Thursday, 9 January 2014

Viti 2014 duhet të jetë për ne shqiptarët Viti i De Radës dhe i kulturës arbëreshe.

Nuk di nëse në Shqipëri, përcaktohet ndonjë përparësi në fushën e kulturës dhe festimeve kulturore-historike dhe nëse diçka e tillë është bërë tashmë, por në shtyp ende nuk më ka zënë syri emërtime të këtij karakteri. Për të mos patur shumë festime në vjeshtë për 70 vjetorin e çlirimit nga nazistët, si bëhej në kohën e Diktaturës, populli ka nevojë të festojë e të mësojë më tepër rreth historisë e kulturës së tij jashtë politizimeve. Sidomos kur është fjala për pjesë dhe personalitete me rëndësi të tyre. Këtë vit mbushen 200 vjet nga lindja e Jeronim De Radës. Edhe pse kemi mësuar në shkollë rreth poetit arbëresh dhe kontributit të tij në Rilindjen Kombëtare, njohuritë tona rreth jetës dhe veprës së tij janë të kufizuara. Aq më të pakta janë ato rreth një pjese të rëndësishme të kulturës së kombit, asaj arbëreshe që ka bërë aq shumë në formimin e identitetit tonë kombëtar. Madje jo vetëm të kufizuara, por në shumë raste ato janë sipas klisheve të ndërtuara në kohën e Zogut dhe më keq më tej, në kohën e Diktaturës. Kam përmendur diku me shaka rreth klishesë mbi arbëreshët që rrinë ndaj detit me lot në sy dhe këndojnë "O e bukura More!" Edhe pse e ekzagjeruar nga unë, kjo klishe është krijuar vërtet në kohën, kur Shqipëria ishte vënë në qendër të universit dhe detyrimisht, arbëreshet që kishin 5 shekuj në Itali dhe nuk mund të linin dot vatrat e reja, do "zhurriteshin nga malli" për atdheun e dalë tashmë në dritë! Po ashtu, figura e De Radës, ishte dhënë sipas një klisheje të ngjashme, si arbëreshi i përvuajtur, që ka mall për tokën dhe kohën e të parëve, sidomos atë të Kryetrimit Kastriot. De Rada shihej nën dritën e ideologjisë marksiste dhe zhvishej nga të gjithë elementët e tjerë si formimi i tij fetar që në familje dhe në shkollim, marëdhëniet me lëvizjen për Bashkimin e Italisë , niveli i veprës së tij krahasuar me ato të bashkëkohësëve italianë dhe europianë, etj. Aq e përvuajtur ishte krijuar klisheja De Rada, sa edhe në dy tre buste të tij të bëra pas '45, paraqitej me kokë të përkulur e një shikim gati prej lypësi. Jo pa shkak, në një prej tyre në Tiranë, përkrah Lanës, poetit arbëresh i kishin vënë "doçërit" edhe një krodhe të madhe buke! De Rada është pararendës i Rilindjes Kombëtare dhe edhe në saj të tij, ne jemi sot në gjendje të komunikojmë me njëri tjetrin në gjuhën e stërgjyshëve. E tillë është edhe e gjithë kultura arbëreshe, e ruajtur në vatrat dhe kishat shqiptare të Kalabrisë dhe Siçilisë. Pikërisht për këtë duhet t'i njohim e nderojmë më shumë! Dhe ky vit është një rast i mirë për ta bërë e për t'u marë sa më pak me politikën e ditës dhe se " e lagu apo s'e lagu këmbën ushtari i fundit gjerman, kur u largua nga Shkodra"!

No comments:

Post a Comment