Kreu i tetëmbëdhjetë,
ku Naimit i spjegohet ëndrra
dhe parashikohet e ardhmja.
Naimi u zgjua i lodhur pas një ëndrre
të lodhshme. Kishte ndjekur gjithë natën Mukun e Vogël t’i rrëmbente opingat
magjike për të fituar marathonën e Bostonit, por pasi e kishte kapur dhe ja
kishte marrë me forcë, sa i kishte mbathur nuk kontrollonte dot këmbët dhe përfundonte
gjithë shpejtësi në një vend të panjohur plot duna dhe në fund të të cilave
ishte një liqen me ujë , që llokoçiste dhe mu në mes të liqenit tundte këmbët
me qime Gogo Gurgullima. I kuptoi dëshirat e nënndërgjegjes së tij, për të
vrapuar shpejt dhe vrapimi i pengohej nga Gogoja, që s’mund të ishte
destinacioni final, por nuk kuptonte dunat me rërë. As Mukun e Vogël. Ishte ëndrra
e dytë, që shikonte në Bredhishtë dhe pas të parës, asaj me monstrën e vogël, që
dilte nga Teuta Baraku kishte përfunduar në burg. Mos ishte Muku i Vogël, Fiko
Fufulina dhe opingat e tij leja e ndërtimit, së bashku me preventivin? Po
dunat? Të ishin vështirësitë proçeduriale? Liqeni, që llokoçiste mud të ishte
edhe vaska me hidromasazh, por edhe liqeni me para në të cilat notonte Gogo
Gurgullima. Po pse i vetëm?
Mendoi të shkonte në mëhallën e romëve
dhe të takonte Hilmi Kërrin, për ta shpënë në njërën nga plakat e mençura rome,
që dinin aq mirë të spjegonin ëndrrat. Pas dështimit të bisedimeve me
Dajko-Filon, nuk ndjehej i sigurt nëse duhet të shkonte menjëherë në takim me
kryetarin e bashkisë, apo ishte më mirë të këshillohej me dikë për ëndrrën. Nuk
kishte qënë kurrë supersticioz, por shumë gjëra po ndodhnin në mënyrë
misterioze në një vend të cilin mendonte se e njihte më mirë se çdo qoshe të
botës. Në fund të fundit nuk do humbiste veçse disa orë, por do ishte më i përgatitur
për betejën finale- bisedën me Fikon. Shumë njerëz të mençur në botë blinin
libra, ku spjegohen ëndrrat. Nuk kishte ku ta gjente një të tillë dhe s’kishte
pse mos përfitonte nga urtësia mijëvjeçare e romëve.
Mblodhi të gjitha plaçkat dhe i futi
në valixhe. Kishte vendosur të largohej nga hoteli dhe të flinte në
apartamentin e tij. Do kursente dhe do lehtësonte edhe kushëririn e Artemisit.
Ishte i vetmi, që i kishte mbetur në këto ditë të vështira. Zbriti në hollin e
hotelit dhe në recepsion i pagoi djalit të madh të Verorit për të gjitha ditët.
-Kur do nisesh për në Amerikë
doktor?
-Pas dhjetë ditësh, por do rri në
apartamentin tim.
-E riparove?- pyeti , që si çdo
recepsionist hoteli dinte gjithshka, që ndodhte në qytet.
-Po e riparoj- u përgjigj shkurt
Naim Hana dhe u largua nga holli i rrumbullt, i ndjekur nga vështrimi në bronx
i Verorit dhe gruas të tij të përjetësuar në grupin skulpturor të Uljanov
Sopit. Mendoi nëse vetë i ngjante më shumë “kalorësit me fytyrë të vrerosur”
apo Sanços. As njërit as tjetrit. Ishte një lloj donkishotsançopançist, që
vinte rrotull dhe nuk dinte se me të luftonte dhe se nga kush të mbrohej. Për më
tepër nuk kishte Dylqinjë.
Duke hequr nga pas valixhen me
rrotulla u drejtua nga tregu i vjetër me shpresë të takonte Hilmi Kërrin. Disa
fëmijë i treguan një pijetore të vjetër, me tabelën “Nashena Rovena”. Hyri dhe
e pa në një tavolinë duke folur romisht me disa romë të tjerë me mustaqe dhe dhëmbë
floriri. I foli Hilmiut , që e pa i çuditur, por megjithatë u ngrit dhe ju
afrua mjekut:
-Mua më do doktor? Ke ndonjë plaçkë
për të shitur?- dhe bëri me kokë nga valixheja.
-Jo Hilmi, kam një problem tjetër-
dhe duke ulur zërin shqiptoi pranë veshit të ishkamarierit të “Plavës e Gucisë“-
dua të takoj ndonjë nga plakat e mençura rome.
-Për ndonjë abort doktor? Kemi
Shaqen.
-Jo jo joooo…ç’abort?- e uli zërin
më shumë mjeku
-E po thashë se mos të duheshin ca
para për prokurorin? Se këto punë kështu janë.
-Jo Hilmi. Më duhet të bisedoj me
një nga gratë tuaja të mënçura, që dinë rreth ëndrrave dhe të ardhmes.
-O për të shtënë në fall? Po vemë që
tani në Prakeja.- dhe udhëhoqi drejt daljes nga “Nashena Rovena” Himi Kërri.
Naimi e ndoqi pas pa ditur ç’të bënte me valixhen. ë kalldrëmet e Tregut të
Vjetër, rrotullat e saj dukej sikur tërhiqnin vëmendjen e gjithë kalimtarëve me
një lloj rrëkëzhdrëku jo të zakonshëm. Për fat të mirë Hilmiu nxitonte dhe po
me të njëjtin hap Naimi e ndoqi deri në një derë llamarine, që të shpinte në një
banesë me shkallë shumë të pjerrëta, nga kthina poshtë të cilave vinin tingujt
e një fisarmonike dhe dikush, që këndonte me zë të mbytyr një këngë të kohës së
Diktaturës me vargjet :
“Arrite ce u gabove
Ktheu
moj në shtëpi,
Kthehu
në shtëpi moj Mira,
Kemi
dy fëmij…”
Naimit ju mblodh një
si lëmsh në grykë, kur kujtoji Artemisin dhe djemtë, që e prisnin plot mall në
Karolinën e Veriut dhe ndoshta kishin mësuar edhe për arrestimin e tij katërditor.
E dinte , që kishte gabuar me Havanin, por po të mendoje gjithë vuajtjet, që
kishte hequr ato dhjetë ditë në qytetin e tij, dorëzimi para sulmit të beftë të
farmacistes, mund të quhej një mëkat i pavullnetshëm. Ndërkohë në majë të
shkallëve shoqëruesi kishte shtyrë një derë të ulët dhe të dy u ndodhën në një
dhomë pa dritare të ndriçuar nga një arradhe qirinjsh, që digjeshin me një erë
të ngjashme me temianin, por që dhe temian nuk ishte. Në krye të dhomës, e ulur
në një divan të ulët të mbuluar nga një shtroje shumëngjyrshe rrinte Prakeja.
Sytë i mbante të mbyllura dhe kur ju afrua Hilmiu dhe diçka i pëshpëriti në
romisht vetëm tundi kokën dhe shqiptoi:
-Hajde më pranë bir.
Ndërsa Naimi po
afrohej Hilmiu i pëshpëriti në vesh “20 Euro” dhe mjeku i kapur ngushtë
belbëzoi “I kam dollarë.” “30” ishte përgjigja e menjëhershme e ishkamarierit
dhe për disa çaste dy të porsaardhurit u morën me dhëniemarrjen e kartmonedhave
pa i prishur meditimin fallxhores.
-C’të mundon bir?
-Kam parë dy ëndrra zonja Prake- tha
me zë të ulët Naim Hana duke menduar gjysëm në faj , që të provonte aftësitë
spjeguese të fallxhores me ëndrrën e para arrestimit.
-Më rrëfe- tha solemnisht fallxhorja
pa i hapur sytë. Mjeku filloi të tregojë me hollësi ëndrrën e lindjes së monstrës
nga Teuta Baraku pa harruar të përmendte fshehjen e sj nën dollap ndjekjen me
fshesë me bisht nga infermiere Zina. Plaka e dëgjoi duke i mbajtur sytë mbyllur
dhe nuk foli as ps përfundimit të ëndrrës. Pas disa minutash heshtjeje të plotë
tha:
-Tjetra
Naimi u kap në
befasi, se priste spjegimin e së parës, por u detyrua të tregonte imtësisht
edhe ëndrrën e dytë. U përsëritën edhe disa minuta heshtje dhe plaka hapi sytë.
-Ke një rrugë të gjatë
bir…Tokmaxhuku, që doli nga barku je zotrote, që del nga burgu dhe shkon të
fshihesh për të mbledhur vuxhutin. Shtriga që të ndjek me bishtin e fshesës do
të ndjekë deri në fund, se është qeveria…
Prakeja mori frymë thellë dhe i
mbylli sytë përgjysëm. “Po kur e gjeti këtë të burgut!” mendoi i gëzuar Naim
Hana, i përqëndruar të dëgjonte spjegimin e të dytës , që do ishte vendimtar për
të ardhmen. Ishte i gjithi i përqëndruar në buzët e holla e të rrudhura të fallxhores
Prake, buzë të cilat u hapën sërish:
-Ma rrëfe edhe njëherë të dytën.
Naimi filloi të përjetonte
ëndrrën e dytë duke ja treguar fill e për pe fallxhores rome. Pjesa më e vështirë
ishte kur përshkruante se si nuk komandonte këmbët e tij pasi kishte mbathur
opingat e Mukut të Vogël, se e shihte edhe që Prakeja rrudhte sytë. Kur arriti
në pjesën e liqenit dhe Gogo Gurgullimës me këmbë plot qime, i shtrirë në
kurriz, Prakeja ngriti dorën.
-Gjoli lëshonte avuj apo vetëm
llokoçiste?
-Vetëm llokoçiste lluk-lluk-lluk…
-Po Gogoja në mes të gjolit dukej i
urgusur?
-Urgusur? Nuk më dukej. Qime kishte
shumë.
-…Je në sëkëlldi të madhe biri im.
Do të zenë e do të futin në hapsanë dhe do dalësh, po nuk do dish ku të futësh
kokën. Ajo, që do të bësh të shpie të mbytesh atje ku është paraja. Paraja nuk
mban erë si gjoli i nxehtë, që nuk avullon…Opingat duhet t’i mbathësh sëprapi
dhe ta lësh atë që ke zënë.
-Kaq?- guxoi të pyeste Naim Hana.
Hilmi Kërri anoi kokë dhe mblodhi supet, si për të thënë, që përderisa Prakeja
nuk po fliste më, nuk kishte më spjegim. Mjeku dukej i trullosur nga spjegimi,
që nuk i jepte shumë shpresë për bisedën, që duhet të bënte me kryetarin e
bashkisë, kur dera u hap me vrull dhe një grua rome pa vënë re të pranishmit u
drejtua në divani I Prakes dhe diçka i pëshpëriti në vesh. Fallxhoreja tundi
kokën dhe gruaja mori të dilte, kur dalloi mjekun:
-U doktori! Po si je doktor Naimi.
Nuk më mban mend? Jam Fatimja, që më ke bërë aperim për djalin e parë.
-Më kujtoheni tani. Më fal, që nuk ju
njoha menjëherë.
-Ua po unë s’ta harroj atë, që ke
bërë për mua! Ta këndovi fatin Prakeja? Eshtë nëna ime. Ja pe fatin doktorit
Prake? Po ti Hilmi ç’më shkel synë? I morrët para doktorit? Hë?
Prakeja rrinte me sy mbyllur ndërsa
Hilmiu vërtiste kokën pa ditur ç’të thoshte. Naimi rrinte i stepur pa ditur nëse
duhet të theshte diçka për të lehtësuar atmosferën. Ndërkaq, Hilmi Kërri kishte
future në xhepin e mjekut dollarët e dalë po nga i njëjti xhep.
-Doktor më thuaj si e ke hallin?
-…po kam parë disa ëndrra, që më
shqetësuan dhe…po nëna juaj më dha një spjegim mjaft bindës…
- O Prakeja për atë punë është më e
mira, po thashë mos kishe ndonjë hall tjetër këtu në Bredhishtë.
-…po vërtitem të nxjerr një leje
ndërtimi për të rregulluar apartamentin…po nuk po më ec puna mirë…
- Për atë nuk të bëjmë dot derman as
unë dhe as Prakeja, po shiko të gjesh ndonjë, që ti futësh Vërushes së
Urbanistikës. Me njëmijë euro mbarohet ajo punë.
Nuk kishte ç’të bënte më me Praken,
Fatimen dhe Hilmiun, ndaj ju preku dy më të rinjve shpatullat me dashamirësi
dhe mori udhën të dilte. U befasua, kur në corridor pa tek priste Naun Bajutin.
-Edhe ti këtu i dashur Naun?
-Proçeset paranormale, që shtjellojnë
ndërlikimin e të pavetëdijshmes në zhvillimin e narrativave, që preokupojnë
shoqërinë tonë duhet të mbivendosen tek shtresëzimi psikologjik i lojtarëve kryesorë,
që operojnë në botën reale të interferimit të politikës me krimin e organizuar.
-Kur të lëshuan?
-Po qe se do të bëja adicionin e dy
orëve të hulumtimit të situacionit të Fatimes në gjithë kontekstin real të peisazhit
minoritar, atëhere mund të themi me bindje se drita e lirisë u shfaq papritur
dhe e lbyrtë gjysëm dite më parë.
- E qartë. Mbarësi të uroj!- tha
mjeku dhe mori tatëpjetë shkallëve të pjerrëta të banesës së Prakes, ndërsa në
kthinën poshtë tyre dëgjohej një tjetër këngë qaramane me fjalët:
“Të
qan nëna o Baki
Të
qan shoqëriaaa…”
No comments:
Post a Comment