Në përgjithësi flitej në ato kohëra, që në Parti ishin
mbledhur njerëz nga më të pazotët dhe deri në burra dhe gra me moral shumë të
dyshimtë, gjë që më tepër akoma i largonte njerëzit nga struktura të tilla si
organizatat bazë të partisë nëpër ndërmarje. Atje ku punoja, edhe pse numuri i punonjësve
ishte i vogël, pata gjetur shumë pak komunistë. Bile organizanta, që na mbulonte,
thuajse të gjithë anëtarë i kishte në institucione të tjera. Sekretar ishte një
marangoz injorant, (edhe si marangoz nuk vlente një lekë) që punonte si instruktor
pune me dru në një Bazë, ku bënin punën prodhuese nxënësit e shkollave të
mesme, ndërsa anëtarë dy- tre magazinierë, që kishin qënë ushtarakë të Ministrisë
së Brendhme dhe kushedi se përse i kishin larguar, si dhe një tjetër ushtarak i
tillë, që punonte në stacionin meteorologjik të qytetit. Përbërje të ngjashme
kishin edhe organizata të tjera bazë, në vendet e punës të shokëve të mij.
Grupe njerëzish “xhahilë“, por që nuk përjashtonte mundësinë, që mes tyre të
kishte edhe njerëz të mirë.
Të bëheshe komunist në vitet ’80, kur bëheshin fushatat e “gjakut
të ri në Parti”, do të thoshte se ose ishe i pazoti dhe shumë karrierist, ose
(në raste shumë të rralla), në vendin e punës, për tu mbrojtur, nuk kishe mënyrë
tjetër veçse të bëheshe anëtar partie. Ndaj kur lexoj, se njerëz të artit e të
kulturës, kanë bërë kërkesë për të hyrë në Partinë e Punës, pas vdekjes së
Enver Hoxhës, më duket jo vetëm e pështirë, por edhe një miopi e pabesueshme.
Një ndjenjë të tillë, provuam me disa miqtë e mi, kur në
vitin 1988 ose 1989, gjatë përurimit të një ekspozite pikture, sekretari i parë
i Korçës i asaj kohe, Vangjush Cërrava, njoftoi një kolegun tonë se ishte
pranuar kandidat partie. Si nuk na ranë në kokë skulpturat e ekspozuara, midis
të cilave kujtoj një “grup skulptural fëmijësh kokëmëdhenj” të skulptorit Sotiraq
Grazhdanji, që u pëlqye shumë nga kryetari i komitetit ekzekutiv, i ndjeri
Gjergji Krastafillaku!
Pra në pjesën më të madhe, organizatat e partisë kishin në përbërje
shumë derdimenë, terelengo, merhumë, batak]inj, tuhafë, teleshmënë, rrostopoj,
sherr budallenj dhe deri në zuzarë dhe gjyvendera. Të ishe pjesë e tyre nuk përbënte
asnjë nder edhe sikur të ishe kokë e këmbë i bindur, se Partia jonë ishte “fanar
ndri]ues në brigjet e Adriatikut”. Një gjendje të tillë e kishin konstatuar
edhe ata, që kishin “dy para mend” në majë të “Piramidës” dhe që donin t’i zëvendësonin
Lenkat, Simonët dhe Palët.
Spastrimet e bëra pas vitit 1982 në Ministrinë e Punëve të
Brendshme dhe politikat më liberale të Ramiz Alisë ndaj “agjitacionit dhe propagandës”
patën bërë të mundur një ulje të agresivitetit të “fuksave”(si quheshin atë kohë
operativët e Degës). E megjithatë, disi papritur, në fillim të vitit 1986, një
shoku jonë u njoftua në mirëbesim se një punëtor operativ i kishte kërkuar
dikujt të raportonte për bisedat politike me të. Dukej e panatyrshme për kohën,
por ishte e vërtetë. Nuk u mësua kurrë nëse punëtori operativ e kishte marrë
nismën për motive personale, se pas ankimit të shokut tonë, ]ështja nuk u shty
më gjatë.
E përmenda këtë për të theksuar, se “terrori komunist” pas ’82-shit
dhe sidomos pas vdekjes së Hoxhës ishte ulur në minimum dhe jo si pretendojnë
shumë “disidentë“, që janë përndjekur e persekutuar në gjysmën e dytë të viteve
’80. Mund të ketë ndodhur vetëm në rastet, kur ka patur përpjekje për të
organizuar mitingje, ose veprime të tjera kundër Diktaturës, por jo thjesht për
të folur. Pafuqia ekonomike e shtetit, mungesat e mëdha në tregun ushqimor, i kishin
detyruar kupolën komuniste të bënte lëshime në arrestimet dhe përndjekjet vetëm
për biseda politike. Edhe vetë komunistët teknefezë ishin të lodhur dhe të pakënaqur
nga problemet e përditshme të mungesës së ushqimeve.
(vijon)
No comments:
Post a Comment