk m'i kujtoi dita e Gjon Pagëzorit, por disa foto në FB. Ishin të një dite më parë. Në Korçë festohej dita e Ujit të Bekuar ose dita e Pagëzimit të Krishtit. Nuk kam qënë kurrë i pranishëm në atë festë, veç mbase një herë të vetme, në janarin e vitit 1963 dhe nuk kujtoj asgjë veç urës dhe njerëzve të shumtë, të cilët nuk linin të shihja gjë. Ceremonia atëhere kryhej në ura në Mulliri, atje ku sot është ish-këndi i lojrave me dorë. Më vonë, nga rrëfenjat e të rriturve, kisha mësuar se në ujë hidhej një kryq i artë dhe ai që e gjente në ujë i pari, shpërblehej nga kisha dhe ndoshta dhe nga besimtarët. Më hynin të ngjethurat, kur të mëdhenjtë tregonin për ujin brisk, ndaj ata që hidheshin në ujë ta gjenin ishin si heroj të fantazisë sime prej fëmije. Disi më vonë mësova se "herojtë" ishin disa nga vëllezërit Janaqi, pikërisht më të vegjëlit vëllezër të përgjegjësit të llustros poshtë shtëpisë, Nesti Janaqit. Nuk di numurin e saktë të Janaqëve, por veç Nestit kujtoj Irakliun ose si njihej në Korçë- Rakua i Oxhaqeve, Stavrin, Alqin (ose si e thërrisnin në atë kohë Maksimka) dhe Nikon. Më të rinjtë ishin të përhershmit garista të zhytjes në ujrat e ftohta të Lumit të Korçës dhe shumë herë fitues. Nuk di se nga e kishin origjinën, por duhet të kishin qënë një kohë banorë të Katavaroshit, ose lagjes ku rrinin ata që quheshin kaurë-evgjitë. Korça kishte qënë qytet në zhvillim të shpejtë ekonomik dhe ndoshta edhe më tolerant, ndaj në të kishin ardhur shumë evgjitë nga Përmeti, Leskoviku dhe ndoshta edhe nga zona të tjera të Greqisë dhe Maqedonisë.
Nesti kishte qënë partizan dhe mbase me të krenohej e gjithë familja, ndonëse në natyrën e kaurë-evgjitëve nuk është të krenohen. Ata punojnë e qeshin me jetën dhe me kusuret e tyre. Në mënyrë të veçantë Janaqët, që kam njohur.
Alqi ka qënë mes tyre personazhi më simpatik dhe i veçantë. Deri sa kaloi të pesëdhjetat nuk mund të thoshe nëse ishte 18 apo 32. I shkurtër e me trup të lidhur, por edhe me bark nga të ngrënët e shumtë, Alqi Janaqi ka qënë evgjiti më punëtor, që kam njohur. Në kohën e fëmijërisë sonë, ai veç punës si tornitor alumini, të djelave punonte si llustraxhi "kontrabandë" dhe shpesh e shihnim të ikte me vrap me kutinë në sqetull, për mos u kapur nga u plotfuqishmi i lagjes. Flitej, që kishte qënë ushtar në marinë dhe nofka Maksimka, i ishte vënë nga ngjashmëria me një fëmijë zezak që bëhej muço, në një film të vjetër. Alqi ishte i vetmi i Janaqëve, që nuk pinte. I ndjeri Alqi, të "shuante" në të ngrënë.
Këtë e mësuam vjeshtën e vitit 1978, kur filluam punën në Repartin e Bakrit të Ndërmarjes Artistike. Alqi ishte tornitori më i mirë dhe specialisti, nga i cili varej e gjithë puna e repartit. Punonte me orë të tëra i lidhur pas tornos dhe kthente fletët e bakrit në vazo, ibrikë, kacarola e plot lloje enësh të tjera , të cilat më tej punoheshin e stoliseshin nga dhjetra burra e gra të repartit. Punonte shumë dhe hante shumë. Ndoshta vetëm në atë mënyrë e mbante trupin e fortë si prej të riu. Punëtorët e tjerë tregonin për historitë e "tenxhereve me kërnace" dhe skafave me biftekë, që Maksimka blinte kur merrte rrogën. Dhe Alqi paguhej mirë, se punonte shumë dhe pagesa ishte e bazuar në normë. Jo rrallë, pagesa mujore e kalonte dhjetmijshin, po si theshte vetë"Nuk më arrijnë, se unë i dua mijshet si fletë kalendari, të heq nga një çdo mëngjez e ta prish për të ngrënë".
Në tornon ngjitur, punonte i vëllai më i vogël, Nikua, që edhe nga pamja dhe nga tarbietet ndryshonte nga Alqi. Nikua ishte i gjatë e i pashëm, pinte shumë dhe punonte pak, si dhe i pëlqenin gratë. Ne gajaseshim së qeshuri me qetësinë e tij, kur e shante përgjegjsja për mosrealizim norme. "E mo më tha- dy lashë dy gjeta, indiferent, as skuqesh as zverdhesh! Po pse do skuqem unë? Aq dua të punoj!" Nikua qeshte, ndërsa Alqi ishte serioz për punën dhe paratë, si dhe kishte dëshirë ta bënin Hero të Punës Socialiste. "Po pse s'më bëjnë mua- theshte- apo se jam evgjit?" Dhe kështu vazhdoi të punonte e të jetonte si i pëlqente deri në fund. Kur u mbyll Artistikja dhe Alqi me siguri e kishte kaluar moshën e pensionit, mori sërish kutinë me "furça, bojra dhe xhela" dhe ju kthye punës së hershme të llustraxhiut. Kthehesha herë herë dhe rrija për të bërë muhabet ndërsa Alqi më bënte shpejt e shpejt këpucët me bojë dhe ngacmohej me Janaqët e tjerë më të rinj, që bënin të njëjtën gjë. Duhet të ishte mbi 70 vjet dhe nuk dukej më shumë se një 40 vjeçar. Një të ardhuri nga Tirana, që e pyeste një mëngjes plot diell nëse kishte liçencë llustraxhiu i tha"Po të lenë të bësh llustro këtu para Turizmit, po s'pate liçencë?!!".
Ky ishte Alqi Janaqi, njeriu që dukej gjithnjë i ri dhe që nuk e kisha parë kurrë të grindej apo të ankohej. Kam mësuar që është larguar nga jeta e besoj se duke punuar dhe duke buzëqeshur deri në fund.
Nuk di se ç'bëhet Nikua, pasi Janaqët e tjerë, më të moshuarit ka vite që kanë vdekur.
Më kanç bërë të qesh në vitet që kam jetuar në Korçë dhe ka qënë një e qeshur dashamirëse, e pastër, nga thellësia e shpirtit, si ishin dashamirës e të pastër nga shpirti evgjitët Janaqi të qytetit tim.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment