Tuesday, 1 March 2022

Paralelelizmat e gabuara historike


Nga profesionistë dhe amatorë, gazetarë dhe politikanë, janë bërë shumë paralelizma historike mes Luftrave Botërore dhe liftës së Putinit ndaj Ukrainës. Krahasimet e tij me Hitlerin janë të shumta, pasiviteti i Perëndimit krahasohet me Konferencën e Mynihut dhe shpesh i rëndohet idesë se përsëritet historia që prej Perandorive Ruse dhe asaj Sovietike.

Ngjashmëritë janë shumë më të vogla se sa ndryshimet.

Mbi të gjitha, e rëndësishme është t’i referohesh psikologjisë të përgjithshme të masave dhe të elitave para luftërave botërore në Europë.

Në fillimin e Luftës së Parë, jo vetëm shtypi proqeveritar në të gjitha vendet e quajtur Fuqitë e Mëdha ishte nacionalist. Shumë prej shtresave të përparuara të shoqërive të vendeve, e konsideronin luftën si një fenomen të domosdoshëm, pastrues dhe rigjenerues të kombeve dhe të marëdhënieve mes popujve. Mbizotëronte psikologjia pro-luftë.

Në pragun e Luftës së Dytë, jo vetëm ishte e pranishme një ndjenjë e fortë revanshizmi në gjithë shoqërinë gjermane, por Gjermania po kalonte një rigjallërim ekonomik në sajë të çlirimit të energjive nacionaliste të trumbetuara nga Hitleri dhe nazistët. Në përfundimin e shpejtë të betejave ndaj Vendeve të Ulëta dhe Francës, rrugët e Berlinit ishin të mbushura me turma histerike gjermanësh, të cilët shtruan me lule gjithë rrugën nga kalonin makinat e udhëheqësve nazistë. Më pas, ata dhe e gjithë bota panë se ku i çoi ajo histeri.

Njerëzimi i ka nxjerrë mësimet e tij nga Luftërat Botërore. Edhe pse mund të ketë interesa gjeopolitike, të cilat ashpërsohen dhe çojnë në konflikte, edhe pse mund të ketë diktatorë, nuk ka më elita prolufte, nuk ka më masa të dehura nga droga e nacionalizmit që të shpien në konfliktet e shekullit të kaluar.

Kjo është garancia kryesore, që nuk ka për të pasur një Luftë të Tretë!

Ndaj dhe paralelizmat janë jo vetëm të gabuara, por edhe panikndjellëse dhe nuk i shërbejnë kërkujt.

Monday, 28 February 2022

Burri i shkurtër i tavolinave të gjata


Për dy dhjetvjeçarë, Vladimir Putin u paraqit jo vetëm nga mediat ruse, por edhe ato botërore, si një gjeni racional i politikës. I vlerësuar për vetëpërmbajtje, deklarata të mençura në shtyp dhe vëmendje ndaj hollësive në gjithë bisedimet me krerët botërorë, gati u harruan manitë dhe komplekset e tij. Sigurisht këto u shtuan gjatë viteve të sundimit të tij, si ndodh rëndom me Diktatorët.

Duket qartë se Putin ka atë që në botë cilësohet si “kompleksi i Napoleonit”. Eshtë sjellja dominuese dhe agresive e burrave të shkurtër, që mundohen me sjellje të kompesojnë ndjenjën e inferioritetit të krijuar nga gjatësia. Tashmë gjithnjë e më shumë po e demonstron duke përdorur në daljet televizive tryeza jashtëzakonisht të gjata, qesharake, dhe të ftuarit i vendos në skajin më të largët të tryezës. Për t’ju imponuar frikë dhe për t’I dhënë vetes madhështinë që nuk e ka. Këtë e bëri jo vetëm me presidentin francez dhe kancelarin gjerman, por edhe dje me dy këshilltarët e tij të luftës.

Paranoja, një tjetër cilësi e përhershme e diktatorëve po shfaqet gjithnjë e më shumë. Eshtë e kushtëzuar nga që po mbush 70 vjet, nga ndonjë sëmundje që mbahet e fshehtë nga Kremlini apo nga përpjekje të njerëzve rreth tij për t’i bërë atentat, kjo është diçka që mund të mësohet pas daljes së tij nga skena. Ajo që duket qartë prej kohësh është se Vladimir VladimiroviçI do të vdesë në fron. Të vdesë në fron dhe mundësisht të duket sa më i freskët në fytyrë duke mbushur rrudhat me botoks.

Edhe pse n[ dhjetvjeçarin e fundit ka shumë udhëheqës autokratë përreth botës, e ardhmja nuk është e tyre. Solidarizimi botëror kundër Putinit është dëshmi e saj.

A paraqet rrezik që njeriu me kompleksin e Napoleonit të përdorë arsenalin bërthamor?

Dukke mos i besuar më shëndetit mendor të Putin, them se njerëzit përreth nuk do e lejojnë. Para se Vladimir Vladimiroviç të urdhërojë shtypjen e butonit për aktivizimin e raketave nukleare, dora e arsyes ruse do e ndalojë, ashtu si ndaloi dikur edhe Bonapartin pas marrjes së Moskës.

Sunday, 27 February 2022

Putin, heroi i Ramës


Edhe pse nuk ka thënë ndonjëherë hapur, si dikur Fatos Nanoja për Berluskonin, “heroi” i Ramës ka qënë Vladimir Putin. As miqtë e tij Toni Bler dhe Nikolla Sarkozi, dhe aq më pak Merkel apo Obama, por vetëm Vladimir Putin. Historitë rreth “bëmave” të Presidentit rus në raport me oligarkët rusë të kohës së Jelcinit, se si “i vuri në zap” apo i futi burgjeve, kanë qarkulluar tash e 20 vjet nëpër drekat e darkat e Ramës me miqtë e tij të ngushtë. Putin ka qënë modeli i shumë politikanëve shqiptarë, por veçanërisht i Ramës.

Kontrolli i plotë dhe pa “asnjë dalje nga rrjeshti” i Partisë Socialiste është identik me kontrollin që vuri Vladimir Vladimiroviçi mbi partinë e tij konglomerate “Edinaja Rasija”.

“Ndihma dhe kontrolli” ndaj oligarkëve është tjetër karakteristikë e huajtur nga modeli Putin. Nuk mund të kontrollosh vendin dhe nuk mund të pasurohesh si qeveritar nëse nuk ke marëdhënie të ngushta me oligarkët dhe mekanizmat financiare dhe të biznesit që ata zotërojnë. Ky është mësim nga Putin, që ka arritur të verë një pasuri personale, për të cilën e kanë zili gjithë autokratët në botë.

Kontrolli i plotë mbi mediat ka qënë qëllimi i vazhdueshëm gjatë gjithë karrierës së Putin dhe Rama është përpjekur t’i përngjajë. Madje kryeministri jonë është edhe më arrogant se Vollodja i KGB-së me gazetarët vendas, të cilët mundohet t’i poshtërojë me vend e pa vend.

Dashuria e shprehur haptas për Erdoganin është një tjetër dëshmi e afeksionit të fshehur për Diktatorin e Kremlinit. Harmonia në ide dhe “hargalisjet” në telefon me “Putinin e vogël të Sërbisë“, kur flasin për opozitat përkatëse janë të tjera fakte të konfirmuara nga vetë Edi, që zbulojnë adhurimin e tij për autokratin e stërkorruptuar të Kremlinit.

Po si është e mundur që Rama nuk është takuar kurrë me Vladimir Vladimiroviçin?

Nuk ka qënë kurrë në listën e të ftuarve nga Kremlini për arsye gjeopolitike të përcaktuara nga rusët dhe jo se Rama është antiPutin i thekur apo se nuk ka lënë forum ndërkombëtar pa desmakuar Kremlinin.  

Eshtë për të ardhur keq, që edhe gjatë ditëve të fundit, reagimi i tij personal ndaj heroizmit të Zelenskiyt ka qënë thuajse joekzistent.

Rama as nuk mund të shtiret se udhëheqësi ukrainas është dikush, të cilit do t’i ngjajë.

Saturday, 26 February 2022

Zelensky dhe hajdutët tanë


Përballja e presidentit ukrainas Zelensky me sulmin rus është vërtet për tu admiruar. Një aktor komik, që pak vrojtues në botë e kishin marrë shumë seriozisht më parë, po i tregon botës se cilat janë vlerat e vërteta të një udhëheqësi që mendon se i shërben popullllit të tij. Zelensky edhe mund të jetë në martirët e kësaj lufte absurde në këtë shekull që karakterizohet nga grykësia e elitave. Do doja shumë të mos I ndodhte gjë dhe të mos kthehej në një shtatore, para të cilës tallen politikanët e tipit Trump, Erdogan, Orban e me rradhë gjithë “lapangjozët” e Europës Lindore.

Nuk ka se si mos bësh dashje pa dashje krahasimin me politikanët tanë dhe jo vetëm këta, që kemi nëpër këmbë.

Në prill 1939, Zogu i Parë, Mbret i Shqiptarëve, pasi nuk gjeti dot opingat prej lëkure, që kishte premtuar se do vishte dhe do shkonte në mal të luftonte pushtuesit, u nis për në Greqi me një shpurë prej 1500 vetësh dhe me vlera të mëdha monetare, të marra nga thesari i vendit. Nuk organizoi asnjë rezistencë të armatosur dhe nuk shpërndau as armë në popullsinë shqiptare që kërkonte armë të mbrohej. Më pas rrodhi një histori e dhimbshme e luftës dhe një edhe më e dhimbshme për shqiptarët pas përfundimit të luftës.

Në mars 1997, presidenti shqiptar Sali Berisha, pasi zhyti në kaos të gjithë vendin për të ruajtur pushtetin, largoi familjen në Itali dhe gati u nis edhe vetë për të shpëtuar lëkurën nga protesta e drejtë e popullit të tij. Tashmë ky hajdut demagog premton një “revolucion që nuk ndalet”, për të shpëtuar sërish veten dhe familjarët nga një gjyq i mundshëm për vjedhjet e mëdha që kanë bërë.

Në shtator të vitit 1998, kryeministri Fatos Nano, ja mbathi për në Maqedoni pas sinjalizimeve se opozita do bënte grusht shteti pas vrasjes së Azem Hajdarit.

Për të gjithë është e qartë se si do reagonin hajnat Rama, Meta, Basha dhe kompani nëse Shqipërisë do i kanosej ndonjë rrezik i armatosur nga jashtë apo edhe nga brenda. Do ja mbathnin si ish-presidenti i Afganistanit, që iku nga Kabuli me valixhet me paratë e vjedhura.

Ndaj qëndrimi i Zelenskyt, që në fillimet e tij nuk di pse më kujtonte Xhevon nga Kolonja, është i jashtëzakonshëm, gati i pakonceptueshëm për kohën e grykësisë dhe komoditetit që po kalojmë!

Jetë të gjatë Volodymir!

Friday, 25 February 2022

Kulti i “burrecit” Putin


Burreci Putin, ky djalë i vetëm, i rritur me ambicien për tu bërë spiun, për të mposhtur komplekset e vetmisë dhe të fizikut të dobët arriti nëpërmjet rrethanave në një vend të çoroditur si Rusia e Jelcinit të fitonte statusin e “Carit”. Nuk ka ngjashmëri të mëdha mes tij dhe diktatorëve të mëdhenj të shekullit të XX-të për sa i përket fëmijërisë, rinisë dhe formimit. Stalini, Hitleri, Mao dhe Musolini janë rritur në kushte të ndryshme familjare dhe kanë pasur karriera të ndryshme nga Valdimiri i vogël i Peterburgut.

Gabimet e shumta të Perëndimit ndaj autokratit Putin, lëshimet e mëdha ndaj pasurimit të tij vetiak të llahtarshëm, bënë që të rritej në mënyrë të paimagjinueshme kulti i tij në Rusi. Rusët e konsideruan si njeriu që po i ringrinte prestigjin Rusisë, deri disa vite më parë e lënë jo vetëm në varfëri, por edhe e injoruar në skenën ndërkombëtare. Putin u lejua të kontrollonte burimet kryesore natyrore të Rusisë dhe të niste forcimin e ushtrisë. Në të njëjtën kohë, marrëzisht, Bushi i vogël jo vetëm që e pat futur Amerikën në një luftë absurde, si ajo e Irakut, por e konsideronte Putin si një partner të besueshëm. Putin fitoi kohë për të konsoliduar pushtetin e tij, për të shtuar pasuritë personale të tij dhe të bandës që ka pas dhe për të rritur kultin, sa në Rusi dukej se nuk mund të bëhej pa udhëheqjen e tij.

Masat kundër kultit të Putin ishin të dobëta edhe në kohën e Obamës edhe pse presidenti amerikan nuk e quante më të besueshëm dhe fillloi rritjen e sanksioneve. Por reagimi i dobët ndaj aneksimit të Krimesë dhe më pas “ligavitjet” e Trump me Putin, e bënë këtë të fundit të bindur se jo vetëm ishte lojtar shumë i rëndësishëm, por mund të luante lehtë me perëndimorët e përçarë. Brenda vendit, gjithnjë e më tepër shfaqej në sallat stërmëdha të Kremlinit i vetëm dhe i adhuruar nga oborri i tij, ose në një podium larg të tjerëve. Perëndimi pati dështuar plotësisht të mbështeste rivalin e tij politik të asaj kohe, shahistin e famshëm Gari Kasparov.

Edhe pse jo i çmendur apo aq më pak idealist, Putin i rrethuar nga servilët, duke pasur pushtet të pakufizuar brenda vendit, nisi ta humbë ndjenjën e realitetit, që kishte patur të zhvilluar në vitet e KGB-së, apo në fillimet e karrierës së tij. Kjo i ndodh edhe njerëzve më inteligjentë dhe me këmbë në tokë. Eshtë në natyrën e njeriut. Duke arritur sipas mendjes së tij “fitorie pas fitoriesh”(një shprehje e diktatorit tonë të vogël Hoxha), së fundmi Putin u ndje i plotfuqishëm dhe mendoi se mund të fitonte shumë në një botë të rraskapitur nga pandemia, në një vit të zgjedhjeve ndërmjetëse amerikane dhe ndaj një udhëheqësi të plakur si Xhoja I Përgjumur.

Putin do thyejë hundët e tij brenda këtij viti!

E keqja është se kjo do ndodhë pas shumë jetësh të humbura të ukrainasve dhe rusëve të pafajshëm.

Thursday, 24 February 2022

Edhe “mafiozët” bëjnë luftë


Një ditë e errët për të gjithë botën. Me këdo të flasësh, çdo bisedë sillet rreth Putin dhe popujve të gjorë rusë dhe ukrainas. Dikush mund të thotë që rusët e meritojnë të vriten se të tillë udhëheqës kanë votuar tash e më se 20 vjet, por asnjë ushtar i mobilizuar sipas ligjit të vendit të tij nuk duhet të kthehet në shtëpi “në katër drurë“. Më keq akoma për civilët e pafajshëm dhe për gratë e fëmijët ukrainas.

Ka disa arsye që Putin, edhe pse një mafioz i pasuruar, me pak interesa për të rrezikuar paqen që i jep mundësi të vjelë gjithnjë e më shumë nga pasuritë e Mëmës Rusi, të hidhte hapin shkatërrimtar të luftës.

·         Arsyeja kryesore është që Perëndimi nuk i bëri as minimumin e atyre lëshimeve që ai mund të pranonte, por që për Amerikën dhe Bashkimin Europian ishin shumë. Kjo detyrimisht shpie në arsyet e tjera, rrjedhojë e së parës.

·         Putin, si çdo shtetar autokrat do të dëshmojë se është në lojtarët kryesorë në politikën globale edhe pse është ku e ku më prapa ekonomikisht se Amerika, Kina, Bashkimi Europian, Anglia dhe Japonia. Me këtë motiv nxitës për rusët, e poshtëruar gjatë viteve të Jelcinit, Putin arriti të gëzonte popullaritet për një kohë të gjatë dhe të çimentonte veten në krye të shtetit. Çdo injorim nga lojtarët e tjerë ndërkombëtarë ngjall tek ai një reaksion, që e bën më të egër dhe njëkohësisht e shtyn edhe të ndërmarrë veprime që nuk janë në interesin e tij. Eshtë i ngjashëm me sjelljet e krerëve mafiozë, që parapëlqejnë të fitojnë tregje duke trembur të tjerët, pa bërë luftë, por kur shohin se kundërshtarët nuk lëshojnë pe, i hyjnë dhe një lufte që mund ta humbasin.

·         Arsyeja e tretë është psikologjia “maço” e shoqërive sllave që kanë qënë një kohë të gjatë në komunizëm. E sheh të demonstrohet edhe në veprimtari sportive, kur sjellja e sportistëve rusë është shpesh e egër dhe e paarsyeshme, që krijon bezdi në shikuesit perëndimorë. Putin do humbiste shumë pikë në opinionin vendas nëse pas gjithë atyre “lojrave luftarake” dhe përqëndrim të ushtrive në kufi, do tërhiqej pa përfituar asnjë lëshim thelbësor nga Perëndimi.

Për sa më sipër, krimineli i pasur Putin e hodhi hapin shkatërrimtar për Ukrainën dhe për Rusinë dhe ndoshta me pasoja për të gjithë Europën.

A duhet t’i kishte bërë lëshime Perëndimi që kjo mos ndodhte?

Eshtë e vështirë t’i japësh përgjigje kësaj pyetje, sepse jo vetëm që ndërthuren me dhjetra interesa të ndryshme, shpesh herë jo të pastra edhe nga ana e Amerikës dhe Fuqive kryesore Europiane, por se dhe plot institucione diplomatike dhe të marëdhënieve ndërkombëtare nuk kanë arritur t’ja japin. Ndonjëherë “mafiozëve” sa më shumë lëshime t’ju bësh, aq më shumë e shtojnë lojën e trysnisë dhe ndoshta “të mëdhenjtë“ kanë vendosur që “le ta nisë edhe luftën nëse ja mban!”

E keqja si gjithnjë godet të pafajshmit që humbin jetën, godet djelmoshat e rinj që vriten për këta “kryezarba”, që më pas i varrosin me nderime dhe i quajnë dhe heronj.

Popujve ju duhet paqe dhe asgjë tjetër!

Wednesday, 23 February 2022

Të gjithë e dinë, askush nuk e thotë


Djegësit e plehrave i dinin të gjithë se çdo digjnin. Paratë e buxhetit. E dinte kryeministri Rama që në vitin e largët 2015 ose 2016, krahu i djathtë i tij i asaj kohe dhe i sotëm, Engjëll Agaçi, zv.kryeministri i asaj kohe Niko Peleshi, zv. kryeministri i sotëm Ahmetaj, ministri i atëhershëm i mjedisit Lefter Koka, çifti Meta-Kryemadhi si krerët e LSI-së bashkëqeverisëse me PS-në dhe që e kishin vënë Kokën ministër, si dhe njeriu që di çdo gjë që ndodh në Shqipëri, Sali Berisha. Sigurisht që prej tyre e kishin mësuar edhe shumë të tjerë nga Bashat, Veliajt, Bllakot, Subashët e me rradhë.

Jo të gjithë të sipërpërmendurit kanë përfituar nga paratë e inceneratorëve. Një pjesë firmosin dhe mbyllin sytë, sepse u lejohen vjedhje të tjera në të tjerë sektorë. Peleshi edhe pse zv.kryeministër ishte tepër xhunior për tu bërë pjesëtar i grupit që do vilte vreshtën e “djegësve të plehrave”.

Berisha ka heshtur në legjislaturën që shkoi për të mos keqësuar punët me Metën dhe Kryemadhit që ishin pjesë e tavës së incineratorët. Këta të fundit bënë denoncimin vjet, pasi Koka ju “la pendët” dhe shkoi tek Partia Socialiste. I shkreti Teri e kishte dhënë kontributin bajagi të madh (50% të shumës së përfituar) tek çifti presidencial me kohë, por as ai nuk mund të flasë tek SPAK për to, se rëndon veten dhe nuk ka se si të provojë paratë kesh të shpëna në Gjirin e Lalëzit. Meta-Kokëmadhi ndërsejnë një tjetër hajdute të ekipit të Ramës, Shehajn (tani në ekipin e tyre) për t’i treguar popullit “të vërtetën” për inceneratorët.

Ahmetaj, ndoshta personi kyç i kësaj çështje, nuk është i interesuar të flasë sepse do implikojë veten dhe mund të shkojë menjëherë pas hekurave. Nëse Rama do përsëritë këto ditë se është “krenar” për punën e Ahmetajt, ka të ngjarë që zëvendësi të bëjë ndonjë dorëheqje, me garancinë që ju dha Tahirit, “po mos më shite, unë do të mbroj që të marrësh një dënim minimal”.

Rama i dërgoi sinjale edhe Kokës dje “mbaju dhe mos rrëfe shokët” duke deklaruar se “ishte krenar për punët e bëra me të.”

Si është e mundur që gjithë kjo vjedhje nuk u trumbetua nga opozita me të madhe para zgjedhjeve?

BIRN kishte disa muaj që botonte fakte të hollësishme rreth vjedhjes në fjalë.

Këtë e dinë të gjithë ata që me saktësi njohin jo vetëm skemën, por edhe sa para shkuan në xhepa të caktuara.

Eshtë një heshtje mes hajdutësh dhe “hajdutësh potencialë“, që del “në mexhelis” vetëm kur hajnat fillojnë dhe zihen për pjesët.

Ndërsa ne që paguajmë taksat e plehrave, taksat për plehrat dhe që jemi të ndërgjegjshëm se do përfundojnë në xhepat e plehrave, rrimë e vështrojmë këtë lojë paturpësisht të ndyrë që luhet prej tash e 30 vjet.