Sunday, 22 July 2018

Korriku i 40 viteve më parë


Ishte i nxehtë, ndoshta si i mëparshmi, ndoshta pak më tepër. Nuk kisha ndonjë plan për të shkuar me pushime, as unë dhe as shokët e mij. Një vit më parë, patëm qënë tre javë në kampin e rinisë në Golem dhe kishim ardhur barkzbrazët dhe ishim betuar që mos shkelnim më në atë kamp. Për vite me rradhë, nuk i hëngrëm piperkat e mbushura, që kishin qënë gjella bazë e atij trejavori.
Sa kishim mbaruar maturën dhe nuk kishim dëshirë as të shkonim në plash me prindërit. Të burrëruar para kohe, pa një dyshkë në xhep dhe pa ndonjë plan për vitin që na priste. Ishim të detyruar të punonim një vit para se të shkonim në universitet, diçka e detyrueshme ato vite për djemtë, kusht që nuk u kuptua kurrë as pse u vu dhe as pse u hoq disa vite më pas. E megjithatë ajo kohë kishte shumë absurditete të tjera, sa kjo e “stazhit të djemve” as i bënte kujt përshtypje. Shoqet tona të maturës do shkonin në shtator në Tiranë, por edhe kjo nuk na krijonte ndonjë peng të madh. Asnjë nga shokët e mij nuk kishte të dashur moshatare.
Pa peshën e frikës nga mësuesit dhe drejtuesit e shkollës, as nxënës dhe as studentë, as të rinj në rrogë dhe as vullnetarë, as të tërhequr ndaj librave dhe gjuhëve të huaj dhe as nga ndonjë orkestër muzikore, ne zdërhalleshim para dite në sofatet e Bulmetores(shtëpia e Sandës) dhe pasdite në ato të Bonbonerisë, në varësi të diellit dhe ngacmonim njëri tjetrin. Nuk kishte tifozë të Argjentinës atë vit, për të vazhduar të grindeshim për Kampionatin Botëror, që sa ishte mbyllur.
Dy tre nga moshatarët tanë, që diheshin nga të gjithë se ishin rekrutuar nga Sigurimi “për të ndjekur turistët” vërtiteshin nga mëngjesi në mbrëmje xhirros së Korçës, por edhe kjo ishte një pamje e njohur, që nuk na bënte më për të qeshur.
Në një nga këto paradite të nxehta, Sekretari i Rinisë i Rrethit, Jani Ballta, së bashku me disa veprimtarë, na erdhi në Bulmetorja dhe kërkoi me këmbëngulje, që pas gjysëm ore të shkonim në një sallë të Pallatit të Kulturës. Nuk dinim se përse na mblidhnin dhe i trembeshim ndonjë aksioni për bunë bujqësie në fshat a ndonjë marrëzit jetër të ngjashme. Kishte disa ditë , që televizioni dhe radioja buçisnin për një notë kineze, që dëshmonte se edhe marksist-leninistët e fundit “po na i linin pendët”, por as na bëhej vonë për Kinën dhe kinezët. Ata nuk hynin dot në Botëror. Sa për marksizmin, që posa e kishim dhënë provim, kishim bezdinë, që kanë të gjithë nxënësit e detyruar të mësojnë për provime.
Po përse duhet të na mblidhte shoku Ballta në Pallat?
Dukej që ne përbënim një grup pa përkatësi. Nuk ishim as në shkollë të na mblidhnin mësuesit, as në punë. Një grup amorf “parazitësh” të cilët nuk duhet t’i shpëtonin “kudhrës së propagandës”. Të tilla mbledhje kishin brenda rrezikun të pëlciste e qeshura, por në vitin 1978 të qeshurat me mësimet e Partisë ishin “si me zarar”.
Në një sallë të vogël të katit të dytë, shoku Jani na spjegoi qëndrimin e Partisë dhe shokut Enver ndaj “tradhëtisë“ kineze, gjë për të cilën buçisnin radioja dhe televizioni nga mëngjesi deri në darkë. Në fund të fjalës, i emocionuar nga fjalët e tij, që ne i dëgjonim me kokëposhtë, për të mos u kuptuar se mezi mbanim të qeshurën, na ftoi të ngriheshim të gjithë në këmbë dhe të këndonim “Enver Hoxha tungjatjeta”. U ngritëm, duke bërë copë me të shkelura, këmbët e njëri tjetrit dh e ndërsa shoku Ballta, i mallëngjyer, bashkë me tre katër funksionarët e tij këndonte këngën, ne mbanim ison nëpër dhëmbë pa ditur nëse ishte më mirë të qeshnim apo të mallëngjeheshim me atë çmenduri të rinisë sonë.

No comments:

Post a Comment