Monday, 5 January 2015

3016 km nen rrena (kreu XV)

Kreu i pesërmbëdhjetë,
ku tregohet se si
Naimi tradhëton Artemisin.



            Farmacistja Adelina Havani mbante syze të trasha. Mbante syze të trasha dhe kishte belin e hollë. Kishte belin e hollë, por hiqte pak njërën këmbë. Hiqte pak njërën këmbë, po i pëlqente të flirtonte. Dhe nga flirtimi as kishte humbur e as kishte fituar gjë. Shiste me të njëjtin ritëm ilaçe të skaduara për pensionistët, e kur mbaroheshin ato shiste të mira. Kjo e fundit ndodhte rrallë, se furnizuesi i saj nga kryeqyteti, që rastësisht ishte tregëtari Jorgo Gurgullima, që të gjithë e njihnin si Gogo, përveç sekretares së tij që e thërriste me përkëdheli Gugu, sillte menjëherë të skaduara të tjera. Adelina me syze të trasha kishte patur një histori dymujore me Fikon, një më të gjatë me disa nisje e bitisje me Gogon, një disajavore me Rako Pilafin dhe një që i kishte habitur të gjithë, me Aferim Dollibashin. Nga ky nuk ishte ndarë ende, sepse e konsideronte si shpirt të lirë dhe mashkullin, që pëshpëriste gjatë dashurisë fjalët e ndyra, më bukur nga të gjithë meshkujt e tjerë.
            Nuk dihet përse, futja në burg e Naim Hanës e kishte tronditur pjesërisht qenien e saj dhe dëmet më të mëdha i kishte pasur në belin e hollë, që i dhembte shumë edhe pse nuk ishte përsëritja e ciklit të plotë hënor. Mjeku i kishte lënë një përshtypje të pashlyeshme gjatë takimit për të kundërshtuar kishën katolike, me hezitimin e tij për të dhënë një përgjigje të saktë, gjë që ajo e konsideronte shumë seksi tek meshkujt. Priste gjithë qejf ta takonte krejt rastësisht në një nga vrapimet e tij të shpeshta në natyrë edhe pse vetë për arsye, që kuptohen qartë nuk i pëlqente vrapimet.  Për arrestimin nuk kishte mësuar deri ditën e hënë pas mitingut të madh përpara bashkisë, sepse fundjavat i kalonte gjithnjë në kryeqytet, jeta e natës të së cilit e manjetizonte sa herë shkonte. Kishte menduar e tmerruar, se një mjek që bën vrapime të gjata dhe jeton në Amerikë, po qe se përfundon në një burg shqiptar mund të kthehet menjëherë në një homoseksual, si gjithë ata, që i dashuri i saj Dollibashi, i quante "shokët e shoshones". Kishte shkruar shpejt e shpejt një letër flirtuese, plot pasion dhe këshilla profesionale dhe kishte bashkëngjitur edhe katër mbrojtës shtatzanie dhe ja kishte dhënë Vero Shandorfit t'ja shpinte Naimit bashkë me 20 Euro. Shandorfi i kishte kthyer letrën dhe mbrojtësit, por jo eurot dhe i kishte thënë, që mjekun Hana e kishin liruar pasditen e të hënës. Ju deshën disa telefonata dhe së fundi, Adelina belhollë, kishte mësuar se Naimi ndodhej në dhomën 202 të hotelit të Verorit. E vendosur u nis të takohej vetë me gjinekologun e njohur të Bredhishtes, të cilin e kishte takuar njëherë të vetme, para se ai të bëhej ikanak. Trilli i atij takimi me të larguarin prej 6 vitesh dhe me disa ditë qëndrimi në qeli e mishngjethte.
            Ndërkohë që Naim Hana bënte vrapimin përgatitës për marathonën e Bostonit brenda dhomës dyqindedyh, Adelina Havani ishte futur në hollin e rrumbullt të Hotelit të Verorit dhe po i fliste me përkëdheli Qani Xegës.
            -Qaniii- qëllimisht i rëndonte i-së në vend të a-së - Sa simpatik je edhe pa uniformë. Më kujtohet kur isha në klasë të shtatë, që gjithë gjimnazistet çmendeshin për ty Qaniiii...ndoshta edhe pse të fillon emri me qëëëë- dhe zgjati buzët para farmacistja me syze të trasha. Qaniu u gëlltit dy tre herë dhe kujtoi kohët e arta, kur komandonte 600 nxënës të gjimnazit në marshimin e madh mbi Bredhishtë. Në atë kohë s'i shkonte mendja në gjimnazistet, por e dinte, që i veshur me uniformën e tij të marshimit, të sapoardhur nga Kina e Hua-Kuo Fenit, dukej elegant, trim dhe i vendosur.
            -Faleminderit doktoreshë. Si mund të të ndihmoj?
            -Ti e njeh doktor Hanën apo jo?- rrotulloi sytë me përkëdhelii pas syzeve të trasha Adelina.- Eshtë mik i vjetër i familjes. Më vjen shumë keq për atë, që i ndodhi dhe i kam sjellë disa qetësuesa. Të ngjitem t'ja shpie?
            -...hmmmm...po Verori ka qënë shumë i prerë në urdhrat e tij, që mos lejohet asnjë i huaj në dhomat e klientëve- tha prerë por edhe me një nuancë shumë të lehtë zbutjeje Qaniu, nuancë që nuk i shpëtoi farmacistes.- M'i jep mua medikamentet t'ja shpie.
            -Sigurisht që t'i jap Qaniiiii- u përkëdhel sërish Adelina belhollë dhe i dha një lëkundje joshëse vitheve të saj të kolme-...po është një rast shumë delikat dhe medikament jo shumë i njohur. Ka vetëm 6 muaj , që ka hyrë në tregun europian ndaj më duhet t'ja spjegoj vetë pacientit përdorimin dhe efektet anësore...Të ngjitem vetëm për pesë minutaaaaa?
            Qaniu, i turbulluar nga tundjet e zonjushes Havani, por edhe me ndienjën e fortë të detyrës, e cila nuk i lejonte të shkelte urdhrat e prera të Veror Volorekës, hezitoi disa çaste, por kujtimet e Marshimit të Madh të drejtuar me aq profesionalizëm, i kujtuan që ai mund të vendoste vetë për fate njerëzish, ndaj i tha:
            -Mirë. Dhoma dyqindedyh. Vetëm 5 minuta- dhe tregoi me dorë shkallët. Më pas ndoqi me vëmendje ngjitjen e shpejtë të farmacistes, vithet e të cilës tundeshin edhe më shumë nëpër shkallaret, për shkak të lartësisë jo të njëjtë të këmbëve të saj.
            Naimi sa kishte mbaruar dushin pas vrapimeve midis shtretërve të dhomës dhe po mendonte nëse duhej të shtrihej apo të shihte ndonjë film, kur trokiti dera lehtë. U tremb. Nuk priste njeri.
            -Kush është?
            -Hape Naiiiim-u dëgjua një zë melodioz pa derës. Ai e hapi dhe gruaja, të cilën e kishte parë të fliste në mbledhjen kundër ndërtimit të kishës, hyri pa shumë droje në dhomën e tij.
            -Sa e kam pritur këtë çast- doli nga buzët e tejlyera të saj dhe ai mbeti akoma më i habitur dhe harroi që rrobëbanja nuk ishte plotësisht e mbyllur në pjesën e poshtme. Kur u kujtua ishte tepër vonë. Me një  lëvizje të beftë, prej karatisteje të sprovuar, Adelina e kishte kapur mjekun papritur në pjesën e zgjatur të fundbarkut dhe me dorën tjetër e kishte shtyrë lehtë në kraharor dhe të dy ishin horizontalisht të bashkuar mbi shtratin pranë dritares. Naimi nuk pati kohë të reagonte dhe të kërkonte kohë për dialog apo një flirtim më të zgjatur, se Adelina që hiqte pak këmbën e djathtë, kishte hequr edhe  syzet dhe kishte vënë menjëherë një mbrojtës trojan tek mjeku. Pastaj gjithshka rrodhi rrufeshëm. Nuk kishte asgjë të ngjashme me filmat e rëndomtë porno, por edhe poezi erotike nuk mund ta quaje atë nënshtrim të plotë të gjinekologut. Thua se objekti i punës së tij shumëvjeçare në Bredhishtë e kishte vënë përfund. Ai mendoi për Artemisin në Karolinën e largët të Veriut dhe nuk ju përgjigj në kohë farmacistes, që kërkonte të dëgjonte fjalë të pista prej gojës së lirë të mjekut.
            - Shpejt, shpejt uh...doktor thuaj...uh diçka seksiiiiii- thërriste mes ofshamash Adelina Havani. Ai i skuqur, donte t'i thoshte, që as me të shoqen nuk përdorte fjalë të ndyra, nuk ishte mësuar me të tilla gjëra, e kishte të vështirë, për më tepër kishte qënë gjinekolog dhe më të shumtat i dinte latinisht, por e dinte që ishte e kotë dhe shqiptoi:
            -Dolores...Dolores...
            -oh...uhhh...dolores doloressss...- përsëriste Havani, pa kuptuar se c'lloj pisllëku kishte në ato tre rrokje...- tjetër...uh uh....tjetër...më të ndyrëë...uh uh ...dolores doloressss- thirri farmacistja duke u tundur vertikalisht. Naimi vrau mendjen të gjente diçka tjetër seksi dhe të fëlliqur aq sa mund t'i lejonte vetes të theshte, por përsëri i vinin vetëm emra nga Sajnfeld dhe shqiptoi me ton pak më të lartë:
            - Mallva...oh oh...mallva...
            - O shpirt kjo po...oh uh...mallva oh mallva....uh c'domethënë ...uhhhh ... mallvaaaah
Naimi nuk pati kohë të spjegonte se ishte thjesht një emër femre e se edhe ai vetë nuk ja dinte emrin belhollës, që i kishte hypur dhe po tundej pa kriter mbi organin e tij mashkullor të mbrojtur nga një trojan, që nuk e kishte vendosur vetë, por nga muri ngjitur u dëgjuan trokitje të forta. U tremb, por tashmë dhe ai ishte përfshirë në lojën erotike e nuk mund ta shtynte farmacisten pa syze. Ajo vetë, me sytë e mbyllur dhe mjekrën e ngritur lart thirri:
            -Vengo, vengo, vengoooooo...- si kujtim i netëve me një tregëtar italian të bimëve mjekësore dhe gjithshka mbaroi papritur. Pjesa e sipërme e Havanit u përplas me forcë mbi gjoksin e Hanës dhe njomi qimzat e gjoksit të tij me një djersë jo shumë erëkandë. Mjeku ndjeu që dhe tek ai gjithshka ishte zbutur e lëshuar dhe psherëtiu thellë. "Oh Artemis të dish se ç'bëra sot!" mendoi me një ndienjë të rëndë faji, duke mos menduar që teknikisht, ajo c'ka ndodhi, a mund të kualifikohej për në kategorinë "përdhunim". Ishte e kotë. C'ishte munduar të shmangte gjatë gjithë viteve, që kur ishte dashuruar me të shoqen, ishte zhbërë tani. Ai ishte njëlloj si të gjithë meshkujt e tjerë të pabesë, merakë, gënjeshtarë dhe fajtorë.
            -Që kur kishe filluar të ndjenje për mua?- e pyeti farmacistja, që e hiqte pak këmbën e djathtë të vendosur tani mes shalëve të mjekut.

            - Ikë se mos të të ndroj dinë me soj e sorrollop! - shau për herë të parë Hana gjatë dhjetë ditëve të qëndrimit në Bredhishtë  dhe e shtyu Adelinën e shkretë, e cila ra pa shumë elegancë në dyshemenë e dhomës dyqind e dyh.

No comments:

Post a Comment