Pak nga brezi im e kujtojnë të saktë nenin famëkeq për
Agjitacion e Propagandë kundër pushtetit popullor. Kur arritëm moshën e
“pjekurisë për burg”, neni edhe pse ishte në fuqi, nuk aplikohej në stil të
gjerë si 5-6 vite më parë. Po ishte një nen, që njihej mirë dhe na i kishte
futur “majmunin llafazan” të të folurit thellë në bark. (Të rinjtë mos kujtojnë
se vërtet e mbanim gojën kyçur, por për politikë, filozofi, fe dhe art, ose
flisnim pak, ose vetëm në prani të njerëzve shumë të besuar.)
Të gjithë e kujtojnë, që goja filloi të “shthurret’
gradualisht pas ekzekutimit të Kadri Hazbiut dhe gjithë të Përbrëndëshmve dhe
mori hov pas vdekjes së Diktatorit dhe më shumë në fundin e viteve ’80.
Nga ai nen ishin përvëluar shumë njerëz e familje dhe duke përjashtuar
njerëzit “veçanërisht të ligj”, komunistë e jo komunistë ndjenin keqardhje për
ata , që dënoheshin për një fjalë goje. Shoqëria shqiptare edhe nëse mund t’i
linte mënjanë ata , që ishin dënuar për agjitacion ndjente jo vetëm keqardhje,
por edhe një ndienjë faji, sepse tradicionalisht nuk kishte pasur ligje, që dënonin
po të flisje kundër pushtetit.
U zgjata me këtë histori të kohës kur mungonte Liria e të
folurit apo të shkruarit kundër Pushtetit, sepse kam vite, që mendoj se sa
absurde është sot frika nga të folurit apo të shkruarit kundër Pushtetit. Vërtet
në Kushtetutë kjo e drejtë e çdokujt është e garantuar, si dhe nuk ekziston më
një nen i tillë, por ka më shumë se dhjetë vjet, që Ekzekutivi, Drejtësia dhe
Pushteti Lokal mund të të bëjnë të vuash më shumë se ata “katilët”, që të
futnin brenda.
“Ua ç’na paske zbuluar!” mund të hidhet me të drejtë
gjithkush nga miqtë e mij në Shqipëri, sepse e dinë mirë ose e kanë provuar në
kurrizin e tyre apo të të afërmve.
Mua më duket e çuditshme, jo sepse jetoj larg Shqipërisë dhe
në një vend të lirë, por sepse më duket e habitshme, që si është krijuar dhe
funksionon ky sistem i ri.
Po rikthehem ne kohë dhe po them me dy rrjeshta se sa di
rreth mënyrës se si funksiononte në atë kohë. Kishte ‘operativë“, që paguheshin
me rrogë të plotë dhe mbulonin një lagje, një institucion apo një fabrikë dhe
një rrjet me spiunë, që paguheshin “part time”, se punonin në një vend tjetër.
Ata quheshin AGBV(nëse nuk e ngatërroj), dhe disa prej tyre ishin edhe hapur
dhe vinin një shirrit të kuq në krah me këto iniciale, kur kishte grumbullime të
mëdha publike. Ishin kateguria më e ulët në shkallët e shoqërisë shqiptare.
Natyrisht, pjesa më e madhe nuk diheshin cilët ishin edhe pse njerëzit kishin
dyshime apo dijeni për njerëz të caktuar. “Spiunët” mblidhnin llafet e thëna në
kafene, rradhëra apo në punë dhe ja u përillnin operativëve dhe personat
filloheshin të survejoheshin. Nuk kam ide se sa % të survejuarve përfundonin në burg.
Ky system ishte i ngritur, kishte orientime të qarta, dihej
se ç’mund të klasifikohej pro dhe kundra dhe funksiononte.
Më spjegoni ju lutem se si funksionon sot, kur njerëzit
flasin në kafene, në radio e tv, në të quajturat media sociale, shkruajnë në
gazeta, komentojnë shkrime, marrin pjesë në protesta?
Sa djall spiunë duhet për të kontrolluar një armatë njerëzish,
të cilët punojnë në shtet dhe, që duhet të mbajnë gojën kyçur dhe tastierën
bllokuar për të sharë pushtetarët apo punët e tyre të liga?
Dukuria është jo vetëm e frikshme, por dhe e turpshme. Sepse
nuk mund të funksionojë pa një masë të madhe njerëzish, të cilët shpien fjalët
tek të fuqishmit.
U bënë tre vjet, që i jap me periudha ‘tastierës së
kompjuterit” pak më shumë se sa duhet. Në përgjithësi kritikoj, se e quaj se
mund ta ndihmoj më shumë shoqërinë shqiptare duke vënë në dukje të metat, se sa
të brohoras arritjet “nga Kongresi në Kongres apo nga Legjislatura në
Legjislaturë“. Ndonjëherë edhe mund të kem vënë në vështirësi miq të mij.
Thuajse të gjithë më shkruajnë në “inbox” “Ke të drejtë, por nuk shkruajmë dot,
se humbasim punën”. Tani më shkruajnë edhe miq të mij në Amerikë ose Kanada, që
nuk të mbështesim dot, se kemi njerëzit atje dhe na i heqin nga puna!
Eshtë e poshtër dhe e dhimbshme!
E poshtër dhe kriminalepër ata, që e bëjnë duke filluar nga
spiunët , që përgjojnë edhe ç’komentohet në FB dhe e dhimbshme për ata , të cilët
ndjehen kaq të pafuqishëm!
(Ndoshta disa mendojnë, që ata të nxirrnin nga burgu pas 10
vjetësh, kurse këta të dënojnë të mbetesh pa punë përgjithnjë!)
No comments:
Post a Comment