Korça do ketë si gjithë qytetet e njohura në botë, një kullë
të vogël me në krye një restorant me pamje panoramike. Vizitorë e vendas do kenë
mundësi të shijojnë pamjet e kodrave përreth qytetit, çatitë me tjegulla dhe një
pjesë të rrugicave me kalldrëm nga një lartësi rreth 30 metra. Kjo në sajë të
zemërgjerësisë të pushtetit qëndror, i cili i ka akorduar bashkisë të qytetit
fondet e nevojshme për ndërtimin e një kompleksi zyrash në sheshin e parë të
qytetit kur hyn nga Perëndimi dhe Veriu.
Duhet të pranoj, që në kohën e fëmijërisë sime në atë shesh,
që dukej stërmadh kishte vetëm një godinë me vlera të vërteta arkitekturore-
Banka e Shtetit. Në të dalë të sheshit ngrihej hijerëndë dhe e bukur Katedralja
e Shen Gjergjit, por edhe ajo ishte cunguar në pamje për shkak të rënies së këmbanareve
dhe mosvënies dorë nga Kisha Autoqefale e kontrolluar nga shteti komunist. Tre
pallatet e banimit, që rrethonin sheshin, ishin jo vetëm të vendosur keq nga
ana urbanistike, por dhe me një arkitekturë tepër të varfër. Godina e Teatrit,
sipas një projekti sovjetik, ishte një tjetër vëllim jo i proporcionuar mire
dhe itrajtuar në një mënyrë anakronike nga ana arkitekturore. Në mes të
sheshit, zakonisht rrinte polici Ramo, që rregullonte atë trafik të pakët duke i
fryrë bilbilit, për të tërhequr vëmendjen e fshatarëve , që me kafshë dhe biçikleta,
të ngarkuara me arka frutash dhe prodhimesh të tjera i drejtoheshin Pazarit të
Korçës. Në vitin 1968 filloi ndërtimi i Hotel Turizmit atje ku më parë ishte
Gastronomi dhe një varg me dyqane jo shumë të fisme, si dhe kazinoja. Hoteli, u
bë onjekti sundues i sheshit, sa ai filloi të quhej sheshi para Turizmit. Në të
njëjtën kohë u ndryshua fasada e Teatrit duke I dhënë një pamje më moderne, por
që e bëri të ngjante me një çokollatë gjigande. Vite më vonë, vendin e Kishës së
Shën Gjergjit e zuri Biblioteka, e projektuar në natyrën e ndërtimeve modern të
viteve ’50-’60.
I tillë hyri sheshi “para Turizmit” në vitet ’90, vitet e
ndryshimit të sistemit. Një shesh i formuluar jo mirë, me ndërtime, që “kundërshtonin”
njëri tjetrin, por një hapësirë e domosdoshme në një qytet me pak hapësira
publike dhe pak gjelbërim.
Nuk po zgjatem me ndryshimet e bëra në 20 vitet e fundit, që
e kanë bërë akoma më të çoroditur në linja, vëllime dhe stile arkitekturore.
Sigurisht, motivet e Bashkisë për të ndërtuar diçka bashkëkohore
në atë shesh nuk janë për të njëjtat shkaqe, për të cilat unë mendoj, se po të
më jepej mundësia do e riformuloja sheshin. Fakti, që atje jepet një pjesë e
sheshit(maksimumi i mundshëm) për të ndërtuar është i njëjtë me motivet e ngritjes së kioskave në qendër të
Tiranës dhe të qyteteve të tjera të Shqipërisë në fillimin e viteve ’90.
Fitimi.
Nuk dua të zgjatem me pse-të dhe si-të. Abuzimi është i qartë
dhe duket, që për shkak të qënies së pushteteve në të njëjtën dorë, si dhe nënshtrimit
të plotë të qytetarëve korçarë, të cilët nuk i përkasin asnjë partie, ndërtimi
do realizohet.
Përmenda në fillim, që në katin e sipërm të ndërtimit do jetë
një restorant, që do japë mundësi të shohësh një “pamje panoramike” të Korçës.
Kam jetuar mbi 27 vjet në një banesë, që është rreth 90
metra në vijë ajrore nga ndërtimi, që po përmend. Kur arritëm moshën, që
prindrit na lejonin të hipnim në tarracën e pallatit, kalonim në të thuajse
gjithë verën. Pika më e lartë(studioja e piktorit Rafael Dembo) ishte rreth 22
metra nga toka, që duke llogaritur edhe pjerrësinë e terrenit, duhet të jetë në
një nivel me restorantin e ardhshëm. Veç pamjve të bukura të lindjes dhe perëndimit
të diellit, më besoni se nga ajo lartësi nuk sheh asnjë pamje të bukur të Korçës.
Të tilla mund të shohësh vetëm nga kodrat, ku arrin të shohësh qartë rregullsinë
urbanistike të qytetit tim të lindjes. Pamjet më të afërta, që mund të shijosh
nga ai restorant janë çatitë e shëmtuara të pallateve të Cajupit, atij të ish
Postës dhe të Optikës e Rrobaqepsisë Speciale(të gjitha këto janë emërtime të
vjetra, por nuk i di të rejat.) Më tej,
në Perëndim do shohësh një bllok të çoroditur me ndërtime(ai pranë agjensisë)
dhe pallate të reja e të vjetra të ndërtuara gjatë 40 viteve të fundit. Pamje të
ngjashme ofron Veriu dhe Jugu. Disi më bukur duhet të duket në Lindje, shëtitorja
e qytetit(pedonalja e sotme), që të shpie drejt Katedrales dhe zonës muze(edhe
kjo e masakruar) dhe mbyllja me vargmalin e Moravës.
Duket se po i bëj një antireklamë asaj ç’ka do ndërtohet,
por e di që nuk ndikon aspak në vendimin e marrë në qarqe njerëzish, të cilët
pretendojnë se e duan qytetin e tyre, por për të përdorur një shprehje të Ramës
në një rreth të ngushtë më 2003 “Për Tiranën nuk e rruaj fare!”, nuk ju bëhet
vonë edhe sikur një ditë të bukur me diell, t’i venë minat dhe ta rrafshojnë,
vetëm t’ju sjellë të ardhura.
Nuk e mendoja, që do
më merrte malli një ditë, të shihja përsëri në qendër të atij sheshi, policin Ramo
me bilbil në gojë.
No comments:
Post a Comment