Tuesday, 6 January 2015

3016 km nen rrena (kreu XVI)

Kreu i gjashtëmbëdhjetë,
ku tregohet
për krizën e miellit në Bredhishtë

           


            Naimi i zbriti ngadalë shkallët pak pas orës 6 të të mëngjesit, me shpresën e patundur të mos e takonte Qani Zekën, që mund të kishte kuptuar se ç'ndodhi në disa çaste hutimi, gjatë mbrëmjes, dhomën dyqindedyh. Për fat të keq, Zeka nuk kishte ikur në shtëpi, por po pinte në barin e vogël të Hollit rrumbullak, jo shumë larg kompleksit skulpturor kaubojs të çiftit Voloreka.
            -Hajde këtu klient Hana- i thirri me një ton gjysëm urdhërues. Naimi nxitoi drejt tavolinës të ishushtarakut dhe priti tjetrin ta urdhëronte të ulej. Prej viteve të së mesmes, atij i kishte mbetur një frikë e paspjegueshme prej njerëzve autoritarë të ulur prapa një tavoline. Qaniu i bëri me kokë të ulej dhe mjeku veproi menjëherë, duke përsëritur si pas një urdhri ushtarak veprimin e uljes të ndarë në kohë e në lëvizje. Në fillim shtyu prapa prapanicat dhe u përkul pak, më pas me dorën e djathtë tërhoqi ndenjësen dhe me një lëvizje harkore e shpuri prapa kurrizit dhe kur çdo gjë ishte në një vijë, tamam si në komandën "rrafsho shqekëzën me thepin e fundin e tabelës", ai lejoi që trupi i tij të çvendosej vertikalisht rreth 60 cm dhe tulet e tij, të dobësuara gjatë dy javëve të fundit, të qetësoheshin pas tundjes mbi lëkurën e ndenjëses fron të Barit të Grand Hotelit Voloreka. E gjitha kishte marë disa fraksione sekonde, por Qaniu i kishte dalluar që veprimet e ndara qartë, përputheshin me rregulloren ushtarake dhe pikerisht me nenet, që parashikonin uljen e nënoficerëve. Naimi po priste i trembur të dëgjonte se çdo i theshte për zonjushën fare pak të njohur, që kishte hyrë vrullshëm në dhomën dyqindedyh dhe kishte bërë të pabërën. Për çudi, Qani Zeka, i cili ishte bredhishtar dhe jo nga Peja, si i famshmi patriot Haxhi Zeka, filloi shtruar t'ja sillte rrotull e rrotull muhabetin.
            -Ke qënë këto kohët e fundit në Klocë?
            -Jo. Pse ç'ka ndodhur ne Klocë?- u zbeh Naimi duke menduar kushëririn Vasfi me depresion të shkaktuar nga shkatërrimet.
            - Qetësohu klient Hana. Asgjë e jashtëzakonshme nuk ka ndodhur në Klocë. Vetëm se ngjarje të caktuara në rrethinat e Klocës, kanë ndikuar në mbarëvajtjen e kordonit mbrojtës të Bredhishtës.
            -Ngjarje të caktuara? Sa të caktuara? Kordoni mbrojtës? Eshtë mirë Vasfiu?- lëshoi një breshërimë pyetjesh, që e lanë pa frymëmarje të rregullt Naimi.
            -Qetësohu klient Hana-thirri ishushtaraku Zeka- Vasfiu është mirë e bukur, po ka mbledhur tërë miellin e tregëtarëve dhe rrezikohet të mbetet Bredhishta pa bukë. Kupton rëndësinë e situatës ti, klient Hana?
            -Si pa bukë?- hapi sytë i habitur Naimi- ndoshta e ka bërë nga depresioni. ka qënë shumë i sëmurë, që kur pa apartamentin tim të shkatërruar.
            -Po e përsëris qetësohu klient Hana-tha me zë të lartë këtë rradhë Qani Zeka dhe u ngrit më këmbë i indinjuar. -Po përhap panik! Vasfiu nuk është me depresion dhe ti nëse do të marësh lejen e ndërtimit duhet të na gjesh menjëherë dyh deri katër thasë me miell. E mbaron këtë punë e lejes Vërushja.
            -Kush është Vërushja?
            -Po Rushja o, e Urbanistikës dhe Turizmit në Bashki. Shefja. Numuri njih. E mbaron ajo atë punë se më tha vetë i shoqi. E kisha kapter në brigadë, e tani ka një shitore "Brumëra e Breshore" karshi me shkollën jopublike.
            -Po ç'e do me kaq urgjencë miellin i shoqi i Vërushes?
            -Duhet për nesër, që pagdhirë klient Hana. Po qe se nuk ka pica dhe byreçka në Drini në orën e pushimit të madh, tërë fëmijët e "Diturisë rrethore" do blenë sanduiçe dhe hamburger në Arditi përballë. Po qe se hamburgeret dhe sanduiçet e Arditit do ju pëlqejnë më shumë se picat e byreçkat e Drinit fëmijëve, nuk garanton njeri se nuk do blenë atje edhe të mërkurë, të enjte e të premte, si dhe të hënë se e shtuna dhe e djela janë pushim. Dhe nëse për një javë të tërë fëmijët do mësohen me prodhimet, që nuk shiten në Drini do harrojnë shijen e brumërave dhe breshoreve të Drinit. Katastrofë për Drinin dhe Rushen.  Kupton apo jo?- thirri me zë të lartë Qani Zeka dhe Naimi pa ç’pa, doli nga hoteli me vrap drejt Klocës. S'ishte më shumë se 6 km nga Bredhishta. 3 kilometrat e para i bëri me ritmin, që kishte mësuar për nisjet nga Kol Memeli dhe në pjesën e dytë i dha forcë e arriti duke gulçuar para shtëpisë të kushos Vasfi. Shtëpia dukej e re, e lyer dhe me tjegulla të ndruara dhe në vend të ashefit të vjetër ishte ngritur një kapanon i vogël. Në dera e kapanonit ishte një kamion i madh i mbuluar, nga ku Vasfiu po shkarkonte thasë me miell e i fuste brenda.
            -Do ndihmë o kusho?
            -Po ti Naim nga mbive?- pyeti Vasfiu duke e fshehur gëzimin.
            -Erdha të shikoj ç'po bën me tërë atë miell që ke bllokuar- u përgjigj mjeku dhe e ndoqi pas Vasfiun duke i mbajtur thesin nga pas. Brenda magazinës, mbi një tavolinë të madhe, Themija po tëhollte petë, ndërsa në një tjetër tavolinë gjigande ishin nderë dhjetra petë të sapotëhollura. Kishte edhe shumë thasë me miell, mbi njëri tjetrin dhe një pah i bardhë nderej në ajër.
            -U Naim shyqyr që të lëshuan!- thirri e gëzuar Themija dhe filloi të fshinte duart për t'ju hedhur në qafë.
            -Vazhdo me petët e petanikut ti se ka kohë t'i hidhesh në qafë Naimit.
            -Po sikur të bënja dhe një pushim e të çmalleshim me kushëririn.
-Mbylle gojën dhe jepi okllaisë! Duhen edhe dyzet petë të tjera për gjysëm ore.
            -Po dale o Vasfi, ç’bën keshtu se e mbarove!-u mundua ta përmbajë Naimi.
            -Lemë kusho! S’kemi me se luftojmë tjetër. S’na ndihmon njeri. Vetëm petanikët kemi. Kam dy djem që s’më mësojnë e dua t’i studioj si ç’bëjnë tërë dynjaja.
            -Po mirë o studioji, po jo kështu se ja more shpirtin
            -Nuk vdes ajo jo, më parë do vdes unë që ngarkoj e shkarkoj thasët me miell-tha me nxitim Vasfiu dhe doli për të marrë një thes tjetër.
            Naimi ju afrua Themijes që i rridhnin djersët çurk mbi petët dhe e pyeti me zë të ulët:
            -Po ku do i studioni djemtë?
            -Altinit i thotë të bëhesh doktor si Naimi, kurse Bledit, të bëhet enciklopedist si Samiu.
            -Cili Sami?
            -Sami Frashëri.
            -Lere atë të punojë kusho dhe pyetmë mua përse të duash- tha duke hyrë Vasfiu dhe lëshoi përdhe thesin një kuintalësh. Naimi nuk dinte nga ta fillonte, nga kriza e miellit që kishte krijuar ne Bredhishtë, petanikët e panumurt apo për shkollat e fëmijëve.
            -Dëgjo Vasfi- nisi të fliste shtruar Naimi- ke shumë të drejtë për çështjen e shkollimit të fëmijëve… po me sa shikoj edhe në Amerikë, rëndësi ka fëmijët të bëjnë atë punë, që ju pëlqen…
            -S’është Amerikë këtu o kusho. Këtu duhet diplloma, duhet masteri, duhet titulli të zesh punë të mirë e të bësh para.- thirri Vasfiu dhe vazhdoi- E di ti që po u bë Altini doktor, kjo derdimenia le që s’do bëjë më petanikë e byrekë, po do ketë edhe dy shërbëtorka t’i fërkojnë damarët e qafës.
            -Mirë o kushëri, mirë e ke menduar, po mbase djali s’do të bëhet doktor.
            -Ore ai do bëhet doktor, siç je bërë zotrote dhe bile gjinekollog si ke qënë ti. Që kur ke ikur, s’ka gjinekollog këtu dhe gratë pjellin ku të mundin. Do dalin harxhet e tërë petanikëve në një muaj!
            -Po duhen edhe 7-8 vjet të bëhet siç e do ti. Deri atehere, kështu, me petanikë do vazhdoni?
            -C’të bëjmë? Di ndonjë zgjidhje ti? Na dërgon dot ca dollarë t’i japim e ta nxjerrim doktor? Hë…?- i kishte ngulur sytë Vasfi Kloca i kënaqur, që ja kishte mbyllur gojën.
            -Po gjeni ndonjë mënyrë tjetër…mbase me petë të gatshme, se kështu u shkatërruat.
            -Nuk i pëlqejnë me petë të gatshme. Vetëm Themija di të bëjë thonë-tha me një ton paqësor Vasfiu dhe filloi të hidhte miell në govatën e drunjtë.
            Naimi nuk dinte ç’të shtonte dhe pasi ja hodhi edhe njëherë sytë Themijes që vazhdonte në mënyrë marramendëse të hollonte petët, mori të largohej, po u ndal dhe ju drejtua të dyve:
            -Po mbase ju del më mirë të hapni një dyqan në Bredhishtë dhe t'i shisni petanikët? Edhe shtëpinë e mbani dhe fëmijët i studioni.
            Në dhomë ra një heshtje e thellë, bile edhe Themija ndali hollimin dhe të dy i hodhën shikime plot keqardhje Naim Hanës. Duket druheshin t’i theshin se sa budalla ishte. Vasfiu ju afrua, shkundi duart nga mielli dhe i hodhi dorën në qafë duke i thënë me një zë të shtruar:
            -Dëgjo o kusho.Ti vërtet u bëre më me shkollë nga tërë soji tonë, po ca gjëra asnjëherë s’i ke kuptuar.-heshti një hop dhe vazhdoi- Në Bredhishtë nuk të ble njeri petanikë. I bëjnë në shtëpi. Edhe dy byrektore, që janë hapur pranë shkollave I kanë ata , që punojnë në Bashki. Këto që nxjerr ime shoqe nga duart janë për Tiranën, për Bimin e Koka Kolës, që do dy herë në javë të hajë petanik me pulë, si ata që bëheshin qëmoti në Bredhishtë. Dhe ne s’mund të dërgojmë vetëm një për Bimin, se duhet për Olsin e Bimit, që është martuar taze, për baxhanakun e Bimit në Ministrinë e Mbrojtjes, për të vjehrrin e Bimit, që po shkruan kujtimet dhe për nja pesë a gjashtë bodigardë, që i mban gjithnjë me vete. Ja përse cfilitemi unë me Themijen. Ja pse nuk mund t’ja lejojmë vetes të mbetemi asnjë ditë të vetme pa miell.
            -Kush është Bimi i Koka-Kolës?

            -Djali i hallës, që ishte në Xhorxhia- tha butë, por me mburrje Themija- është i madhi i Koka-Kolës për tërë Ballkanin.- dhe u bashkua me vështrimin e Vasfiut, që binte krenar mbi fytyrën e habitur të Naim Hanës. Mbetën disa çaste duke parë njeri tjetrin e Naimi pasi i hodhi një sy numurit të kilometrave të ajfonit në krah, u përshëndosh dhe u nis për në Bredhishtë. Nuk kishte më shpresë për të marë lejen e ndërtimit. Le të mbetej edhe Drini me Vërushen pa miell për ca ditë!

No comments:

Post a Comment