Wednesday, 11 July 2018

Shqetësimi për të thënë të vërtetat (fund)

(vijim)


Megafonët stërmëdha të informacionit dhe të “të vërtetave” janë në duart e super të pasurve ose të politikanëve. Detyrimisht edhe informacioni është në një pjesë të madhe i manipuluar, në varësi të interesave të grupeve që e kontrollojnë atë. Ideja e “fake news”, e cila nuk është e re, por ka mbizotëruar në fjalorin politik të dy-tre vjetëve të fundit është pranimi nga shumë palë, se informacioni manipulohet. Dhe ka një arsye të përbashkët të palëve, që luftojnë për pushtet, për të kontrolluar dhe manipuluar informacionin, e cila shprehet qartë dhe e përmbledhur në thënien e mëposhtëme të Noam Chomsky-t:
“Gjithkund, duke nisur me kulturën pop dhe deri tek sistemet e  propagandës, ndjehet një trysni e pandryshueshme për t’i bërë njerëzit të ndjehen të pafuqishëm dhe tëvetmet gjëra, që mund të bëjnë, janë të miratojnë vendimet dhe të konsumojnë.”
Eshtë një e vërtetë universale për të gjitha shoqëritë , që njohim nga ato më të prapambetura e deri në më të zhvilluarat.
Eshtë një pranim thuajse nga të gjithë, që “e vërteta dhe përpjekjet për ta vënë në pah” nuk vlejnë. Ky lloj dorëzimi i njerëzve, duke filluar nga më të shkolluarit e deri në ata, që nuk kanë dashur ose nuk kanë pasur mundësi të shkollohen është tragjik. Se sa i tillë është e kupton kur përballesh me probleme jetësore, që lidhen me jetën tënde. Kur ndodhesh para një vendimi gjyqësor kryekëput të padrejtë, se pala tjetër ka blerë gjykatësin; kur humbet një të dashur, se spitalit i mungojnë mjetet e domosdoshme apo se mjeku është plotësisht i paaftë; kur të pushojnë nga puna dhe në vendin tënd emërojnë dikë, që ka një diplomë fallco; kur të shpronësojnë, se në vendin tënd kanë menduar të ndërtojnë diçka me shumë fitim për veten dhe miqtë e tyre.
Atëhere ndjen “tragjizmin” e situatës, por harron se ke vite edhe vetë, që ke kontribuar në krijimin e një situate të tillë.
Dhe kjo nis me heshtjen për të thënë të vërtetat.
Dhe të vërtetat “e hidhura” fillojnë me familjen, rrethin familjar dhe atë shoqëror dhe zgjerohen më tej tek qyteti apo edhe vendi.
Nëse nuk je në gjendje t’i thuash të afërmit, “nuk bën mirë të blesh diplomën”, “kam dëgjuar që në doganë merr rryshfete dhe kjo nuk është mirë“, “ti nuk ke nivel të konkurosh për kryetar bashkie”, “ mos përkrah filan politikan për x-çështje ndërtimi se ka korrupsion” e dhjetra të tjera si këto, atëhere mos u çudit se një ditë do jesh para një situate tragjike, që rëndon pikërisht mbi ty dhe familjen tënde.
Ndaj është kaq e domosdoshme të përulesh në tempullin e së Vërtetës.

No comments:

Post a Comment