Sunday, 10 December 2017

“Perversiteti” në poezi (3)

(vijim)
Duhet pranuar, që nuk ka rregulla të caktuara për “perversitetin” në poezi dhe jo vetëm e justifikuar kjo me lirinë e mendimit të autorit, por edhe se raporti i shoqërisë njerëzore me “perversen” ka ndryshuar. Dhe kjo në planin ligjor, por edhe në atë moral. Diçka , që ishte moralisht dhe ligjërisht e pranueshme në kohën e Safos, kur shkruante: “ Vetëm të vdes dua./ Ajo, me sytë mbushur lot, ndërsa më linte/ Më tha mua;/ “Oh, të dyja kemi vuajtur aq tmerrësisht/ Safo, nuk dua rrugën të marr sërish…”, nuk ishte e pranueshme në Anglinë viktoriane apo në Francën e shekullit të XIX. Të dy vendet çensuruan apo edhe dënuan autorët duke filluar me Bodlerin, Rembonë dhe duke përfunduar në Oskar Uajlld.
Eshtë e çuditshme, se në të njëjtën kohë, kur dënoheshin poetët e mëdhenj, në një shoqëri ku e ku më të prapambetur, si ajo e Shqipërisë të Mesme, kishin fituar “qytetarinë“ këngë me tekste si “…Po na vjen nji vark me vela/ Thon‘ se ka manifaktur’/ O qenka mbushur me dylbera / Ishalla Zot shkarkojn’ këtu…” Pavarësisht se teksti është një bejte dhe nuk përmban asnjë vlerë artistike, përsëri të befason fakti, që këngë të tilla këndoheshin në gjithë festat dhe gëzimet shoqërore dhe familjare, bile edhe në praninë e grave. (Këto këngë janë edhe sot të pranishme në lokalet me muzikë tallava edhe pse nuk kanë të bëjnë aspak me përparimin e shoqërisë shqiptare.) Duke e parë jo vetëm nga këndvështrimi i shoqatave LGBT, por edhe nga ai normal i qytetarëve perëndimorë, tekste të tilla kanë një paradoks të madh, që bën në vetvete një dukuri “perverse”. “Dylberët”, që kryesisht kanë qënë djem adoleshentë, shihen si “mall”, që mund të shiten dhe blihe nga “lalët qejfllinj” , njëlloj si “manifaktura”. Eshtë me të vërtetë një përpjekje e dështuar për të bërë art mbi dukuri të dënueshme ligjërisht si “pedofilia” dhe “skllavëria seksuale”.
Por edhe për shoqëritë e përparuara, do duheshin revolucionet shoqërore të viteve ’60, që “temat tabu” të mos damkoseshin më si “perverse”.
Në një këngë të njohur të vitit 1972, të Sharl Aznavurit “Comme ils dissent” (Siç i quajnë), pasqyrohen me art dhe pa përbuzje ndienjat e shumëfishta, droje, frikë, pafajësi, të një homoseksuali, që luan në një kabare si një “drag queen”.

“…Atëhere kur zbardh dita e re/ Dhe kthehem atje ku gjej/ Vetminë e plotë Dhe heq qëpallat dhe parruken/ Pudra dhe bojrat nga faqet zhduken/  Jo lodhja, lotët/ Unë shkoj në shtrat po s’mund të fle/ Kujoj dashuritë që pas i le/ Sa patetike/ Mendoj djaloshin si Zot të bukur/ Që thellë në mendje më është futur/ Pa m’dhënë çikë…”

(vijon)

Hajde vemë për maraqka!

Në verë, në fëmijërinë tonë, jo të gjithë mund të shkonin me pushime në plazh. Kabinat ishin të pakta dhe duhej mik i fortë në Komitet ose në Komunale, të gjeje për një “pesëmbëdh jediç” në korrik ose gusht. Për fëmijët e qyteteve, argëtimet ishin të pakta dhe ndoshta për këtë arsye, Partia kishte “shpikur” fushatën “Mblidhni bimë medicinale”. (Mund të ketë pasur edhe arsye të tjera të forta për sigurim valute, por nga që tashmë dyshojmë për çdo gjë të asaj kohe, nuk është ndonjë çudi që në seksionet e Komitetit Qëndror të ishte ideuar edhe ajo fushatë.)
Në qendër të qytetit(pikërisht në kangjellat e Villës Themistokli) vendoseshin, sa përfundonte shkolla, tabela të mëdha, ku paraqiteshin llojet e bimëve medicinale, me emrin e tyre në latinisht dhe ç'ishte më e rëndësishme për ne, çmimin e grumbullim “të njoma” dhe “të thata”, (Te njoma e të thata ishin kategoritë e gjendjes së bimëve, se shpërblimi sigurisht do ishte në “të thata”)
Duke lexuar çmimet, të habitur edhe të joshur, bënim plane me njëri tjetrin se si të fillonim menjëherë mbledhjen e “maraqkave”, të cilat gjendeshin më lehtë dhe më pranë qytetit. Por ato që na ndiznin fantazinë ishin “salepi” , “dëllinjat”, “boronicat” dhe disa bimë të tjera të cilave nuk ja u kishim idenë, që kishin çmime të kripura. (Shiko ore salepi i thatë me 2800 kileja!)
Në darkë bëheshin planet se nga do dilnim, sa qese të merrnim me vete dhe nëse do ishte më mirë t’i linim të thaheshin apo t’i shpinim të njoma në Pikën e Grumbullimit në Pazar, ku do na “tringëllinin” në dorë paratë.
Me zell të madh niseshim që herët në mëngjes dhe si “hanim inat” se cilat ishin të buta dhe cilat të egra, i futeshim mbledhjes për disa orë deri sa mërziteshim dhe vendosnim të ktheheshim. Përfundonim në Pazar, ku pas “ëndrrës” për shumë para, përfundonim me 15 lekë ose 20, që i “asgjesonim” menjëherë për akullore dhe aranxhata.
Kjo përsëritej edhe verën tjetër, edhe më tjetrën deri sa u rritëm dhe kuptuam, që nuk fitohej gjë me maraqka.
Por “bimët medicinale” kanë qënë e do jenë në shekuj.
Ka një rikthim të vëmendjes së Rilindasve ndaj tyre, se po t’i referohemi Ministrisë së Bujqësisë, ato zenë vendin e parë në eksportin e prodhimeve bujqësore të Shqipërisë! Nuk di nëse kanabisi është pjesë e “mjekësoreve”, por një ekonomi, që ka në vend të  parë në eksport “maraqkat”, “xinxifkat” dhe “salepin” vërtet është një ekonomi për të qarë hallin.
A do “gënjehen’ fëmijët verën , që vjen, sikundër ëndërronim ne, fëmijët e varfër dhe të lumtur të Republikës Popullore, kjo mbetet për tu parë.
E megjithatë, nuk është e çuditshme, që Ministrija e Bujqësisë të ketë marrë “grante” nga Europa dhe Japonia për zhvillimin e kësaj dege kaq fitimprurëse të eksportit shqiptar. Në takimet e shpeshta të Ministrit të Bujqësisë shfaqen rëndom disa europianka dhe japonezka, që të lenë përshtypjen se janë farmaciste ose njohëse të “medicinaleve”.
Ndoshta edhe problemi i papunësisë në Shqipëri mund të zgjidhet të paktën për sezonin e verës, ku të rinjtë, në vend të thonë parrullën e njohur “Hajde shkojm’ për i kafe!” ta zëvendësojmë me “Hajde vemë për maraqka!”

Saturday, 9 December 2017

“Perversiteti” në poezi (2)

(vijim)
Por edhe pse thuhet rëndom, që krijimtarisë dhe artit nuk mund t’i vihen kufi, krijimet letrare jo vetëm duhet t’i nënshtrohen ligjeve të së bukurës, por mbi të githa të jenë të moralshme, njerëzore dhe jo kriminale. Se në të kundërt, të supozonim se një njeri I ngjashëm me personazhin e njohur Hanibal Lecter do shkruante: Mërzija më tremb më shumë se çdo gjë/ Edhe se inati. /Atë për të vrarë/ Ty do të të vrisja më parë/  Me elegancë do shkëputja shpretkën/ Ngadalë me fasule të errëta do e gatuaja/ Dhe do e shuaja me verë Kianti.
Këtë lloj kanibalizmi çmendurakë, snobë ose të tjerë gjoja “krijues pa kufi” mund ta quanin poezi, madje edhe “filozofike”, edhe me shumë nënshtresa kuptimesh e të tjera si këto. Por është thjesht patologji. Nuk mund të ketë poezi dhe kanibalizëm bashkë sikundër nuk mund të ketë poetikë për inçestin.
Shembuj të tillë mund të jepen për shumë lloj devijimesh mendore duke nisur me nekrofilinë, zoofilinë, sociopathinë e deri duke vazhduar me deformimet e karkterit, që nuk kanë të bëjnë me deformime mendore. Për shembull procesi psikologjik i një haduti xhepash, që nga përzgjedhja e viktimës, pritja e çastit të duhur, ndienja e epërsisë mendore, pengesat, tentativat për të kontrolluar “xhepat me përmbajtje”, vetë xhepistit mund t’i duket edhe poetike, bile po të ketë edhe një lloj nervi krijues mund të thurrë edhe vargje, por që kurrsesi nuk mund të kualifikohen si poezi.
“Diçka e imja në xhepin tënd të pasëm/ Për të cilën do pres unë me durim./ Dy gishtat lehtë dridhen, / Nuk jam i joti hasëm/ Dua veç të marr objektin tim…”
Dhe kështu mund të vazhdohet pa fund me deformimet karakteriale të çdo lloji. Tek servileët mund të ekzistojë edhe ndjenja e adhurimit, bile ajo mund të jetë e rrënjosur edhe në subkoshiencën e tyre, por një “vjershë servile” ndaj dikujt, që ende jeton, qoftë biznesmen, politikani, shef apo edhe një artist i madh, Sidomos më “perverse” bëhet ndjenja e shprehur në vargje, kur poeti e njeh personalisht “të madhin”, që adhuron.
Shembujt më të qartë janë poezitë apo poemat e shkruara në vendet nën Diktaturë. Edhe pse ka një rrethanë lehtësuese për autorët, ajo që quhet “marrëzija kolektive”, përsëri sa më e ndjerë të tingëllojë poezija, aq më “perverse” është. Vargjet bajate mund të justifikohen me frikën apo me atë që Kadareja e quan “taksë ndaj Diktatorit”, por ato “më të sofistikuarat” tregojnë probleme të mëdha të karakterit dhe të mendjes së poetit.
Për Enver Hoxhën këngë thurr tërë jetën/ Se nëna ime bukë i dha me dhallë; Me të në dhomën pa tavan ne fjetëm/ Na puthi ne fëmijëve mu në ballë…”

Këto vargje të Dritëroit, të cilat janë shkruar për të treguar thjeshtësinë e Diktatorit, në një system normal do zgjonin edhe dyshime për “pedofili”, sepse të rriturit e huaj kurrë nuk flenë në një dhomë me fëmijët, por për poetët tanë, adhurimi ndaj Diktatorit ishte gati qiellor, sa e largonte atë nga njerëzit normalë edhe kur e fusnin mes tyre.
(vijon)

Friday, 8 December 2017

“Perversiteti” në poezi

Më bien në dorë shumë rrallë libra poetësh shqiptarë dhe kam pak ide se ç’ndodh në poezinë e sotme shqipe. Në rastet, kur nga mediat, më vijnë stërka të “baltës së poezisë“ më lindin pyetjet “A është ideja ime rreth poezisë e prapambetur apo bëhet fjalë për “perversitet” në poezi?” dhe “A duhet quajtur vargëzimi i çdo lloj shtjellimi mendimesh- poezi?”
Rasti më i fundit dhe më flagrant është poezia “Mallkimi i parë“ i (le ta quajmë poeteshë) Rita Petros, në të cilën pasi renditen një sërë vargjesh të rëndomtë erotikë, mbyllen me “Në djall vafsh ti o Atë/ Bashkë me mallkimin tënd! Vëllai im/ Unë dua të bëj inçest me ty!”
Në shikimin e parë është thjesht një perservitet, që tregon për problemet mendore të autores pasi mbi të gjitha është një pereservitet i dënuar edhe me ligj. Por le të mendojmë me thellë duke dashur të mos e gjykojmë dhe të mundohemi të zbulojmë metaforat ose një mendim të thellë poetik. Nuk arrij të kuptoj asnjë të tillë, sepse gjithshka është e thën troç, pa nënkuptime dhe në mënyrë vulgare. Edhe përpjekja e sforcuar se mbase aludohet për dashurinë e femrës së parë me “vëllezërit” njerëz, nuk sjell asnjë ngacmim filozofik apo estetik.
Duhet pranuar, që në kokën e cilitdo, qoftë ky edhe krijues, shkojnë e vijnë ndonjëherë mendime të cilat munt jenë në kundërshtim me “tabutë“, mund të jenë alogjike, ose edhe deri perverse. E megjithatë ata, që bien preh e “zhvillimit” të tyre në kokë, ose për më tepër, që përpiqen me to të bëjnë art, mbeten njerëz perversë.
E megjithatë edhe “perserviteti” është i llojeve të ndryshme dhe ka raste, që tingëllon mirë edhe në art. Mes shumë shembujsh, është një i njohur i këngës së Pati Pravos “Pensiero stupendo”, ku flitet për një marëdhënie treshe në shtrat.(Kënga është e 40 viteve më parë.) Por qoftë narracioni apo drojtja për të shprehur dëshirën perverse, “mëkatet e ëmbla” jepet me ritëm dhe artistikisht. I shoqëruar me melodi, krijimi e ruan profilin e një vepre artistike.

Dhe ti…/ Dhe ne…/Dhe ajo…/ Mes nesh…/Do doja…/ Do deshim…/Dhe ajo tani do dojë./ Duart, të sajat/ E më pas sërish ne të dy/ Do doja për të qeshur a për dashuri/ Varet nga unë/ E përsëri ti/ Dhe përsëri ne/ Dhe ajo edhe njëherë mes nesh…

(vijon)

Thursday, 7 December 2017

"Kompetenti"

Poltrona në pushtet është një universitet më vete. Ose më mirë është disa universitete bashkë. Dhe ko ndodh në çdo kohë dhe vend, e sidomos sa më i prambetur të jetë vendi.
Sigurisht, sa më e rëndësishme poltrona aq edhe më “i zhvilluar” arsimimi shtesë i poltronmbajtësit.
Kujto, që një nëpunës jo shumë i lartë i Komitetit Ekzekutiv, gjatë diskutimeve për ndërtimet dhe arkitekturën përforrconte fjalët e profesionistëve parafolës duke tundur kokën gjithë kompetencë; “Po po, një trajtim vëllimor horizontal do ishte i domosdoshëm!” ose “Duhet të kemi prioritet koordinimin e mirë të infrastrukturës”.
Kishte mbaruar diçka si biologji dhe s’kishte sepse të dinte as nga arkitektura dhe as nga ndërtimet, por koha e gjatë zyrave i kishte krijuar bindjen në vetvete, se ishte thuajse një gjysëm profesionist.
Gjatë diskutimeve për Kullën Vrojtuese, doli në pah “kompetenca” e Raqi Filos, rreth “relativizmit të shijeve në arkitekturë“, teorisë së “shock of the new” dhe të tjera mbrojtje apo sulme ndaj objekteve të caktuara duke përdorur krahasime me vepra të arkitektëve lokalë apo edhe të huaj.
Bëra habi me “kompetencën e fituar” në një kohë jo shumë të gjatë si nënkryetar dhe kryetar, pasi e kisha njohur më parë dhe nuk ishte në gjendje të jepte as mendime rreth arkitekturës së shtëpisë, që po ndërtonte për vete.
Të gjitha këto mu kujtuan ndërsa lexoja në shtyp , një debat që kishte bërë rreth përmbytjeve , Ministri i Bujqësisë Niko Peleshi, ku i drejtohej bashkëfolësit pak a shumë me fjalët “Mos më dil në Rilindja Urbane se atje të bëj copë!”
Ishte një deklaratë e ndjerë e dikujt, që sinqerisht beson se është “kompetent” në çështjet e arkitekturës dhe urbanistikës.
Ka një thënie, të arkitektit Renzo Piano (një prej më të mëdhenjve, që rrojnë) “Në arkitekturë duhet të rrosh 150 vjet, se 75 vitet e para të duhen për të mësuar”, që duket pak e ekzagjeruar, por që është e vërtetë për ata, të cilët punojnë në këtë profesion.
Kori i puthadorësve si dhe ai i vizitorëve nga Tirana, që vlerësojnë Korçën e ka bërë Nikon plotësisht të bindur se “të bën copë në çështjet e urbanistikës”dhe për këtë nuk i duhet as shkollimi dhe as 75 vitet, por i mjaftojnë 10 vite në karrige “vendimmarrëse”. Me mendjelehtësinë, që të krijon poltrona (ose i detyruar edhe nga marëveshje të errëta të shefit të tij Rama) Nikoja vazhdon t’i lerë “dorë të lirë“ për të projektuar thujase gjithshka në Korçë, arkitektit australian Pitë Uillsën. Ky i fundit edhe sikur “gjeni” të jetë nuk ka as përvojën dhe as kohën të projektojë një llojshmëri kaq të gjërë veprash.

Poltronat e mëdha kanë bërë të stepen edhe një pjesë e mirë e profesionistëve në Shqipëri se mos “i bëjnë copë“ Peleshi dhe shefi i tij i shumëditur, Edi Rama.

Wednesday, 6 December 2017

Para se të ankohet për Brukselin, opozita duhet të bëjë detyrat e shtëpisë

Duket, që opozita e qeverisë(duke përfshirë këtu jo vetëm partitë politike) është e pakënaqur nga pritja, që ju bë Ramës në Bruksel.
Por nëse pjesa e opinionit public, që e shikon të domosdoshme largimin e Ramës, ka të drejtë të çuditet me reagimet e Juknerit dhe Mogerinit, politikanët “e stazhionuar” dhe gazetarët, që e njohin mirë Brukselin prej paradhomave e deri në “dhomat e errëta” nuk ka pse të bëjnë sikur befasohen.
Të gjithë e dinë mirë se Brukselit i duhet stabilitet në qeverisje, ose një alternativë e re me mbështetje të madhe në popull dhe në aksion politik.
Për fat të keq të Shqipërisë, opozita e sotme nuk ka arritur të bëhet strumbullari i një lëvizjeje popullore, që kërkon rrëzimin e qeverisë.
Arsyeja e parë është se Partia Demokratike nuk është shkëputur dot nga e kaluara e saj “zullumqare”, që përfshin Gërdecin, 21 janarin dhe Lazaratin.
Arsyeja e dytë është paqartësija në objektivat e saj afatshkurtra. Flitet shumë për mosplotësim të kushteve për hapjen e negociatave, kur edhe vetë opozita duhet formalisht të paraqitet pro hapjes. Gjithashtu përmendet një “qeveri antimafia”, një koncept që duket se do të zëvendësojë “qeverinë teknike”, por që nuk ka asnjë precedent në vende me Mafia të vërtetë, si në Itali, Kolumbi apo Brazil.
Arsyeja e tretë është mungesa e koordinimit të aksionit politik ndërmjet saj dhe pjesëve të shoqërisë, të cilat duan t’i jepet fund sa më shpejt “regjimit të Ramës”.
Europianët dhe amerikanët, të cilët ndjekin me vëmendje zhvillimet në Shqipëri( sigurisht nëpërmjet syve të Lu-së dhe Vlahutin-it) e dinë që për interesat e tyre, por edhe për ato të rajonit, në këto kushte, “alternativa Rama” mbetet më pak e keqja.
A është kjo alternativeë më e mira për Shqipërinë?
Këtë duhet ta dinë dhe ta zgjidhin vetë shqiptarët, por nuk ka dobi të sulmojnë ambasadorët si të korruptuar apo Mogherinin si komuniste. Të tilla akuza foshnjarake vlejnë vetëm për të mbuluar pazotësinë ndaj elektoratit që të mbështet.
Eshte e vërtetë, që për një pjesë të mirë të popullsisë gjendja është bërë e padurueshme, por nëse shpresa është thuajse e vrarë, për këtë nuk mund të fajësohet vetëm qeveria. Aq më pak akoma, si bëhet nga disa analistë të djathtë, që quajnë popullin- dele.
Shqiptarët nuk janë as thjesht dele dhe as thjesht luanë.
Janë njerëz , që duan të rrojnë më mirë, por për t’i bërë pas vetes duhen qëllime të qarta dhe aksione politike të sinqerta.
Nëse opozita nuk i bën dot këto, atëhere le të presë që të zbulohen rregjistrime të tjera mafiozësh, ku të përmëndet edhe Edi Rama.

Por do i duhet të presë gjatë se Rama nuk është aq budalla.

Të gjithë “të helmuar”

Patriotët dhe shtetarët tanë nuk mundej kurrsesi të vdisnin nga shkaqe natyrale. I kanë vrarë me plumb ose i kanë helmuar. Edhe ata, që duket sikur kanë vdekur nga mosha e shtyrë apo nga ndonjë sëmundje e rëndë,  janë helmuar.
Nuk di nëse eshtë e mira të nis kronologjikisht nga fillimi apo nga fundi. Ndoshta është më e mira nga kjo e dyta, se po të bëj të kundërtën, deri sa të përfundoj shënimin do kenë asgjesuar me helm ndonjë patriot tjetër.
I fundit politikan i dëgjuar, që ndrroi jetë ishte Dritan Prifti për të cilin u bënë aluzione se ishte helmuar(me substance radioaktive) nga Ilir Meta për shkak të materialeve komprometuese, që ai kishte ende në dorë. Ilir Meta, si skraparli, këtë gjë do e ketë mësuar nga Sulo Gradeci, që sipas Liliana Hoxhës, me urdhër të Nexhmijes, ka helmuar Ramiz Alinë, për të mos u zbuluar se kishin qënë të dy agjentë të UDB-së dhe kishin helmuar rreth dy dyzina me patriotë shqiptarë të klasit të parë.
Një tjetër patriot i madh, që është në “helmim e sipër” është At Nikolla Marku, të cilin po e helmojnë në mënyrë të vazhdueshme qarqet greke dhe sërbe, por që arrin të shpëtojë në sajë të Dorës së Perëndisë.
Nuk është e sigurt nëse grekët ja u kalojnë sërbëve në helmimin e patriotëve shqiptarë, porn jë gjë dihet me siguri, që të parët helmuan arvanitasin Aristidh Kola, që kishte zbuluar, që ne kemi qënë të parët në Ballkan, ndërsa sërbët helmuan Ibrahim Rugovën.
Me helm, kundërshtarët brenda partisë likuiduan Sokol Olldashin, ashtu si kishin vepruar edhe komunistët me gjyshin e tij Dashnor Mamaqi.
Por “superhelmimi” është ai i Komandantit Suprem Enver Hoxhës, që është zbuluar herët nga djali i tij Sokoli, pas analizave shumë të mprehta të gruas së tij Liliana.
“Helmimi” i Hoxhës ka zgjatur për 11 vjet dhe është kryer nga grupi Nexhmije, Ramiz, Sulo dhe Isuf Kalo, Ky i fundit i merrte medikamentet helmuese në Paris, të cilat jo vetëm i shkurtonin jetën, por i rrisnin edhe egërsinë. Në sajë të tyre, Enveri zbuloi dhe shkoi në plumb Beqirin, Petritin, Hiton, Koçon, Abdylin dhe plot të tjerë. Gjithashtu, ato medikamente ndikuan edhe në tufëzimin e plotë të bagëtive.
Por grupi komplotues, kishte edhe pengesa të tjera, që mund të zbulonin helmimin e Komandantit, ndaj në vitin 1981 helmoi dhe më pas përdori plumb ndaj Mehemet Shehut( e konfirmuar kjo edhe nga vëllai i tij) pasi kishte helmuar më parë, gjysëm gradualisht edhe Hysni Kapon.
Por nuk merr fund me kaq.
Janë helmuar Ahmet Zogu, Faik Konica, Fan Noli, Mihal Gramenoja, Gjergj Fishta dhe mbi të gjithë, babai i pavarësisë Ismail Qemali.
Dhe të gjitha këto pas Luftës së Parë Botërore, se para saj, helmimi bënte kërdinë më shumë se kolera, tuberkolozi, sifilisi dhe gjithë sëmundjet e tjra të marra sëbashku.

Perëndija të na ruajë patriotët e sotëm!