Kreu i trembëdhjetë
Ku tregohet që
Naim Hana nuk
arratiset
Hapi
sytë dhe nga shtrati i fortë e kuptoi, që gjatë natës nuk kishte ndodhur asgjë.
Ndodhej në të njëjtën qeli të kompleksit të Policisë të Bredhishtës, ku nuk
kishte hyrë asnjëherë gjatë jetës së tij, sepse nuk kishte qëlluar as të kishte
ndonjë lindje urgjente brenda atyre mureve. Dinte tashmë, që ishte e shtunë dhe
do i duhej të priste të paktën deri të hënë të dilte; që nuk mund të stërvitej
brenda qelisë në mënyrë shkencore, se për këtë duhet t’i premtonte Kol Memelit,
që do arratiseshin bashkë e të shkonin në maratonën e Bostonit; që Naun Bajuti
diçka dinte për lidhjet e Gurgullimës me pushtetin, por ato që dinte i thoshte
në një mënyrë tepër të vështirë për t’i kuptuar. Dinte edhe që përgjoheshin dhe
nuk ishte i sigurt se nga kush.
Kol
Memeli ishte ngritur dhe bënte ulje ngritje duke mbajtur kokën drejt dhe herë
herë shkelte syrin, që ishte në anën e shtratit të Naim Hanës. Në shtratin e sipërm, të fortë , mjekut po i zbehej besimi në
syshkeljet dhe kuptimin e tyre në Bredhishtë. Nga të gjithë, që kishte takuar
prej mbrritjes dhe deri në natën e parë pa liri, i kishin shkelur syrin
Adhurimi dhe e vjehrra e tij Refije, Fiko Fufulina, medicinalisti Zilja, Veror
Voloreka, Lirim Soxhuku, Jashar Jahja, Aferim Dollibashi, disa kalimtarë, Berti
Dajkoja, shitësja në “Guguallat”, Vero Shandorfi dhe avokati Rako Pilafi. Ky i
fundit, shkeljen e syrit e kishte shoqëruar edhe me shenja të tjera, por si
gjithë të tjerët, i kishte shtuar shpresën dhe misterin, dhe asgjë më tepër. Apartamenti
ishte i shkatërruar; ishte pa një grosh
në xhep; nuk mund të tërhiqte paratë , që do i vinin nga e shoqja dhe i kishte kundër
gjithë ata, që nuk i kishin shkelur
syrin duke filluar me Gogo Gurgullimën, dy inspektorët e Policisë Ndërtimore,
Dardan Kodrën e Bilo Belin, policët Dine dhe Nedo e mbi të gjithë prokurorin Kaçi. I dukej se fati i tij do
vendosej nga forcat syshkelëse dhe josyshkelëse të Bredhishtës. Edhe pse numuri i syshkelësve për
momentin dukej më i madh, deri tani e
gjithë beteja ishte zhvilluar me një avantazh të dukshëm të josyshkelësve dhe vetëm faktori ndërkombëtar
mund të sillte një përmirësim të raporteve. Populli syshkelës i Bredhishtës
edhe pse kishte në anën e tij Kryetarin
Fiko Fufulina dukej pa peshë përballë pushtetit të josyshkelësve, të cilët dukej se kishin me
vete edhe përgjuesit e panjohur. Nuk dinte në
ç’grup ta fuste Jashar Jahjen.
I
bëri me shenjë Kol Memelit, në se i
përgjonte njeri edhe pagdhirë dhe nga tjetri mori një pohim me kokë. Zbriti
pranë tij dhe me shenja i përsëriti kërkesën për stërvitje intensive në kushtet e qelisë. Tjetri e tërhoqi në qoshen
pranë derës dhe pëshpëriti “Ritëm”. “Cilin ritëm?”pëshpëriti Hana. “Atë të
Dobruxhës”. Naim Hanës ju kujtua fitorja e lavdishme e marathonës së Dobruxhës
nga maratonisti i Bredhishtës njëzet vjet më pare, që kishte ngritur peshë
zemrat e bredhishtarëve dhe i entusiazmuar nga kujtimi i asaj ngjarje i tha në
vesh:”Mund të mbajmë atë ritëm në qeli tre me katër?” Memeli mbante sytë e
ngulur në tavan dhe duke lëvizur këmbët me një ritëm të konsoliduar vazhdoi pëshpëshin
“Jashtë mureve, deri në EB.” “EB?” “Europën e Bashkuar.” Mjekut ju shua
entusiazmi. Kuptoi, që Kol Memeli e kishte vendosur të arratisej. Vetë kishte
nevojë për stërvitje dhe asgjë më shumë. Nuk do arratisej edhe sikur dyert e
burgut të hapeshin. Kishte respektuar ligjin në atdhe dhe në anën tjetër të Atlantikut
dhe meqë nuk kishte shkelur asnjë ligj nga ato, që njihte, do qëndronte brenda
qelisë deri sa ta nxirrnin po sipas ligjeve të njohura dhe të panjohura,
përfaqësuesit e sistemit juridik me mbështetjen e ambasadës amerikane. Kol Memeli
vazhdonte t'i pëshpëriste pranë veshit planin e tij gjenial të arratisjes dhe
të kalimit në Europën e Bashkuar vetëm duke vrapuar me ritmin, që kishte
mbajtur kur kishte fituar maratonën Dobruxhës. Dera e qelisë u hap dhe Vero
Shandorfi duke buzë qeshur i njoftoi Naimit, se e prisnin në dhomën e takimeve.
Përgjatë korridorit gardiani i kujtoi se për çdo gjë që të kishte nevojë t’i
thoshte. I arrestuari kërkoi ajfonin për të rregjistruar kilometrat dhe për të mbajtur
ritmin e Kol Memelit vetëm për stërvitje. “Diçka do bëjmë edhe pse aparatura, që
kërkon është në cilësinë e provës.” tha serioz Veroja dhe shkeli syrin.
Në dhomën e takimeve
pa i gëzuar, fytyrën e qeshur dhe të rrumbullakët të Berti Dajkos.
-E mo dhëndër e
provove dhe burgun?!- tha gjithë optimizëm Dajkoja.
-Lere Berto, po ti si
je, se të lashë roje?
-C’ke o me mua? Unë
s’jam në burg de. Vinte çupa e më sillte për të ngrënë e rrinja atje. Puna është
si do dalësh se thonë , që deshe të vrisje Dardanin me kacavidhë yll.
-Mos i beso! Ti më
njeh.
-Po atë ju thesha! Ai
s’vret dot një mizë me kacavidhë jo do vrasë Dardanin e FBI-së. Unë e dërgova të
blinte kacavidhë në “Guguallat”. Më kërkoi edhe Rako Pilafi të dëshmoj. Posi o
i thashë, jo në gjyq këtu po edhe në kryeqytet vij unë për dhëndrin!
-Shpresoj mos shkojë
puna deri atje Berto.
-Edhe po të shkojë mos
çaj kokë! Më ke mua. Bisedova me Vero Shandorfin, që mos të mungojë asgjë këtu
dhe sa të dalësh do vish të rrish nga unë për tërë proçedurat prokuroriale dhe
ato gjyqësore si edhe ato përmbaruese.
-Do dal shumë shpejt.
Ambasada amerikane nuk mund të lerë një nënshtetas të pafajshëm në qeli. Duhet
t’i ketë lajmëruar që sot avokati.
-Po pse nuk është
nisur menjëherë ambasadori? Sa amerikanë janë të arrestuar këtu tek ne?
-Nuk ka pse niset
ambasadori, se puna mund të mbarohet me telefon dhe në të njëjtën kohë nuk ka
se si të jetë krejt i sigurt për mosfajësinë time.
-C’mosfajësi o?! Ti je
i pafajshëm!
-E njëjta gjë është
Berto. Po ambasadori dhe nëpunësit e tjerë nuk ka se si ta dinë, se qëlloi vizita
e Fikos në Turqi dhe gazetarët lokalë janë me të .
- Oooo. të zuri terri
mediatik! Kështu i thonë tani.
-Terri mediatik?!-
pyeti mjeku, por nuk arriti të merrte përgjigje, se kishin mbaruar minutat e
takimit dhe Veroja i njoftoi se në dhomën e pyetjeve do takohej me avokatin. U
përqafua me Dajkon dhe duke ndjekur Veron, që mbylli një derë dhe hapi një derë
tjetër hyri në dhomën ku e kishte pyetur prokuror Kaçi. Disa çaste më pas, avokati
Rako Pilafi hyri me një shprehje, që rrezatonte vendosmëri dhe optimizëm. E vendosi çantën e madhe të zezë mbi tavolinë
dhe tha:
- Kam dy variante për
të të nxjerë brenda javës nga burgu!
- Po pse dy?- pyeti i
hutuar Naim Hana.
- Po sa?
I arrestuari nuk dintë
ç'të thoshte. Kishte menduar se nga Ambasada amerikane mund të kishin ndërhyrë
të lirohej menjëherë, ndaj s'ishte i përgatitur për variant të dytë.
- Nuk u përgjigjën ata
të ambasadës?
- Po prit o doktor,
mos u nxito. Varianti i ambadës është i dyti në të gjithë linjën time të
mbrojtjes. Dje arrita pas shumë negociatash një marëveshje me shumë leverdi, që
mund të të sigurojë lirimin e menjëhershëm.
- Shumë mirë...pa hë-brofi
i gëzuar Naimi.
- Bisedova mbrëmë
gjërë e gjatë me biznesmenin Jorgo Gurgullima. Ai pas këmbënguljes sime të
vazhdueshme pranoi të blerë apartamentin. Kështu që bie proçedimi për punime pa
leje dhe bashkë me të motivi, dhe gjithë ç'rrodhi më pas. Ankesa, sherri,
kërcënimet, armëmbajtja pa leje dhe rezistenca ndaj forcave të rendit.
- Po unë nuk dua ta
shes. Jam rritur aty. Kam kujtime.- tha i zhgënjyer i arrestuari Hana dhe
rëndoi në ndenjësen metalike.
- Po pse bëhesh kaq
nostalgjik doktor? Edhe nga pikpamja ekonomike dhe ajo legale, kjo është një
zgjidhje e përkryer. Si avokati tënd të këshilloj ta pranosh marëveshjen.
- Nuk e shes! Jam
shtetas amerikan!- tha Hana dhe i ra me pëllëmbë tavolinës.
Avokati mbeti i
shtangur nga intrasigjenca e papritur e klientit të tij dhe pasi mblodhi buzët,
ngriti vetullat dhe më pas i shkeli syrin mjekut:
- Le të sulmojmë
variantin dy atëhere! Do jetë më i vështirë dhe kostoz, po do t'ja dal!
- Le të shkojmë me
dyshin!- tha i gëzuar edhe mjeku Hana dhe i dha dorën avokatit në tërësi, të
caktuar nga gjykata e rrethit Bredhishtë.
-Në variantin e dytë
unë do kërkoj lirimin tënd të menjëhershëm duke kërkuar trajtim të menjëhershëm
mjekësor.
-Trajtim mjekësor? –
pyeti i çuditur mjeku.
-Po po. Funksionon në
95 përqind të rasteve, Sidomos e sigurt është në rastin tënd që i njeh
simptomat.
-Simptomat? C’janë këto
simptoma? Unë nuk kam simptoma?
Avokati Rako Pilafi shkeli syrin dhe rregulloi kokën e kravatës dhe
duke ulur zërin tha:
-C’rregullim mendor
bipolar. Ke disa vjet, që kurohesh dhe tani je në fazën e axhitimit dhe nuk
mban përgjegjësi për veprimet, që kryen sidomos në përballjen me autoritetet
dhe figurat autoritare. Këtu për arsye objektive, nostalgjike dhe klimaterike sëmundja
fitoi një dimension të ri. Kërkojmë diagnostikimin dhe raportin mjekësor nga doktor
Ferid Hoti, që dihet se do na e bëjë si ta duam ne dhe t’i shtrohesh disa ditë
në spitalin e Bredhishtës dhe më tej çdo gjë zhvillohet në favorin tonë. Mbështetja
e ambasadës amerikane nuk do na mungojë. Chiaro?
-C’kiaro?! Unë nuk mund të
shtirem, se kam një sëmundje, që nuk e kam. Eshtë në kudërshtim me karakterin
tim si dhe me etikën profesionale të mjekut!
-Po bipolar nuk është
ndonjë gjë shumë e rëndë. Ja unë jam bipolar…prokuror Kaçi është bipolar…Vero
Shandorfi është bipolar… Fiko Fufulina është bipolar. – tundi kokën me shumë
vendosmëri avokat Pilafi, i bindur se Naim Hana s’kishte se si të
kundërshtonte. Thuajse të gjithë ishin bipolarë. Mjeku uli sytë dhe mendoi se
si ishte e mundur, që avokati dinte gjithë këto sekrete mjekësore të njerëzve të
zakonshëm dhe të fuqishëm të Bredhishtës.
-Nga i di këto avokat?
-Eshtë e sigurt! E kam
informacion burimor nga farmacistja Adelina Havani. E kam mbrojtur në një çështje
që kishte me një pensionist për shitje ilaçesh të skaduara. Fikoja kurohet edhe
per hiperseksualitet.
-Zoti Pilafi mua nuk
më hyn në qese seksualiteti i Fikos, por vetë jam shëndoshë e mirë ndaj nuk
mund të shtirem!
-Mund të më thuash
Rako. Nuk ka nevojë për zoti.
-Avokat unë nuk jam i
sëmurë dhe jam i pafajshëm. Nuk kam kërcënuar njeri.
-Këtë gjë duhet ta përcaktojë
trupi gjykues. Unë mund të të ndihmoj nëse ti pranon njërën nga linjat time të
mbrojtjes. Në të kundërt unë do tërhiqem megjithë respektin, që kam për ju dhe
vendin e madh dhe mik prej nga vini.
-Më jep kohë të
mendohem.
-Ti e di- tha avokati
me fytyrë jo të qeshur dhe u ngrit e doli nga dhoma pa shkelur
syrin. “E humba edhe këtë“ mendoi Naim Hana. I kishte mbetur vetëm pritja dhe
një shpresë e vagët, se pasi të kuptonte lidhjen e Gurgullimës me Policinë
Ndërtimore dhe Dardan Kodrën e ndoshta edhe me prokuror Kaçin, mund t’
shkruante një letër të gjatë ambasadorit dhe për njoftim edhe autoriteteve
qëndrore dhe lokale. Do i duhej shumë mund të pyeste gjërë e gjatë Naun Bajutin
në një mënyrë të tillë që të merrte prej tij vetëm përgjigje të shkurtra.
No comments:
Post a Comment