Sunday, 22 July 2018

Arta Marku ndalja dorën “Neronit”, edhe për të mirën e tij!

Narcisist në pakufi, perandori romak Neroni, preferonte ta quanin “Artist”. Këto ishin edhe fjalët e tij të fundit, ndërsa shoqëruesi i shponte tejpërtej barkun me shpatë, sipas dëshirës së tij: “Qualis artifex pereo” (C’farë artisti po vdes!)
Gjatë sundimit të tij 14 vjeçar Neroni pati shumë bëma, krime, suksese, luftra, pushtime, ndërtime, por një nga më të njohurat mbetet djegia e disa lagjeve të Romës. Shumë e kanë paraqitur si një trill sadist të tij, gjatë të cilit perandori këndonte dhe dëfrente në kodrën e Kapitolit, por e vërteta është, se artisti-perandor kishte provokuar zjarrin për të vënë në jetë një plan të tijin urbanistiko-arkitekturor, që përmbante mes të tjerash një Pallat të artë dhe një shtatore të tij 30 metra të lartë të quajtur Kolosi Neron.
Edhe pse ishte perandor, Neroni nuk ishte në gjendje të shpronësonte pronarët, por ishte i detyruar të ndizte zjarre dhe për këtë të akuzonte dhe përndiqte të krishterët e parë.
Rasti i artistit-kryeministër të Shqipërisë është më banal. Më shumë se dëshirë përjetësimi i vetvetes, tek rasti i prishjes së kompleksit kulturor të Teatrit Kombëtar është mbizotërues lakmia. Forma e arritjes, edhe pse në dukje e veshur ligjërisht, është edhe më arrogante se ajo e Neronit. Kompleksi u la për vite të tëra të degjeneronte, ndërsa përgatiteshin projektet e bujshme, që janë pjesë e “hiedhjes syve” ndaj popullit të Tiranës.
Po ç’pret prokurorja Arta Marku, pas gjithë këtyre denoncimeve të opozitës, aktorëve, njerëzve të letrave, që nuk hap një dosje hetimore për rastin e degjenerim-prishjes së kompleksit dhe dhurimit të pronës publike?
Vetëm sot, portali “Lapsi” ka botuar 11 mashtrime të bëra nga funksionarët e lartë, përfshi këtu kryeministrin Rama, që lidhen me këtë “telenovelë“ të shëmtuar.
Dhjetra personalitete të kulturës shqiptare kanë shprehur hapur dyshimet për këtë aksion mafioz-antikulturor, që shoqërohet me vjedhje të hapur të pronës publike.
Cfarë elementë ligjorë mungojnë për të hapur një dosje dhe për ta njoftuar atë publikisht?
Eshtë bile një favor, që do i bëhet kryeministrit Rama, pasi ky rast korrupsioni kaq i hapur nuk ka për të mbetur pa ndëshkuar.
Po pritet që kompleksi të prishet?
Po pritet, që “Fusha shpk” të ndërtojë dhe më pas të vendoset dinamiti?
Po pritet, që pas dinamitit nga arka e shtetit(xhepat e taksapaguesve) të shkojnë përsëri miliona dhe miliona euro në favor të Fushës së dëmtuar?
Nëse Arta Marka e përzgjedhur nga Manja dhe Xhafa dhe e miratuar nga Edi Rama, ka një lloj detyrimi ndaj këtij të fundit, duhet ta shpëtojë duke e paralajmëruar me hapjen e një dosjeje.
Në të kundërt, një ditë të bukur me diell, do ta dëgjojë kryeministrin e sotëm të thotë: “C’farë artisti po përfundon pas hekurave!”
Personalisht nuk kam asnjë dëshirë, që artisti-kryeministër të ketë të njëjtin fat të Neronit. 

No comments:

Post a Comment