Para një jave, kur pashë skicën e Kullës(autorët e kanë
quajtur Vrojtuese) u trondita. Nuk e prisja të arrinin deri në këtë masë
gabimet në ndërtimet në Korçë. Tani edhe gjaku nuk më vlon si në fillim dhe ka
nisur, që kjo histori të bëhet interesante. (Sa mund të jetë interesant një
film nga ata të Tmerrit.)
Në ditët e fundit, nga kjo ngjarje e rrethuar me mister dhe
llamarina të valëzuara kanë dalë disa fakte të reja, që e bëjnë më të
koklavitur. Profesor Peter Wilson, në një letër drejtuar gazetarit Kallamata
nxjerr teorinë “Shock of the New” e cila brenda ditës përsëritet në FB edhe nga
Peleshi dhe nga disa papagaj të tij.
Me pak fjalë, ju qytetarëve të Korçës po ju ndodh si
parisienëve kur filloi të ndërtohej Kulla Eiffel, që protestonin, por pas disa
dekadave u kthye në simbol i Parisit dhe ne krenari te tyre.
Deri tani kisha menduar, se firmës I ishte kërkuar të ndërtohej
diçka në shesh e ndryshme nga Piramida e menduar prej tyre në vitin 2009, e
cila nuk ishte miratuar nga Juria e kryesuar nga Blushi-Peleshi.
Arroganca e profesorit Wilson, që e quan Kullën si “xhevairin”
mbyllës të Planit të Qendrës dhe me pretendimin se do kthehet simbol i qytetit
në të ardhmen, më bën të vras mendjen nëse ka qënë Bashkia, që ka këmbëngulur për
këtë lloj ndërtimi apo profesori me autoritetin e tij i është imponuar asaj.
Gjithsesi të dy palët kanë mbetur të kënaqur nga njëri tjetri, Rama ka hapur
thesin e buxhetit dhe ne do na mbetet peshqesh Kulla e Vrojtimit. Falas.
E ve me mendje veten në tarracën e Kullës së Vrojtimit(edhe
pse nuk kam imagjinatën hapësinore të profesorit Wilson) dhe mendoj se ç’tavolinë
të zgjedh për të patur pamje më të mirë. Them më mirë në qoshen Veri-Perëndimore
se atje mund të shikoj i pari kur vijnë çiklistët e të thërres “Erdhën çiklistët!”
por kujtohem , që në Shqipëri ka kohë, që nuk bëhet Rrethi i Shqipërisë dhe
hidhem në mes. Eshtë vendi më i mirë, jo për mua po për Peleshin, se që atje
shikon drejtpërdrejt tarracën e shtëpisë të tij dhe mund t’i valëvitin dorën për
t’i thënë “Lakrori u poq!”
Në qoshen Veri-Lindore ka mundësi të shoh Bul Shën-Gjergji
dhe në mbyllje të tij në të majtë, shtëpinë e Mandi Tërpos, atë që të gjithë e
quajmë me krenari dhe dashuri Mësonjtorja e Parë. Detyrimisht do më vijnë mes
lotësh ndërmend vargjet e Naimit, por i “Tronditur nga e Reja” do më dalin mes
dhëmbësh:
“Lumja ti o Korçë o lule,
Që ke qënë qytet me vulë,
Si trimi në ballë u sule,
Sot të ngulëm e një Kullë!”
No comments:
Post a Comment