Kreu i katërmbëdhjetë
ku tregohet që
Fiko Fufulina
kthehet nga Turqia.
Më
në fund Refik Fufulina dhe shpura e tij prej dymbëdhjetë personalitetesh, të
cilës I ishin bashkëngjitur edhe dymbëdhjetë gazetarë, arritën në Bredhishtë,
pasi kishin udhëtuar me autobuzin e "Gogotravel" dhe Makinën me
Veçori Sportive të Fikos, për dymbëdhjetë orë pa ndërprerje nga Erdeku i
provincës Balikeshir të Turqisë, ku nuk përfshiheshin dy orë me "Mace
deti", që kishin bërë nga Jenikapi deri në Bandërma. Të gjithë ishin të
dërmuar nga udhëtimi dhe të mërzitur, që Fikua nuk i kishte lënë të pazarosnin
në Stamboll, por me mundim vunë në fytyrat e tyre variantin buzëqeshës, që
përdornin në fushatat elektorale dhe hipën në podiumin e përhershëm para
Bashkisë. Në shesh ishin mbledhur rastësisht ose jo rastësisht familjarët e
personaliteteve dhe gazetarëve si dhe qindra qytetarë të Bredhishtës. Ngjitja e
tyre në podium u shoqërua me thirrjet e një grupi fëmijësh të lumtur
"Mirserdhe në Atdhe, si e ngrysnim pa ty ne!", thirrje të cilat u
bënë më të zjarrta kur pranë mikrofonit u afrua vetë kryetari i Bashkisë. Ai ju
bëri shenjë qytetarëve entuziastë të qetësoheshin dhe pasi Aferim Dollibashi u
foli me zë të ulët e urdhërues nxënësve të pushonin, në sheshin qendror të
Bredhishtës ushtuan fjalët e Fikos të mallëngjyer:
-
Bredhishtarë dhe bredhishtarka. Veteranë e ish të persekutuar. Pakica lokale
dhe kombëtare. Fëmijë të lumtur të Bredhishtës, pavarësisht në jeni të shkollës
publike "30 Nëntori" apo të asaj jopublike "Dituria
Rrethore"...
Fjala entuziaste e Fikos u ndërpre sërish nga
thirrjet "Mirserdhe në Atdhe..." deri sa mes turmës u dëgjua një zë i
ngjirur "Lereni të flasë se tetë ditë s'e kishim de...". Fikua bëri
shenjë me dorë , për uljen e entusiazmit dhe vazhdoi:
-...8
ditë pune dhe vizitash, mëngjezesh pune dhe drekash miqësore, nënshkrime
marëveshjesh dhe këmbim përvoje, të gjitha në kuadrin e modernizimit të
Bredhishtës sonë të dashur, kaluan mrekullisht edhe në sajë të pritjes së
shkëlqyer që na rezervuan vëllezërit turq me në krye Kryekajmekanin e Bursës
dhe Kryetarin e Bashkisë të Erdekut. E them me besim të plotë, se projekti
"Për një Bredhishtë me unazë" do materializohet së shpejti edhe me
ndihmën e vëllezërve turq. Kryekajmekani i Bursës premtoi të na ndihmojë edhe
me katër autobuza ndërqytetës për linjën e re qytetëse “Unazë- Bashki- Unazë“,
e cila do përurohet me përfundimin e Unazës së re…
Ndërkohë pranë veshit të Fikos ishin zgjatur
buzët mishtore të nënkryetarit të Bashkisë Genc Gollashi, buzë që lëviznin në
një mënyrë ripërtypëse, por që i kishin bërë diçka të qartë kryetarit, i cili
po e mbante vështrimin në cepin e majtë të tribunës, ku kishte hipur Hilmi
Kërri dhe përkthente simultanisht fjalën e Fikos në romisht, për një grupi të moshuarish
romë, të cilët të entusiazmuar thërrisnin “Erdek, Erdek!” Pas një lëvizje të
dorës në drejtim të Hilmiut, që priste vazhdimin e fjalës të kryetarit, një nga
të dymbëdhjetët e shtyu ish - kamarierin rom të “Plava e Gucia” poshtë podiumit
të përhershëm dhe vendin e tij përballë të moshuarve enthusiastë romë e zuri nënkryetari
Gollashi. Ra në sy edhe frymëmarja e lehtësuar e Hoxhë Klajdit, që ishte mes të
dymbëdhjetëve. Pas çasteve të stabilizimit Refik Fufulina, kryetari i Bashkisë
së Bredhishtës në legjislaturën e dytë dhe sipas sondazheve me një miratim prej
64 përqind miratim mes votuesve meshkuj dhe 73 përqind mes votueseve femra
rimori fjalën. Këtë rradhë me fjali më të shkurtra dhe pauza më të gjata, për
t’i lënë kohë zëvendësit të tij poliglot, t’ju përkthente përfaqësuesve të
minoritetit rom në romisht:
-…si
ju thashë Kryekajmekani i Bursës premtoi autobuzat e linës së re…
-…belxhek
Bursasi Kajmekan osh dylyk autobuzesi- përktheu Gollashi.
-..ndërsa
kryetari i bashkisë të Erdekut do japë fondet për Kullën treshe të Unazës sipas
modelit Yçkala…
-…e
Erdek bashiklluk derti lirek Yçkala ort rrethlluk Yçkala yrnek…
-…por nuk mbaron këtu…
-…erdi
bitisher…
-…biznesmenët turq të provincës Belikeshir do investojnë për ndërtimin
në qendër të qytetit…
-…turçeli
jurgjimedëm at Belikeshir havartesi binashe artaç…
-…ku është sot lulishtja, kompleksin e mbuluar pishinë dhe hamam me
vleftë 4.6 milion dollarë.
Duartrokitjet frenetike të dymbëdhjetë
podiumsave dhe të turmës nuk lanë të dëgjohej në romisht përkthimi i Gollashit,
gjë që solli një pështjellim tek të moshuarit romë, të cilët filluan të
duartrokasin me forcë duke kthyer kokat rreth për të gjetur Hilmi Kërrin, i
cili i dëshpëruar nga keqtrajtimi publik, që i bëri kryetari, kishte hyrë në të
parën pijetore, jo shumë larg bashkisë. Mes duartrokitjeve u dëgjua zëri i lartë
i Aferim Dollibashit, që thërriste i entusiazmuar vargjet e posakrijuara “Për
pishinë dhe hamam, Do të ndjek se me ty jam!” Ndërkaq, të gjithë nxënësit e
shkollës publike “30 nëntori” kishin filluar të përsërisnin vargjet parrullë të
mësuesit të tyre, korit të të cilëve ju bashkuan edhe një pjesë e mirë e
mitingsave dhe në mënyrë të natyrshme podiumset. “Për pishinë dhe hamam, Do
të ndjek se me ty jam!” “Për pishinë dhe hamam, Do të ndjek se me ty jam!” Fiko
Fufulina kishte në gjithë fytyrën një shkëlqim trëndafili, si të një qënieje të
bukur, të pafajshme, të porsasjellë nga një botë ku sundon mirësia. Nuk përsëriste
vargjet po shihte i ngazëlluar turmën në ekstazë dhe nuk i shpëtoi largimi i
pezmatuar i çiftit Pilafi dhe dy grave në të zeza, si dhe i Saimit e tre burrave
me kominoshe jeshile. Të dy grupet u larguan nga grumbulli i madh i njerëzve pa
rënë në sy dhe në drejtime të ndryshme, por nuk i kishin shpëtuar as vështrimit
të Genc Gollashit, i cili diçka shënoi në një bllok. Ndërkohë, Adelina Havani e
entusiazmuar, kishte filluar të këndonte këngën e fushatës elektorale të Fiko
Fufulinës, “Eshtë unaza rreth flori”. Në çast u bashkua edhe zëri prej baritoni
i Aferim Dollibashit, që ishte edhe autori i tekstit : …është unaza rreth
flori/ që lidh biznese, uzina/ drejt realitetit të ri/ prina Fiko Fufulina!...Kënga
fluturoi mbi kokat e të vegjëlve, i rrëmbeu nxënësit e ngazëllyer dhe u përhap
mes gjithë duartrokitësve. Ishte një këngë optimiste, që dukej se hapte qiejt e
të ardhmes mbi kodrat me bredha të prerë të Bredhishtës, kodra që tashmë do
kishin unazë me tunel dhe me një Kullë Treshe sipas modelit Yçkala. Vizioni, që
i ishte shfaqur në rininë e tij Refik Fufulinës ndërsa luante mbi tepsi vallen
e famshme të Osman Takës tashmë jo vetëm ishte kristal i qartë për të gjithë mbështetësit
e tij, por pas disa kohësh do ishte realiteti i ri. Krahët e bashkuar të të
dymbëdhjetë podiumsave ishin ngritur lart dhe tundeshin nën ritmin e këngës si
tundeshin dikur majat e bredhave kurorës së Bredhishtës. Të gjithë valëvitnin
duart dhe për të bërë një dalje nga skena në kulmin e entusiazmit, Fiko
Fufulina i bëri një shenjë me gisht zëvedësit të tij dhe të dy u zhdukën pas
derës së madhe të Bashkisë.
-Cilat
janë prioritetet?
-Dy
telefonata të Gogos, një telefonatë nga ambasada amerikane dhe një nga Ministri
i Brendshëm.
-C’kërkojnë
nga ambasada?
-Sqarim
të hollësishëm për arrestimin e Naim Hanës, që është nënshtetas amerikan.
-Ne
jemi Bashki dhe nuk bëjmë arrestime.
-Padija
është bërë nga punonjësit tanë.
-…e
di , e di…Ministri ç’kërkon?
-Sqarim
të hollësishëm për incidentin dhe padinë.
-Të
njëjtën?
-Të
njëjtën.
-Gogoja?
-Kërkon
të dijë për përgjigjet.
-…I
thuaj do e takoj pas një ore në lokali. Tjetër prioritet?
-Nunci
apostolik ka dërguar një faks.
-Për
kishën?
-Po
për kishën.
-Ma
trego nesër. Tjetër?
-
Teuta Baraku kërkon Sallën e Bibliotekës për të hapur ekspozitën e koleksionit
të saj të artit “Vjeshta”.
-
I di tarifat?
-
Do ta hapë bashkë me disa piktura të koleksionit të Gogos.
-…do
e bisedoj në lokali. Tjetër?
-Situacionet
e punimeve të Unazës duhen firmuar për të bërë likuidimet.
Refik Fufulina për herë të parë i hodhi një vështrim
jo dashamirës zëvendësit të tij. Domethënia e vështrimit ishte e qartë për
Gollashin “këto dihet, që bisedohen vetëm në lokal”.
Turma
jashtë vazhdonte të këndonte dhe të dymbëdhjetët putheshin e përqafoheshin me të
dashurit e tyre, pa qënë të sigurt nëse duhet të prisnin për një ridalje të
Fikos në podium apo të shkonin në shtëpitë e tyre.
No comments:
Post a Comment