Thursday, 15 January 2015

Injoranca jonë, që shikon kudo shqiptarë




Mes karikaturave të botuara dje në numurin me tirazhin më të madh të “Sharli Hebdo” ishte edhe një e thjeshtë, që po serviret nga mediat tona, si karikaturë rreth manifestimit të klerikëve shqiptarë.
Nga që duam me çdo kusht, të jemi në qendër të vëmendjes së botës, nuk vrasim mendjen nëse klerikët e paraqitur në karikaturë kanë ndopak ngjasim me Baba Mondin, Hoxhë Yllin, Papa Andonin apo At Anxhelon.
Mesazhi i karikaturës është i qartë. Një revistë e njohur për ateizmin e saj dhe për armiqësimin me fetë kryesore për arikaturat provokuese ndaj Krishtit, Moisiut, Muhamedit, Biblës dhe Kuranit, tashmë ka gjetur edhe tek Papa dhe udhëheqësit e ortodoksisë, judaizmit dhe myslimanizmit mbështetës.
Ndaj atje duken qartë Papa me mitrën e tij, një hoxhë, një prift ortodoks dhe një Rabi. Nuk dihet as nëse autori ka patur mundësinë të shohë ecjen e klerikëve tanë në bulevardin Volter, që nuk kishte as në itenerarin e marshuesve të tjerë. Po të kishte qënë i informuar, me siguri nuk do linte pa futur edhe kryeministrin tonë Rama, si strumbullar ideor dhe fizik i mullarit me rrobat fetare. Por nëse njerëzve të thjeshtë e patriotë, që mbushin forumet shqiptare me postime rreth origjinës shqiptare të Napoleonit, Jul Qezarit apo Aleksandrit të Madh ju lejohet një ekzaltim prej injorantësh, në asnjë mënyrë nuk mund t’ju lejohet gazetave dhe sidomos atyre kryesore.

Ecja e Baba Mondit dhe të tjerëve edhe po të kishte rënë shumë në sy të karikaturistëve nuk do përbënte temë për një karikaturë, pasi artisti menjëherë do akuzohej për plagjiaturë.

No comments:

Post a Comment