Titulli i këtij shënimi është ç’orientues. Askush nuk po e
prish sheshin, por përkohësisht po hapin një gropë të madhe e të thellë, e cila
ndoshta do shërbejë për parkingun e ndërtesës së bukur, që një vit ose dy më
vonë do ngrihet në sheshi, i cili dikur quhej “Para turizmit” e ndoshta sot mase
quhet “Para Behar Koçibellit”. Them, që mund të jetë edhe ‘e bukur” se ka
kaluar periudha e “bumi” të ndërtimit të
pallateve të banimit, ndërtuesit kanë fituar përvojë dhe materialet e ndërtimit
të përdorura nuk bien poshtë atyre , që përdoren në gjithë Europën. Nuk do
habitesha aspak, që ndërtimi i përfunduar pas një viti ose dy, të jetë një ndërtim
i një cilësie të mirë. Me “cilësi të mirë“ dua të them, që të jetë i proporcionuar,
me detaje të trajtuara me kujdes dhe me material ndërtimore të cilësisë së parë,
i tillë, që mund të qëndrojë pa “stonuar” në shumë qytete të Europës.
Parametrat e tjerë, që janë të pandashme me cilësinë si, harmonizimi me
objektet ekzistuese, balancimi i hapësirës së kompleksit, hyrje-daljet e
studiuara vëllimore janë të vështira të zgjidhen në një objekt, të konceptuar
qysh në fillim nga “motive të papastra” dhe që nuk kanë të bëjnë me urbanistikën
e qytetit.
Megjithatë, nuk kam ndërmend të gjykoj një objekt, që nuk është
përfunduar duke u nisur nga “motivet”, që kanë sjellë projektimin dhe miratimin
e tij. Jo në çdo rast “punët e pista” nxjerrin “monstra” të arkitekturës.
Këto rrjeshta kanë të bëjnë me pafuqishmërinë tonë, ose më
mirë me reagimin qesharak, të korçarëve, që në një mënyrë apo tjetrën janë të
lidhur me Partinë, e cila ka përkohësisht pushtetin.
Edhe pse nuk fusin g jë në xhepat e tyre ata janë të detyruar
të heshtin ose të duartrokasin “të fuqishmit” për ndërhyrjen në shesh. Askush
nuk mendon më, se po ju cënohet një e drejtë themelore e tyre- prona e përashkët,
atje ku janë të lirë të kalojnë çdo ditë, të takohen me njëri tjetrin apo edhe
të ngrohen në diell, po ju t jetërsohet e po kthehet në pronë të disa njerëzve
ose organizatave të fuqishme. Pa përmendur, se po ju “tjetërsohen” kujtimet e të
kaluarës së tyre, që kanë patur zanafillë në këtë shesh; nga përcjelljet e njerëzve
të dashur, daljen plot mbresa nga një koncert a nga një festival apo edhe ‘të rënit
shkurt” për të hyrë në një nga rrugicat, që të shpien në “barkun” e qytetit.
Nuk reagojnë të rinjtë universitarë, të prirur kudo në botë të ngrihen kundër
padrejtësive apo veprimeve, që lidhen me dëmtimin e mjedisit apo të hapësirave
të përbashkëta. Me siguri është temë e të gjitha bisedave në kafene, por duke
mos pasur një debat publik apo shoqata, të cilat janë në gjendje të ngrihen
edhe të luftojnë edhe ligjërisht me këtë ndërhyrje, gjithshka mbetet një
thashethem i madh, i destinuar të fashitet pa mbaruar vera.
C’do ndodhë kur objekti të jetë përfunduar?
Më e thjeshta mund të jetë një rëndim I trafikut(automjete,
biçikleta, këmbësorë), pjesë të asaj hapësire do bëhen të pakëndshme për të
kaluar në dimër, të huajt do çuditen me një “ndërtim ishull” dhe më pas jeta do
rrjedhë po njëlloj. Nga kjo verë, kur duke përfituar nga Botërori dhe stina e
plazhit, “lojtarët” kryesorë të kësaj grabitje filluan të realizonin “projektin”
e tyre, do kujtojmë vetëm shumë pëshpëritje dhe një shëëët të gjatë:
“Shëëëëëttt…po prishin sheshin!”
No comments:
Post a Comment