Tuesday, 6 June 2023

Shokë për inerci (fund)


 (vijim)

Sigurisht edhe ata, të cilët nuk ishin të prirur për “çapkënllëqe” sepse kishin frikë, sepse nuk kishin ndjenjën e rebelimit ndaj autoriteteve, ose se ishin “më të pjekur” kishin shoqëritë e tyre , të cilat nuk mund të them me siguri se ç’baza kishin. Dëshirën për sukses në jetë, prirjen për të marrë përgëzimet e prindërve apo tendencën për të qënë konformistë? Tek djemtë, këta fëmijë-adoleshentë nuk ishin të shumtë, por koha më vonë do tregonte se numuri i tyre sa vinte dhe do rritej. Me moshën fillonte një kuptim më i mirë “ i të drejtave dhe detyrave”, shtohej “ndjenja e përgjegjësisë“, kuptohej se “nuk mund t’i bije murit me kokë“ dhe se më shumë se çdo gjë vlente karriera. 

Në këto vite, që përkojnë me fillimet e punës, fejesat dhe krijimin e familjeve fillon një dukuri, që është një lloj largimi nga disa nga shokët e fëmijëri-adoleshencës edhe pse vazhdon të kesh “hyrje-daljet” për shkak të shoqërisë së hershme duke u krijuar një lloj marëdhënie, të cilën mund ta quajmë “shoqëri për inerci”. (Dhe sa më e madhe të jetë “masa e trupit” aq më e madhe është dhe inercia.)  Zbehet dëshira për të kaluar një pjesë të mirë të kohës së lirë si më parë, krijohen njohje me njerëz të tjerë, rritet ndikimi i partnerëve të jetës dhe më shpesh ju referohesh si “shokë të fëmijërisë“ ose “jemi rritur bashkë“. Edhe pse nuk do ta pranosh për arsye nostalgjie, frikës se po “tradhëton” e ndjen se ndryshimet në karakteret e njerëzve, ndryshimet në interesat rreth jetës kanë sjellë “pavlefshmërinë e shoqërisë“. Por “inercia” vazhdon për këto arsye dhe ndonjëherë edhe pse kur ndjen “trysninë“ e të njohurve që të pyesin: “Nuk të shikoj shumë me X-in?” , “E ke muhabetin me Y-un?” e të tjera të ngjashme.

Në këtë kohë ka nisur proçesi, kur nuk ke më besim t’i tregosh një sekret, kur nuk do t’i kërkosh këshillë dhe kur nis të mendosh se ai/ata janë kthyer si ata “fëmijët e pjekur” me të cilët nuk doje të shoqëroheshe dikur. Edhe pse ka raste “të prerjeve me thikë“ të marëdhënieve, më shpesh ndodh një lloj largimi dhe “takimi në sebepe”, kur sheh se nuk ka shumë gjëra që të bashkojnë veç kujtimeve të fëmijërisë dhe çapkënllëqeve. Të duket sikur nuk i ke njohur më parë, por ke njohur dhe ke pasur shoqëri me “variante të tjera” të personalitetit të tyre.

Ndryshimi i njerëzve është ligjësia e natyrës. Janë shumë të pakët ata që nuk ndryshojnë. Por ndryshimet kanë dy kahje. Më i lakmuari është ai i “rritjes”, kur njeriu arrrin të kuptojë kufizimet dhe të metat dhe mundohet t’i minimizojë ato, dhe në tjetrin kah është ndryshimi i “përshtatjes”, kur njeriu kupton se shumë sjellje dhe qëndrime nuk e bëjnë të suksesshëm në jetë. Kjo e dyta ndodh më shpesh dhe ka një llogjikë brenda saj, sepse përballesh me vështirësitë e jetës duke pasur në kurriz edhe përgjegjësinë për familjen dhe veçanërisht për fëmijët. Kjo sjell shtimin e pragmatizmit në sjellje, ndonjëherë edhe servilizmit, heshtjen ndaj padrejtësive apo edhe deri në pjesëmarrje në prapaskena ndaj të tjerëve, ku ndonjëherë “viktima” mund të jetë edhe një “shok i fëmijërisë“. Në ndihmë të vjen shprehja universale- “Kështu bëjnë të gjithë!”

Sigurisht që nuk bëjnë të gjithë edhe pse mund të jenë më të shumtët. E bëjnë ata, të cilët mbi besnikërinë, altruizmin, sakrificën, vendosmërinë venë suksesin, rehatinë, pazarllëqet, dhe fitimet. Mbi këto të fundit mund të ndërtohen aleanca edhe jetëgjata, por kurrsesi shoqëri të shëndosha dhe të sinqerta si ato të fëmijëri-rinisë.

Monday, 5 June 2023

Shokë për inerci


Pa ardhur pranë zgripit të jetës(ndonëse çdo çast është zgrip) njeriu mendon për të shkuarën, ku fëmijëria dhe rinia zenë një vend shumë shumë të rëndësishëm. Për shkak të ngjyrave, perceptimit të ndryshëm të kohës, mbizotërimit të shpresës dhe ëndërrave që jo rrallë i shihje edhe me sytë hapur. Eshtë periudha kur bëhesh pjesë e një bashkësie, e cila e kalon atë të familjes, pjesë e të cilës ke qënë qysh në lindje. Një bashkësi që zakonisht ndahet në “ajo e mëhallës” dhe në “ajo e shkollës”.

Në këto dy “nënbashkësi” (që shpesh kanë edhe zonën e tyre të përbashkëa) krijohen raportet e para individuale dhe kolektive me fëmijët e tjerë, bashkëmoshatarë ose jo. Ndodh ajo që në filozofinë e popullit quhet “shokët i zgjedh”. Edhe pse rastësia luan rol, duke qënë se në shkollë ke të paktën 35-40 bashkëmoshatarë në një klasë, pjesa e “zgjedhjes” është e rëndësishme. Sigurisht që është një zgjedhje e pavullnetshme, e natyrshme dhe ku simpatia ze vendin kryesor. Nuk ka të bëjë të menduarit. Zgjedh të kalosh më shumë kohën me dikë që ka cilësi të ngjashme me të tuat, ose edhe shumë të ndryshme, dhe kjo thjesht se me të (ose ata) të pëlqen të luash më shumë, të qeshësh më shumë dhe të ndash edhe sekrete.

Në brezat tanë (por ndoshta edhe tani) shoqëritë e afërta ishin vetëm me fëmijë të të njëjtit seks. Edhe pse mund të luaje apo të rrije edhe me vajzat, bota e tyre, interesat e tyre ishin të ndryshme nga ato të djemve. Për më tepër, në një shoqëri të prapambetur si ajo e kohës sonë, shoqërimi i fëmijëve dhe adoleshentëve të sekseve të ndryshme ishte objekt ngacmimesh të hapura. Ndaj dhe të gjithë ndjeheshin më mirë në shoqëritë “e ngushta” me moshatarët e të njëjtit seks. Të pakëta ishin edhe lojërat, që mund të luheshin nga të gjithë. Vajzat nuk luanin futboll, (i cili zinte më shumë se gjysmën e kohës sonë të lirë) dhe ne nuk pëlqenim të luanim me “lojë luftash” (që ishte si  një lloj hendbolli , por në me një distancë ndarëse mes ekipeve) dhe nëse ne pëlqenim të luanim me “ashikë“, ato luanin “postabis”.

Të tilla ishin shoqëritë fëminore të një kohe të caktuar, në një sistem të caktuar. Por nuk kanë qënë dhe aq të ndryshme nga shoqëritë fëminore në vendet e zhvilluara europiane apo amerikane. Baza përbëhet nga besnikëria në shoqëri, një lloj solidariteti “kundër” të rriturve (mësues dhe prindër), dëshira për t’ju ngjarë të rinjve aventurierë yjeve të fubollit dhe kinemasë. Vlerësohej shumë ndjenja e kameratizmit, e sakrificës për grupin dhe e “rezistencës” ndaj autoriteteve. Atje nisnin mëkatimet e para, nga “vjedhja” e kumbullave dhe qershive në bashtat e të tjerëve, lojërat me monedha në vijë, pirja e duhanit, vrasja e zogjve me llastikë dhe thyerjet e xhamave të ndonjë komshiu që nuk na linte rehat të luanim apo të dritave që ndriçonin rrugët.

Këto lloj “çapkënllëqesh”, të cilat nga të rritur mendjengushtë mund të interpretoheshin edhe si “hapat e parë drejt kriminalitetit” kërkonin besnikëri mes njëri tjetrit, moslënien e fajit tek shokët dhe kundërshtim të plotë ndaj prindërve kur sugjeronin “mos u shoqëro me filanin se ndikon për keq tek ti”.

(vijon)

Saturday, 3 June 2023

Sa-je jashtë, një mesazh për ata, që nuk janë ende “brenda”


Ish-ministri Tahiri do jetojë normalisht jashtë hekurave të burgut, pasi ka plotësuar thuajse gjysmën e dënimit. Në sistemin tonë të drejtësisë, ky lloj vendimi i përket një gjyqtari të vetëm. Në vendet me sistemin anglo-sakson të drejtësisë, këtë të drejtë e ka i quajturi “Bord of Parole”, që është një grup njerëzish të emëruar për këtë punë, që merr në shqyrtim kërkesat e të burgosurve, kur ju vjen afati I kërkimit të daljes me kusht nga burgu.

Nuk dua të them se nëse do ekzistonte një Bord i tillë tek ne, lirimi i Sajes apo i të dënuarve të tjerë do ishte me kërkesa më rigoroze. Tek ne me të njëjtën lehtësi mund të “detyrohen” si një gjyqtar i vetëm dhe një grup njerëzish, për të dhënë apo refuzuar të drejtën e lirimit të parakohshëm nga burgu.

Ka diçka të errët në lirimin e Tahirit, që nis me mosdënimin e tij për korrupsion apo për pjesëmarrje në grup kriminal. Tahiri vazhdimisht i bëri presion Ramës, se “nuk kini parë gjë akoma”, deri sa “ndërmjetësit” i mbushën mendjen se do ishte më mirë të pranonte një dënim të vogël, gjysmën e të cilit do e bënte jashtë burgut, në këmbim të heshtjes. Lirimi i Tahirit menjëherë pas fitores në zgjedhje është jo vetëm mbajtje e premtimit ndaj tij, por edhe një mesazh për të gjithë funksionarët e lartë të PS-së, që “nëse nuk tradhëtojnë, mund t’i shpëtojnë dënimit, ose do bëjnë jo më shumë se një vit ose dy burg”. Dhe funksionarët e lartë socialistë me dosje nuk janë të pakët: Ilir Beqja, Arben Ahmetaj, Armand Subashi janë disa nga emrat më të njohur. Për shkak të abuzimeve edhe të tjerë ministra, zv.ministra dhe kryetarë bashkish priten të kalojnë nga zyrat e SPAK-ut.

Por a është sistemi i Drejtësisë në dorën e Ramës?

Duket se kryeministri i sotëm nuk ka arritur të shtrijë kthetrat mbi prokurorët dhe gjykatësisht si pat bërë dikur Berisha. Por në një vend të vogël, ku njerëzit janë të lidhur me dhjetra fije me qeverinë, që kontrollon, gjithshka është e lehtë të ushtrosh presion mbi përfaqësuesit e sistemit juridik. Ka një fakt të çuditshëm në “rastin Tahiri”, kur lirimi i parakohshëm kërkohet nga prokuroria dhe jo nga avokati?!

Tashmë është lëkundur plotësisht besimi tek shqiptarët se Drejtësia do jetë e paanshme me “peshqit e mëdhenj”. I vetmi “peshk i madh” i dënuar deri tani përi vetëm 16 muaj burg, ndërsa të tjerët ose nuk i shpie njeri para gjyqit, ose si në rastin e Lefter Kokës, do dënohen minimalisht.

Njeriu ka prirjen të besojë tek e mira, ndaj edhe prej mëse 6 vitesh pritet përmirësimi në Drejtësinë shqiptare, që është një pritje disi naïve. Edhe pse nën trysninë e madhe të SHBA dhe BE për të përmirësuar këtë sistem, nuk janë ende kushtet për ta bërë. Shoqëria shqiptare është shumë e korruptuar, partitë politike kontrollojnë shumë në jetën shqiptare dhe edhe pse një pjesë e juristëve e kanë kaluar Vetingun, nuk mund të thuhet se pas viteve të tëra karrriere në një mjedis tejet të korruptuar, ata janë me integritet, të paanshëm dhe të pa korruptueshëm. Do duhen disa breza juristësh, që të kemi një drejtësi në parametrat e vendeve mesdhetare, se nëse flasim për parametrat e e Europës së Veriut apo Amerikës, ajo ditë është shumë e largët.

Ndaj kush do drejtojë qeverinë shqiptare në dhjetvjeçarin e ardhshëm do jetë në gjendje edhe të diktojë mesazhet e tij drejt sistemit juridik. Veç nëse fati do na sjellë, që në krye të vijë një shtetar, që do jetë në gjendje të ngrihet mbi interesat e tij dhe të grupit të tij për të bërë shtet.

Për fat të keq një njeri i tillë nuk është lindur ende në Shqipëri.

 

A do ketë paqe në Ballkan? (fund)

 


(vijim)

Duket se as pranimi i të gjitha vendeve ballkanike në Bashkimin Europian (veç Turqisë) nuk do i japë zgjidhje konflikteve të vazhdueshme në këto treva. Greqia, vendi i parë ballkanik i BE-së, deri pak kohë më parë ka pasur probleme jo vetëm me Turqinë, por dhe me Bullgarinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë. Mund të flitet vazhdimisht për rolin negativ të Rusisë, mbi lëkundjet e BE-së, por kryesorja është që vetë vendet e ballkanit edhe pse me fjalë shprehen për Paqen, kontribuojnë pak në arritjen e saj.

Kjo ka bërë që Ballkani është rajoni europian nga i cili njerëzit po largohen çdo ditë. Mungesë demokracie, korrupsion i lartë, si dhe rrezik për konflikte të armatosura. Rritja e ndikimit të Turqisë në këtë zonë e ka bërë më të paqëndrueshme situatën. Pas dështimit të plotë të Erdoganit për të bërë Turqinë anëtare të Bashkimit Europian, është rritur përpjekja e turqeve për të ringjallur Perandorinë Otomane, të paktën si aktore kryesore në Ballkan dhe ndikuese në zhvillimet e tij. Kjo mund të sjellë një krijim të pashmangshëm të Shqipërisë së Madhe dhe shpërbërjen e Maqedonisë së Veriut. Greqia gjithashtu do jetë shumë e kënaqur se mbyll përfundimisht problemin e saj me pakicat slave, që ka asimiluar gjatë shekullit të kaluar. Dhe një shpërbërje e tillë nuk mund të jetë pa konfrontime me armë. Sllavët e Shkupit nuk do e leshojnë me lehtësi vendin e tyre të privilegjuar në krye të një Republike, e cila nuk ka qënë kurrë një shtet-komb.

Krijimi i një Shqipërie të Madhe, apo Etnike apo Natyrale (një proces ky i natyrshëm) gjithashtu nuk ka për të shërbyer si faktor stabilizues në Ballkan. Edhe pse nuk kemi qënë kurrë okupatorë, ne asnjëherë nuk kemi treguar urtësinë e nevojshme për të qënë në pararojë të proceseve liberale dhe paqesjellëse. Korrupsioni i madh i klasës politke  (në Shqipërid he Kosovë) do shpjerë drejt një nacionalizmi të papërmbajtur shqiptaromadh. Ndjenja e revanshizmit është shumë e zhvilluar tek popujt e Ballkanit. Zërat e urrejtjes ndaj fqinjëve janë tek ne ku e ku më të larta se zërat që duan paqe dhe fqinjësi të mirë. Reagimi publik në Shqipëri dhe Greqi ndaj çështjes Bejleri ishte një shembull që marëdhëniet me grekët mund të përkeqësohen lehtësisht.

Nuk ka paqe pa bërë lëshime!

Duke bërë lëshime dhe duke ju referuar sa më pak historisë mund të ndërtohet një e ardhme në paqe.  Pork jo kërkon shoqëri të arsimuara mirë dhe njëkohisht të arsimuara mbi parime paqësore dhe liberale. Në Shqipëri u zbatua një arsimim masiv, por që në fushën e historisë bazoheshe në parimin “ të drejtat e popujve fitohen vetëm me luftë“ dhe “për ndryshimet shoqërore duhet revolucion i armatosur”. Shoqëria turke është në përgjithësi më e prapambetur se shoqëria shqiptare, shoqëria greke ka një nacionalizëm të rrënjosur keq, ndërsa ato të ish-Jugosllavisë, Rumanisë dhe Bullgarisë kanë një formim mendor-shpirtëror të ngjashëm me atë të shoqërisë sonë.

Korrupsioni i klasës politike të vendeve ballkanike është gjithashtu një pengesë e madhe. Dihet që të gjithë “edepsëzët” gjejnë strehë nën flamujt e nacionalizmit për të mbuluar krimet e tyre.

Për këto arsye mendoj se e ardhmja e afërt e Ballkanit nuk është shumë e ndritur. “Poçeja” e Kosovës, e cila po vlon tani është njëra nga “poçet”, që mund të valojnë dhe të shpërthejnë në të ardhmen, nëse palët bashkë me aktorët e tjerë nuk përpiqen të veprojnë me kokë të ftohtë dhe me dëshirën e mirë për të mos bërë luftë, nga e cila humbasin të gjithë.

Friday, 2 June 2023

A do ketë paqe në Ballkan?


Na pëlqen apo nuk na pëlqen, shprehja “Ballkani- fuçi baruti” është një shprehje e goditur. Ndoshta të tilla “fuçi” ka edhe në vende të tjera të Globit, por ne na bëhet vonë për këtë “fuçinë“ tonë, që gjithashtu është edhe shumë e rëndësishme për Perëndimin.

Të paktën prej viteve të “luftërave ballkanike” të fillimit të shekullit të XX-të, periudhat e paqes në Ballkan kanë qënë të pakëta. Më të gjatat janë ato të kohëve të Diktaturave komuniste dhe fashiste në thuajse të gjitha vendet Ballkanike. Për shkak të “luftës së ftohtë“ regjimet e e vendeve ballkanike ishin të detyruar të mbanin një ekuilibër në marëdhëniet me fqinjët dhe të shtypnin popujt brenda shteteve të tyre.

Ka diçka tepër të komplikuar në Ballkan për të cilën është vështirë të bësh ndarjen në fajtorë të mëdhenj e fajtorë të vegjël, duke përfshirë këtu edhe Fuqitë e Mëdha, të cilat kanë kontribuar jo pak në strukturimin dhe destrukturimin e kësaj “fuçie baruti”.

Të gjitha vendet ballkanike hiqen “viktima”!

Mund t’i numurojmë pa anjë hezitim të gjitha, duke nisur me sllovenët në veri dhe duke përfunduar me grekët në jug. Të gjithëve ju janë marrë trevat e tyre, të gjithë kanë vuajtur nga kriminelët fqinjë,  ju janë mohuar të drejtat e popujve të tyre, nuk ju është njohur sa duhet kontributi, Fuqitë e Mëdha kanë qënë në anën e armiqve të tyre etj.etj.

Pra ka aq të vërteta sa edhe shtete të Ballkanit. Asnjë nga këto shtete nuk ka kurajon e nevojshme të thotë “Kemi vuajtur të gjithë e të gjithë kemi bërë krime- le të hapin përfundimisht kapitullin e paqes!” Patën bërë krime ndaj njëri tjetrit edhe popujt e Europës Perëdimore, por nxorrën mësime nga hisoria pasi humbën në disa luftëra breza të tëra të rinjsh. Eshtë një shembull që duhet kuptuar në rradhë të parë dhe duhet zbatuar.

Shtetet e ish-Jugosllavisë nuk nxorrën mësime as nga luftërat mes tyre të viteve ’90. Vazhdojnë me të njëjtën frymë nacionaliste të “fryrjes së gjoksit” dhe të ankimit për padrejtësitë që ju janë bërë. Pa lënë të dëgjohen zërat e arsyeshme brenda shoqërive të tyre.

Idea për një Ballkan të demilitarizuar jo vetëm që nuk është e mundur , por duket plotësisht naïve në këtë klimë, kur të gjithë vazhdojnë të rritin buxhetet e armatimeve.

Cfarë i duhet Turqisë të ketë ushtrinë e dytë në NATO? Më të madhe se të Francës dhe të Anglisë. Nga cila fuqi ushtarake rrezikohet Turqia? Nga kurdët?

C’farë i duhet Greqisë blerja e avionëve luftarakë nga Franca?

E kështu mund të vazhdohet me rradhë. Të gjithë e kanë mendjen për të forcuar dhe modernizuar ushtritë.

Turqia po tregohet prej vitesh më agresive sidomos në raport me Greqinë për çështjet e ishujve. Bullgaria ka nisur “t’i shkelë syrin” Sërbisë dhe Shqipërisë për një ndarje të mundshme mes të treve të Maqedonisë. Republika Sërpska bashkë me Sërbinë po bëjnë ç’është e mundur të shpërbëjnë Bosnjën. Mali i Zi orientohet njëherë nga Perëndimi e një herë nga Sërbia dhe Rusia.

(vijon)

Thursday, 1 June 2023

Unë nuk të humba

Unë nuk të humba.

Që të të humbisja duhet prona ime të ishe.

Për mua ti ishe uji,

Freskia e mëngjezeve,

Aroma e një boçe pishe,

Dridhja e harqeve,

E purpurta e perëndimeve,

Mesazhi i fshehur në një shishe,

Që oqeaneve endesha duke e kërkuar.

Ishe dridhja e pasmesnatës,

Gjoksi i zbuluar,

Ngashërimi i pasnisjes,

Më e bukura tingëllimë,

Sythi i mendimit,

I botës së dëlirë çelës,

Ankthi mbetur nderë i pritjes,

E valës në breg zhaurimë.

E unë nuk doja të dija se ç’isha për ty.

Ecejakja e endacakëve,

E cepit të buzës nënqeshje,

A mbase isha gëzimi I trumcakëve

Kur fluturojnë në trumba,

Por nuk isha e jotja pronë,

Sikundër ti nuk ishe.

Ndaj nuk them se të humba. 

Wednesday, 31 May 2023

Amerika e gjithëfuqishme dhe ne (fund)

 

(vijim)

Eshtë e natyrshme që politikanët dhe diplomatët tanë të bëjnë gabime. Nuk mund të krijohet një traditë vetëm në 30 vjet. Edhe në kohën e Zogut, marëdhëniet e tij “të ngrohta” vërtiteshin sa tek Sërbia dhe Jugosllavia, pa krijuar lidhje të forta e të shëndosha me Anglinë dhe Francën, që ishin dy shtetet më të interesuara në fatet e  Ballkanit në përgjithësi dhe të Shqipërisë në veçanti. Krijimi i aleancave vetëm me vendet ballkanike dhe fqinje (përjashtuar Greqinë) e lanë pa mbështetje Ahmet Zogun në vitin 1939. Prej atij shteti nuk trashëguam asnjë miqësi, veç asaj me Turqinë dhe Egjiptin.

Pa shkolla të mira dhe pa lidhje të shëndosha shumëdekadëshe, politikanët tanë të pas vitit 1991 u munduan të improvizonin në fushën e marëdhënieve ndërkombëtare duke “u përkulur” para Amerikës, por duke vazhduar të “flirtonin” herë me Greqinë, herë me Turqinë dhe tani edhe me Sërbinë e Vuçiçit. Madje kur për gabimet e tyre të rënda nuk kishin mbështetjen e Uashingtonit, si Berisha më ’96 dhe ’97, fillonin akuzonin “lobin grek” dhe “komunistët e Klintonit” për shkrehjen e shtetit në vitin 1997. Sigurisht që amerikanët i dinin dhe nuk i harronin lehtë këto akuza edhe pse të dhëna nën zë.

Për më tepër edhe pse e quajnë Aleatin tonë më të madh dhe më të rëndësishëm, të gjithë kryeministrat shqiptarë asnjëherë nuk i kanë kushtuar vendin e duhur Uashingtonit. Të gjitha vendet e mëdha demokratike dërgojnë në kryeqytetin amerikan si ambasador jo vetëm diplomatin më të mirë, por thuajse të gjithë syresh janë kthyer më vonë në vendet e tyre si ministra të jashtëm, kryeministra dhe madje edhe presidentë. Për arsye të pakuptueshme (kryesorja është mbajtja e monopolit të politikës së jashtme për veten e tyre si krerë qeverie) në ambasadën tonë pranë Shtëpisë së Bardhë kanë kaluar emra, që janë harruar të gjithë. (tani së fundmi po caktojnë Ervin Bushatin që nuk e njeh kërkush.) Po njëlloj edhe me përfaqësuesit tanë në OKB. Nuk ka asnjë të vetëm të ketë qënë pas viteve të Uashingtonit pjesëmarrës në ndonjë qeveri shqiptare. I vetmi emër që mund të kujtojmë është ai i Faik Konicës, që edhe pse ishte kundërshtar i Zogut, si njeri i rëndësishëm dhe erudit ishte caktuar ambasadori ynë në Uashington.

Si mund të merremi ne seriozisht nga amerikanët, kur në Superfuqinë e vetme botërore kemi shpënë përfaqësues, të cilët nuk i respektojmë vetë? Vazhdojmë në të njëjtën mënyrë që veprojnë shtetet totalitare, që në Uashington dërgojnë “papagajtë“ e kreut të shtetit.

Duke qënë të tillë nuk kemi krijuar dot lidhje të forta me njerëz të rëndësishëm të politikës amerikane. Deri para një viti, kongresmeni më i rëndësishëm dhe kompetent për çështjen shqiptare ishte kongresmeni Engel, që nuk kishte asnjë peshë në Kongres edhe pse kishte disa mandate atje. Nuk ka lënë gjurmë s ndonjë lidhje me njerëz të rëndësishëm të administratave të Klintonit, Bushit, Obamës apo Trumpit. Ndaj gjithshka në marëdhëniet me Amerikën është eskluzivisht maëdhënia e kryeministrit me ambasadorin amerikan të rradhës në Tiranë.

Por edhe e gjithë shoqëria shqiptare, e cila hiqet si pro-amerikane e zjarrtë, vitet e fundit ka dhënë prova, që nuk është aspak e tillë. Një pjesë e mirë e shqiptarëve mbështetin ende Berishën, i cili është shpallur “non grata”. Jo pak mbështesin Tom Doshin, një tjetër “non grata”, ndërsa në Durrës 60% e durrsakëve votuan për bashkëpunëtoren e Vangjush Dakos, një tjetër “non grata” edhe ky. (Po të ishte kandidat Dako mund të kishte marrë edhe 70% të votave.) Ndaj duhet ta shohim të vërtetën në sy dhe mos kujtojmë se ja u hedhim amerikanëve, kur i biem gjoksit se “lemë kokën për Amerikën”. Kokën vërtet e lemë, po qe se vendi i madh dhe i pasur na pranon të bëhemi banorë të tij!

Në përfundim të këtij shënimi, dua të them se as Amerika nuk është e gjithëfuqishme, por më tepër ne nuk kemi mundur të marrim maksimumin e ndihmës së saj për shkak të sjelljes si “dinakë“, qoftë e politikanëve tanë, por edhe e gjithë shoqërisë. “Hiletë“ nuk të shpien larg dhe sa për “hile”, amerikanët dinë më shumë të tilla se ne.