Më poshtë është një
pjesëe diskutimit të Andon Marës në Kongresin e Parë të Lidhjes së Shkrimtarëve
dhe Artistëve të Shqipërisë në vitin 1957. Pjesën më të madhe të diskutimit e
ze domosdoshmëria për të patur një gazetë letrare, krahas revistës “Nëndori”, që
atë kohë ishte i vetmi botim i Lidhjes. 4 vjet më vonë, filloi botimi i gazetës
“Drita”, e cila pavarësisht censurës dhe propagandës së pushtetit, tërhoqi një
masë të madhe lexuesish të interesuar për letërsinë dhe artet. Eshtë
interesante se në të gjithë diskutimin(jo vetëm në pjesën e mëposhtme) nuk përmendet
asnjëherë realizmi socialist.
“…Dua të theksoj se botimi i një gazete letrare për nivelin
e masës të lexonjësve tanë dhe si tribunë më e afërtë e shkrimeve dhe e
problemeve të letrarëve do t’ishte një mjet i mirë për përhapjen më të madhe të
letërsisë në popull dhe për zhvillimin e talenteve letrare. Si fillim, kjo mund
të ishte një gazetë e përdyjavëshme me gjashtë faqe. Pastaj, puna do ta rrëfente
në se mund të delte më shpesh.
Si organ i vetëm i Lidhjes së shkrimtarëve dhe t’artistëve,
revista “Nëndori” po merr dhe mund të ruajë karakterin e një reviste ku të
botohen shkrime të gjata, artikuj të ndryshëm mbi letërsinë, muzikën apo artet,
artikuj teorikë dhe ideollogjikë të një niveli më të lartë, kritika të gjata e
të hollësishme, etj.
Në shtyllat e gazetës letrare mund të zinin vend pjesët e
atyre që debutojnë në letërsi, si edhe ato të shkrimtarëve tanë të njohur.
Sidomos këta të fundit duhet të lozin një rol të madh në trajtimin e çështjeve
të ndryshme të letërsisë sonë, në rahjen e mendimeve mbi problemet e temës dhe
mjeshtërisë letrare. Ata të hapin shtegun për diskutime të gjëra dhe të
vazhduarshme nga ana e letrarëve dhe të lexonjësve tanë.
Një gazetë e tillë besoj se do të pritej mirë. Ajo do të
ngjallte interesim ndër të gjithë dhe do ta bënte akoma më tërheqëse atmosferën
tonë letrare edhe për lexonjësin më të thjeshtë. Botimi i shkrimeve të gjinive
të shkurtra dhe të artikuve që do të merren efektivisht me një kritikë dhe me çështjet
konkrete që preokupojnë letërsinë do të ishte një ndihmë e dobishme për të
gjithë letrarët dhe do të vlente për afrimin dhe njohjen më të gjërë të lexonjësve
me letërsinë. Nuk përjashtohet që atje mund të botoheshin edhe artikuj që
trajtojnë çështje të muzikës apo të arteve të tjera.
Sigurisht, në këtë gazetë - duke qënë, nga ana tjetër, edhe “Nëndori”-
do të ishte e mundur më shumë të shihnin dritën e botimit krijimet e letrarëve
tanë, sidomos ata të të rinjve. Dhe në këtë rast mendoj se këta duhet të
inkurajoheshin më tepër. Shkrimet e tyre që do pasqyronin pamje nga jeta e
popullit tonë dhe që do t’i shërbenin kësaj jete duhet të gjenin vend në faqet
e gazetës. Cdo shkrimtar ose letrar i ri ka mënyrën e vet në të shkruar, kush më
shumë e kush më pak ka stilin e tij individual, të mirat e të metat e tij.
Prandaj edhe meritat e njërit janë më të mëdha se të tjetrit. Por këto nuk mund
të bëhen pengesë në të drejtën e botimit. Këto nuk duhet të përcaktonin kufitë
e kësaj të drejte, nuk duhet të shtynin redaktorin të vendosë se subjekti i tregimit
apo i vjershës duhej të trajtohej në këtë apo atë formë. Për të mirat ose dobësitë
e punës së një autori, për fuqinë e tij emocionale apo realizimin me suksesin e
duhur të temës së zgjedhur prej tij çmimin e përshtatshëm do ta caktonte vetë
lexonjësi. Nga ana tjetër, kritika do thoshte fjalën e saj duke analizuar me
saktësi të metat, në ndihmë të autorit dhe të letrarëve të tjerë. S’do mënt se
nuk mund të pretendohet që në këtë gazetë t’i jepet dorë e lirë botimit të çfarëdo
shkrimi pa asnjë vlerë në brendi dhe në realizimin artistik…”
Shënim: Në pjesën e
diskutimit të mësipërm nuk ka asnjë korrigjim apo ndryshim nga origjinali.
No comments:
Post a Comment