Saturday, 1 July 2023

Mirsevjen zoti Zuzar!

 

Nëse ka një epitet që i shkon më mirë Bill Klinton, është “zuzar”. Në kuptimin më të mirë të kësaj fjale. I adhuruar jo vetëm nga femrat, por edhe nga meshkujt “macho”, Billi është një fenomen i politikës bashkëkohore. Me instiktin e lindur për të thënë gjënë e duhur, në çastin e duhur para një njeriu a një grupi të duhur. Ishte në gjendje t’i bënte njerëzit për vete. Kudo në  botë. Veçanërisht në Europë.

Personaliteti i Billit ishte ai i duhuri në kohën kur sa kishte rënë Muri i Berlinit dhe Amerika ishte tashmë shpresa e të gjithëve për një botë me paqe dhe begati. Shumicës së njerëzve nuk ju bëhej vonë se në rrethet konservatore, të lidhura me industrinë ushtarake, shkurtimet e bëra nga administrata e Klintonit nuk shiheshin me sy të mirë. Bota me kampin komunist të mposhtur dhe me një Kinë që kishte ndërmarë shumë reforma kapitaliste dukej se do ishte tashmë një tjetër botë nga ajo e Luftës së Ftohtë.

Vetë kisha bërë “tifo” për Billin që në fushatën e vitit ’92, edhe pse një i njohuri im në Amerikë ma kishte karakterizuar si një gënjeshtar të pacipë. Ndoshta kishte ndikuar mosha e Bushit, Lufta e Gjirit a mbase dhe fakti që kishte qënë drejtues i CIA-s, që të kisha antipati për të Xhorxhin dhe simpati për Billin. Edhe pse i panjohur në arenën ndërkombëtare, Klintoni ishte i një brezi tjetër, që ngjallte shpresën e ndryshimit të politikave të vjetra.

Kjo ide mu përforcua në shtator të vitit 1993, kur Klinton arriti kurorëzimin e marëveshjes mes Palestinës dhe Izraelit. Qëllova në Amerikë ato ditë dhe të dukej se kur u arrit një marëveshje e tillë, çdo gjë ishte e mundur në arenën ndërkombëtare. Brenda Shteteve të Bashkuara kishte filluar edhe një lloj ringjallje e ekonomisë, pas krizës ekonomike të fundit të viteve ’80 dhe fillimit të viteve ’90.

Por nën presidencën e Klintonit vazhduan dhe u itensifikuan  luftërat brenda Jugosllavisë. Edhe pse nuk mund të akuzohet administrata amerikane për fillimin e luftës Sërbi- Kroaci, Sërbi-Bosnjë dhe më vonë për genocidin ndaj Kosovarëve, duhet thënë se amerikanët(po ashtu dhe europianët) për interesat e tyre gjeopolitike nuk bënë asgjë për të shmangur luftën. Ishte në interesin e tyre, që Jugosllavia ku dominonte një Sërbi pro-ruse të shpërbëhej dhe ata e lanë të shpërbëhej edhe ndërsa humbisnin jetën dhe çvendoseshin mijëra sllavë. Vetëm në luftën Sërbi-Kroaci u vranë mbi 20 mijë vetë. Administrata amerikane veproi gjithashtu me ngathësi për ndalimin e genocidit në Bosnjë. Madje në fillim edhe ndaj problemit tonë kombëtar, sepse interesat e shqiptarëve u goditën rëndë në Marëveshjen e Dejtonit.

Për fat të mirë të çështjes shqiptare, qëndrimi amerikan pas Marëveshjes së Dejtonit të vitit 1995 filloi të ndryshonte. Dhe mes mbështetësve kryesorë në SHBA ishte senatori MeKejn, i cili në mënyrë të vazhdueshme propagandonte kundër Millosheviçit dhe në mbështetje të luftëtarëve shqiptarë. Administrata e Klintonit deri në vitin 1998, UCK-në e kishte në listën e organizatave terroriste. Por pas shkallëzimit të krimeve të Millosheviçit dhe përndjekjes së shqiptarëve, pasi kishte lejuar dy luftëra shkatërruese në Ballkan, Klintoni u detyrua të merrte vendimin për të aktivizuar NATO-n në mbrojtje të Kosovarëve. Këtu lind edhe mithi i “baballarëve” të Kosovës Klinton dhe Bler. Ishte në interesin e kombit shqiptar dhe ndaj ju jemi mirënjohës, por ka pasur një hezitim të madh në vënien e Millosheviçit me shpatulla pas muri për të njohur Pavarësinë e Kosovës.

Në gjithë politikën ndaj Ballkanit, veprimet e Klintonit, si pasqyrë e politikës amerikane, kanë qënë të lëkundura dhe jo parimore. Në njëfarë mënyre ato reflektojnë edhe karakterin e Billit, si njeri që do t’i kënaqë të gjithë. Edhe pse me një tërësi problemesh të ndërlikuara, kufijtë e rinj të Ballkanit, me ndihmën e Ushingtonit dhe Brukselit, mund të ishin konfiguruar pa arritur në shumë e shumë humbje njerëzore.

Natyrën prej “zuzari centrist”, Billi e ka dëshmuar edhe në miqësitë dhe skandalet e tij në marëdhëniet me femrat. Veçanërisht miqësia shumë e afërt me famëkeqin Xhefri Epshtin (Jeffrey Epstein) e përforcon idenë e mungesës së skrupujve moralë të Billit.

E megjithatë, “zuzari Bill” mbetet një politikan tepër simpatik për shumicën e amerikanëve dhe europianëve, si dhe shumicën dërmuese të shqiptarëve.
Mirësevjen i dashur Bill!

No comments:

Post a Comment