Kjo të shkon ndërmend, kur shikon kryeministrin Rama, që në
takimet me “hallexhinjtë“, ju thotë se nuk ka nevojë të shkojnë zyrave, por
mjafton të plotësojë për 3 minuta në platforma shqipëriaqëduam.al, një formular
ankese dhe do marrë përgjigje brenda 10 ditëve.
Nuk ka nevojë të
shkojnë zyrave!
Kjo është parrulla më populiste, që tejkalon edhe praktikën
e kohës së Diktaturës komuniste, kur “shoku Enver” e fillonte ditën e punës me
letrat e popullit.
Në orët e edukatës qytetare në gjithë vendet me demokraci të
zhvilluar, fëmijëve dhe të rinjve ju spjegohet se si funksionon shteti
demokratik. E njëjta gjë duhet të jetë në tekstet edhe të shkollave në Shqipëri.
Askund nuk thuhet, se institucionet do kenë paralel një degë të krijuar nga
Kryeministri ku “bashkëqeveriset me popullin”. Koncepti i “bashkëqeverisjes” është
në vetvete një koncept populist në rastin më të mirë dhe një koncept diktatorial
në atë më ekstremin.
Enver Hoxha nëpërmjet ankesave të letrave të popullit,
mbante nën trysni gjithë vartësit e vet dhe njëkohësisht lartësonte kultin e
tij. Asokohe funksiononte një aparat i tërë në qendër dhe rrethe, që merrej me
letrat dhe shkonte në fshatra apo në qendra pune për të zgjidhur ankesat. Ishte
një mekanizëm diabolik, që zëvendësonte institucionet qeveritare apo ato të
ligjit. Aparatçikët e Komiteteve të Partisë, që shkonin në bazë për të
diskutuar problemet, që ngriheshin në letra, i përdornin ato në varësi të “luftrave
mes klaneve” duke favorizuar ose denigruar kryetarët e kooperativave, drejtorët
e ndërmarjeve apo të tjerë nëpunës.
Të njëjtën gjë bën edhe Rama sot. Atij nuk i intereson
ndarja e pushteteve dhe forcimi i institucioneve. i intereson vetëm forcimi i pushtetit
të tij dhe nuk rreket të zbatojë alfan e demokracisë, që është ndarja e
pushteteve. Kryeministri, kryeministria dhe as ministritë nuk kanë pse të
merren me problemet e pushtetit lokal dhe as me hallet e njerëzve për punë,
kanalizime, prona apo probleme shëndetsore.
Qeveria ndjek politika, të cilat mundësojnë përmirësimin e
administratës apo zgjidhjen e shpejtë të problemeve. Nëse duhen shtuar “avokatët
e popullit”, ose ata, që në botën anglosaksone quhen “ombudsman”, atëhere kjo bëhet
me ligje dhe jo me fushata dhe as me platforma online.
E gjithë kjo bëhet për të zëvendësuar institucionet me
demagogjinë, për të kthyer kryeministrin nga një nëpunës të lartë të shtetit në
shërbim të njerëzve në Skënderbe, jetën normale qytetare në një fushatë permanente
elektorale.
Kryeministri nuk di të qeverisë.
Kjo është njëra nga arsyet, që vazhdon të bëjë atë ç’ka di më
mirë- të premtojë, të hedhë rromuze, të diskretitojë kundërshtarët, të dëshmojë
se mund të bëjë edhe diellin edhe hënën në Shqipëri.
Ndaj në shfaqjet e tij qesharake, ku thërret si këngëtari
kosovar Agron Berisha “Vetëm pesë (tre në rastin e Edit)minuta , jo më shumë!”,
ka edhe episode më absurde, si në Korçë, kur një qytetare i ankohej
kryeministrit, se shitësi i lagjes shiste mish gomari në vend të atij të viçit.
Qytetareja e shkretë, nën trysninë e televizioneve pro-Ramës,
nuk ka arritur të kuptojë, se po ankohej tek Kryeshitësi, që po shet tash e pesë
vjet mish gomari të ngordhur, të cilin e paraqet si prodhim bio të fermës së
tij në Surrel.
Por në Bruksel, dikush mban shënime për këto prodhime të
Surrelit.
No comments:
Post a Comment