Monday, 19 January 2015

Të fortët

Ka shumë vjet, që shtypi shqiptar, ka bërë normë, që për njerëzit, që janë në krye të bandave të qyeteteve apo krahinave, të dënuar apo që i kanë shpëtuar dënimit, të përdorë cilësorin “I forti”. Eshtë një mëkat jo vetëm ndaj gjuhës shqipe, në të cilëm mbiemri “I fortë“ ka një përmbajtje pozitive, të pastër, por edhe ndaj publikut shqiptar e sidomos ndaj të rinjve. Mediat dhe shtypi në veçanti veprojnë nëpërmjet fjalëve, ndaj ato janë veglat, mjetet dhe armët e tyre. Keqpërdorimi është i dëmshëm për publikun. Dhe këtu nuk bëhet fjakë për të cënuar lirinë e mediave, që të mbajnë qëndrimin, që duan ndaj ngjarjeve apo personave. Një gazetë ka plotësisht të drejtë të thurrë edhe lavde për një njeri të angazhuar në veprimtari kriminale, të organizuar apo jo, përderisa njerzit do e lexojnë dhe nuk do I marrin drejtuesit e saj me vezë të prishura. Këtu është fjala, për gazeta dhe gazetarë, që e quajnë veten të moralshëm dhe që si mission të tyre konsiderojnë ‘ruajtjen e moralit të politikanëve dhe të gjithë njerzve të veshur me pushtet.
Atëhere cili është qëllimi i përdorimit të cilësorit “I fortë“, qoftë edhe kur vihet në thonjza? C’farë i përcjell lexuesit gazetari, që shkruan se “ u krye atentat ndaj të fortit të Kukësit, apo të fortit të Rrugës së Kavajës etj etj.? E informon, që edhe të fortëve mund t’ju vijë një ditë fundi?
Tashmë cilido në Shqipëri e di, që tre partitë kryesore në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë kanë pas tyre banditë, kriminelë apo gangsterë të cilët i përdorin në fushata elelktorale, i përdorin për tu mbrojtur nga kriminelët e partive kundërshtare, i përdorin për të frikësuar njerzit, që nuk u binden dhe për të kryer trafiqe e të tjera veprimtari fitimprurëse. Por nëse për ta, në muhabetet e kafeneve apo në telefonatat me miqtë, banditët, që mbajnë pas quhen “të fortë“, asnjeri publikisht nuk i quan të tillë, por preferon të mos i zerë në gojë. Në vend të tyre këtë gjë e bëjnë mediat, të cilat dëshmojnë ose për frikë ndaj bndave ose se janë të lidhura kokë e këmbë me to.
Eshtë e çuditshme se si gazetarët shqiptarë e sidomos të rinjtë, që nuk lenë shprehje pa kopjuar nga shtypi i huaj dhe i përdorin edhe pa i shqipëruar, nuk përdorin shprehjet “mob”, “gangster”, “padrino”, “mafioso”, “killer” etj. etj., që përdoren në shtypin e huaj për këtë kategori njerzish.
Banditët janë banditë, kriminelët janë kriminelë dhe hajdutët janë hajdutë. Mes tyre ka kryetarë bandash, bashkëkryetarë bandash ka edhe deri në ushtarë të thjeshtë. Më e pakta, që duhet përdorur për ta, kur kanë pasur problem me drejtësinë është të thuash ‘i akuzuari për këtë krim”, apo “i dënuari për këtë krim”.  Eshtë kjo mënyra e vetme për të dhënë informacion rreth diçkaje, që ka lidhje me një njeri që ka pasur ose ka probleme serioze me ligjin dhe me shoqërinë ku jeton.

“Të fortët” janë vetëm njerzit me karakter të fortë, që sakrifikojnë për të tjerët, e që dita ditës bëhen më të pakët në Atdhe.

No comments:

Post a Comment