Wednesday, 7 January 2015

3016 km nen rrena (kreu XVII)

Kreu i shtatëmbëdhjetë,
ku tregohet se si
Naim Hana harton planin e bisedës
Me Fiko Fufulinën.




            Në hollin e hotelit nuk ishte më Qani Zeka. Tani nuk shkonte dot as në Vërushja t’i shpinte lajmin e keq të miellit dhe t’i kërkonte lejen e ndërtimit. Pa marë lejen e ndërtimit nuk shkonte dot të mbyllte derën e apartamentit e të linte të shkonte Berti Dajkoja në shtëpi dhe pa shkuar Berti Dajkoja në shtëpi ai ndodhej në pikën kritike, kur duhej të shkonte përsëri në Bilo Beli, që nuk do ta linte të shkonte në Urbanistika dhe pastaj do përballej me Dardan Kodrën. Jo. Nuk mund t’ja lejonte vetes të shkelte për herë të dytë në një dërrasë të kalbur, që e shpinte direkt tek Shandorfi. Ky i fundit i kishte komunikuar, që po e nxirrnin se padija ishte tërhequr dhe kështu kishte urdhëruar prokuror Kaçi. Po dikush duhet të kishte urdhëruar tërheqjen e padisë dhe këtë mund ta kishte bërë ose prokurori i përgjithshëm ose Fikoja. Duhet të shkonte për ta falenderuar Fikon dhe t’i kërkonte ndihmë për lejen e ndërtimit. Fufulina kishte qënë edhe në të njëjtin gjimnaz me Artemisin dhe vetë ja kishte kujtuar. I duhej vetëm një plan i qartë veprimi dhe bisedimi. U ngjit në dhomë për të menduar në qetësi dhe për të hedhur në letër disa nga pikat kyçe të veprimve që do vijonin gjatë ditës. Nën derë gjeti një zarf me emrin e tij dhe brenda shënimin:
                        I dashur Naim. Nuk di si ta përshkruaj gëzimin tim pas arritjes me shumë   përpjekje të rrëzimit të bazave të padisë, gjë që i detyroi palën tjetër të ndiqnin rrugën e humbjes pa turp.
            Gjithshka tani është legalisht e qartë dhe me detajet teknike do merrem në ditët  në vazhdim. Ju gëzoni lirinë e fituar me përkushtim, sakrificë dhe veprime efikase legale.
            Avokati juaj,
            Av. Irakli Pilafi
            PS. Detyrimi ndaj studios sime avokatore është vetëm 1200 Euro, të cilat mund    t’i paguani me çdo mënyrë, që e gjeni të arsyeshme.
            Av.I.P.
            Naimi e lexoi disa herë letrën e avokatit, që shtoi enigmën e lirimit dhe ndërlikoi situatën financiare. I gjithë fondi i emrgjencës i dërguar nga Artemisi përbëhej nga 9800 dollarë, me të cilët duhet të paguante hotelin për ditët e ndenjura në burg, procedurat për marrjen e lejes së ndërtimit, gjithë punimet për riparimin e apartamentit, si dhe shpenzimet e fjetjes dhe ushqimit. Tani, do i duhej të hiqte edhe një copë të madhe nga fondi për pagesën e avokat Pilafit. Mund të shkurtonte fondet e fjetjes duke dërguar dajkon në shtëpi dhe të flinte në apartamenti, por për këtë i duhej dera dhe për të vënë derën i duhej leja e ndërtimit. Gjithshka e shpinte përsëri dhe përsëri në Fikoja. Biseda me të do zgjidhte gjithshka. Ndaj duhet të përqëndrohej në ajo bisedë, që duhej të ishte sa miqësore aq edhe zyrtare, sa e zhdërvjellët aq edhe lakonike, sa insistuese po aq edhe jo llogari kërkuese, sa e drejtpërdrejtë po aq edhe diplomatike. Shënoi shpejt e shpejt mbi zarfin e avokat Pilafit:
                        Bisedë me FF
                        Tema- leje ndërtimi
                        Hyrja- situata e vështirë me të cilën u përballa.
                        Pikë e domosdoshme- falenderimi për ndërhyrjen
                        Pikë kyçe- Koha e pamjaftueshme
                        Pikë më pak kyçe- fondet jo plotësisht të mjaftueshme
                        Pikë ndihmëse- situata e vështirë e Artemisit në rast shtyrje të kthimit dhe                         përmendja e njohjes së saj me FF.
                        Pikë mbyllëse- marrja urgjente e lejës dhe zbatimi urgjent i punimeve
                        Pikë shtesë- falenderimi për zgjidhjen e problemit në mënyrë europiane
Ishte mirë. Po qe se çdo gjë do shkonte sipas këtyre pikave nuk kishte se si të ndodhte ndryshe veç thirrjes të menjëhershme të Rushes në zyrën e Fikos dhe pas udhëzimeve të tij, ajo do të sillte për të firmosur lejen e ndërtimit. Kaq. Thjesht e bukur. Po sikur Fikoja të ndryshonte rrjedhën e bisedës? Duhet të kishte edhe një plan të dytë, nga ata që në Botën e re i quajnë “plan Bi”, por pikërisht ky Bi-ja ishte e vështirë të hartohej, se duhej të hamendësohej mbi formimin intelektualo-psikologjik të Fikos si kryetar Bashkie, si dhe ngjyrimit të mundshëm emocional pas vizitës triumfuese në Erdek. I komplikuar. Tejet i komplikuar. Nuk mund të arrinte ta hartonte pa ndihmë. Si dhe pa disa prova. Shumë prova. I shkoi mendja tek Berti Dajkoja dhe u nis menjëherë drejt apartamentit. E gjeti shtrirë në dhomën e gjumit, mbi  një dyshek plastik plazhi tek lexonte duke qeshur “Muku i vogël”. “Muku” dukej , që kishte shpëtuar më mirë nga librat e tjerë të Naimit.
            -Ua që kur s’e kisha lexuar “Mukun e vogël” o dhëndër! më kënaqi!
            -Berto dua të më ndihmosh për bisedën me Fikon.
            -Në vënd o! E le unë Mukun.
            -Do shkoj në zyrën e Fikos për të kërkuar ndihmë për lejen e ndërtimit, por biseda do jetë shumë e saktësuar, se nuk e di as kohën që do më lejohet. Do bëjmë disa prova bashkë për të parë se ç’duhet të përdor dhe ç’farë nuk duhet të them atje. Ti do përgjigjesh në vend të Fikos, por mundohu të jesh sa më i paanshëm.
            -Mos e diskuto. Fillojmë - tha Bertoja serioz dhe u ul këmbëkryq mbi dyshekun e plazhit.
            -Zoti kryetar ju falenderoj për pritjen.- filloi Naimi duke mbajtur para zarfin me pikat e planit për bisedën.
            -Ne këtu jemi për t’i shërbyer popullit.
            -Rasti im është më delikat edhe për shkak të rrethanave të veçanta si dhe për mungesën e kohës për ta zgjidhur.
            -Ne i trajtojmë rastet e popullit pa bërë asnjë dallim.
            -Me këtë rast doja t’ju falenderoja edhe për ndërhyrjen tuaj për lirimin tim nga gjendja e padrejtë e arrestit.
            - Po ç’ne Fikoja o? Mua më tha Rako Pilafi, që të nxorri ai nga burgu me argumente të pakundërshtueshme.
            -Berto kjo nuk është akoma shumë e qartë dhe më e mundshme është të ketë ndërhyrë Fikoja menjëherë pas kthimit nga Turqia. Po ne duhet të përqëndrohemi në biseda. Të lutem vazhdo me Fikon objektiv.
            -Mir o. Ku e lamë?
            -Me këtë rast doja t’ju falenderoja edhe për ndërhyrjen tuaj për lirimin tim nga gjendja e padrejtë e arrestit.
            -Falenderimet i takojnë të gjithë personelit të bashkisë, që ka kryer me përkushtim gjithë zotimet e marra në fushatë.
            Naimi heshti një çast, se nuk ishte i përgatitur për këtë lloj përgjigjeje, por njëkohësisht mendoi se pikërisht ky ishte qëllimi i provave. Të përgatitej për të papriturën.
            -Zoti kryetar, sigurisht falenderimet e mija janë për të gjithë stafin, por veçanërisht për ju, që e kini drejtuar me urtësi dhe drejtësi nga fitorja në fitore.
            -Ne vijmë nga populli t’I shërbejmë popullit. Ju zotëri ç’problem kini?
            -Më duhet urgjentisht leja e ndërtimit për apartamentin e dëmtuar, se për dhjetë ditë duhet të nisem për në Amerikë.
            -Jini takuar me Rushen e Urbanistikës?
            -Jo…po mendova…
            -S’ka mendova, s’mendova! Kemi edhe këtu rregulla si në Amerikë. Veprimet për kërkesën e lejes kryhen në zyrën e Urbanistikës. I përfundojnë ata dhe ma sjellin mua për firmë.
            -Mendoja se njihemi… apo edhe nga njohja juaj me Artemisin, gruan time, mund të kapërceheshin disa hallka.
            -S’ka kapërcime. Kërkuam shtet ligjor dhe shteti ligjor ka hallka.
            Naimi nuk kishte ç’të thoshte më. Berto-Fikoja e kishte bllokuar në variantin e parë të bisedës.
            -Berto po ti e di, që unë njihem me Fikon ndaj mbase ai do ketë pak më shumë fleksibilitet se sa me një qytetar të zakonshëm, të cilin nuk e njeh fare.
            -Po ti vetë the o të jem objektiv!
            -E drejtë, por edhe Fikoja kryetar ka dobësitë e tij njerëzore. Ndaj mbase duhet të provojmë një Fiko më real, më të afruar me të njohurit.
            -Në vënd o!- tha plot gatishmëri Dajkoja dhe shtrihu këmbët në dyshekun plastik.
            -Zoti kryetar kam ardhur për një problem shumë shqetësues.
            -Po hajde o doktor ne për këtë na ka zgjedhur populli me shumicë dërmuese votash.
            -Në fillim dua t’ju falenderoj për ndihmën, që më dhatë për lirimin e menjëhershëm nga burgu.
            -Do e bëja gjithnjë për një të njohur, për më tepër që njoh edhe gruan tënde të bukur, Artemisin, kushërirën e Berti Dajkos.
            -Artemisi ju dërgon shumë të fala dhe ka shumë besim, se do na ndihmoni për të marrë sa më parë lejen e ndërtimit për riparimin e apartamentit.
            -E ke takuar Rushen e Urbanistikës?
            -Jo nuk e kam takuar, se nuk e njoh dhe mendova, meqë njihemi bashkë të kapërceja disa hallka.
            -Dhëndër këtë të hallkave sikur e quajtëm të gabuar?
            -Berto varet shumë nga përgjigja e Fikos. Vetë hallkat nuk ka pse të jenë të gabuara.
            -Zoti Naim Të kam mik edhe ty edhe Artemisin, por në çështjen e hallkave nuk mund të bëj lëshime. Prishet i gjithë zinxhiri- tha plot seriozitet Berti Dajkoja, që tashmë kishte rihyrë në rolin e Fikos.
            -Po unë kam të drejtën morale të kërkoj një përjshtim nga rregulli, se jam mbajtur 4 ditë i arrestuar për padijen e bërë padrejtësisht nga nëpunësi juaj, ditë në të cilt do kish marrë lejen sipas hallkave.
            -Më parë më falenderove për nxjerrjen nga burgu tani po akuzon bashkinë për arrestim të padrejtë. Dil jashtë zoti Hana!
            Berti Dajkoja vazhdonte të qëndronte i patundur me dorën e drejtuar nga dera e rrëzuar e apartamentit dhe Naimi e kuptoi se kishte dështuar edhe ky variant I bisedës. pika e kapërcimit të hallkave duhej me doemos të mbahej jashtë nga biseda e vërtetë me kryetari e bashkisë. Duhet të përdorte një mënyrë të re për të shpënë ujin e bisedës vetëm në mullirin e tij. Deri tani Dajko-Fikoja e kishte bllokuar, por ai duhet të gjente mënyrë të dredhonte dhe t’ja kalonte ujin nën rrogoz. Ju hodhi edhe një sy pikave të shënuara në zarf për të parë se cilën duhet të hiqte. Ju dukën jo keq.
            -Mirë shumë mirë Berto. Fillojmë edhe njëherë. Në këtë karakter qëndro.
            -Ti e di
            -Zoti kryetar kam një hall personal, të cilin vetëm ju mund të ma zgjidhni.
            -Urdhëro doktor, se për kët jemi këtu.
            -Artemisi, të cilën e njihni është shumë e shqetësuar.
            -Po pse është e shqetësuar?
            -Nëse unë nuk kthehem në kohë në Amerikë, nuk ka se si të paguajë qeranë, se duhet të lerë punën.
            -Po pse mos kthehesh ti në kohë?
            -Po nëse ndjek procedurat normale për nxjerrjen e lejes së ndërtimit nuk arrij dot të kryej punimet në kohë dhe të kthehem.
            -Po kush të ka thënë ty të ndjekësh procedurat normale?
            -Jo nuk më kanë thënë, po për këtë jam këtu.
            -Përse je këtu?
            -Për lejen e ndërtimit.
            -E ke takuar Rushen e Urbanistikës?
            -Zoti kryetar unë jam këtu pikërisht për të mos takuar Rushen e Urbanistikës.- ngriti zërin Naim Hana, që po ndjente sërish humbjen.
            -Pse ç’ke me Rushen?
            -Nuk kam gjë me të, por po takova Rushen nuk ik dot në Amerikë.
            -Po mos e tako.
            -Atë po them, po duhet të më jepni ju lejen e ndërtimit zoti kryetar.
            -E ke projektin?
            -Jo. Riparime dua të bëj vetëm. Kam preventivin.
            -E pa projekt nuk ka leje ndërtimi. Shko tako Rushen të të thojë ku të shkosh ta bësh.
            -Zoti kryetar unë nuk dal nga kjo zyrë pa marrë lejen e ndërtimit – thirri këtë rradhë Naim Hana. Berti Dajkoja mblodhi supet për një çast, pastaj pa e humbur toruan u përgjigj:
            -Atëhere do jem I detyruar të thërres Dardan Kodrën me djemtë e tij të të nxjerrin forcërisht.
            Naim Hana ishte i dërmuar. Kujtimi i Dardan kodrës dhe gjithshkaje , që rodhi më pas e dëshpëroi. U ul në dyshekun plasti pranë Berti Dajkos dhe nuk foli më.
            -E mo dhëndër mirë shkoi prova apo jo? Njëshkë.


No comments:

Post a Comment