Në shtypin proqeveritar kanë zënë vend këto ditë, dy letra të hapura, që këmbehen mes dy humoristëve Leka Bungo dhe Pëllumb Kulla rreth çështjes “së nxehtë“ të komplesit të Teatrit Kombëtar. Të dy, në krahun pro prishjes së kompleksit, ironizojnë përpjekjet e kundërshtarëve të prishjes, qofshin këta njerëz të politikës, të shtypit apo të kulturës shqiptare.
Humori i tyre tallës, të kujton humorin therrës të lolove të oborreve të Mesjetës, por i drejtuar vetëm ndaj “armiqve” të aristokracisë të Tiranës. (Lolot e Mesjetës kryesisht ngacmonin Sovranët dhe oborrtarët e tyre.) Vihen në lojë Përparim Kabo dhe Andi Bushati, si dhe shprehet habia se si Fatos Lubonja, Artan Fuga apo Artur Zheji mund të “ndjejnë më shumë dhimbje” për teatrin se sa Ndrenika, Paja apo Imami.
Gjithashtu të dy “lolot” tallen me idenë e argumentuar nga opozita dhe media, se pas prishjes së kompleksit, qëndron një aferë korrupsioni prej dyqind million eurosh.
Më vjen keq për Kullën dhe Bungon, që vullnetarisht bëhen “lolo” të Edi Ramës, kur ai ka me dhjetra të tillë në “oborr” duke filluar me Kryetarin e bashkisë Veliaj dhe duke vazhduar me plot të tjerë. Nëse Kulla dhe Bungo e bëjnë këtë thjesht për të pasur një godinë moderne të Teatrit, pa pasur asnjë lloj interesi tjetër, atëhere tregojnë se janë vetëm miopë. Dhe nëse Kullës, që jeton në Amerikë kjo mund t’I falet, Bungos në Shqipëri kjo nuk I lejohet. “Lopa gjigande e korrupsionit” në këtë rast nuk pëllet vetëm “muuuuuuu”. Në rast se kjo lidhet me interesa më të drejtpërdrejta, atëhere edhe e ka një farë llogjike ky “lolizëm vulnetar”.
Unë nuk di se sa lidhje ka Kabo me filozofinë marksiste dhe Bushati me njohuritë në gjinekologji, por më ka zënë syri në shtyp se bashkëshortes të Kullës, aktores mesatare të estradës së Fierit Xhuli Kullës i është lidhur nga Rama një pension special. Ndoshta nuk ka kuptim, që Pëllumbi dhe Xhuli ta refuzonin këtë pension, por të dy janë të ndërgjegjshëm se ju është bërë një favor i pamerituar, ndaj para se të sulmojnë të tjerët është mirë të bëjnë pak “autoironi publike” me veten.
Cështja e Teatrit Kombëtar është një çështje komplekse që lidhet me ligjet e pronësisë, ato të urbanistikës dhe arkitekturës, si dhe të restaurimit dhe ruajtjes së kujtesës kombëtare. Ndaj është më mirë të trajtohet me seriozitet edhe nga “shakaxhinj”të kohës së Diktaturës dhe Realizmit Socialist. Bunga dhe Kulla mund të kenë pasur vështirësitë e tyre në atë kohë, për shkak të problemeve në biografi, por gjithashtu nuk duhet të harrojnë se me humorin e tyre mediokër u bënë figura të njohura dhe të privilegjuara në atë kohë. Në një vend perëndimor, nuk do arrinin të nxirrnin dot bukën e gojës me atë lloj arti dhe letërsie që prodhojnë. Ndoshta ende në nënndërgjegjen e tyre ndjehet kjo mirënjohje për pinjollët e Partisë së Punës.
Mbi të gjitha, çështja e kompleksit të Teatrit lidhet me funksionimin e Demokracisë dhe me të drejtë opozita e ka bërë çështje politike të saj. Ndaj kësaj grabitje në “ditë me diell” të pronës publike, vetëm se është në mes të Tiranës dhe mund të gjenerojë fitime të mëdha nuk ka se si të heshtet. Edhe nëse kanë dështuar ndaj stadiumit kombëtar, kullave apo të tjerave shkeljeve të ligjeve mbi pronësinë, urbanistikën dhe mbrojtjen e historisë kombëtare, një ditë, arrogancës i duhet thënë me të gjitha format “Mjaft!”
Vetë kryeministri Rama është më i trembur se kurrë për çështjen e teatrit, që ka marrë tani dhenë edhe korridoreve të Brukselit, ndaj rri i heshtur dhe lëshon lukuninë e mbrojtësve të tij me në krye Erion Veliajn.
Ndaj nuk besoj të ketë buzëqeshur as me letrat e Bungos dhe Kullës, kur ja ka lexuar plot zell ndonjë “lolo” me pagë të madhe, që ka në kryeministri.
No comments:
Post a Comment