Monday, 2 July 2018

Ndoshta ti nuk do më duash

Nuk e di pse s’mund të më duash
Edhe pse e di,
Që të më duash
S’ke përse.
Me shpinë mbështetur,
Pas një muri pendimi
Dhe këmbët shtrirë në një trotuar dhimbjeje
Kokën përkulur,
Kapelen përmbys
Drejt fundit të rrugës shikoj me nge.
Unë dashuri lyp
Prej kalimtareve të fundit të stinës,
Tek shkojnë nga pas i shoh tinëz,
Edhe pse gjë nuk lanë në kapelen e zbrazur,
Mendoj a do doja të më kishin dashur.

Nuk e di pse s’do më duash
Edhe pse do të të dhimsem
Të më duash,
Nuk ke përse.
Në kohën time të mbledhur shuk,
Unë fjeta agimeve
Më shumë se buzëmbrëmjeve.
Ti prisje në të njëjtin kryqëzim
Në rrugën “Buzuk”,
Pa ditur se flija;
Besoje tregimet e mia të endjeve.
Dhe pse e dija
Mbi të përtacisë shilars
Që ajrin me lëkundje kotësie mbars,
Do humbja dashurinë tënde të madhe
E përsëri nuk vija.

E di që nuk do më duash
Dhe që të më duash
Duhet të ketë,
Një përse.
Urrejtja ndaj mureve
Dhe pëlqimi i të përkulshmit mur të pendimit,
Që në rrëpirën plot rrënoja,
Eshtë i vetmi cep,
Ku mund të varësh kohën,
Të bëjnë të pengohesh në këmbët e mija dembele,
E të më japësh të ëmblat dhele
Ashtu si kërkush nuk m’i jep.
Të pëlqen të vuash?
Do shpirtin të fshikullosh?
Në hapësirën me kotësi mbushur,
Të ngjeshur
E njëkohësisht bosh,
Kur e di që kurrë nuk do më duash.

No comments:

Post a Comment