Monday, 9 July 2018

Shqetësimi për të thënë të vërtetat (2)

(vijim)

Kërkimi i të vërtetës është në thelbin e ekzistencës të njeriut dhe jo vetëm atij modern. Krijimi i Perëndisë të së Vërtetës, si të gjithë nocionet e tjera filozofike i përket Greqisë së Lashtë. Tek romakët shihet si qëllim i jetës si dhe mënyrë të jetuari. Disa nga shprehjet latine rreth të Vërtetës janë moto e universiteteve më të mira në botë. Universiteti i Kalifornisë ka si moto “Vox Veritas Vita”( “Jeto duke thënë të vërtetën” ose “Të thënit e të Vërtetës si mënyrë të jetuari”), që mbase duhet të jetë moto e çdo shkolle në botë, duke nisur me ato fillore.
Por mësimi për të thënë të Vërtetën fillon në shtëpi. Nëpërmjet shëmbulllit të më të rriturve dhe sidomos me këmbënguljen për të vënë gjithnjë në dyshim njohuritë dhe informacionin. Nxitja ndaj fëmijëve duhet të jetë për të përdorur sa më shumë “Pse?”, “Po sikur?” në mënyrë , që të shkohet në rrënjët e gjithshkaje që ju mësohet. Por në shoqëritë e prapambetura dhe ato, që kanë kaluar sisteme diktatoriale, familja, shkolla dhe shoqëria kanë prirjen të përgatisin konformistë. Konformistët e kanë më të sigurt mbijetesën, por jo vetëm, që nuk mund të sjellin ndryshime pozitive në jetën shoqërore, por e bëjnë më të lehtë, që kjo e fundit të sundohet nga manipulatorët.
Konformizmi, që është i papajtueshëm me të Vërtetën, është ura mbi të cilën kalojnë gjithë sistemet autoritare. Dhe sistemet autoritare nuk janë vetëm politike, por edhe në organizatat ekonomike private apo publike. Konformizmi brenda këtyre grupimeve shooqërore, i justifikuar me “bosi gjithnjë ka të drejtë“ mund të sjellë dëme të mëdha në jetën e shoqërisë, sidomos kur veprimtaria ekonomike zhvillohet në një fushë delikate të jetës së shoqërisë.
Le të marrim një shembull të thjeshtë të një skandali në Amerikë, ai i kompanisë “Theranos”. E formuar në vitin 2003 nga 19 vjeçarja Elizabet Holms, kompania pretendote se kishte krijuar një mënyrë shumë të përparuar të analizave të gjakut, duke realizuar analiza të plota vetëm duke marrë nga pacientët 3-4 pika gjaku. Në kulmin e saj, në vitin 2014, kompania kishte një vlerë mbi 10 miliard dollarë, ndërsa sot është thuajse e falimentuar. Brenda për brenda kompanisë, dy partnerët kryesorë patën krijuar një kulturë discipline dhe mashtrimi, që mbyste të vërtetën e thjeshtë, që teknologjia e pretenduar ishte shumë shumë larg të vërtetës dhe në analizat ose mashtrohej ose punohej në mënyrat tradicionale. Specialistët, që kishin ngritur zërat ishin pushuar menjëherë nga puna. Por problemi nuk është tek ata, të cilët i largojnë, por në mijëra conformistë, të cilët vazhdonin të pajtoheshin me kulturën e nënshtrimit dhe të mashtrimit.
Të tilla shembuj ka me me mijëra në botë vetëm në industrinë farmaceutike dhe atë, që lidhet me shëndetin e njerëzve.

(vijon)

No comments:

Post a Comment