Monday, 16 July 2018

Designboom dhe Peter “ram-bam”


Në një artikull pa emrin e artikullshkruesit, që ngjan më shumë si një bisedë kafeneje e Peter Wilson me një gazetar të revistës arkitekturore online “designboom.com”, pasi i ka ofruar një tufë me fotografi të bëra në sheshin para teatrit, flitet për rikonstruksionin e fundit të teatrit të Korçës.
Jam rezervuar të shkruaj për rikonstruksionin në fjalë, sepse nuk kam parë interieret, të cilat është e vështirë t’i gjykosh nga fotot. Për fasadën (rreth të cilës flitet në artikullin pa autor) kam patur një përshtypje negative, por kam menduar, që pas dëmit , që solli Kulla, fasade e rifreskuar e teatrit as shton dhe as pakëson në atë hapësirë të dëmtuar thellësisht, që tashmë nuk mund të quhet as shesh.
Në paragrafët e shkrimit, më ra në sy se si “operon” arkitekti Wilson. Bën nga një skicë dore dhe ja jep studios shqiptare, e cila ka liçencën e projektimit. Studioja quhet DEA dhe duhet të jetë krijuar posaçrisht, për të “vënë në jetë idetë gjeniale të Pitit”, pasi ka marrë nga Bashkia projektin e rradhës , sipas udhëzimeve të kryeministrit Rama.
E gjithë skema, në rastin më të mirë është një skemë “ram-bam”, ku Wilson veç marrjes së shumave të majme dhe ndarjes së tyre, nuk ka asnjë përgjegjësi teknike apo ligjore në të ardhmen e ndërtimit.
Po ç’ësht fasada e re e teatrit, për të cilën flet “designboom”?
Teatri i Korçës, i quajtur në fillim edhe Kinoteatër se kishte edhe dhomë projektimi filmash, ishte një projekt i gatshëm sovjetik, i aplikuar diku në një qytezë të vendit gjigand, mik i madh i atëhershëm i komunistëve shqiptarë. I njëjti projekt u zbatua edhe në Vlorë, ku ruhet ende sot në gjendjen fillestare.
Në fillim të viteve ’70, fasada me elementë të një neo-klasiçizmi surrugato sovjetik, u “modernizua”, sipas porosisë të Todi Lubonjës. Në mos gaboj, ishte një projekt, që realizohej nga tekniku Robert Floriri, i drejtuar nga arkitekti Koço Koçiu. Edhe pse nuk ishte ndonjë realizim i shkëlqyer, ndryshimi pati disa elementë pozitivë, si pensola e madhe, që jo vetëm mbron nga shiu spektatorët që hyjnë dhe dalin në masë nga teatri, por i jepte edhe një theksim horizontal dhe një efekt të mirë dritë hijeje, një fasade solide dhe të rëndë. Gjithashtu holli jo vetëm fitonte dritë, por edhe bëhej më transparent, në sajë të vetratës të madhe metalike. Pjesa më e madhe e fasadës, që rritej në lartësi edhe për të mbuluar plotësisht siluetën e çatisë të objektit, mbeti e rëndë dhe në të ishte “luajtur” vetëm me disa kuadratime në suva, ndërsa një pjesë e madhe ishte lënë për pakartat propagandistike të kohës. Dikush i pat cilësuar kuadratet në suva si një “çokollatë e madhe Flora”.
Ndërhyrja e Wilson nuk sjell asgjë të re, nga ajo ndërhyrje e 50 viteve më parë. Pjesa bosh e fasadës është zëvendësuar me një maskë tragjike të realizuar dobët, pjesa e kuadratave është zëvendësuar me portrete spektatorësh në terrakotë të realizuara nga artisti Vasi Kolevica, (të cilin Piti në shkrim e quan poçar, si për të treguar që ai është në gjendje të ngrerë në nivel edhe poçarët) dhe një shtesë e një maske komike, po aq e dobët e realizuar në një shtesë, atje ku dikur ishte hyrja për në blokun e agjensisë.
Para të hedhura kot!
Kështu do ta quaja ndërhyrjen e re në fasadë, që nuk ka asnjë lidhje me Art Deco, sikundër pretendon Wilson, por është një projekt tjetër i stërnxituar, që paguhet nga taksapaguesit korçarë dhe shqiptarë.
Sigurisht, askush nuk mund t’ju kërkojë hesap bashkiakëve, që ndjekin pas si dele Peter Wilson, si janë marrë në foton e mësipërme nga vetë ai. Dhe çobanin Piti këto dele inxhinierë dhe arkitektë nuk e ndjekin se janë të impresionuar nga gjenialiteti i tij, por se ashtu i ka urdhëruar kryeministri Rama dhe ministri Peleshi.
A është kjo fasadë një rikonstruksion arkitekturor i mijëvjeçarit të ri?
Aspak.
Eshtë thjesht një rifreskim i mënyrës se si e konceptonte modernen në vitin 1970, Berti Floriri.

No comments:

Post a Comment