I pari 11 janar, në të cilin kremtojmë ditlindjen e babait. Atij i pëlqente
të festoheshin ditlindjet e pjestarëve të familjes dhe të tijën e festonim më 22 janar.
Duket edhe vetë nuk e dinte , që ishte lindur më 11, sepse në dokumetat e tij figuronte
data e rregjistrimit në Gjendjen Civile turke.Sot është 101 vjetori i tij.
Vitin e kaluar patëm shkruar dhe diskutuar me njerëzit e njohur rreth tij. Kishte njerëz,
që i thoshin sime motre, "nuk e dinim se ka qënë me këto cilësi dhe njohuri, se ti nuk
tregoje ndonjëherë". Kjo është deri diku e vërtetë, sepse në fsmilje nuk ishim mësuar të
"mburreshim" rreth "bëmave" të njerëzve të shtëpisë. Ishim krenarë për prindërit tanë, por
se si na dukej të "reklamonim" cilësitë e tyre, si bëhet sot për "shitjen e mallrave në treg".
Ndoshta unë thosha , kur isha fëmijë, "kjo gjë është kështu se ma ka thënë babai" (ma kujtoi
një shok i fëmijërisë disa ditë pasi im atë ishte larguar nga jeta), por për këtë kam
pasur siguri gjatë gjithë jetës, sepse shumë rrallë im atë mund të thoshte ndonjë gjë të pasaktë.
Ai gërshetonte njohuritë, që kishte me të vërtetën, të cilës i qëndronte besnik dhe kjo e ndihte
të ishte i saktë në ato që thoshte.
Këtë përvjetor dua të prek diçka, që ndoshta nuk e kam prekur më parë në shkrimet e mija rreth tij
dhe në librin "Biseda të pakryera me babanë".
Si ishte një ditë e zakonshme e Andon Marës, në vitet '60, kur unë isha fëmijë.
Mëngjesi im fillonte me babanë,(mamaja kishte ikur në punë, kur unë zgjohesha), i cili kujdesej
që të lahesha dhe vishesha dhe më pas më jepte një të verdhë veze të rrahur, të cilën e përgatiste
çdo ditë për mua dhe time motër. Mua më mëkonte, ndërsa ime motër e hante vetë. Nuk di pse e bënte
me mua, ndoshta për të mos humbur shumë kohë, sepse edhe në kopësht unë haja vetë. Më pas më
shpinte në kopësht dhe ikte në punë. Nga kopështi më merrte po ai rreth orës 4 e gjysëm ose pesë
të pasdites. Nuk di nëse gjithë atë kohë kishte qënë në punë, apo edhe në veprimtari të tjera
kulturore të qytetit, por di që isha nga fëmijët e fundit që rrinim me edukatoret në pritje të
prindërve. Më pas, e gjithë mbrëmja ishte në familje. Hanim të gjithë darkë rreth orës 7, më 7.30
ai ishte pranë radios (vendi i tij i preferuar) dhe dëgjonte Radio- Sera dhe më pas lexonte, ose
merrej me ne, ndërsa mamaja gatuante për të nesërmen. Të gjitha këto, dimër behar, në dhomën që
rrinim, e cila ishte edhe kuzhinë. Nuk shkruante dhe as nuk rrinte kurrë në dhomën e tij. Pasi
ne kishim shkuar për të fjetur në dhomat tona, ai shkruante ose daktilografonte në të njëjtën
tryezë, ku kishim ngrënë edhe darkën. Kështu deri sa kalonte mesnata. Ndonjë fqinj, edhe ishte
ankuar ndonjëherë nën zë, se natën dëgjihej makina e shkrimit, por përgjithësisht, në pallatin
ku jetonim, njerëzit i mirëkuptonin të tjerët për ndonjë zhurrmë të pazakontë, që vinte nga
studimi i klarinetës, violisë apo nga makina e babait. Madje ndodhte, që ndonjë edhe çante drutë
në dyshemenë e banjës.
Nuk di se kush më kishte thënë, që babai ishte shkrimtar, por unë nuk e kisha parë të shkruante,
se kjo ndodhte pasi unë kisha fjetur. Ai donte një qetësi të plotë për tu përqëndruar dhe
njëkohësisht nuk donte të neglizhonte as më të voglën gjë, nga ajo që e quante të rëndësishme -
mirerritja dhe edukimi i fëmijëve. Më kishte mësuar të lexoja ato vite dhe nuk hezitonte edhe
të më mësonte aritmetikë, sepse e shihte që tregoja interes edhe për numurat. Nuk di sa e pranishme
ka qënë figura e babait në moshatarët e mij (ato kohë mendoja se e njëjta gjë ndodhte në çdo familje),
por tek unë ka qënë e gjithpranishme, duke më lënë edhe njëkohësisht të lirë për të luajtur. Nuk
kujtoj ndonjëherë të më ketë thënë "Eja tani se është ora për të mësuar këtë apo atë." Kjo ishte
liria ime në familje, e cila m'u "cënua" menjëherë, sa hyra në "regjimin e rreptë të shkollës."
Im atë sakrifikonte shumë nga koha e tij e krijimtarisë, për të na mëkuar me dashuri, njohuri
dhe dëshirën për të qënë të lirë.
Kjo ishte dita e zkonshme e Andon Marës në vitet '60.