Sunday, 25 January 2015

3016 km nen rrena (kreu XIX)

Kreu i nëntëmbëdhjetë
Ku tregohet si Nuk
Duhet të dëshpërohesh



            Naim Hana e bëri ngadalë rrugën përmes Tregut të Vjetër, për mos dëgjuar rrëkëzhdrëkun e rrotullave të valixhes dhe për tu përqëndruar më mirë në atë ç’ka duhej të mos bënte. Nuk duhej të dorëzohej. Nuk duhet të kërkonte sekser për të paguar Rushen e Urbanistikës. Nuk duhej të përdorte planin e dështuar të bisedës me Fikon. Nuk duhej të takonte avokatin Rako Pilafi. Nuk duhet të humbiste qetësinë në kontaktet me Policinë e Ndërtimit, Bilo Belin dhe Dardan Kodrën, nëse këto kontakte nuk mund të evitoheshin. Gjithshka po i kthehej në ditët e fëmijërisë, kur fjalët, që dëgjonte më shpesh dhe urrente më tepër ishin “nuk” dhe “mos”.
            “Mos u ul në tavolinë pa larë duart”; “Nuk duhet të mbllaçitesh me zhurrmë kur ha.”; “Mos e ngjyej mishin në kripore po nxirr pak në anë të pjatës”; “Nuk është mirë të hash kumbulla të pabëra”; “Mos hip në avllinë e Mitit të marrësh kumbulla të bëra.”; “Nuk duhet t’i bësh paratë rrush e kumbulla.” “Mos rri jashtë pasi ndizen dritat e rrugëve.”; “Nuk duhet të thyesh me llastikë dritat e rrugëve”; “Mos ju thirrë shokëve që nga ballkoni” ;  “Nuk është mirë t’ju thërresësh shokëve, që poshtë, që të dalin në ballkon”; “Nuk duhet të kapërxesh nga ballkoni jonë në ballkonin e Adhurimit”; “Mos u zgjat shumë nga ballkoni”; “Nuk duhet të dalësh në ballkon me brekë”; “Mos luaj kumar”; “Nuk duhet të luash me ashikë“; “Mos mbaj ashikë në xhepa se kanë lloj lloj mikrobesh”; “Mos u ul në tavolinë pa larë duart”.
            Personaliteti i tij ishte formuar nga përplasjet me “nuk” e “mos” dhe ai asnjëherë nuk kishte guxuar(veç kur nuk e shihnin), që të hante me duar të palara, të ngjyente mishin në kripore, të vidhte kumbulla të pabëra, të thyente me llastikë dritat e rrugës kur ishin të ndezura, t’ju thërriste shokëve nga ballkoni edhe pse ishte me brekë dhe të luante me ashikë bile edhe me monedha të vëna sipër. Të gjitha ato, që kishte bërë kur nuk e shikonte e jëma ose i jati, i kishin krijuar një ndienjë të vazhdueshme faji, e cila nuk i ishte ndarë edhe pasi ishte martuar. Vërtet pas martesës kishte patur më pak “mos” e “nuk”, që I drejtoheshin atij vetë, por edhe pa të tilla nuk ishte mbetur. Pasi fjalët “nuk” dhe mos” i shkaktonin një dridhje të lehtë në trup, ai menjëherë ndjente brenda vetes një dëshirë të ëmbël të përzjerë me pak turbullim faji, që të bënte atë, që i kishin kërkuar të mos bënte. Pas dhjetë-pesëmbëdhjetë minutash ndienja e ëmbël i kalonte dhe i mbetej turbullimi dhe ndjehej me faj, që vetëm kishte dashur të bënte atë, që ishte para një “nuk” apo “mos”. E njëjta gjë po i përsëritej. Në fillim i iku ndienja e ëmbël e dorëzimit dhe e zdërhalljes bashkë me thënien “në djall apartamenti, po rri shijo ditët e mbetura të lejes”; më vonë i kaloi më shpejt kënaqësia për të gjetur një sekser dhe për të mbyllur hallin me një shumë parash; e treta u zbeh dëshira për të përdorur të njëjtin plan bisede me Fikon dhe me rradhë mëdyshja për të takuar Rako Pilafin, për tu grindur me Dardan Kodrën dhe për të evituar kontaktet edhe kur mund të evitoheshin. I ishte nënshtruar plotësisht “Nuk-ut” të madh, që do e drejtonte në rrugën e duhur, si e kishin shpënë gjithë nuk-et e tjera në ato dyzetekatër vite të jetës.           
            -Nuk bën të ulesh në trotuar dhe të sillesh si një vëzhgues i paanshëm, kur e gjithë Bredhishta e di , që nuk je më i tillë.
            -O Fime. Nuk të pashë se isha mendjehumbur në mendime.
            -Nuk jam më Fime për ty pas asaj, që ndodhi në dhomën dyqindedy. Më ke bërë të jem gazi i Bredhishtës, gjë që në kohët e duelarëve do shlyhej vetëm me dyluftim vdekjeprurës me pallë.
            -Po dale bre Fime se nuk kam bërë…
            -Nuk jam më Fime për ty!- e ngriti zërin doktori i shkencave të letrave Aferim Dollibashi duke e parë nga lart poshtë me përbuzje mjekun e habitur – Ti tradhëtove besimin tim shoqëror duke u përfshirë në një marëdhënie erotike me të dashurën e zemrës sime, zonjushen Havani. Në kohët e kalorësve për këtë gjë do shkonte gjaku deri në gju.
            -Nuk…
            -S’ka nuk! Përsëritet e njëjta histori mijravjeçare si e luftës së Trojës. Unë, Menellau i dashuruar, të ftoj ty në mbledhjen e Intelektualëve Myslymanë, dhe ti, Paridi mosmirënjohës më rrëmben mua loçkën e zemrës.
            -Ka një keqkuptim o Aferim! Unë nuk rrëmbeva njeri po më dhunuan në dhomën time. Dhe as e dija , që ishte e dashura tënde.
            -Oh edhe baltë do të hedhësh mbi atë zonjushë fisnike intelektuale, që gabimin e vetëm që bëri, ishte se e dashuruar marrëzisht me mua, u tundua nga sharmi i një të huaji, të cilin e mbivlerësoi pikërisht për shkak të shoqërisë, që kishte me mua.
            -Aferim po ti je i martuar.
            -Edhe? Një shpirt i lirë si imi nuk mund të mbahet brenda mureve konvencionale të një  marëdhënie të përjetshme. Për më tepër, ne kemi një detyrim hyjnor të kujdesemi për disa gra, por këtë nuk mund ta kuptosh ti, i korruptuar nga bota perëndimore e të mirave materiale. Jam krenar, që jam i përzgjedhuri i zemrës së zonjushes time, dashuria e së cilës nuk mund të cënohet as nga intrigat e përbindshme, të dikujt , që në të shkuarën e quaja shok.
            -Aferim të të pyes për diçka?
            -…mmm…më habit kurajoja tënde, pas veprës aq të ulët të tradhëtisë, por tërësia ime morale është ku e ku më lart se e jotja, ndaj po të jap mundësinë të më drejtosh edhe pyetjen e fundit.
            -Si arrije, që fitoje gjithnjë në lojrat me ashikë? Kjo pyetje ka tridhjet vjet, që më mundon.
            Doktori i shkencave të letrave Aferim Dollibashi, mbylli përgjysëm sytë dhe shtrëngoi nofullat, dhe pas disa sekondave shqiptoi plot mllef:
            -Të përbuz!- dhe eci me shumë krenari drejt Tregut të Vjetër, por pa ju rënë në sy kalimtarëve.
            Naim Hana filloi të mendojë i trembur, se si mund të ndikonte thashethemnaja rreth asaj , që ndodhi në dhomën e tij të hotelit me farmacisten, në marëdhënien me Artemisin. Si do t’i spjegonte gruas së tij gjithshka kishte ndodhur kaq mijra kilometra larg pas ngjarjeve të tjera të papritura për të. I kishte mbajtur të fshehur, për të mos e shqetësuar, arrestimin, por nëse ajo do mësonte për të gjitha, përfshi këtu edhe tradhëtinë, gjithshka që kalonte nga goja në gojë dhe nga mendja në mendje do të merrte përmasa të paimagjinueshme, në varësi të gojëve dhe mendjeve në të cilat kalonte. Vetëm një renditje e pasaktë e ngjarjeve dhe Artemisi mund të tmerrohej.  Nëse ngjarja e dhomës dyqindedy do i paraprinte të gjithave, Naim Hana mund të ishte një “përdhunues i një zonjusheje, gjë për të cilën ishte arrestuar” ose “një amerikan pervert, që kishte sajuar dëmtimin e apartamentit për t’i marrë para familjes dhe për t’i shpenzuar për turizëm seksual në vendlindje” ose më keq akoma “një shqiptaro-amerikan myslyman, që kishte kundërshtuar ngritjen e kishës katolike dhe ishte përfshirë në një lëvizje për vendosjen e Sherihatit dhe lejimin e martesës me 4 gra dhe ishte ndaluar nga organet e rendit pas përpjekjes së dhunshme për të goditur me dy vare, përfaqësuesit shtetërorë ”. Nuk duhet të linte, që kjo të ndodhte, nëse nuk kishte ndodhur akoma. Ishte mirë, që para takimit me Fikon, të takonte Berti Dajkon, për të parë qëndrimin e sojit të Artemisit rreth ngjarjeve.
            Berti Doken e gjeti të ulur këmbëkryq mbi dyshekun prej gome duke lexuar “Mukun”, por me një pamje të vrejtur, që e bënte të dukej si një Budë i inatosur. Ndjeu, që punët nuk i kishte mirë.
            -Si fjete Berto?
            -Unë mirë, po ti kishe ndonjë gjyvende tjetër mbrëmë?
            Fjalët e kushëririt të Artemisit, ishin si plumba, nga të cilët Naimi nuk mund të shpëtonte dot. I tronditur, mendoi ta pyeste, se a dinte gjë e shoqja dhe nëse dinte, çfarë i kishin thënë. Tjetri e shikonte duke hetuar lëvizjet më të vogla të mjekut, i cili thuajse nuk lëvizte asnjë muskul të trupit.
            -Berto nuk di ç’të kanë thënë, por ta dish , që e vërteta është krejt tjetër.
            -Mos më thuaj, që të erdhi të bënte vizitë mjekësore si gjinekolog, që je zotrote, se atë se ha unë!
            -Jo nuk dua të të them atë. Ti e di , që nuk e kam zakon të gënjej. Ishte një aksident…si të ta spjegoj më mirë…diçka fare padashje dhe e papritur…
            -Si padashur dhe e papritur? Po qe se ke bërë seks me të si thonë bredhishtarët s’ka të papritur. Ty nuk të ranë herdhet papritur në vrimën e saj de!
            -…Berto po mos më besove ti nuk ka për të më besuar askush tjetër. Isha i xhveshur në dhomën time dhe ajo më sulmoi. Betohem për kokën e dy djemve!
            - Si hyri ajo në dhomën tënde? Njerzit thonë se e ke ndjellë ti pasi i pate premtuar t’i gjeje furnizime me ilaçe të lira nga Amerika. Dhe pastaj nxorrët sytë të dy!
            Naim Hana kishte harruar shprehjen e kohës së fëmijërisë, kur dy të rritur përfshiheshin në një marëdhenie jashtë martesore dhe mendohej se kishin fjetur me njëri tjetrin, nuk thuhej as kishin fjetur, as kishin bërë seks, as ishin fekonduar, por “kishin nxjerrë sytë“. Një kohë të gjatë ajo i kishte krijuar një përshtypje shumë të gabuar dhe të keqe për seksin jashtëmartesor. Në ndryshim nga të tjerët, që kryheshin përgjithësisht në zonat e poshtëbelit, ai kryhej në kokë, në mënyrë makabre dhe i shoqëruar me nxjerrje sysh, ose të paktën me përpjekje për të nxjerrë sytë. Kur ishte specializuar për gjinekologji, kishte mësuar se ndërhyrja e dhunshme mbi sytë ishte anti-erotike dhe vetëm një puthje e lehtë mbi kapakët e syve mund të ngjallte sensualizëm, por përsëri shprehja e vjetër popullore i ishte dukur shumë e largët nga marëdhënia qejfore, jashtëmartesore. Ndërkohë, Bertoja, që ishte ngritur më këmbë duke pritur shfajësimin e plotë të burrit të kushërirës, i cili po vononte shumë ta bënte tha fjalët, që do I kumbonin në vesh gjithë atë ditë Naim Hanës:
            -Të prishi kurbeti Naim! Mos më kërko më!- dhe mori rrugën të dilte nga dera e rivarur e apartamentit duke flakur mbi pirgjet me libra “Mukun e Vogël”. Më i goditur se kurrë më parë, Naim Hana nuk arriti t’i thoshte asgjë, bile as ta kujtonte të merrte dyshekun e plazhit. Kishte mbetur përfundimisht i vetëm në apartamentin, ku ishte rritur, mes suvave të rëna, dyshemeve të prishura e librave të shfytyruar, pas disa ditësh në burg dhe pas një tradhëtie bashkëshortore, jehona e të cilave mund të kishte arritur deri tek gruaja e tij e dashur. “Më prishi kurbeti? Po ç’lidhje ka kurbeti? Vërtet më ka prishur? Po ku kam gabuar?” mendoi. I shkoi në mendje të gjitha ngjarjet, që nga përcjellja, që e shoqja i kishte bërë në aeroportin RDU e me rradhë mbrritjen në vendin fqinjë, kalimin e kufirit me taksi, takimin me Gurgullimën, lojën e tenisit të Fikos, varrimin e Dëfrimes, humbjen e parave tek Jashukënstrakshën, takimi me Dardan Kodrën, arrestimin dhe qëndrimin në qeli, seksin padashje me farmacisten, moszgjidhja e krizës së miellit me vasfiun e deri në ëndërrspjegimi i Prakes. Diku duhet të kishte gabuar, bile rëndë, që e kishin ndjekur gjithë këto gjëma njëra pas tjetrës, por nuk arrinte ta lokalizonte dhe sidomos të gjente lidhjen e mundshme të kurbetit në Karolinën e Veriut me karakterin e tij të ndryshuar dhe rrokopujën e ngjarjeve në Bredhishtë.
Nuk kishte lojtur kumar; nuk kishte ngrënë me duar të palara; nuk kishte fyer njeri; nuk kishte vjedhur; nuk kishte gënjyer; nuk kishte dalë me brekë në ballkon…ooo, mbase nuk duhet të kishte hapur derën e dhomës së hotelit, kur ishte vetëm me rrobëbanje dhe pa brekë nën të, por për këtë gjë askush nuk e kishte paralajmëruar gjatë dyzetekatër viteve të jetës së tij. Për më tepër ajo, që ishte bërë si rrjedhojë e hapjes së derës së dhomës, kur ishte vetëm me rrobëbanjë dhe pa brekë nën të ishte bërë dhe nuk zhbëhej, ndërsa apartamenti , që ishte zhbërë mund të bëhej. Bile duhet të bëhej. Po a do ndikonte bërja e apartamentit ose më mirë ribërja pas zhbërjes në përmirësimin e marëdhënieve me të shoqen? Artemisi ishte mbi gjithshka ndaj duhet të nisej menjëherë për në Qytetin e Lisave dhe të linte Bredhishën.
Po nëse ajo nuk dinte gjë, si do justifikohej për kthimin e papritur? Ishte kapur si kurrë ndonjëherë jetën e tij. Ndjehej i dëshpëruar. U ul për pak çaste mbi dyshekun plastik dhe futi kokën mes gjunjëve duke e shtrënguar me sa i mundej. I dukej se do ishte më mirë pa të. Ndërkohë një uturimë u dëgjua nga lart dhe copra suvaje filluan të binin mbi të. vaska me hidromasazh kishte filluar të punonte. Ai brofi më këmbë duke thirrur:
            -Nuk ka vend për dëshpërim!- dhe morri rrugën drejt shkallëve.



No comments:

Post a Comment