Unë e kam përkthyer “Tronditja nga e Reja”, por mund të ketë
edhe variante më të sakta shqipërimi si “Goditja nga e Reja”, “Mëkja nga e
Porsambritura”, “Habitja nga e Reja”, “Fiqirikja nga Kërcka” apo dhe të tjera.
Po ja le Benit të gjejë më të saktën.
“The Shock of the New” është një seri dokumentarësh e BBC-së
e vitit 1980, që tregon se si hynë rrymat e artit modern (kryesisht të atyre
figurative) në shoqëritë perëndimore duke filluar prej impresionizmit e deri në
fundin e viteve ’70 dhe se si kishte qënë procesi i pranimit të tyre nga ato
shoqëri. Janë 8 episode shumë të vlerësuara në rrethet e atyre që njohin thellë
artin modern dhe shoqëritë perëndimore të 150 viteve të fundit.
Sigurisht, që profesori Wilson, që e lidhi këtë shprehje me
projektimin e Kullës në Korçë dhe reagimin e opinionit publik i ka parë episodet.
Kushdo mund t’i shohë sot në youtube. (Nuk e ve dorën në zjarr për Peleshin e
Filon, se si politikanë dhe administratorë kanë pak kohë të shohin dokumentarë
rreth artit.)
Përdorimi i shprehjeve të tilla “magjike” nga politikanët
nuk është ndonjë gjë e re. Në gjithë botën e zhvilluar. Ata janë gjithë kohën në
lëvizje, mbledhje, debate parlamentare, intervista, sa nuk kanë mundësi të
lexojnë apo të thellohen në problemet. Nga pas kanë një grup njerëzish duke
filluar me ata, që ju shkruajnë fjalimet e deri tek këshilltarët për ushtrinë,
urbanistikën, letërsinë, arsimin, shëndetsinë etj. Kanë një veçori, e cila i
dallon nga të tjerët. Janë shpejtnxënës (nuk dita si ta përkthej më mirë “fast
learner”). Mjafton t’ju thuash disa shprehje parafabrikate, nga ato që kanë
efekt dhe fillojnë t’i përdorin menjëherë me efikasitet. Dhe këtu e kam fjalën
për të gjithë politikanët e vendeve të Botës së Parë.
Tanët janë jo më pak shpejtnxënës edhe pse ne jemi një vend
i Botës së Tretë. Në 20 vjet mësuan gjithë hiletë, për të cilat të tjerëve ju
deshën disa breza.
Tani nuk ka njeri, që i ze dot në fjalë!
Në fillim mendova, se ndërtimi i Kullës si është paraqiutr në
skicën e prof. Wilson nuk kishte se si mbrohej. Ishte edhe më i pambrojtshëm se
prishja, që donin t’i bënin Bolles+Wilson 5 vite më parë Shkollës “Th. Gërmenji”.
Por edhe për të u gjend dermani! “The Shock of the New.”
E mendoj se dikush , që ende beson tek Nikua i thotë “More
si do ndërtoni atë Tmerr aty?” dhe do marrë duke buzëqeshur përgjigjen “The
Shock of the New!” Ndoshta do ketë edhe gazetarë që mund ta pyesin për reagimin
e korçarëve dhe të marrin të njëjtën përgjigje. Sigurisht edhe Raqka i Bashkisë,
do ketë lënë tashmë shprehjen angleze “të pengimit dy herë në një gur” dhe do
ketë përvetësuar të renë. Kjo është edhe më e shkurtër.
Një pjese të mirë nga korçarët që jetojnë në Korçë, Tiranë
apo edhe jashtë Shqipërisë, kanë pasur vërtet
këto javë “Fiqirikje nga Kërcka”. Edhe pse kjo që paraqitet si “kërckë“ nuk ka
shumë lidhje as me të renë në arkitekturë dhe as me dokumentarin e BBC. Në botën
perëndimore ka të paktën 40 vjet, që është hequr dorë nga kjo arkitekturë. Bile
sot e Re nuk quhet blob arkitektura e Frank Gehryt, apo dekonstruktivizmi dhe
Hi-tech arkitektura sepse kanë shumë shembuj të njohur dhe janë mirëpritur nga
opinion i specializuar dhe ai i zakonshmi.
Mua nuk më gënjen mendja, që të pres, që në një qytet të vogël
të Ballkanit, edhe pse është qyteti im i dashur, të ndërtohet diçka,”e papame”,
që do lerë pa mendje vendas e të huaj.
Mjaft të ndërtohet diçka bashkëkohore, me materiale më të
lehta e më transparente dhe me lëvizje vëllimesh , që të kujtojnë diçka nga
arkitektura e Korçës.
Nëse për këtë nuk ka fonde të mjaftueshme, le të shtyhet ndërtimi
dhe të gjenden mënyrat për tu financuar më vonë.
Por mos na jepni këtë Beton-Shock, që po na e shisni si të
Re!
No comments:
Post a Comment