Saturday, 4 January 2014

Rreth intervistës së Kadaresë dhënë një radioje franceze.

Ketu jane kundërshtimet e mia ndaj intervistës së Kadaresë dhene dy jave me pare ne nje radio franceze. Përtoja ta dëgjoj së dyti intervistën dhe do flas rreth atyre të pavërtetave, të cilat mund të kujtoj edhe pse ndonjë ithtar i Is mund të më akuzojë se i kam larguar nga konteksti. 1. Duke folur rreth Mesjetës shqiptare, Ismaili thotë se “shqiptarët në fillim kanë qënë të gjithë katolikë“. Edhe pse nuk përmend se në cilin fillim, le të shkojmë edhe tej kufijve të Mesjetës, për të bërë të mundur të provojmë tezën e Ismailit. Duke parë prej kohës së Këshillit të Nikeas, kur kristianizmi u bë fe zyrtare e Perandorisë Romake, nuk ka asgjë të provojë nëse në territoret ku jetojnë sot shqiptarët, ilirët e më vonë fiset që ruajtën gjuhën, ishin më shumë paganë, kristianë të drejtimit zyrtar (Katolikë), Ortodoksë, Nestorianë, Koptë apo të ndonjë drejtimi tjetër. Edhe në fillimin e Mesjetës Europiane (shek i Vtë) për ta vlen e njëjta gjë. Edhe kur shtyhemi në shekujt pas atij të XI-të, kur ndarja mes Kishave është e plotë dhe përfundimtare, përsëri nuk ka siguri të thuash nëse shumica ishin Ortodoksë, sepse ishim nën Bizantin apo Katolikë. E njëjta pasqyrë është edhe në periudhën e dyndjeve turke, ku edhe pse në një kohë jo të shkurtër nën sërbët, një pjesë jo e vogël e shqiptarëve ishin katolikë dhe mbetën të tillë. Deklarimet e Ismailit, të bëjnë të dyshosh se janë për atë pjesë të publikut europian, që jo vetëm trembet nga rreziku islamik, por edhe nga rreziku rus apo sllavo-grek. 2. Përsëri duke folur rreth katolicizmit shqiptar, Ismaili bën një pohim tjetër, që nuk përputhet aspak me kohën për tëcilën flet, por me dy shekujt e fundit. Duke folur rreth ndikimit pozitiv të priftërinjve katolikë në popullsinë shqiptare, thotë “Priftërinjtë katolikë ishin shumë të kulturuar se kishin mbaruar universitetet më të mira të Europës!” Meqë flet për periudhën e hershme të shqiptarëve, pa u kthyer në ortodoksë e më pas në myslimanë, nuk mund të bëhet fjala për shkollim universitar, sepse universitetet e parë në Europë i përkasin shek XXII. Edhe disa shekuj më vonë, kur universitet ishin të shumta, nuk ishte e thënë që “shugurimi” në prift të kishte si kusht diplomën universitare. Në kohën e Papëve plot pushtet, titujt fetarë jepeshin sipas pagesave dhe interesave. Nuk mundet që Borxhiat, fjala vjen, të bënin një të pashkolluar në Itali kardinal, “por në Shqipëri ama na duhen famulltarë me universitet”. A është kjo dëshmi e mosnjohjes së historisë nga Is apo një lloj servilizmi i tij ndaj Europës Katolike, këtë nuk mund ta ndaj dot. 3. Ismaili prek edhe këtë rradhë të ashtuquajturin paradoks, se “shqiptarët edhe pse ju rezistuan turqve më shumë se të tjerët e ranë një shekull më vonë, morën pjesë më tepër se të tjerët në pushtetin turk!” Kjo tezë është nga falsifikimet më bajate të historisë. E para, duhet thënë, se panorama e Europës Lindore, kur në skenë shfaqen turqit është tepër komplekse. Mbretërit, perandorët dhe princat e këtyre trevave, po griheshin me njëri tjetrin për të shtuar zotërimet(E njëjta ndodhte në gjithë Europën.) Turqit ishin një “lojtar” i ri, që hyri në këtë lufto-politikë I ftuar bile nga Bizanti, për tu mbrojtur nga rreziku i marjes së Konstandinopojës nga Stefan Dushani, Mbreti i sërbëve. Gjatë përplasjeve me njëra tjetrën, forcat e ndryshme në Ballkan, krijonin aleanca me njëra tjetrën dhe me të “jashtmit” si turqit, venetikasit apo me Mbretëritë e Hungarisë, Napolit, Aragonës etj. sipas konjiukturave. Edhe pse me pushtet më të vogël, në këtë lojë hynë edhe princët shqiptarë, për të cilët kalimi nga një forcë e madhe në një tjetër ishte thjesht ndrim vasaliteti. (vijon)

No comments:

Post a Comment