Tuesday, 10 July 2018

Shqetësimi për të thënë të vërtetat (3)


(vijim)
Njerëzit janë shumë të ndjeshëm me manipulimet dhe mashtrimet, që bëhen në fushën e shëndetsisë, sepse lidhen drejtpërdrejt me ta dhe të afërmit e tyre. Ndaj edhe skandalet e kësaj fushe, si ky i “Theranos”, apo i medikamenteve të falsifikuara, i bëjnë të reagojnë me indinjatë, por njëkohësisht harrojnë, ose nuk ju pëlqen të kujtojnë se janë po aq conformistë brenda kompanive të tyre, ose në lëmin e veprimtarisë së tyre.
Nëse e thëna e të vërtetës nuk kthehet në mënyrë të jetuari, atëhere shoqëria nuk mund të bëjë kurrë përparim.
Shoqëritë e vendeve skandinave janë ilustrimi më i mirë i kësaj ideje.
Tek ne mbizotërojnë këshillat e tipit “ç’të duhet ty?”, “nuk mund ta ndryshosh ti botën”, “shiko punën tënde”, “qingji i urtë pi dy nëna”, “ me të mëdhenjtë kije mirë“, e të tjera si këto, të cilat ja u japim “pa doganë“ të rinjve dhe të afërmve. Harrojmë se në një farë mënyrë ju themi të kthehen në eunukë dhe në të tredhur, gjë që jo vetëm i bën pa personalitet, por mbi të gjitha i kthen në njerëz lehtësisht të manipulueshëm, që do s’do do e pësojnë në jetë.
Shoqëria shqiptare (dhe jo vetëm ajo) nuk u kthye në një shoqëri të korruptuar vetëm në një ditë dhe pasojë vetëm e një grupi njerëzish, por ditë për ditë, nga të gjithë ne, kush më shumë e kush më pak.
Ndaj edhe shqetësimi për të thënë të vërtetat edhe të thjeshta, edhe ato historike, nuk është absurditet, por nevojë. Nuk arrihet menjëherë në mohimin e holokaustit, apo të genocidit të armenëve në Turqi, apo të Diktaturës në Shqipëri. Ato nisin me fshehjen e fakteve, kur flitet për ngjarje të së kaluarës, me zbutje të nuancave, ose më përgjithësime se “të gjithë kështu bëjnë“. Nëse thuhet se p.sh. Mehmet Shehu ishte kriminel, kjo nuk është çështje opinoni, por faktesh. Në shpatullat e tij rëndojnë krime të kryera me dorën e tij, pushkatime të urdhëruara pa gjyq, intriga për vrasje kundërshtarësh apo edhe shokësh dhe të tjera si këto. Nëse ka qënë i zgjuar apo jo, trim ose jo, besnik ose jo, gjkanxehtë apo i përmbajtur, këto kanë shumë pak rëndësi. Po ashtu pak rëndësi ka nëse ka bërë edhe të mira në jetë. Njerëzit me pushtet nuk mundet vetëm të vrasin përditë, se në raste të tilla do klasifikohen si vrasës serialë. Pushteti për një kohë të gjatë krijon mundësi edhe për vepra të mira apo bamirësi, por kjo nuk ndryshon thelbin se ai u ngjit në pozitë duke kryer krime dhe ndenji në pushtet duke bërë krime, deri sa i erdhi radha ta pësonte nga intrigat e njerëzve të ngjashëm me të.
Por kjo nuk vlen vetëm në “dimensionet” e mëdha të kriminelëve, si janë rastet e Hoxhës, Shehut, Xoxes, Haznedarit, Hazbiut, Ziçishtit etj., por edhe për përmasat më të vogla të karrieristëve, arrivistëve apo konformistëve të asaj kohe dhe të kohës së sotme. Kam njohur ato kohë, një njeri vërtet të mirë dhe nga një familje e mirë, por që ishte aq i bindur ndaj ligjeve dhe urdhrave, sa që po ta urdhëronin të ngrinte mitrolozin dhe të qëllonte mes sheshit mund ta bënte vetëm e vetëm se ju bindej urdhrave.
Pyesja veten se ç’farë e bën këtë njeri të mirë dhe të shkolluar, të veprojë me kaq verbëri sa mund të arrijë edhe në zbatimin e urdhrave nga më absurdet.
Konformizmi dhe frika. Këto dy përbërës mund ta kthenin në kriminel një njeri të mirë.
Kishte ndodhur 50 vite më parë me shumë gjermanë të mirë.
Por e kaluara e jetuar, që tashmë quhet histori, është jo vetëm pjesë e jetës së njerëzve, që ende jetojnë, por nëse paraqitet e ndryshuar, jo vetëm rrezikon të përsëritet, por ndikon në formimin e shtrembër të brezit , që vjen.
Po jap një shembull, që më kalon vetëtitmthi në mendje dhe që ndoshta nuk është më sinjifikativi. Në mediat sociale, në një foto të postuar nga një nga djemtë e Vangjush Cerravës, kishte një sërë komentesh nga njerëz, që kanë jetuar në atë kohë dhe e cilësonin si “njeri të shkëlqyer”. Përgjithësisht nuk kam dëgjuar fjalë të këqija për Vangjushin, por vetë fakti, që arriti deri në Byronë Politike e skualifikon nga të qënit “i shkëlqyer”. Në rastin më të mirë do e cilësoja si të mefshtë, por edhe kjo mbase nuk i shkon shumë përshtat. Cërrava ka pasur një karrierë të nisur nga Sekretar i Parë i Rinisë, më pas në Sekretar të Komitetit të Partisë e kështu me rradhë. Nuk ishte ndër më negativët, por ka qënë i pranishëm në qarqe të larta në vitet më të egra të terrorit komunist, që fillojnë me vitin 1973 dhe deri më 1982. Edhe sikur të ketë bërë më të mirën e mundshme në atë kohë, përsëri mbetet një njeri që ka probleme të mëdha me të Vërtetën, se jo vetëm nuk ka bërë kurrë “mea culpa”, por as ka dëshmuar ato ç’ka ditur si dëshmitar i dorës së parë e që nisin me përpilimin e listave të të internuarve e përfundojnë me miratimet për dënime me vdekje. Njerëz të tillë, që asokohe (por edhe sot) konsideroheshin si “burra të mirë“, ishin dhe mbeten ingranazhet kryesore të një makine shtypëse.
Shembulli i tyre sot, si “njerëz të shkëlyer”, vetëm se ngre kultin e “konformistit”, për të mos thënë kultin e “të përlyerit në krime”. Edhe sot ka të tillë “burra të mirë“. Mund të mos përfshihen drejtpërdrejt në korrupsionet e mëdha, por ose mbyllin gojën, ose përgatisin materiale që mbrojnë “dumbarallëket” e ofiqarëve, ose thonë kafeneve, “po dhe ai ose ajo nuk hoqi dorë nga e grindura”, ose “ç’i duhet që ngatërrohet kot”. Kjo kategori njerëzish ka respekt për të Vërtetën, por vetëm për atë të Vërtetë, që lidhet ose ndikon drejtpërdrejt në jetën dhe në karrierën e tyre. Në përgjithësi, këta “burra të mirë“, rrjeshtohen gjithnjë në krahun e fituesve. Por nuk tregojnë ndonjë zgjuarsi të madhe. Jo rrallë gjendja e vendit shkon poshtë e më poshtë dhe ata, që e pësojnë prej saj janë fëmijët e tyre.

(vijon)

No comments:

Post a Comment