Saturday, 7 July 2018

Dialog në qeli


-          Përse nuk më thua si quhesh?
-          Nuk ka rëndësi. Unë jam Ndërgjegja Sipërore.
-          E kujt?
-          Duhet kohë e gjatë të ta spjegoj. Eshtë përtej Dhjatës së Vjetër dhe të Re.
-          Atëhere do më detyrosh të të quaj gjithnjë Mi. Dhe jo Mi si në solfezh, ose në ndonjë akord, si quhet dikush, që ka studiuar po njëlloj si ti, ose më mirë, që nuk ka studiuar dot, por mësoi greqisht. Mi si në brejtësit.
-          Edhe brejtësit krijesa të të Plotfuqishmit janë. Mos të të duket vetja mbi ta. Ose më keq akoma, të duken të tjerët  si Cironka.
-          Nuk kam asgjë kundër brejtësave, por nuk arrij të kuptoj se ç’të bren.
-          Më tmerron mediokriteti i njerëzve si ti. Eshtë mbushur bota me të tillë dhe vlerat humbasin.
-          Po ti mund t’i ruash vlerat, që mos humbin. A nuk the , që je Ndërgjegja Sipërore?
-          Jam. Prandaj përdor kamzhikët e frazave. Dua t’ju shkul të gjithëve nga këta tempuj të rremë, që kini krijuar.
-          Po nuk është më e lehtë të mos shkelësh në këta tempuj?
-          Unë nuk do vija këmbë në, por ka të tjerë të paformuar, të cilët i gënjeni.
-          Ndoshta do të duhet të hapësh një “tempull” tëndin dhe të predikosh vlerat, që po humbasin.
-          S’ka nevojë të më japësh ti mënd dhe të tjerë si ti. Unë vetëm po ju çjerr hipokrizinë.
-          Po pse nuk e tregon si e ke emrin?
-          Për të të munduar. Të dish se herë herë mund të shfaqem papritur.
-          Nuk më tremb, vetëm se më bën më kureshtar.
-          Je i mbaruar. Nuk ke për të dalë dot kurrë jashtë këtyre mureve.
-          Mbase nuk më duhet. Më mjafton të të nxjerr ty nga vrima ku fshihesh.

No comments:

Post a Comment