Tuesday, 3 July 2018

Më zbrit


Më zbrit nga piedestali,
Para se të më lidhin qafës poezitë e mija
Dhe i ngritur prej tyre
Të përpëlit këmbët në erë!
Kohët e vargjeve vdekur kanë,
Bashkë me të hollat ndjenja,
Me hormonet, që gëlojnë në pranverë.
Dua që rimat të të ve si nënkresore,
Ndërsa në një lirishte pylli rri shtrirë,
Për të përsosurën botë,
Ende rrekesh të thurrësh ëndrra,
Për atë, që vetëm në mendjen tënde nderet,
Sepse është frikësisht e mirë.
Thërrmoji me dhëmbë vargjet e thyer,
Si padurimi im miturak,
Më pas dehu mes natyrës së papërlyer,
Tërfilit të rrokjeve,
            Shkallëzimit të fiereve,
                        Shkurreve të errëta të të fundit varg.
Nëse ka mes tyre gjëmba dëshpërimi,
A kërpudha të shurdhëta të mendimit të zbrazët,
Edhe pse pjesë e universit tënd,
Unë vij si të tjerët,
Nga zhaurrima e qyteteve,
            Nga përligja e kotësive,
Nga mpirja mbirë jetës së vagët.

No comments:

Post a Comment