Zoti Zëvendës Kryeministër,
Ne jemi shtatë arkitektë me origjinë nga Korça, që punojmë
në shtete e provinca të ndryshme të Amerikës së Veriut. Po ju drejtohemi me
shpresën, se keni ende dëshirën e mirë, për të përmirësuar qytetin tonë të
lindjes. Disa prej nesh ju njohin personalisht dhe të tjerët nuk e kanë patur
mundësinë, për shkak të emigrimit të hershëm. Megjithatë, të gjithë kemi besuar
e besojmë se i doni të mirën Korçës.
Jemi tejet të shqetësuar, për ndërhyrjen, që po bëhet në
sheshin para Teatrit “A.Z. Cajupi”. Edhe pse ju nuk jeni më Kryetari i Bashkisë
së Korçës, e dimë, që projekti ka qënë dhe mbetet nisma e juaj, i ideuar si një
përpjekje e mirë për të përmirësuar qytetin. Pamjet 3 dimensionale, që kemi parë
në mjetet e informimit (në faqen zyrtare të Bashkisë se Korçës në internet nuk
ka asgjë rreth projektit më të rëndësishëm të Bashkisë për vitin 2014) na kanë
tronditur. Projekti i paraqitur është një shembull i keq i Arkitekturës
Brutaliste, e cila ka perënduar në botën e përparuar, që në mesin e viteve ’70
të shekullit të kaluar. Ndërtimi nuk
mund të konsiderohet një eksperiment i arkitekturës bashkëkohore, të cilin koha
do e gjykojë më vonë. Ndërtimet më në zë të arkitekturës brutaliste qëndrojnë
në shumë qytete perëndimorë, si shembuj të një marrëzie eksperimentale të
viteve ’50 dhe ’60, kur arkitektët përpiqeshin të gjenin rrugë të reja të
shprehjes arkitekturore.
Një objekt i tillë nuk duhet ngritur në qendër të një qyteti
me karakteristika të formuara mirë edhe pse gjatë 70 viteve të fundit, ka pasur
në të plot shembuj të ndërhyrjeve të gabuara në arkitekturë dhe urbanistikë. Ne kemi vlerësuar përpjekjen
tuaj për të përmisuar kompleksin arkitekturor të sheshit edhe pse përgjithësisht gjykojmë, që në një qytet me pak hapësira publike,
sipërfaqet e lira duhet të ruhen. Megjithatë, ndërhyrja në të duhet të
jetë krejt e ndryshme nga projekti gjerman, tashmë i miratuar dhe i nisur të
zbatohet. Korrigjimi i thellë i tij është i domosdoshëm dhe i mundshëm. Mjafton
vetëm dëshira juaj e mirë për të dëgjuar sugjerimin tonë dhe të shumë korçarëve
të tjerë, të cilët publikisht apo privatisht
po e kritikojnë projektin.
Ju kërkojmë me ngulm, por dhe me besim të ndalni këtë gabim
të rëndë arkitekturor dhe urbanistik në qytetin tuaj dhe tonin.
Shpresojmë që keni dashurinë për Korçën dhe vullnetin për ta
bërë këtë.
Me respekt,
Ark. Anxhela Mosko Hamilton,
Ontario
Ark. Jeta Xhufka Toronto,
Ontario
Ark. Ilia Lera Boston, Massachusets
Ark. Klarens Karanxha Boston,
Massachusets
Ark. Maksi Pengo Boston,
Massachusets
Ark. Naumaq Mara St.Catharines,
Ontario
Ark. Nensi Bregu Boston,
Massachusets
No comments:
Post a Comment