Kështu më shkruan një miku im i mirë.
Jeton në qytetin tim të lindjes dhe sikundër dhe unë i ka
inat partitë. Puna është, që Partitë, të cilat janë vigjilente dhe shumë të
ndjeshme rrreth emocioneve të tilla si inat, dashuri, simpati, urrejtje, antipati,
përbuzje, respekt, kurrizpërkulje etj. etj. e dinë, që i ka inat. Miku im e ka
të vështirë të bëjë, si thotë Paolo Konte në një këngë “Të marrë një fytyrë me
qera”. Këtë e ka edhe nga besimi i patundur, që ka në fytyrën e tij. Mendon, që
duke patur fytyrën e tij të rregullt dhe që kanë janë lakmuar në rini jo pak
bashkëmoshatarë dhe bashkëmoshatare, nuk ka përse tani, që po afron ose kapërcen
të 50-tat, të marrë një fytyrë tjetër me një qera të arsyeshme. Ndoshta i vjen
turp edhe nga njerëzit e afërm apo dhe miqtë, por ai ka një koncept të gabuar
edhe për fytyrën me qera. Se nuk është e thënë, që po e more fytyrën e re dhe
duhet ta mbash gjithë ditën, bile edhe në takimet me të afërmit dhe miqtë.
Fytyra me qera duhet për Partitë. Partive ju pëlqen kur e ke fytyrën me qera
edhe pse e dinë, që ajo nuk është fytyra tënde e vërtetë.
Në qytetin tim të lindjes, si më tregon miku im i mirë, ka
vetëm dy Parti.(Parti të rregjistruara ka shumë, por të tilla, që të detyrojnë
të marrësh fytyrë me qera janë vetëm dy.)
Në krye të njërës Parti janë dy tre vetë, që kanë qënë në
Partinë tjetër, por për arsye krejtësisht të panjohura (me siguri parimore)
kaluan në Partinë njëra. Ndërsa në krye të Partisë tjetër, janë ata, që kanë qënë
kundër kësaj Partie, por që për arsye edhe më parimore kanë kaluar pikërisht në
këtë Parti.
Për të mos i ngatërruar, le t’i quajmë njërën Partia e Kullës
dhe tjetra Partia Anti-Kullë. (E quajta Partia e Kullës për arsyen e thjeshtë,
që Kulla, që kanë ndërtuar në qytet është objekti më i dukshëm.)
Miku im është i padëshëruar për Partinë e Kullës, sepse i ka
inat Partitë, se nuk merr fytyrë me qera dhe nuk i pëlqen as Kulla, por për të
njëjtat arsye (veç të fundit) është i padëshëruar edhe për Partinë Anti-Kullë.
Të dy partive nuk ju bëhet vonë as për votën e tij, se s’kanë ç’të presin nga
një njeri antiparti, antifytyrë me qera dhe antikullë. Një njeri i tillë nuk ka
se ç’të jetë tjetër veç një nihilist dhe kritizer, që shikon me sy të errëta
kohën kur ishte në fuqi Partia tjetër dhe nuk i heq syzet edhe kur është në
fuqi Partia njëra.
Ai nuk është optimist, nuk është elastik, nuk është i përkushtuar
dhe mbi të gjitha nuk është as i pasur. Nga ky njeri nuk mund të presësh asgjë
veç votës dhe nuk ke siguri as se kujt ja hedh votën ndaj “në djall me të!”
Po përse i duhet shoqërisë tonë një njeri i tillë, që nuk ka
asnjë vlerë për politikën, që nuk e sheh me optimizëm të ardhmen e për më tepër
“nuk di as ku të mbytet”?
Vërtet.
Shoqëria jonë duhet çdo ditë e më shumë t’i shfarrosë barërat
e këqija si puna e mikut tim të mirë.
Të tillët vetëm të
kujtojnë veset.
Mund t’ju bëjmë edhe një herë thirrjen e fundit, që të
kthehen si të gjithë raca e politikanëve dhe ndjekësve të tyre, në njerëz
optimistë, me disa fytyra dhe me ca vese.
Nëse nuk duan aq më keq për ta! Do i likuidojmë!
Kështu sikur thuhet edhe në librat e shenjtë.
No comments:
Post a Comment