Edhe pse Tirana nuk është Manhattan , edhe pse Aurel Plasari nuk i përket
brezit të Zhaklin Kenedit, ka diçka që i afron dhe i bën të krahasueshëm.
Mbrojtja që po i bën shqiptari i letrave Plasari, kompleksit kulturor të
Teatrit Kombëtar, sikundër amerikania e politikës dhe letrave i bëri në fundin
e viteve ’60, Grand Central Terminal
të New York .
Në atë kohë, për të mos lejuar prishjen e Stacionit Qëndror,
zonja Kenedi shkruante:
“Nuk është mizore të
lemë qytetin tonë të vdesë dalë nga dalë, duke e zhveshur nga të gjithë
monumentet e tij të lavdishëm, deri sa mos mbetet gjë nga historia dhe bukuria
e tij për të frymëzuar fëmijët tanë? Nëse nuk frymëzohen nga e kaluara e
qytetit, ku do e gjenë forcën për të luftuar për të ardhmen e tij?”
Aurel Plasari, pasi ka përshkruar më parë rëndësinë
historike dhe kulturore të kompleksit të Teatrit Kombëtar, shton në të shkëlqyerën
e tij “Pact sunt servanda” (titull i imi
për “Kontrata Proteatër”):
“Kontrata Proteatër e
Forcave Opozitare, të garantojë publikun që do përfshijë ndër përparësitë e
tyre kthimin e statusit“Monument Kulture” tok
me restaurimin e dy teatrove, atij Kombëtar dhe atij Eksperimental, që
funksionojnë sot në kompleksin e ish-Qarkut “Skënderbeg”duke tërhequr në një
sipërmarje të tillë përvojën dhe ekspertizën e arkitektëve dhe ekspertëve më të
mirë të monumenteve të kulturës në vend;”
Historia e ngritjes së qiellgërryeseve në vend të Stacionit
Qëndror në NYC, ndryshon nga historia e projektit me kulla në vendin e
Kompleksit të Teatrit Kombëtar, po aq sa ndryshon administrata e Ramës nga ajo
e Niksonit dhe po aq sa ndryshon Erion Veliaj, nga kryetari i bashkisë të NY në
atë kohë, John Lindsay.
Stacioni Qëndror ishte pronë private e një kompanie trenash,
që donte të ngrinte në vend të tij, një qielllgërryese, të projektuar as më
shumë dhe as më pak, por nga vetë Marcel Breuer, një nga arkitektët më të famshëm
të shekullit të XX-të, ndër liderat e Bahaus-it. (Para tij, danezi Ingels dhe
hollandezi Maas janë thuajse liliputë).
Në sajë të trysnisë të forcave kulturore, të udhëhequra ne
Zhaklin Kenedi, Bashkia e New York-ut, ndali lejën e ndërtimit dhe kërkoi, që
objekti të mbetej sikundër ishte dhe të restaurohej. Dhe kështu u bë, duke
“shkelur” edhe të drejtën e pronarit për të ndërtuar atë, që donte në pronën e
tij. Cështja shkoi deri në Gjykatën e Lartë, e cila dhjetë vjet më pas, i dha të
drejtë Bashkisë dhe publikut.
Historia 15 vjeçare e projeketeve në vendin e kompleksit të
Teatrit Kombëtar, është historia e një kryetari bashkije (Ed Rama), që kërkon
të tjetërsojë një pronë publike për interesat e një grupi privat, mbas të cilit
mund të jetë edhe vetë ai.
Mbrojtja historiko-kulturore, që po i bën Plasari, Lubonja
dhe shumë të tjerë, lidhet akoma më shumë edhe me interesin e publikut për të
mbrojtur jo vetëm trashëgiminë, por edhe pronën publike.
A do ishte New York-u, ky që është, po qe se prishej
Stacioni Qëndror?
Mendimi im është, që ndryshimi nuk do ishte i madh, por
beteja për Stacionin Qëndror, shpëtoi edhe shumë monumente dhe parqe që mund të
prisheshin më vonë dhe që do shfytyronin Mollën e Madhe.
Prishja e kompleksit të Teatrit Kombëtar dëmton qëndrën e
Tiranës, e cila vazhdon të cënohet me ndërtime të një arkitekture “pa ngjyrë“.
Por mbi të gjitha, ajo dëmton thellësisht raportin e pronës publike dhe të
kujtesës kolektive me shoqërinë. Eshtë një dëshmi, që arrogance e këtyre
kleptokratëve nuk njeh kufij.
A do e fitojë dot bibliofili ynë i madh Aurel Plasari?
No comments:
Post a Comment