Wednesday, 18 July 2018

“Me Partinë e Sumës, lule çeli jeta…”


PPSH-ja, burgjet politike, lutjet për tu bërë komunist, spiunimet, internimet nuk i ndahen brezit tonë sado të kalojë koha. Intervista e Maks Velos, debatet në shtyp mes Ilir Demaliajt dhe Kujtim Cashkut, si dhe shkrime të njerëzve të tjerë më pak të njohur, ngacmojnë “korret” e atyre plagëve psikologjike të shkaktuara në 20 vitet e fundit të Diktaturës. Janë plagët e raporteve të çdo njeriu me ideologjinë dominuese të kohës, me organizatat bazë të partisë, me njerëzit “me biografi të keqe”, me mbështetjen në publik të veprave të lavdishme të Partisë dhe shokut Enver dhe dënimin e ideologjive borgjezo-revizioniste.
Diku kam përmendur, që brezi ynë, ndoshta sepse arriti në moshën 20 vjeçare në fund të viteve ’70, a ndoshta për të tjera arsye, ishte një brez tepër indiferent ndaj politikës. Këtu përfshi edhe më të rriturit se ne, të cilët për më tepër, kishin patur një adoleshencë “më të lirë“ në periudhën e liberalizmit.
Psikologjia e grupmoshës ishte t’i shmangeshe sa më shumë detyrave, që lidheshin me “ideologjinë komuniste” edhe pse hapur nuk flitej kundër saj. Ishin shumë të rrallë ata, që pranonin me dëshirë funksionet në organizatat e rinisë në shkollën e mesme dhe në universitet. Shpesh herë të zgjedhurit në forumet e rinisë duhet të merreshin me punë “të ndyra”, si kontrollet për flokët dhe veshjet e të rinjve, apo për masat disiplinore ndaj shoqeve dhe shokëve të tyre, gjë që shikohej me përbuzje nga të gjithë.
Në universitet, psikologjia “kundër sistemit” shtohej, sepse studentët kishin më pak trysni nga organizatat e partisë dhe pedagogët, dhe në Tiranë fryma “anti-sistem” ishte më e fortë se në rrethet. Ndonëse në vitet e terrorit, në Tiranë gjeje më shumë njerëz të informuar, që flisnin për absurditetet e kohës, që po kalonim dhe njihnin më mirë realitetin e jetës në Europën perëndimore.
Për “palavitë“ e Bllokut dëgjova më shumë nga shokët e mij, i paharrueshmi Bin Xoxi dhe Genc Barbullushi. Por fryma kundërshtuese ndjehej edhe në bisedat me të tjerë miq të besuar si pedagogu Vladimir Jorgji dhe ing. Pirro Thomo. Eshtë disi e pazakontë, por pedagogët-arkitektë, që zakonisht nxitin si tutorë prirjet “anti-sistem”, ishin tepër të kujdesshëm dhe të paafruar me ne për biseda që lidheshin me artin, filozofinë dhe psikologjinë. Ndoshta jeta i kishte mësuar të ishin të kujdesshëm, bile ne na dukeshin si shumë “frikamanë“.
U kthyem nëpër vendet tona me një mosbesim të plotë se mund të kishte përmirësime në jetën e Shqipërisë. E njëjta frymë ishte edhe tek shokët tanë më të rritur, të cilët kishin mbaruar ose jo studimet universitare. Thuajse të gjithë, ose kishin kundërshtuar ofertat për të hyrë në Parti, ose nuk ja u kishin bërë se “ja u dinin mendjen”. Dhe një pjesë e mirë i kishin baballarët anëtarë të vjetër partie, drejtora ndërmarjesh, ose me funksione të tjera të larta. Shokët tanë, që nuk kishin studiuar në shkolla të larta, kishin parë dhe jetuar të tjera absurditete gjatë shërbimit ushtarak, që i bënin të ishin edhe më dyshues ndaj sistemit. Dhe në mesin e viteve ’80, kur sa kishim filluar nga puna, kishte vdekur Diktatori dhe kishte shumë më pak dënime për agjitacion dhe propagandë, në rrethet tona shoqërore flitej kundër sistemit dhe as mund të bëhej fjlaë për tu anëtarësuar në Parti. Tre shokët e mij me të ngushtë, në Tiranë, Elbasan dhe në Kor]ë, nuk pranuan të bënin kërkesë për të hyrë në Parti, kur ja u kishin sugjeruar komunistët e ndërmarjeve ku punonin. Unë nuk pata kurrë një “ofetrtë“ të tillë, mbase se dihej , që im atë ishte përjashtuar nga Partia.
(vijon)

No comments:

Post a Comment