Friday, 20 July 2018

“Me Partinë e Sumës, lule çeli jeta…” (fund)

(vijim)

Po pse në qytetet shqiptare nuk pati organizime kundër sistemit apo protesta si në vendet e tjera të Lindjes gjatë viteve 1988 dhe 1989?
Përgjigja nuk është shumë e thjeshtë dhe faktorët mund të jenë të shumtë, që fillojnë me ashpërsinë e Diktaturës shqiptare, izolimin e Shqipërisë dhe deri me mungesën e traditës të solidarizimit mes shqiptarëve.
Për mendimin tim, veç frikës, në shoqërinë shqiptare mungonin pika referimi, të cilat mund të sillnin organizimin e njerëzve. Në historinë moderne të Diktaturave, këto zakonisht janë institucionet fetare, klubet kulturore, grupimet ushtarake, grupimet sindikaliste ose figura shumë të njohura dhe me mbështetje në popull si patriotë të shquar apo filozofë të mëdhenj.
Asgjë e tillë nuk ekzistonte në Shqipëri!
Enver Hoxha ishte “kujdesur” të mos linte asnjë lloj alternative tjetër veç Partisë dhe levave të saj, organizatave anemike të masave.
Ndaj ishte e pamundur jo vetëm të ndodhte ç’ka ndodhi në vitet ’80 në Poloni me “Solidarnos”, por edhe të fishkëllehej dhe merrej me “yjaaa” Ramiz Alia, si morën rumunët gjatë fjalimit të 22 dhjetorit 1989, Nikolae Causheskun.
Edhe pse të shtyrë deri në kufijtë e mbijetesës, me një kg mish në javë për familje, 10 vezë dhe 1 kg djathë në muaj dhe plot mungesa të tjera ushqimesh në qytet, njerëzit nuk kishin kurajë të ngriheshin kundër partisë-shtet. Në fshat mungesat ushqimore ishin të tmerrshme. Familje të tëra ushqeheshin vetëm me bukë dhe sherbet (ujë me sheqer). Këtë mpirje të përgjithshme e shtonin edhe “legjendat” e krijuara nga njerëzit vetë, ose edhe në bodrumet e Sigurimit “se për ne kanë vendosur të huajt të na lenë kështu, për të qënë një shembull se si jetohet në socializëm”.
Edhe rënia e Murit të Berlinit, në nëntor 1989, edhe pse ngjalli shumë shpresa, nuk pati një efekt të menjëhershëm në organizimin e e njerëzve, që nuk e donin sistemin dhe që atë kohë përbënin shumicën e popullsisë nëpër qytete. Për shkak të propagandaës shtetërore në tv, në fshat kishte më shumë rezistencë prokomuniste, edhe pse jeta atje ishte më e vështirë.
Shqiptarët prisnin me sytë nga Perëndimi, sikundër presin edhe sot, që reformat t’ja u bëjë Uashingtoni dhe Brukseli.
Por në atë kohë, veç frikës nga Diktatura, ekzistonte edhe një stepje prej të Panjohurës, sepse ishin të pakët ata , që dinin se si mund të funksiononte shteti dhe shoqëria në një sistem të ndryshëm, se ç’mund të bëhej me institucionet e mbyllyra fetare dhe a do kishte përçarje mes njerëzve, se çdo bëhej me pronën tërësisht shtetërore, se ku do punonin të diplomuarit në universitetet shqiptarë dhe dhjetra pyetje të tjera të këtij karakteri. Ndaj artikujt e parë “anti-sistem” të pranverës 1990, që u shfaqën në shtypin zyrtar(të Ylli Popës, Sali Berishës e ndonjë tjetri) u “përpinë“ nga njerëzit. E megjithatë, pyetja që endej në mendje ishte “cilët do na drejtojnë në një lëvizje kundër Diktaturës?” Ishte thuajse një shkretëtirë emrash.
Në bisedat e hapura, veç shokëve të mij të ngushtë, por edhe të miqve të mij, Fredi Bitincka, Piro Tërova, Koço Dinella, Gjergji Skënderi, Ferdi Kosti dhe të tjerë, nuk shihnim mundësinë, që diçka e afërt të shfaqej në jetën e shoqërisë shqiptare, e cila mund të sillte përmbysjen. E tillë ishte gjëndja psikologjike e jona deri në vjeshtën e 1990, teksa përgatisnim beton në një rrugicë, një burrë kaloi dhe na tha “Ju lumtë djema!” dhe ne pa një pa dy ju përgjigjëm “I lumtë Partisë, që na udhëheq!” dhe kalimtari pa ulur zërin tha: “Mo po ju lumtë juve pa partisë ja lërofsha, kush e ka bërë!”
Ishte gati të pëlciste dhe vetëm një shkëndijë pritej.

No comments:

Post a Comment