Tuesday, 31 July 2018

Korça e muzikës lirike

U mundova të gjeja në mediat online diçka rreth festivalit MIK të nisur nga Inva Mula, por më kot. Gazetarët e qytetit tim e kanë më të lehtë të shkruajnë për Festën e Lakrorit. Ndoshta muzika lirike nuk ka sot të ashtuquajturin “sex appeal”.
Po për disa ditë, muzika lirike u kthye në “atdheun” e saj shqiptar, Korçë. Dhe kushdo, veç Inva Mulës, I angazhuar në këtë rikthim meriton lavdet më të mëdha. Peleshi, Filo, Rama a cilido tjetër.
100 vjet më parë, muzika lirike dhe “bel canto” ishin muzika modern, ashtu sikundër janë sot në botë, format e rja të pop-it, rep-it apo rock-ut. Korça, si qyteti më modern i Shqipërisë, i përqafoi jo vetëm e para, por dhe e vetmja. Ende pa dalë akoma në skenë Tefta Tashko, Kristaq Antoniu, Jorgjia Truja, Kristo Kono, Mihal Ciko dhe shumë të tjerë. Ndërsa në qytetet e tjera buçisnin jaret, këngët e Isuf Myzyrit, në Korçë, muzika e avanguardës pati fituar popullaritet. Arie të njohura bile ishin përkthyer në shqip. Ishte një atmosferë muzikore e plotë, të ciës nuk i mungonin orkestra frymore, por edhe sazet në nivelin e tyre më të mirë duke nisur me Demkën(Hajron) dhe duke vazhduar me Qerimenë, çuditërisht e harruar.
Në këtë mjedis artistik u brumosën këngëtarët e mëdhenj lirikë, të cilët studiuan më pas në konservatorët më të mirë të Europës.
Më vonë, dhjetra korçarë shkëlqyen në skenën e muzikës operistike. Gjoni Athanasi, Gaqo Cakoja dhe Rozmari Jorganxhi ishin ndër më të shquarit në Tiranë, por edhe në qytet vazhdonte tradita me opereta të kënduara nga të mirënjohurit Gaqo Jorganxhi, Piro Sulioti, Mihallaq Zallëmi, Spanja Pipa dhe të tjerë. Korça ishte qyteti I parë, që “furnizonte” me zëra korin e Operas dhe atë të Ansamblit të Ushtrisë. Më të talentuarit këndonin edhe si solistë, duke filluar me Qeti Cicon, Pandi Peleshin dhe duke vazhduar me Pandi Zguron, Petrika Rrëmbecin, Gjergji Suliotin dhe Agim Duron.
Ndoshta mund të kem harruar edhe shumë emra këngëtarësh të tjerë lirikë të dalë nga Korça.
Eshtë shumë bukur, që muzika lirike kthehet sërish mbrëmjeve të qytetit, që janë ndër mbrëmjet më të bukura të Ballkanit.Me siguri edhe shumë djem dhe vasha të qytetit do ëndërrojnë të ngjiten skenave botërore në shembullin e Invas dhe të miqve të saj.
Suksese MIK-ut dhe një vazhdimësis a më të gjatë e të bukur!

No comments:

Post a Comment