Saturday, 17 July 2021

?


Para disa ditësh më kishte dërguar një email, një 18 vjeçar nga Shqipëria. Po e ve të plotë më poshtë pa përmendur emrin e plotë të tij.

“Përshëndetje!

Quhem … dhe jam në vitin e fundit në shkollën…Kam lexuar shumë herë blogun tuaj përsa i përket ngjarjeve në Shqipëri dhe më duken të drejta ato që shkruani. Unë nuk jam i shkëlqyer në mësime, por dua të studioj për juridik dhe të bëhem një qytetar shëmbullor. Shkoj rregullisht në palestër dhe kam një fizik të mirë dhe ëndërroj të kem marëdhënie shumë të afërta me vajza të bukura. Por shikoj se të gjitha ato më të bukurat kanë të dashur ata që kanë makina të shtrenjta ose kanë prindërit me biznese ose në pushtet. Nuk di përse do më vlejë në rininë time të jem shëmbullor? Kjo pyetje më shqetëson dhe nuk di ku të pyes se nuk gjej përgjigje.

Respekte,

Altin … 

U mendova gjatë dhe nuk ju përgjigja dot Altinit 18 vjeçar. Mu kujtua që diku kisha lexuar nga Trebeshina se “…më të bukurat u martuan me komisarët, me ata që nuk kishin luftuar shumë por dinin të merrnin poste” (ndoshta nuk e kam të saktë thënien e Kasëmit, por idea është ajo e mësipërmja.) Nuk doja t’i shkruaja “marrëzira morale”, të cilat jo vetëm nuk do i besonte, por do më dukej se do bëhesha si propagandistët terroristë, që ju premtojnë të rinjve të pashpresë arabë “shtatë virgjëreshat në xhenet”.

Asgjë nuk është më e rëndësishme për një 18 vjeçar se të dashurojë më të bukurën mes vajzave.

E dinë të gjithë ata që kanë qënë 18 vjeç. Eshtë më e fortë se dëshira për të ndryshuar botën; më e fortë se instikti për t’ju kundërvënë babait; më e fortë se ndjenja e frikës se për shkak të ngrohjes globale qytetet porte do zhduken shumë shpejt; më e fortë se tmerri nga vdekja.

Edhe nëse i rilexoj të gjitha shkrimet e mija të këtij blog-u nuk do mund të gjej as fije të zbehta të një përgjigje të mundshme për Altinin. Nëse për t’i dhënë zemër do shkruaja një tregim, ku një i ri që përballet me të jatin funksionar të korruptuar dhe kjo bën që shoqja e klasës (më e bukura) të bjerë në dashuri me të do dëshmoja se jam thuajse “një idiot i realizmit postsocialist”.

Ndaj po e mbaj pikpyetjen jo vetëm si titull, por edhe të ngulitur në kokën time.

Friday, 16 July 2021

Vetëm 18 vjet


Në fundin e verës të 18 viteve më parë arrita në kryeqytetin e atdheut tim. Nuk kisha qënë prej 6 vitesh dhe isha kureshtar të dija se si kishte ndryshuar. Në pamje të parë trafiku ishte “i çmendur”, por ndërtime kishte më shumë dhe Blloku kishte marrë më shumë gjallëri. Ishin hequr kioskat dhe superkioskat, ajo gangrenë e madhe e fillimit të viteve ’90. Një mik më foli me entusiazëm për Kryetarin e pazakontë të Bashkisë, që këndonte me një grup reper dhe po sillte gradualisht mrekullitë në Tiranë. Doja të hyja në Bashkinë e Tiranës për të parë vendin ku ndodhnin mrekullitë, por ishte thuajse e pamundur. Nuk më la shije të mirë, se isha mësuar në vendin ku jetoja, që çdo qytetar mund të hynte kur të donte në Bashkinë, të cilës i paguante taksat. Por ishte një mëkat i vogël për një vend ku gatuheshin gjithë të mirat e të ardhmes së kryeqytetit.

Tre kolegët e mij, të cilët ende nuk ishin shkëputur plotësisht nga Kanadaja, por punonin në Shqipëri ndjeheshin entuziastë edhe pse përmendnin, që kishte korrupsion në instancat ku miratoheshin lejet e ndërtimit. Por ishte diçka me të cilën merreshin investitorët e ndërtimeve dhe ata si arkitektë nuk kishte pse të “negocionin” as me Kryetarin e Bashkisë dhe as me nëpunësit poshtë tij. Mjaftonte që projektet të ishin shumëngjyrëshe se Kryetari i mrekullive i pëlqente larushankat. Këtë më përmendi edhe ish-nënkryetari i Bashkisë, me të cilin piva një kafe të ndërmjetësuar nga një mik i imi.

Nuk hyra për 6 muaj në asnjë zyrë shtetërore dhe nuk e preka dot vetë “murin” e nëpunësve, që një qytetar i zakonshëm mund ta kapërcente vetëm duke paguar. Ato që dëgjoja rreth korrupsionit në polici, në sistemin juridik, në administratën qëndrore dhe në Bashkitë ishin tregime të miqve të mij, të cilët i besoja. Dëgjoja dhe histori të kryeminstrit që luante në kazinot e Europës dhe merrte biznesmenë me vete që i paguanin harxhet. Por ishte një bum në ndërtime dhe dukej se të paktën, ata miq të cilët ishin të lidhur me këtë sektor ndjeheshin mirë dhe nuk ishin pesimistë.

U largova pas 6 muajsh me bindjen që gjërat nuk ishin mirë, por nuk e mendoja se mund të shkonin edhe më keq, bile edhe shumë më keq. Edhe pse në 18 vjet nuk kam shkuar më në kryeqytetin e vendit tim, nga sa më tregojnë dhe arrij të kuptoj nga ato që pasqyrohen në mediat tradicionale dhe ato sociale, duket se administrata dhe e gjithë shoqëria është “infektuar” thellë e më thellë. Shifrat e korrupsionit të gjyqtarëve dhe prokurorëve janë marramendëse; në më shumë se 90% të rasteve tenderat e fondeve publike janë të paracaktuara se kush do i fitojë; të rinjtë duan në masë të largohen nga vendi; emigrantët që kthehen në Shqipëri për të jetuar janë gjithnjë e më të pakët.

Nuk e ve në dyshim se ndërtimet në Tiranë janë më cilësore, makinat më të shtrenjta dhe lokalet më luksoze. Nuk besoj të jetë në Tiranën e re qoftexhiu nga Kukësi me lokalin e tij që nxirrte gjithë tymin jashtë dhe që mburrej se bënte qoftet më të mira në gjithë Tiranën. Restorantet me siguri janë më luksoze, me meny më të sofistikuara dhe me shefa të ardhur nga gjithë Europa, por nuk është kjo që dua të shikoj. Kanë kaluar vetëm 18 vjet dhe nuk kam mall për një shoqëri, ku është shtuar luksi, por nuk mund të mbulojë plagët e mëdha që i janë gangrenizuar akoma më shumë. 

Thursday, 15 July 2021

"Peshka gjalla..."


Me siguri duhet të jetë java e peshkut, se sa hap lajmet në internet dhe pëlcet peshku.

“Nuk po zihen peshqit e mëdhenj nga SPAK, por cironkat”.

“Arrestohet ish-zëvendës ministrja e punëve të brendëshme për një arkë me peshk”.

“Sekretin e vrasjes së ish-ministrit grek e dinë dy peshkatarët”.

“Peshku qelbet nga koka- deklaron Basha”.

“Kapen peshq të kuq sa një top futbolli në Liqenin Minesotta”.

“Peshqit nën ndikimin e Saturnit paralajmëron astologia Meri”.

“I nxehti  madh në British Kolombia të Kanadasë ka bërë të zjehen peshqit në det”.

“300 mijë lek arka është peshk deti i shtrenjtë”.

“Peshk i fërguar me boronica- recetë nga zonja Vjollca”.

“Peshk me hala unë do bëhem – koncert me këngë qytetare vlonjate për sezonin turistik”.

…dhe unë që nuk rri dot i heshtur si një peshk.

Ti frigesh XXVI

Përse nën këtë diell që djeg,

Ndërsa valët përplasen në breg,

Ti mundohesh të më heqësh nga mendja?

Castet e nxehta,

Puthjet e shpeshta,

Përkëdheljet e lehta,

Shpërthimet e befta,

Kur mbi ne sundonte ëndja.

Nuk mund të dënosh mrekullinë

As kapërthimet të bësh me faj,

Deti më të shpeshta ka shpërthimet,

Në të rralla ditë është vaj.

E ndërsa krahëve kremin mbrojtës ju shkon,

Ti dridhesh.

Unë jam në mollëzat e gishtave

Edhe në shkumën e valëve jam,

Ndaj edhe frigesh.

Wednesday, 14 July 2021

“Ene ti none e ha…?”


Anekdota e vjetër, që ka si pjesë titullin e këtij shënimi, ka të bëjë me petat e sheqerit, por nuk di pse mu kujtua këtë javë pasi lexoj se në një valë arrestimesh në Shqipëri dhe gjysmat e të arrestuarave janë femra. Kam patur gjithnjë përshtypjen se gratë janë nga natyra më të ndërgjegjshme, më të disiplinuara në punë dhe më të përmbajtura , kur vjen fjala për të shkelur ligjin. Ende nuk jam i sigurt nëse kam qënë plotësisht apo pjesërisht i gabuar. Marrja e rryshfeteve është në masë edhe mes nëpunëseve gra në Shqipëri!

Nuk shkel barazinë e femrës me mashkullin, kur them se korrupsioni i nënave, bijave, motrave dhe gjysheve tona është ku e ku më i rëndë se korrupsioni i burrave moskokëçarës të Ballkanit. Fjala është për ndikimin që ka në shoqërinë shqiptare. Nëse tradicionalisht burrat kanë qënë pjesa e popullsisë më e përfshirë në krime, më aventureske, më e gatshme të përballet me drejtësinë deri atje sa në zona të caktuara ishte në fuqi shprehja “burgu për burrat është“, femrat shqiptare ishin ekuilibrueset e shoqërisë me kujdesin e tyre për mirërritjen dhe edukimin e fëmijëve, me përmbajtjen dhe fanatizmin për të ruajtur moralin e familjes, me frenimin e adoleshentëve meshkuj për të bërë marrëzitë që zakonisht bëhen në një shoqëri maskiliste.

Një nënë që sjell vazhdimisht të mira materiale në shtëpi, kur dihet se punon si nëpunëse në një Ministri me një rrogë modeste, para se të shkelë ligjin ka shkatërruar fëmijët e saj, të cilët e dinë mirë se këpucët e shtrenjta, telefonin e zgjuar apo makinën nuk mund ta blerë rroga e saj. Edhe pa shkuar para drejtësisë dhe përfunduar në burg, ajo ka dënuar veten dhe familjen e saj.Nuk mund të sjellë veç të këqijave një nënë, të cilët fëmijët e dinë se siguron të ardhura duke shkelur ligjin.

Nuk ka aspak rëndësi nëse arrestimet e fundit nuk kanë prekur “peshqit-meshkuj e mëdhenj”, por janë përqëndruar vetëm në nëpunësit e dorës së dytë, një pjesë e të cilëve janë femra. Ajo që është e rëndësishme, e dhimbshme dhe gati e pariparueshme është korrupsioni në masë i femrave shqiptare, që do i rëndojë Shqipërisë edhe për dy breza të tjerë. Të rinjtë që kanë nevojë të drejtohen në figura të fuqishme morale për t’I patur si model nuk do kenë se ku edhe për disa dhjetvjeçarë dhe do shikojnë me dyshim çdo nëpunëse të institucioneve qeveritare duke patur në mendje pyetjen:

“Ene ti none e ha…?”

Tuesday, 13 July 2021

Vlen shumë të mendohesh

 


Mëngjes i ndryshëm i së shtunës

 

Dje pashë dy meshkuj,

                Të shkuar në vite.

Shikoheshin ëmbël,

Duart kryqonin,

                Përkëdhelnin,

                                Prekeshin

Dhe psherëtinin “o zemër!”

Pastaj filluan të puthen me zjarr

Në mëngjesin e së shtunës

Në dritën e diellit

Më tej,

                Në trotuar.

 

Djalli ta marrë!

S’më duhet me kë jinni natën;

S’më hyn në punë se me kë flini.

Më lini mëngjesin e pranverës

Të thith këtë erë blini!

 

Nga ju nuk kam frikë, as bezdi.

Më dhimbseni, kur ju godasin;

                Nuk dua t’ju shoh në paradë;

S’dua të di përse nuk ngjasim;

                Urrej ata që ju vrisnin në rradhë!

 

Po lini mëngjeset për vajzën e brishtë,

Që puth djaloshin në qiell të hapur.

I lini muzgjet veç për të rinjtë

Le të shëtisin pas belit kapur!

 

Mos ma përzjeni

                Këtë vesë agimi,

Që dua luleve t’ju rrëmbej.

E di që shum’ krenarë jini

Kur thoni hapur:

                -Ne jemi gay!

 

Poezinë e mësipërme e kam shkruar para 15 vjetësh dhe është botuar në përmbledhjen “Endem”. Ka qënë një përcjellje ndjenjash të një mëngjesi në St.Catharines, pasi pata parë dy burra që përqafoheshin e putheshin buzëve. E përfshiva edhe në librin tim duke ditur se i përkiste një teme delikate, rreth të cilës opinionet janë të ndryshme. E megjithatë më mbetej një dyshim se dikë kisha lënduar pa të drejtë.

Disa vite më vonë, rastësisht qëllova në zonën e Torontos ku bëhej “parada e krenarisë“ dhe edhe pse nuk i pëlqej përgjithësisht paradat, se më kujtojnë ato “famëkëqijat” tona të 1 majit vura re homoseksualët që ecnin trotuareve, të përqafuar me njëri tjetrin, disa edhe të dehur, por me një shkëlqim gati prej të marrësh në sy. Mu dhimbsën! Kisha kohë që mendohesha më shumë rreth tyre, lexoja edhe në shtyp rreth opinioneve pro dhe kundër për martesat, për adoptimin e fëmijëve, për t’ju njohur të gjithë të drejtat dhe arrita të kuptoja se përse e kisha shkruar atë poezi.

Ndoshta një “përzjerje” të ngjashme do kisha patur edhe po të shihja një çift 50 vjeçarësh(burrë e grua), që putheshin në publik, por nuk do kisha shkruar rreth tyre. Ishte pikërisht ajo që dilte nga “normalja” e mentalitetit tim të kufizuar, që më bëri t’i kushtoja më shumë vëmendje.

Tani mendoj se është pikërisht kjo deklaratë “jemi normalë edhe pse në pakicë“, që donin të jepnin dy mesoburrat që putheshin në trotuar. Eshtë e njëjta deklaratë edhe pse e shoqëruar me shumë ekzibicionizëm, që duan të japin pjesëmarrësit e “paradës së krenarisë“.  Ndriçimi i marrë në sytë e gjithë atyre homoseksualëve të ardhur nga shumë vende të Kanadasë në Tornto për paradën, ishte shkëlqimi i njerëzve që vuajnë shumë nga homofobët, nga injoranca, nga njerëzit që urrejnë gjithkënd, por dhe nga të moskuptuarit e njerëzve si unë.

Nuk njoh ende nga afër ndonjë gay qoftë mashkull apo femër dhe aq më pak transgjinorë, të cilët janë më të rrallë. Kam këmbyer disa biseda me dy banakierë të një kafeneja ku shkoja rregullisht, por nuk ka qënë ndikimi i tyre në pranimin tim të një “normaliteti më gjithpërfshirës”. Jam menduar më shumë, kam lexuar më shumë dhe mbi të gjitha kam vendosur vehten në vendin e prindërve të tyre. Si do veproja me fëmijët e mij? Do i quaja të sëmurë? Të ndikuar nga kultura perverte? Do i përbuzja?

Unë i kuptoj edhe bashkëmoshatarët e mij që sillen ndryshe ndaj tyre, i përbuzin, i dënojnë dhe mundohen t’ju rrinë larg. Eshtë e vështirë të ngrihesh mbi një botkuptim të formuar në breza të tërë, duke filluar nga familja, kisha, xhamia, shoqëria, shkolla, shteti. Eshtë pjesë e jetës dhe mentalitetit, që brendapërbrenda ndjehet i drejtë, i pastër, larg të keqes, larg anormales. Por mentaliteti nuk duhet të të pengojë të mendosh. Nuk duhet të të pengojë të vesh në dyshim ato që ke mësuar gjatë jetës. Nuk duhet të të pengojë edhe t’i kesh të falur dikujt që e ke përbuzur. Edhe pa e kuptuar plotësisht.

Nuk mund ta ndryshoj atë që kam shkruar vite më parë. Nuk mund t’ju kërkoj të falur atyre dy burrave që shkëndijuan ato vargje, por jam në gjendje t’ju kërkoj ndjesë atyre që i kanë lexuar e mund t’i lexojnë në të ardhmen. Dhe t’ju them –Unë u mendova më thellë!

Edhe një ditë e gjatë

Mëngjesi është i përflakur,

Cicërima zogjsh mbushur

Dhe nota nga Zhak Brel.

Në korijen më tej

Mes blerimit të bukur,

Me agun duke lodruar,

E patrembur nga njerëzit

Deri pranë rrugës sorkadhja del.

Vetëm unë brenda rri

Në pështjellimin e fjalëve që kam humbur.

Nuk di nëse jam i njëjti “dashnor i vjetër”,

Si ai i ditëve kur ishim të dy.

Cicërimat nuk mjaftojnë të ndjehem i lumtur,

Jashtë nuk më fton agu,

Do t’jetë dhe një ditë e gjatë pa ty.