Rei kishte ikur pa thënë asnjë fjalë. Gjashtë vjet pasi kishin
jetuar bashkë. Kishte qënë rebusi më i vështirë i jetës së saj. Ai kishte
mbledhur në heshtje gjërat e tij dhe ishte nisur me makinë një mëngjes me shumë
shi. Pas kishte lënë vetëm një shënim. “Më
mirë kështu. Mos më kërko.” Asaj i ishte dukur sikur tjetërkush e kishte
shkruar atë pusullë edhe pse shkrimi ishte i Reit. Nuk dukej si një nga frazat
të cilat ai bluante heshtur në kokë dhe ajo mundohej të hamendësonte. Qeshnin të
dy gazplotë kur ajo shpesh arrinte të gjente frazën që ai bluante në mendje. Ai
hargalisej dhe i thërriste “Arkeologia e korteksit tim “, ndërsa ajo kënaqej, që
e njihte aq mirë të dashurin. Kjo deri sa pas një mbyllje të tij në vetvete
erdhi ai mëngjes plot lagështi dhe copëza e letrës me dy fjali. Nuk arrinte as
të qante mbi gërmat e shkruara nga njëra qoshe e pusullës tek tjetra. I dukej ,
që dikush e kishte detyruar Rein të shkruante pikërisht ato fjalë.”Better like this. Don’t look for me.”**
Ishte refreni , që nuk u nda për
javë të tëra deri sa krijoi një profil të ri në Fejsbuk dhe i shkroi ato fjalë
nën foton e një skitale***. Zgjodhi fjalën e parë , që i shkoi në mendje dhe e
vuri si emër të profilit. Kështu u krijua ‘eliksir”.
Një skitale e Spartës së lashtë dhe dy fjali të zakonshme në anglisht. Priti me
muaj të tërë, që dikush t’i shkruante diçka rreth kodeve të fshehta, a mbase
edhe arkeologjisë, por më kot. Ishin të njëjtat kërkesa për miqësi, me emra nga
më të çuditshmët dhe foto vajzash gjoksejashtë ose këngëtarësh rep. deri një
mbrëmje, kur rastësisht hasi në një profil, që kishte interes në kriptologji.
Ishte “tom”.
Deni
“tom” kishte arritur në pjesën e
autostradës pranë liqenit Ontario dhe pa orën. nuk ishin mbushur ende 20
minuta, që t’i shkruante “eliksirit”.
Dritat mbi ujë ishin krejt të stampuara. Dukej , që jashtë nuk kishte asnjë lëvizje
të ajrit dhe ai mendoi duke qeshur me vete, se ishin ndalur edhe grykët e
tubave të mëdhenj prej betoni, që derdhnin në liqen jashtëqitjet e njerëzve të
ardhur nga dhjetra kombe dhe nga të gjitha kontinentet. “C’mesazhe të koduara
prej lashtësisë përfundojnë në ujrat e këtij liqeni? Në fund të tij do jenë
pjesë nga thëniet e Konfucit përzjerë me legjenda për bëmat e Kirit, si dhe copëza
të padeshifruara të vizatimeve gjigande në Peru. Ndërsa unë shkoj të deshifroj
nëse “eliksir” është dashuria ime e
humbur apo rifillimi i një jete më të komplikuar. Mbi të gjitha nuk vjen asnjë
lloj arome nga liqeni. Asgjë që mund të më japë një shenjë, se ç’më pret”.
(vijon)
No comments:
Post a Comment