Beket do ishte i interesuar vetëm të vinte në shfaqje, zhurrmat e heshtjes të gjithë kësaj pritje të gjatë, lineare, të thjeshtë në kompleksitetin e saj, qesharakzezë.
Mund të mbante tre katër personazhe fjalëpakë dhe veprimekursyer, të cilët as presin të ndodhë diçka, se nuk kanë shpresë se mund të ndodhë ndonjë gjë e mirë.
Nën një kolonë zanore të fëshfërimës gjatë numurimit të dyqindmilion eurove (merr një kohë prej rreth 90 minuta të numurosh 200 milion euro në prerje 500-she) mund të zhvillohen dy ose tre aktet e pjesës “Teatërgate”.
Eshtë e natyrshme të mos fantazojmë dot në mënyrë të ngjashme me Beketin, por ndoshta fasada e një ndërtese kulturore, që simbolizon edhe kulturën, edhe demokracinë, edhe historinë, edhe dinjitetin e njeriut, edhe shpresën për të mos vdekur kot, mund të ishte në qendër të skenës. Një fasadë, që degjeneron gradualisht nën melodinë funebër të kartmonedhave që numërohen pa pështyrë gishtat (nuk besoj se përdorin makinat e bankave këta , që marrin rryshfete.)
Një filozof, një aktor dhe një bahçevan, janë të mjaftë për të mbajtur peshën e dialogjeve pa mendim, se i gjithë mendimi i përket personazhit kryesor, i cili nuk shfaqet kurrr në skenë. As në epilog.
Bahçevani është më aktivi, se shkul pemët , që rrethojnë ndërtesën dhe i mbjell në paraskenë duke marrë selfie, por nuk thotë kurrë asgjë. Vetëm, se duke shkulur pemët, rrënon pak e nga pak fasadën dhe buzëqesh tinëz.
Aktori anohet vazhdimisht se gjen derën e godinës mbyllur dhe nuk mund të thotë monologun, pa patur veshjet dhe makiazhin e duhur, ndërsa filozofi mediton dhe hedh herë pa here në ajër, pjesë të përsiatjeve të tij, të përzjera me citate filozofësh antikë.
Filozofi – (Nuk i drejtohet kujt) Gërvishtja e suvave që bien janë e vetmja gjë, që mund të interpretosh ka thënë Ai…Je vetëm zë dhe zëri nuk ka nevojë për veshje.
Aktori – (Spektatorëve) I kam thënë, që nuk t’i lexoj kurrë librat. Nuk kanë dialog. Janë të painterpretueshme.
(Ndërkohë bahçevani rrëzon një pjesë tjetër suvaje me rrënjët e pemës së porsashkulur.)
Filozofi – (Me vete) Mu bë se dëgjova zërin e tij. Nuk ka lexuar kurrë libra…Ka patur probleme me disleksinë…
(Bie një pjesë e madhe suvaje dhe mes tullave duken të varura një palë të mbathura XXL ngjyrë ari. Aktori dhe filozofi fillojnë të debatojnë se kujt i përkasin. Bahçevani qesh fshehtazi, sepse di gjithshka dhe ju shkel syrin spektatorëve.)
Përfundon akti I parë dhe asgjë më shumë nuk ndodh edhe në aktet e tjera. Fëshfërimë dhe pikëllim, si dhe zëra të mbytyra materialesh ndërtimi që degradojnë.
Askush nuk shkon të shohë shfaqjen “Teatërgate”.
Teatri Absurd nuk është më në modë.
Për më tepër nuk ka asnjë ngjashmëri me Beket.
No comments:
Post a Comment