2.
Hallakatur,
shpirtrash rrekur, tek kjo shkretëtirë e vdekur
..Në këtë
dhomë tmerr përndjekur, thuam' t'lutem, po të lus...
“Nuk besoj
se është më shumë se dhjetë minuta që këtu” , mendoi dhe e ktheu menjëherë
timonin djathtas dhe hyri në një nga rrugët e Filadelfias së vjetër. Rrugët kishin
mbetur po aq të dëmtuara sa herën e fundit, që kishte shkuar tek shtëpia muze e
Poes.
U ndal në rrugën "Kopshti
Pranveror" edhe pse mund të vonohej. Ishte e kushedisata herë, që shkonte
në atë vend të shenjtë për të. Ndoshta jo sa varri i Poes. Parkoi makinën para
ndërtesës trekatëshe të Shoqatës Gjermanike dhe zbriti nxitimthi. Para
kangjellave, pranë statujës së Korbit u gjunjëzua disa sekonda pa ditur nëse
duhet të bënte kryqin apo thjesht të puthte majrat e gishtave të duarve, ndërsa
mbante pëllëmbët e takuara para fytyrës. Korbi shihte lart dhe pa krrakaritur
nuk mund të përsëriste fjalët profetike "Më kurrë". Ishte tepër i
bronxtë dhe dukej si i përzhitur keq në atë natë të errët. Mendoi të
telefononte në numurin e shkruar mbi derën e shtëpisë së Poes. E dinte, që
zonjusha Van Klysten, për 3-4 minuta do ishte aty dhe do tregonte plot
entusiazëm rreth diçkaje të sapozbuluar për Poen, e më pas do hapte derën e
muzeut të gjeniut të letërsisë gotike. Dy djem me ngjyrë, që po qeshnin me sa fuqi
kishin duke drejtuar kryet nga ajo, e bënë të hiqte dorë nga çka i kishte
lindur në kokë. U ngrit më këmbë dhe filloi të hidhte hapat shpejt drejt “brumbullit”
të kuq. Të qeshurat e rinoshëve të zinj, po dëgjoheshin më të qarta dhe ajo, nën
një drithërimë të beftë, mendoi që Poe kishte rinisur të shkruante një tjetër
tregim plot krime e të fshehta. "Mjaft u bëre si e reja e trembur e pesëmbëdhjetë
vjetëve më parë" qortoi veten dhe vazhdoi me hapa normalë të afrohej drejt
ndërtesës së Shoqata Gjermanike. U step. Pa pas makinës së saj, një fuoristradë të verdhë me disa ravijëzime të zeza, e cila
nuk kishte qënë disa minuta më parë. "Nuk isha larg të mos e dëgjoja
zhurrmën e saj, kur parkoi". Brenda xhamave të errët të BMW-së, nuk dukej
në ishte kush. Nxitoi të hapte derën e "brumbullit" me çelës, pa
provuar në distancë, nga frika se kërkëllima e hapjes automatike, do cyste
dikë, brenda makinës së shtrenjtë me xhama të errët. Hyri shpejt brenda barkut të vogël të pashkëzës, mbylli gjithë dyert dhe u kthye në
Rrugën e 6-të për të vazhduar udhëtimin. Me vështrimin e fundit nga pasqyra,
kishte parë targën para makinës. Ishte e gjitha një flamur gjerman i
paraluftës. Mbi shiritin e bardhë ishin numurat dhe gërmat 1934BCX. I kuqi dhe
i ziu ishin pa shenja. Vazhdoi të kontrollonte nga pasqyra nëse po e ndiqnin
dhe pa hyrë në autostradën 76 u sigurua që kishte qënë një frikë e kotë.
(vijon)
No comments:
Post a Comment