Saturday, 13 December 2014

3016 km nen rrena (kreu VIII)

Kreu i tetë
ku tregohet
që të gjithë janë kundër
ngritjes së kishës




            Mëngjesin e kaloi i hutuar. Nuk dinte si të spjegonte ëndrrën, ndonëse ajo kishte fare pak ndryshim me ç'kishte ndodhur gjatë lindjes së çuditshme të Barakut, e cila ju kishte paraprirë dy lindjeve të vështira. Mendoi që monstra i rishfaqur mund të ishte Gurgullima dhe do e kishte shumë të të vështirë me të dhe nuk do mundte t'i binte me stap. Hëngri vetëm një bulion me vezë para se të niste vrapimin, nga frika se çdo gjë brenda supës do i kujtonte monstrën e frikshme të ëndrrës. Edhe pas 12 kilometrave të vrapimit dhe dushit të ftohtë ishte po aq i hutuar sa në momentin e zgjimit. Nuk dinte nëse duhet ta mbante frymën në bashki e të bisedonte me Fikon për të gjitha apo ishte më mirë të kërkonte Gurgullimën e t'i qante hallin si burri-burrit e t'i kërkonte ndihmë si fqinji-fqinjit. Mes asaj mëdyshjeje ishte kur e ndali një dorë, që ju vendos në kraharor. Ishte mëhallaxhiu i vjetër Aferim Dollibashi, që në fëmijëri mbahej  kampion në gjithë lojrat me ashikë, ndërsa në të ri  e më vonë i ishte kushtuar gjuhës dhe folklorit shqip.
            - I dërguar nga Allahu a nga Natyra, vetëm ti mund ta dish o Maratonomak!
            - O Fime, sa mirë që u takuam! Më kishte marë malli për të gjithë shokët e mëhallës së vjetër.
            - Mes tyre do të të shpie tani. Sikur ta dija se do të të bashkoja, i kam mbledhur në një takim të Intelektualëve Muslimanë. Po të presin edhe ty Naim, ta mbrojmë Bredhishtën nga Kisha Katolike!
            Doktor Hana u çudit me Fimen, Intelektualët Muslimanë, por më shumë me nismën e fundit të Vatikanit, që donte të sulmonte në zemrën e Shqipërisë Juglindore, e njohur për tolerancën mes muslimanëve dhe të krishterëve ortodoksë. por nuk donte të zgjatej ndaj duke mbledhur supet kundërshtoi:
            - Jam nisur për një punën time Fime dhe më vjen keq...
            - Duhet të vish në takim Naim. Eshtë jetik për Bredhishtën. Këndvështrimi jot diasporian do jetë vendimtar-tha pa pritur një përgjigje mohuese, doktori i shkencave të letrave Aferim Dollibashi. Naimi donte t'i thoshte, që kishte qënë gjithnjë i paanshëm në këto çështjet e fesë dhe nuk ishte besimtar, nuk po gjente as njerëz t'i meremetonin apartamentin, por doktori i fushës së letrave, i kishte futur krahun dhe po e drejtonte në hyrjen e bibliotekës së qytezës. E patën kaluar pragun dhe brenda mundi të dallojë shumë nga ata që kishin mbaruar universitete dhe bënin pjesë në Shoqatën e Intelektualëve Myslimanë. Nga intelektulët me dy të mesme dalloi Verorin, presidentin "Rambo", berberin Loni dhe medicinalistin Elian. U çudit, se berberin e dinte të krishterë, po mendoi se mbase ai emrin e kishte Aulon, Etalon, Perlon ose Leonard a diçka tjetër të këtij lloji dhe u ul në presidium, atje ku e tërhoqi Aferimi.
            -Të nderuar bashkëintelektualë, bashkëqytetarë dhe bashkëkombas- e mori fjalën doktori i letrave- sot, shoqata jonë mban këtë tubim shumë të rëndësishëm e të një rëndësie tejet të veçantë. Prania e një intelektuali të shquar të qytetit nga diaspora, e shumëfishon ngazëllimin dhe përkushtimin tonë qytetaro-islamik. Një duartrokitje për mjekun tonë Naim Hana-dhe e shpoi mjekun të ngrihej në këmbë. Shpërthyen duartrokitjet, ku binte në sy duartrokitjet e Veror Volorekës dhe skulptorit Sopi, që ishin ulur pranë njeri tjetrit.
            -Si jeni njoftuar, sot do diskutohet dhe do dilet me një deklaratë, rreth çështjes së ndërtimit të kishës katolike në qëndër të Bredhishtës, pikërisht në qendër dhe as më larg dhe as më anash. Si kemi përmendur edhe në bisedat jopublike, ndërtimi i kishës jo vetëm është i papërshtatshëm, i nxituar dhe jo largpamës, por ve në rrezik identitetin e bredhishtarëve si dhe harmoninë ndërmjet besimeve fetare e më gjerë. Eshtë kjo kishë, që në vend të kthehet në një vend pelegrinazhi besimtarësh dhe altar për nxitjen e ndienjave kombëtare do bëhet një mollë sherri mes shumicës myslimane, pakicës ortodokse dhe stërpakicës katolike të qytetit. Do qorrsokakojë të rinjtë bredhishtarë, të cilët edhe tani nuk dinë nëse duhet të shkojnë në lutjet e traditave shqiptare, apo në shërbesat e evangjelistëve, tubimet e Baha-ijve, mbledhjet e fshehta të masonëve apo seancat e meditimeve të Budistëve. Për më tepër, nga të dhënat që posedojmë, kjo është një vepër e avokatit Rako Pilafi dhe të shoqes së tij Mrika, të cilët duan të përfitojnë nga fondet e akorduara nga Republika e San Marinos për ndërtimin e kishës. Le t'i themi NDAL ndërtimit të kishës! Në emër të intelektualëve myslimanë të pranishëm, në emër të intelektualëve ortodoksë të përfaqësuar nga Loni berberi dhe të gjithë popullit të Bredhishtës, pa dallim feje, mëhalle dhe ideje. Fjalën e ka në emër të bredhishtarëve të diasporës, mjeku ynë i njohur grastudiues Naim Hana.
            Naimi u ngrit me vështirësi mes duartrokitjeve dhe thirrjeve të Verorit "Bëja fora bektashiu i diasporës!". U skuq, u gëlltit disa herë dhe mendoi të drejtohej nga dera e ta linte në mes tubimin anti-kishë. Po sytë e të gjithëve dhe sidomos të disave nga ndërtuesit e gozhduan dhe ai filloi të belbëzojë:
            - Okej...ju nou...-pataj e mblodhi vehten dhe ja ktheu në dialektin e Bredhishtës-unë jam bektashi nga origjina e familjes si shumë nga të pranishmit këtu. Nuk jam fetar dhe gjatë gjashtë vjetëve në Amerikë, nuk kam hyrë ndonjëherë në teqe ose xhami... Vetëm në një kishë ortodokse serbe, njëherë për Pashkë, dhe më ka shpënë Artemisi, që e dini që është ortodokse.-në sallë pati një mërmëritje, bile u dëgjua diçka nëpër dhëmbë që vinte nga rrjeshti ku ishin Verori, me Uljanovin"...pfff...me armiqtë e kombit është edhe ky?". Mjeku priti të rreshtnin mërmëritjet dhe vazhdoi përsëri i lëkundur:.. Unë nuk jam fetar, po nuk më pëlqen kur prishen tempujt...për të ndërtuar nuk më duket se duhet të zihemi-dhe u ul i çliruar. Aferimi e pa vëngër, ndërsa në fund të sallës u ngrit një burrë i ri, me xhaketë lëkure sportive e mustaqe të zeza, të cilin nuk e kishte parë ndonjëherë në Bredhishtë.
            -Dëgjo ti Naim amerikani, se unë jam ndërtues dhe mund të jem i interesuar për ndërtime, po ne nuk e shesim atdheun për ca euro të qelbura. Ashtu ! Nëse ju në diasporë e keni mendjen vetëm në fitimet, se ju është bërë syri bakër duke larë pjata, ne kemi parime kombëtare. Ashtu! Asnjë nga ndërtuesit e Bredhishtës nuk do pranojë të punojë për atë objekt dhe këtë e them me besim të plotë. Ashtu! - dhe u ul i ndjekur nga thirrjet "bravo Nderim", "të lumtë Ndero" dhe "mirë ja bëre diasporës".
            I goditur si me tokmak nga "ashtut" e ndërtuesit, dhe i turpëruar që parafolësi ja kujtoi pjatalarjen, Naimi nuk mundi të kapte fjalët e para të agronomit Saim, të cilin e thërrisnin me respekt "doktori i luleve". Sytë i ishin fiksuar në vija e flokëve, që ndante në mes tufat e famshme të zeza, të brilantosura të "doktorit", simbolit të lulishteve plotngjyrshe të Bredhishtës. Saimi filloi shtruar, me zërin e tij të hollë duke theksuar çdo fjalë perveç lidhësave:
            -Nuk më takon mua të ngrihem kundër tempujve...sidomos si mysliman i vendosur e tolerant që jam. Poooor...e zgjati çuditërisht lidhësën Saimi- poooor...- provoi edhe njëherë gjysëm toni më poshtë, këtu bëhet fjala për dhjetra krizantemaaaa, qindra lavandraaaaa, mijra ortansaaaaaa, mili...

            -Doktor!- thirrri menjëherë organizatori Aferim Dollibashi dhe Saimi ndërpreu numurimin në mijrat.
            -...edhe vetëm një luleeee të preket e unë, kur them unë e gjitha Partia e Blertë shqetësohet. Jo tani që bëhet fjalë për prishjen e njërës nga lulishtet të cilave ne, grupi gjelbërues i Bashkisë së Bredhishtës, i jemi përkushtuar këto gjashtë vjetët e fundit. Kjo ishte edhe idea e parrullës së fushatës sime elektorale “Edhe një bredh më shumë për Bredhishtën”, e cila u keqkuptua sikur unë do mbillja vetëm një bredh në Bredhishtë. Le ta dinë ata që thonë kafeneve, që duhet të thoja miliona bredha për të fituar, se unë jam për miliona bredhaaa, miliarda pishaaaa, bilio...
            -Doktor përfundimin!- thirri më shumë organizatori dhe Saimi ndërpreu numërimin në miliardat.
            -Si përfundim unë them që tempuj ne mund të ndërtojmë me qindra e mijra në Bredhishtë. po në rradhë të parë duhet të mbrojmë mjedisin, ku sot jetojnë 18 mijë Bredhishtarëëëë, nesër do bëhen 180 mijë bredhishtarëëëë e pas 50 vjetësh mbase...
            -Doktor faleminderit. Fjalën e ka zoti Loni Ballukja, përfaqësues i intelektualëve ortodoksë të Bredhishtës.
            Berberi Loni u ngrit ngadalë, i skuqur pak nga prezantimi si përfaqësues i intelektualëve ortodoksë, se vetëm një vit me korrespondencë kishte bërë në Universitetin "Kthjelltësia" të kryeqytetit dhe e kishte lënë në mes të dytin, se qethjet e rruajtjet shkonin për bukuri në Bredhishtë. U kollit lehtë dhe u mundua të kujtonte ndonjë nga tezat e provimit të filozofisë, që nuk kishte marë dot gjatë studimeve.
            -Feja është ilaç. Ilaç edhe shërim.- përsëriti dhe nuk po i kujtohej se ku e kishte lexuar këtë fjali.- Po ne e kemi kishën tonë të krishterë ortodokse. Ato pak familje katolike që janë në Bredhishtë, sic vinin le të vinë. I mirëpresim. Po përse duhet një kishë tjetër? Për pesë familje? Eshtë njëlloj sikur të hapet një berberhanë e re vetëm për ata që lyejnë mustaqet. Hë? Sa veta i lyejne mustaqet në Bredhishtë? Ja t'ja u them unë. Vetëm dy. E po nuk do hapet një berberhanë tjetër për dy veta de...Hë?- e mbylli Loni duke parë përreth mbi kokat që tundeshin për të miratuar shembullin kuptimplotë të mustaqelyerjes.
            -Në këtë mbledhje duhet të kishte ardhur kryetar Fikua e të jepte llogari pse do të lejojë ngritjen e Kishës Katolike në qendër- u hodh një i ri nga fundi i sallës. Një mërmërimë pohimi përfshiu të gjitha cepat deri sa u ngrit sërish Aferim Dollibashi, doktor i shkencave filologjike.
            -Zoti Refik Fufulina ishte i ftuar në këtë tubim dhe më siguroi, që plot dëshirë do merte pjesë. Por, për arsye shërbimi është nisur dje për në  ....të Turqisë, qytezë me të cilën jemi motërzuar para dy vjetësh dhe më ka dërguar këtë email përshëndetës..
            -Lexoje- u dëgjua nga salla një zë i ngjirur, që Naimit ju duk i njëjtë me zërin , që kishte pyetur dy ditë më parë për liçencën e hoxhës.
            -Po e lexoj: Të nderuar bashkëqytetarë pjesëmarës në takimin "A duhet lejuar ndërtimi i Kishës katolike në Bredhishtë?" më vjen shumë keq, që detyra më thërret në një qytet larg atdheut, por mendja dhe zemra ime janë me ju të dashur Bredhishtarë. E kam ndjekur me shumë interes debatin rreth ndërtimit të kishës Katolike dhe ju them e ju
siguroj, që çdo zë i juaj do meret parasysh në vendimin tim përfundimtar për ndërtimin, mosndërtimin apo pezullimin e aplikimit për ndërtimin e Kishës. Unë, si kryetar që ngrihem mbi interesat e komuniteteve, do ushtroj kompetencat e mia ligjore, si të jetë më mirë për interesin e të gjithë atyre që jetojnë brenda territorit të bashkisë, të cilën unë drejtoj. I juaji, Kryebashkiaku Refik Fufulina, Bredhishtë më 14 të prillit të vitit në vazhdim.
            Në sallë ra heshtja.
            -Lexoje edhe njëherë- u dëgjua i njëjti zë i ngjirur, po pati kundërshtime nga të tjerët.
            -Më lejoni mua t'ja u spjegoj qëndrimin e zotit Fiko në këtë çështje- u dëgjua një zë i ëmbël femre dhe Naim Hana pa një fytyrë jo krejtësisht të panjohur me syze të trasha, që po ngrihej ngadalë në një nga rrjeshtat e mesit. Ai u kthye të pyeste Aferimin, se kush ishte zonja, por doktori i shkencave të letrave ishte gjithë sy e veshë nga folësja.
            -Zoti Fiko, disa herë në takimet mes bektashinjve dhe Babait të Teqesë, ka shprehur dyshimet e tij për zanafillën e investimeve për Kishën. Përse ka thënë vijnë nga Republika e San Marinos e jo nga Vatikani? Cili është roli i avokatit Rako Pilafi, i cili dihet që nuk është konvertuar ende në katolik?...po po u degjuan zëra mes turmës, Rako Pilafi, Rako Pilafi...
            -Lereni të mbarojë- u dëgjua sërish ngjiraku....lereni lereni....Rako Pilafi...u dëgjuan duke u fashitur.
            -"Po sikur ta ndërtojmë e pastaj ta prishim?" ka qënë një tjetër pyetje që ka ngritur zoti Fiko, por u kundërshtua nga babi i Teqesë. Dhe pyetja e fundit dhe kuptimplotë ka qënë: A duhet të bëjmë një referendum të shprehen të gjithë Bredhishtarët?- tha me plot besim farmacistja Adelina Havani dhe u ul triumfatore duke i hedhur vështrimin e fundit pas xhamave të trasha mjekut Hana...referendum, referendum,  u dëgjua e gjithë salla.
            -Me leje- ngriti gishtin dhe më pas trupin Veror Voloreka- Mund të bëj një propozim?
            -Posi Veror-u përgjigj doktori i Letrave.
            -Unë mendoj që në vendin ku kërkojnë të ngrihet Kisha Katolike, të ngremë një kompleks skulpturor për Bredhishtarët demokratë, me figurën e zotit Fufulina në qendër.-dhe u kthye nga skulptori Ulianov Sopi, i cili miratonte me kokë....po po...kompleks skulpturor- u gjegj salla. Mes mërmëritjeve dhe diskutimeve vesh më vesh referendum apo kompleks skulpturor, u ngrit sërish Aferim Dollibashi dhe salla u tulat.
            -Deklaratë- filloi me një zë më të plotë këtë rradhë- Ne, përfaqësuesit e intelektualëve të tre bashkësive fetare të Bredhishtës, në tubimin e sotëm të një rëndësie të veçantë për të ardhmen e paqes e harmonisë fetare në Bredhishtë e në rajon, në njëzërje të plotë...
            - C'është njëzërja- u dëgjua zëri i ngjirur, po dikush i ra me brryl të pushonte.
            -...kundërshtojmë përpjekjet e dyshimta të një grushti njerëzish të caktuar, të mbeshtetura nga segmente të caktuara brenda e jashtë vendit, për të prishur drejtpeshimin burimor dhe bashkimin që bën fuqinë të tre feve kryesore në këtë zonë të rëndësishme të Shqipërisë.- Aferimi mori frymë, i hoqi edhe një lëpirje të shpejtë buzëve e vazhdoi- Janë këto grupime që kërkojnë të pushtojnë zemrën e qytetit tonë, në çastet solemne të vrapimit drejt Europës, shtëpisë tonë të përbashkët e të natyrshme. Kërkojmë nga institucionet vendore qëndrore dhe ato ligjore, të ndalojnë menjëherë dhe rrufeshëm të veprojnë edhe me gjuhën e ashpër që të jep ligji ndaj atyre që punojnë për të huajt dhe jo mëmëdheun tonë. Në rast se veprimet në këtë drejtim do jenë të ngadalshme dhe shkurajuese, ju bëjmë të ditur se do fillojmë të kryejmë sakrificën më sublime - grevën e ngadaltë dhe të sigurt të urisë. Bredhishtë  më 15 prill të vitit në vazhdim. Vazhdojnë firmat e firmëtarëve.
            Salla shpërtheu në duartrokitje dhe Naim Hana u detyrua të ngrihej më këmbë. Nuk dinte ç'të bënte me duart. I bashkoi horizontalisht përpara barkut, pa provuar t’i fërkonte apo t’i përplaste lehtë. Aferimi e shihte me bisht të syrit, ndërsa zëri i ngjirur dëgjohej mbi zhurrmën e duartrokitjeve, që pas ritmit shuplakpërplasës thërriste:
            -C'na duhen ne kish' e xhamia
            Kur pim' raki nga Shën Dëllia...

Shumica nuk e kuptonin nëse ishte tamam tamam kundër ndërtimit të kishës, apo thjesht donte të ndërtohej mbi bregoren e Shën Dëllisë, ku ishte lokali më luksoz i Bredhishtës, që sipas zërave të pakonfirmuar ishte pronë e Fikos dhe Gogo Gurgullimës.

3016 km nen rrena (nderkrerese midis 7 e 8)

Ndërkrerëse
midis krerëve shtatë e tetë.




...Teuta Baraku ishte krejt e pafuqishme mbi shtratin e lindjes. Veshja prej fanellate me lule blu e të bardha, kishte filluar të hynte në vjeshtë se disa lule në një të kuqe jo të ndezur ishin shfaqur papritur mbi të. Fytyra e mjekut Hana ishte e gjitha e mbuluar në djersë dhe infermierja Zina, që kishte kohë pa shkuar në kinema, nuk po përpiqej t'i fshinte ballin mjekut, sikundër bëhej në të gjithë filmat, ku mjekët heronj shpëtonin minatorët nga vdekja e sigurt, po mundohej të shquante se ç'gjë e errët po vinte nga brenda trupit të Barakut. Naimi, që e dinte që ishte e kotë t'i kërkonte gruas t'i jepte edhe një shtytje fundmesit e diafragmës futi dorën më thellë dhe kapi foshnjën e qullur lëkurëerrët, por nuk ndjeu butësinë e zakonshme me të cilën ishte mësuar në vite. Ju duk se po prekte një kokë dhe shpatulla me kallo të forta, por nuk arriti të mendonte gjatë se ç’ishin ato, që i dukeshin si kallo, se prej vrimës të hapur më tepër se dimensione e duhura doli koka e foshnjës, në një ngjyrë kafe në të gjelbër dhe me dy si kreshtëza të vogla në vendet e veshëve. Sytë i kishte të mbyllura dhe dukej se ishin shumë të mëdha dhe të vendosur shumë pranë tëmthave.Gati në të njëjtën kohë u shfaqën katër gjymtyrë identike, që dukeshin me shumë si duar dhe pas një klithme, që nuk ishte e foshnjës, por e Zinas u shfaq bishti. Teuta ishte gati në vilani nga dhimbjet e lindjes dhe nuk arriti të kuptonte nga vinte piskama ndërsa mjeku priste kordonin lidhës. Foshnja me lëkurën plot kallo dhe dy kreshtëzat në vend të veshëve I kishte shpëtuar tashmë nga duart pritëses Zina dhe çuditërisht kishte gjetur një shteg mes këmbëve të mjekut dhe infermieres të shtangur dhe ishte fshehur nën dollapin e veglave mjekësore. Mjeku nuk pati kohë të udhëzonte infermieren se ajo ishte sulur drejt fundit të sallës dhe kishte rrembyer një shkop, që nuk kishte pse të ishte atje…..

3016km nen rrena (kreu VII)

Kreu i shtatë,
ku tregohet
përse i pëlqen vjeshta
Teuta Barakut.



            E keqja nuk ishte në ato që i kishte marë Jashar Jahja, që sipas gjasave do ishte shumë e vështirë t'i shihte përsëri, por në ato që i kishte lënë. Me to mund të paguante edhe tre netë në hotel dhe të hante katër dreka e darka në "Guguburger". Nëse Artemisi nuk dërgonte në kohë në "Western Union" fondin e emergjencës, do detyrohej të kërkonte hua. I vinte zor të takonte Feridin, i cili jo vetëm ishte i dëshpëruar nga humbja e papritur e vjehrrës, por edhe i shpenzuar për varrimin dhe darkën mortore me 333 pjesëmarës. E vetmja gjë e mirë nga dy vizitat në bilardon ku mblidheshin ndërtuesit ishte, që kishte kuptuar se do ishte e vështirë përballja me Gurgullimën dhe punimet nuk do shkonin më shumë se 10 mijë dollarë. Dhe këto me firmë ndërtimi serioze. Po t'i bënte pjesërisht me firmë e pjesërisht me mjeshtra mund të kursente. Nuk kishte vend për dëshpërim. Në nëntëmbëdhjetë ditë mund të mbyllte jo vetëm riparimet, por edhe të kalonte pasdite të bukura duke vrapuar kodrave të Bredhishtës.
             Duke menduar pozitivisht, bile shumë pozitivisht, i ra ziles në portën metalike të Vilës Baraku. Nuk u përgjigj njeri po ndjeu që dikush po e shihte, ndoshta me paisje elektronike. Dera u hap vetë ngadalë dhe Naimi filloi të hedhë hapat ngadalë drejt një ndërtimi që i kujtoi shtëpitë e mëdha në “downtown” të Filadelfias. Para se të ngjiste shkallët prej mermeri, që të shpinin në hyrjen e vilës, dera prej lisi u hap ngadalë dhe një vajzë e re, e veshur me tuta "adidas", e ftoi të hynte. Në muret e korridorit të madh ishin varur piktura, shumë piktura me pamje nga Bredhishta dhe Himalajet, me mollë dhe papaja, me kuaj në fluturim dhe vija të holla e të trasha që kryqëzoheshin brenda rrathësh të kuq. Në të djathtë hapej një studio gjithë dritë me një piano të madhe, të bardhë në mes. Muret ishin të mbuluara me peisazhe, oh sa shumë peisazhe pyjesh dhe fushash në vjeshtë. Të verdhat, të kuqet dhe të blertat e të gjitha toneve i kishin larushitur muret studios së madhe dhe bënin që gjithë vëmendja të përqëndrohej tek pianoja. Pranë pianos, një grup skulpturor në bronx. Ju afrua dhe lexoi të gdhendur "Vjeshta" - Ulianov Sopi. Një gjethe e madhe, e përkulur nga era vjeshtuke(kështu mendoi vetëtimthi) dhe një dorë fëmije, që zgjatej ta kapte. Nuk mundi të kuptonte simbolikën e erës dhe kapjes së gjethes, se në atë kohë në studio hyri e zonja e shtëpisë.
            -Mirseardhe doktor Hana!
            Kishte veshur një rrobëdhome të kaltër dhe kishte bërë një tualet të rëndë për atë periudhë të ditës, por Naim Hana mendonte vetëm rreth aftësive ndërtuese e të njohurës së tij të viteve më parë. U afrua dhe provoi t'i jepte dorën e ta përqafonte. Teuta Baraku i zgjati vetëm tre gishtërinjtë e parë, të cilët mjeku ikanak i kapi me shumë kujdes dhe u mundua mos i tundte me forcë.
            E zonja e shtëpisë u ul në ndenjësen e pianos pa e mbuluar plotësisht me të ndenjurat e saj, jo dhe aq modeste, si për të qënë në gjendje të ngrihej sa të dallonte një lëvizje të pakontrolluar të mikut. Por mbështetja e paplotë në stolin e pianos dukej jo në përputhje me pozicionin e trupit të saj ndaj të porsaardhurit. Nuk ishte as përballë, por as në profil. Njërën dorë e mbante mbi kapakun e tastierës dukej se ishte e ndërgjegjshme, që mënga e kaltër e rrobëdhomës dukej bukur në sfondin e të bardhës së pianos. Kombinimi i të bardhës e të kaltrës në qendër të larushanisë së mureve të studios e stepën mjekun. Nuk dinte nga ta fillonte bisedën.
-Nuk e dija , që luanit piano- shqiptoi dhe në çast kuptoi se e kishte filluar keq bisedën.
-Oh, ka qënë jë ëndërr e fëmijërisë. Piano e bardhë në mes të vjeshtës dhe shumë duartrokitje.
Mjeku hodhi sytë në disa nga tablotë e varura në mur për të gjetur diçka, që mund të sillte bisedën në ndërtimet në përgjithësi, në mënyrë të veçantë në meremetimet dhe në një mënyrë akoma më të veçantë në apartamentin e tij, që kishte nevojë për ndërhyrje të shpejtë, profesionale dhe efikase. Tek to kishte pyje, rrugëza të vetmuara me një qerre që tërhiqej nga dy buaj, gjethe shumëngjyrëshe dhe një vazo e mbuluar nga lulebasani të tharra. Asnjë lloj ndërtimi qoftë edhe kasolle.
            -Ulianovi punon me material të forta.
Ajo I hodhi një vështrim skulpturës në Bronx dhe u përgjigj duke ngritur sytë lart:
            -Vjeshta nuk është në materiali, por në fluiditetin e saj, që të mrekullon- dhe pasi preku diçka në anë të pianos në dhomë u dëgjuan tingujt e ëmbël të një melodie, që nuk kuptohej se nga vinte.
            -Oh Vivaldi!!!- psherëtiu Teuta- ...oh Vjeshta e tij me këto drithërima violinash dhe stakato degësh, që thyen nga era...
            Naimi u ndje shumë i turbulluar se biseda kishte marë një drejtim tjetër dhe ai nuk dinte kush ishte Vivaldi. I erdhi turp të pyeste, se duhej më pas të vazhdonte edhe për "drithërimë violinash" dhe "stakato". Teuta vazhdonte të rrinte e menduar , me njërën dorë mbi pianon me bisht dhe tjetrën të futur në dekoltenë e rrobëdhomës. Dukej se edhe prania e mjekut ishte e parëndësishme për të. Ndjente në trup e mendje vetëm Vivaldin dhe kohën e tretë të "Stinëve". Naimi fërkoi duart dhe foli me frikë:
            -Po dimri...mundet nga dimri të prishen suvatë?
            Teknikja e ndërtimit kapsalliti sytë, sikur dikush po e zgjonte para kohe nga gjumi dimëror, që e kishte kapur nën tingujt e harqeve të Vivaldit dhe e pa mjekun sikur të vinte nga vise më të largëta se Bota e Re. Pastaj hoqi e turbulluar dorën nga mesgjinjtë dhe rregulloi veshjen.
            -Dimri? ...E ç'hyn koha e katërt me suvatë doktor?
Mjeku u turbullua akoma më shumë se nuk dinte nëse koha e katërt ishte ishte dimri apo ishte periudhë e jetës së Vivaldit. Se dimri me suvatë hyn që ç’ke me tëdhe nëse Vivaldi ishte njeri apo vend, atëhere vërtet nuk kishte se si të kishte lidhje. Shanset, që të ishte suvaxhi ishin pafundësisht të vogla. Vendosi të bënte përpjekjen e fundit e të hynte drejt e në zemër të temës.
            -Dimri shkatërron jo vetëm njerzit, por edhe dyshemetë dhe suvatë Teuta. Ja për shëmbull në…
Nuk arriu tëmbaronte fjalinë e nisur me “ja për shembull” se duket, që tingujt e harqeve nuk pranonin shembuj jashtëtingëllorë, sepse ndërtuesja Baraku kishte ngritur dorën:
-Të lutem Naim mos më fol keq për njerzit. Ka vite, që jam fokusuar në e bukura
mes nesh e natyrës, në këmbimet e ndërsjellta të anëve tepër domethënëse të saj dhe efektit zbutës tek shpirti I pakufishëm njerëzor. Oh Naim, unë shoh anët pozitive tek njerëzit. Ngjyrat e bukura të vjeshtës tek ta dhe nuk jam në gjendje të dalloj malinjitetin. Bile as që më intereson nëse ai ekziston diku, në një shpirt të brengosur apo në një karakter fatkeq. është gjithshka ngjyrë, energji positive, Karma, e deri sa harrijmë në hymnin natyror të pjekurisë vjeshtore.
            Ngriti kapakun e tastierës së pianos dhe filloi të luante në të. Mjeku e kuptoi , që ishte i tepërt dhe ngadalë u ngrit duke u tërhequr mbi fundet e thembrave, për të mos bërë zhurrmë dhe mos gërvishte parketin e bukurr të arrës me të cilin ishte shtruar studioja.

            Nuk kishte arritur as të mësonte se ç’ishte Vivaldi.

3016 km nen rrena (kreu I)

Kreu i parë, ku tregohet qe Naim Hana arrin në Bredhishtë.



Mjeku Naim Hana kishte vite pa shkelur në qytezën e tij. Shkak  ishte bërë llotaria e emigrimit (disa e quanin shorti ikanak), që i kishte rëne të shoqes dhe nën entusiazmin llotarirënës, kishte mbledhur laçka e plaçka,  kishte hequr  fëmijët nga shkolla jopublike “Dituria Rrethore”dhe ishte degdisur në Karolinën e Veriut. Pasi kishte larë pjata dhe shpërndarë pica, më së fundi kishte zënë vend si punëtor mirëmbajtjeje në një shtëpi pensionistësh, ku punonte pak dhe dëgjonte tërë ditën historitë e veteranëve të luftës së Vietnamit dhe të një kërcimtareje ekzotike. Gjashtë vjet kishin ikur e tani po kthehej për të mërzënë një trejavorsh në qytezën e tij. Atje ku i kishte dashur dhe e kishin dashur, ku ishte pjellë dhe ndihmuar pjelljet, ku kishte qeshur dhe e kishin qeshur. Malli, gazi dhe kureshtja i digjnin përbrenda dhe nje çast i mbështetur në shpinoren e ndenjëses të taksisë, me të cilën po kalonte kufirin, ndjeu që sytë po i njomeshin. Ndoshta i vinte nga dy kokët e shqiponjës që pa në uniformën e policit të kufirit, mbi gjoksin e të cilit ishte shkruar me kapitale DINE. I mësuar me institucionet e shumta të Amerikës dhe me shkurtimet e emrave të tyre, u mundua të rrokte me mendje se cilin institucion mund të përfaqësonte polici. Në mendje blojti me rradhë: Departamenti i Ndihmës Emergjente, Drejtoria e Inspektimit Nacional Europian deri sa arriti në atë qe ju duk me e saktë, Dega Internacionale e Nderhyrjes Efikase. Por mendimet rrokopujë ja nderpreu shoferi i taksisë, i cili po fliste gjithë inat:
            -Na lerë rehat o Dine, se s’kam ku të të gjej peshqesh unë sa herë hyj e dal.
U skuq lehtë , i turpëruar me veten, që e kishte harruar kaq shpejt vendin e tij dhe policët me stemën me shqiponjë dhe emrin Dine. Gjashtë vjet nuk ishin kushedi se çfarë..
            Pas pak u shfaq mes dritave, Bredhishta e tij e dashur, ajo që e ai e quante me përkëdheli "xhenetllik mes pishave e bredhave". E mbeshteti ballin mbi xhamin e taksisë dhe u mundua të shquante çdo siluetë të njohur të qytezës. Ja minareja, ishfabrika e miellit e kthyer në disko, ndërtesa e policisë, bashkia dhe...papritur shoferi ndroi rrugë dhe sytë e Naimit shkuan nga Bredhishta në bredhat jashtë saj.
            -Pse u ktheve?-e pyeti i çuditur shoferin.
            -Këtej shkohet tani, se hyrja është mbyllur sa të ndërtohet Unaza e Re.
            -Unaza e Re? Po Bredhishta s'ka patur ndonjëherë unazë, nga doli kjo e reja?
            -Eshtë sfida e jetës e kryetar Fikos. Kështu e quajti vjet për fushatën. Kishte edhe parrullën "Për një unazë asfalti rreth Bredhishtës bredhore". Thanë që me të e mundi kundërshtarin. Tjetri kishte parrullën "Edhe një bredh më shumë për Bredhishtën"... Ehhhh...Kanë hyrë në valle ndërtuesit. Para e madhe kjo e unazës. Dhe ai kastraveci i Partisë së Blertë, s'kishte parrullë të saktë...një bredh më shumë!....hiç hiç duhet të kishte vënë një milion më shumë, njëqindmilion më shumë. Kështu mund të ishte sponsorizuar edhe nga ata të druve të zjarrit.- e mbylli ligjëratën e shkurtër me turinj të mbledhur taksisti dhe ndaloi para pallatit ku ishte rritur e pjekur Naim Hana. Naimi pagoi, mori çantën e madhe të udhëtimit dhe ju drejtua i gëzuar hyrjes C. Ngjiti shkallët dhe trokiti në derën përballë apartamentit të tij. Nga brenda u dëgjuan zëra femrash dhe pas tyre një zë burrëror pyeti:
            -Kush është?
            -Jam Naimi, Naim Hana.
            -Kujt ja hedh këto ti keqbërës? Naimi është në Amerikë.
            -Po unë jam Adhurim...sa erdha me taksi nga kufiri.
            Nga brenda pasoi heshtja, pastaj u dëgjua një zë i hollë, më pas një plakë që grindej dhe në fund Adhurimi.
            -Si e kishte mbiemrin plaka tënde para martesës?
            "Allah, allah-tha me vehte mjeku Hana-edhe këtu e kanë filluar këtë zakonin që pyesin për emrin e beqarisë të mamasë?"
            -Kokorridhi...Edhe disa çaste të zbrazëta dhe më në fund u hap dera dhe u duk figura e ngjallme e Adhurimit, e shoqja dhe vjehrra Refije. E rrembyen në krahët e tyre dhe nuk e lëshonin së puthuri duke thirrur se ç'ishte ai gëzim i papritur në mes të prillit. Mjeku i mallëngjyer dhe me zemër të ngrohur, arriti t'i shpëtonte puthjeve të fundit të Refijes dhe tha me turp:
            -E di që është vonë e të më falni, vetëm sa të merja kyçet e apartamentit dhe... nesër besoj se do kemi kohë të rrimë e të tregojmë.
            -Po ku flemë dot ne sonte...po çështë ai gjumë? Do e gdhimë...tregona për Artemisin, për Olgerin e Dëfrimin- nuk i hiqte duart nga qafa e shoqja e Adhurimit.
            -Mirë, mirë janë të tërë...do ju tregoj nesër se edhe vonë është dhe i lodhur nga rruga jam.
            -Mirë thotë-u hodh Adhurimi dhe i hoqi duart e të shoqes nga zverku i mjekut-le të flerë sonte pastaj nesër na tregon. Ke ngrënë Naim?

            -Po,po...vetëm të fle dua-shtoi me nxitim dhe i kënaqur rrëmbeu çelësat që i zgjati tjetri- Natën e mirë të gjithëve, faleminderit  dhe mirupafshim nesër!-e bëri dy hapa prapa për të dalë nga territori i adhuruesve të tij. Dera u mbyll dhe tani nuk mund të shihte më sytë e përlotur të komshijve të dashur. Mori frymë thellë dhe ju drejtua ngadhnjimtar derës, të cilën e kishte hapur me miliona herë, që kur ishte në shkollën fillore dhe e mbante varur në qafë, atë çelës të vyer ELZETT. E futi në vrimë, ndjeu dy rrotullimet e buta me një kërcitje tepër të njohur dhe e uli dorezën duke e shtyrë derën...Grënçç...dera u hap vetëm dy centimetra dhe nuk shkonte më tej, sikur dikush ta mbante nga prapa."C'e pengon vallë?"dhe në mendje i shkuan vetëtimthi gjithë pengimet e viteve të shkuara, nga qilimi i marë borxh në fqinjët për ditën e dëshmorëve, kova me ujë që i kishte vënë i vëllai, kur ishin në shkollën e mesme e deri tek komodina që vinte Artemisi në periudhën e dehjeve të tij kronike. E shtyu duke mëshuar me të gjithë trupin, por dera nuk shkoi më larg se një centimetër më shumë dhe mbeti përfundimisht e palëvizshme. As pesha e trupit të tij, bashkë me gjithë forcën e muskujve nuk mund ta shtynte më tej. Dukej që diçka stërmadhe e pengonte. Nuk mund të ishte bile, as njeri dhe as grup njerëzish. Diçka e panatyrshme, jo e kësaj bote, mbase fantazmë e të kaluarës e mbante të patundur atë shteg hyrjeje drejt një kohe të lënë pas. Hoqi dorë nga shtyrja dhe mendoi se si mund të zbulonte nëse xhindet apo vetë xhebraili ishin pas asaj dere. "Po të arrij çelsin e dritës së korridorit do e shoh se ç'mund të jetë. Edhe xhindet sikur tremben nga drita...Po sikur të jenë alienët?"  Kohët e fundit kishte dëgjuar për shfaqje të shpeshtë të objekteve të paidentifikuara fluturuese në rrethinat e Bredhishtës. Të ishte e vërtetë? Po përse do kishin zgjedhur apartamentin e tij? Apo mos e kishin ndjekur për të studiuar se si sillen ikanakët e Amerikës kur kthehen rishmë në vendin e origjinës? Vendosi të futë dorën në hapjen e ngushtë dhe të provonte në mund të arrinte çelësin. Dora e bufatur, prej periudhës jo të largët të larjes së pjatave në gjelltoren meksikane, përparoi me vështirësi drejt vendit ku gjithmonë kishte qënë çelësi i dritës. Vazhdoi ta shtynte me zor e dhimbje, duke pritur nga çasti në çast, që një gjë e qullët ta mbërthente ose të ndante tre gishtat e përparuar nga pjesa tjetër e dorës. Asgjë . Arriti pjesën plastike dhe vetë butonin dhe e shtypi.Trak!... Përsëri asgjë. E shtyu derën dhe ajo nuk luajti vendit. Xhindet nuk ishin trembur. Shtiri syrin në e hapura e derës dhe bëri prapa i tmerruar.

3016 km nen rrena (nderkrerese midis 6 e 7)

Ndërkrerëse
midis kreut të gjashtë e të shtatë.



            - Ka ardhur Jashu i "Jashukonstrakshën shpk"?- pyeti Naim Hana baristin e lokalit ku mblidheshin ndërtuesit.
            -Jashu i kujt?- ngrysi vetullat baristi.
            -Jashar Jahja që ka firmën "Jashukonstrakshën shpk".
            -..hahahahahaha...kur e ka bërë Jashu këtë "Jashukonstrakshën"?Ai kishte "MobiliareJashu" deri para një jave...hahahaha.
            - Nuk ka firmë ndërtimi?
            - Si o s'ka! Ai ka firmë ndërtimi, shitblerje shtëpish, prodhimi bebelinash, shpjegim ëndrrash dhe eksport-import me shumicë... Sa të mori?

            

3016 km nen rrena (kreu VI)

Kreu i gjashtë,
ku tregohet
ku mblidhen ndërtuesit.




            Gjumin e bëri të trazuar dhe nuk dinte nëse duhej të shkonte të takonte Dëfrimen dhe Ridin, për të parë se si ndjeheshin pas humbjes së Dafinës, skandalit në varreza me Hilmi Kërrin dhe darkës mortore prej 333 varrimsash. E gjithë vizita në qytezën e tij, kishte marë një rrjedhë krejt të papritur. Por ai duhej të përqëndrohej në kryesorja, meremetimi i apartamentit apo më mirë rinovimin e tij, si i kishte thënë gjatë ceremoniesë mortore një nga të pranishmit, pa lënë pas dore përgatitjet për maratonën e Bostonit. Ndaj pas 6 kilometrave me ritëm mesatar, në vend të drejtohej nga shtëpia e Ridit, mori drejt qendrës të Bredhishtës ku ishte bilardoja e ndërtuesve. Në një qoshe pranë barit shqoi Lirim Soxhukun dhe u nis gjithë gëzim drejt tij.      
            -Hajde ulu o doktori babovitës-tha duke qeshur inxhinieri i vjetër, që i solli në mendje vitin pas specializimit si gjinekolog.
            -S'ke ndryshuar fare inxhinier-i qeshi Naimi dhe pasi e përqafoi u ul pranë tij.
            -Kur ardhe?
            -Parmbrëmë. Thashë të të kërkoja nga zyra, po më thanë se të gjej më lehtë këtu.
            -Po këtu, me tërë të zanatit do rri, ku të vete? Apo të los me domino në bashta me pensionistët?
            -Ti ke përvojë dhe forca për më shumë inxhinier.
            Inxhinieri i vjetër vazhdoi të thithte cigaren i menduar dhe t’i mbante sytë gjysëm mbyllur pa ju përgjigjur doktor Hanës.
            -Inxhinier, si e përballoje drejtimin e punimeve të hidroçentralit të Gjançit, në kohën e diktaturës?-i tha mjeku si për t'i dhënë zemër me kujtimet e ditëve të lavdishme.
            -Eh mo bir, po kur njeriu është i ri ka të tjera forca… Ato kohë, kthehesha në shtëpi njëherë në gjashtë muaj. Flija pranë objektit, në shtëpine e një plake dhe tërë ditën meresha me organizim… Raportoja direkt në Komitetin Central...Eh ç’kohë të vështira ishin- dhe hoqi edhe njëherë nga gota e rakisë-…ku ta kishe mendjen më parë...Në Gjançi-vepër e madhe e pesëvjeçarit, në Skënder Doja, që kishte një dashnore me të meta mendore, apo në çupa e plakës, që i kishte sisët si pjepra dimërakë.
            -Cili qe Skënder Doja?
            -Një teknik me një sy, që e dërgoja për të matur. Tani ka një firmë ndërtimi në Tiranë.
            U krijuan disa çaste heshtje, kur dëgjoheshin vetëm kërcitjet e bilave të bilardos dhe ndonjë thirrje si "hyrë se të bëra moj qene!" apo "doja të dilja për lojë" dhe pasi kruajti zërin, Naimi filloi të hynte në temë:
            - Inxhinier...kam një problem të madh me apartamentin. Eshtë prishur i tëri.
            - Cilin apartament? Kush e prishi? Po ta kenë prishur ata të policisë të Ndërtimit, unë nuk ngatërrohem.
            -Jo, jo. Ska probleme të tilla. Apartamenti ku rrija është prishur nga uji.
            -Në kat të parë e ke? Nga përmbytjet e vjeshtës u bë?
            -Jo de jo. Ti e di ku kemi ndenjur. Poshtë Hodo Hodollarit, që kishte ata djemtë zevzekë. I madhi luante mbrojtës i djathtë me ekipin e parë.
            -Kështu më thuaj. Kur kanë plasur tubot e ujit?
            -Nuk kanë plasur tubot e ujit...
            -C'më thua nga uji de...e ke nga ngrica. Ke papafingo?
            -Jo, unë jam në kat të dytë- ishte përgjigja e mjekut, që e bëri të heshte për disa çaste inxhinierin e vjetër, e të dëgjohej më shkoqur "hyrë se të bëra moj qene!" e ndërtuesit Xhafë. Inxhinier Soxhuku kthehu kokën nga ai, që i lutej "qenes" të hynte dhe thirri:
            -Xhafë, nga se mund të bien suvatë në një apartament në kat të dytë, instalimet i ka në rregull dhe s'ka papafingo? Xhafa i përqëndruar në loja, duke menduar nga t'i binte çokut që të dilte edhe për lojë pyeti:
            -Me dy e një kuzhinë apo me një?
            -Me dy sikur e ke Naim?
            -Me dy. Pa aneks- u përgjigj mjeku pa kuptuar se ç'lidhje kishte numuri i dhomave me prishjet brenda.
            -Dritaret duralumin apo druri?-pyeti gjithë gëzim Xhafa, që tashmë kishte dalë për lojë.
            -Nga të NëSHëNëSë- thirri Naimi, që dukej se po humbte durimin. Një çast heshtje dhe pas kërcitjes së bilës në një nga xhepat e mesit, Xhafa ju kthye Naimit dhe i mbështetur në stekën, që kishte blerë në Greqi, i tha gjithë seriozitet.
            -Duhet të ndrosh dritaret. Jugu këtu sjell shumë lagështi dhe pa duralumin je i mbaruar.- dhe ju rikthye lojës.
            Naimi donte t'i theshte që Jugu kishte qënë në Bredhishte për më shumë se 100 vjet dhe suvatë e brendshme të shtepive nuk binin, por rreth pa që të pranishmit miratonin duke tundur kokat dhe i tha vehtes, ndroi edhe dritaret se tani janë vjetëruar.
            -Kush bën dritare alumini këtu inxhinier?
            -Xhafa. Xhafë me sa do ja bësh doktorit?
            Ndërtuesi Xhaferr ndaloi një çast dhe pa vëngër nga tavolina e Soxhuk-Hanës, se posa kishte humbur një bilë të lehtë.
            -Dy dhoma e një kuzhinë ka?...duhen parë në vend se pallatet e NëSHëNësë kanë shumë shpatulla gonesëz...Zakonisht hapin avaze dhe s'të del hesapi. Po për doktorin do bëj një sakrificë edhe sikur të humbas nga timet.
            -E shikon- i shkeli syrin Lirimi- e bën për hatrin tim. I kam gjetur dy shkolla jashtë Bredhishtës.
            -Mund t'i bësh të gjitha punimet e brendshme zoti Xhaferr?- nxitoi të pyeste doktor Hana, pasi po shihte që Xhafa mendohej shumë për të goditur bilën e rradhës.
            -Një sekondë...punimet e brendshme...ç'lloj punimesh janë?
            -Po..kryesisht suva të reja, riparim dyshemeje dhe lyerje.
            -Po këto s'janë ndonjë gjë e madhe...thashë se mos kishe mure të thatë e patinime, ndriçime lokale e parket të alternuar, oxhak funksional me dru dushku apo komplet banjë moderne me saun dhe vaskë hidromasazhi. Këto që the një javë pune janë.
            -Jo jo vaskë hidromosazhi në asnjë mënyrë. Më duket se ajo e Gogo Gurgullimës, m'i ka hapur avazet në apartament.
            Në çast, gjithë stekat e bilardos ku mblidheshin ndërtuesit e Bredhishtës u drejtuan nga tavani. U dëgjua edhe pak një bilë, e cila kishte hyrë në një nga xhepat e mesit, si duket nga frika dhe po rrëshqiste ullukëve të nëntavolinës deri sa arriti në destinacion. Xhafa po e shihte me sy të çakarritur, ndërsa inxhinier Soxhuku zgjatëte buzët si peshk dhe kthente fundin e gotës së rakisë, si për të thënë heshtur, që nuk kishte dëgjuar gjë.
            -Hë..hë..- u koll Xhafa- në pallati ku ri...zoti Gurgullima...hë hë...nuk bëj dot punime... Eshtë shumë i vjetër si pallat. - e tha me një frymë fjalinë e fundit ndërtuesi Xhafë dhe u përqëndrua në loja, ndërsa kokët e të panishmëve tundeshin duke miratuar.
            -Inxhinier, po ti, i bën dot? Nuk do i bëj këtë rradhë duraluminet.- Naim Hana po e shihte me sy lutës inxhinierin e vjetër, se po e ndjente që do ishte e vështirë të bëheshin punime, që mund të shqetësonin Gurgullimën me gjithë vaskën e tij me hidromasazh.
            - Doktor...dëgjo plakun...Kur ca gjëra nuk i bëjnë dot më të rinjtë, këta që të marin gjak në vetull...ne të kohës së monizmit, e kemi cazë më të zorshme...Eshtë më e vështirë se atëhere kur mernim rërë strategjike nga Bashkimi Sovjetik. Më vjen keq po s'të ndihmoj dot- ktheu dhe fundin e gotës Lirim Soxhuku dhe u ngrit të paguante. Naimi hodhi sytë rreth e rrotull dhe pasi pa se të gjithë po i shmangeshin shikimeve të tij të dëshpëruara, doli nga bilardoja ku mblidheshin ndërtuesit. Gurgullima duhet të ishte vërtet personalitet shumë misterioz deri sa inxhinier Soxhuku e kishte krahasuar me misionin sekret të marjes së rërës strategjike nga Bashkimi Sovjetik. Nuk kishte bërë më shumë se njëqind metra, kur e arriti dikush duke gulçuar:
            -Doktor...doktor...jam Jashu- tha midis frymëmarjeve djaloshi...-Jashar Jahja, ndërtues- dhe i zgjati dorën. "Ky duhet të jetë nga ata që të mer gjak në vetull" mendoi doktor Hana dhe sepse i shkoi mendja rreth procesit të marjes gjak në vetull, që nuk duhet të ishte edhe shumë i vështirë. Fundja, edhe të gjithë boksierët në vetull mundoheshin të godisnin, se të dilte gjak menjëherë. Priti Jashun të vazhdonte dhe ky i fundit nën zë pëshpëriti:
            -Nuk doja të të thoja në sy të ndërtuesve të tjerë, se...kuptohet , si më i ri nuk ju dal dot përpara, po punimet t'i bën firma time "Jashukonstrakshën shpk". Si thua doktor?
            -Mund t'i filloni që sot?- pyeti i gëzuar mjeku.
            -Që sot jo, se duhet ta shikoj, të bëj preventivin, të firmosim kontratën e nesër ose shumë shumë pasnesër fillojmë. Shkojmë ta shikoj e të bëj matjet.
            -Hajde pas meje- tha gjithë gëzim mjeku Hana dhe gjithë rrugës deri në pallati i tij mendoi se sa me fat kishte qënë që takoi presidentin e firmës "Jashukonstrakshën shpk". I spjegoi, që nuk mund të hynin dot nga dera e apartamentit për shkak të tejbufatjes së dyshemeve prej pishe dhe të dy përsëritën rrugën e njohur korridor i Rimit- dhome ndenie – ballkon - ballkon i Naimit - dhomë ndenie me dërrasa të bufatme dhe Jashu filloi menjëherë nga matjet. Veprimet i kishte të prera. Pas cdo tre matjesh, diçka shënonte në bllokun e tij të madh, që e siguruan Naimin për profesionalizmin e tij të lartë. Vetëm një çast, kur maste murin ku ishte fotoja e gjyshit dalë në Misir, Jashu ndaloi dhe i hodhi një sy mjekut për tu siguruar:
            - Gjyshi? I ngjisni shumë doktor. Kini provuar të lini mustaqe ndonjëherë?
            Naimi ndjeu, që vërtet i ngjiste të gjyshit edhe pse balli i plakut në Misir kishte qënë i gjerë dhe vetullat e varura, po nga hunda e poshtë ishte e sigurt që i ngjiste shumë, bile duhet të provonte të linte mustaqe të ngrira në majë me xhel  edhe në Amerikë do ja pëlqenin dhe do ja quanin,  si punë "cool".
            -...eh...tani...kupton apo jo...mustaqe këtu nuk mund të lija edhe për shkak të profesionit. Kupton...gratë shtatzëna...kompleksi i Edipit...një lloj frike nga ndonjë qimerënie e mundshme gjatë lindjeve çezariane...
            -Duhet të lini! Eshtë domosdoshmëri. Tek ju unë shoh kurbetliun e suksesshëm e triumfator.
            -...tani ...triumfator mbase është pak e ekzagjeruar, se të kuptohemi, unë nuk jam integruar plotësisht në sistemin mjekësor të Shteteve të Bashkuara...kuptohet, do kohën e saj përpjekja për të nënshtruar Kolosin Amerikë...
            -Nuk e shoh të largët doktor- vazhdoi Jashu dhe kaloi në korridor të bënte matjet e tjera. "Vërtet"-mendoi Naimi" s'ka përse mos jem i sukseshëm, kur gjyshi, që nuk kishte shumë shkollë, bëri kërdinë me pambuk në Egjipt. Edhe po mos arrij të futem në shkollë për mjek, mund të merem me tregëti me Shqipërinë. Me një partner të besueshëm si Jashu, mund të bëj shumë. Sikur dërrasa bredhi për dyshemetë të dërgoj nga Amerika vetëm dhe ka hesap. Gjysmën e bredhave këtu e kanë prerë dhe njerëzit e duan bredhin për të ndërtuar. Prandaj janë edhe bredhishtarë.
            - Ku i blini materialet e ndërtimit Jashu?
            - Shumicën në "Gogoallat". Firmë serioze me çmime konkuruese.
            - Me sa e ka dërrasën e bredhit?
            - Do çmimin e mashkull femrës, kurrizpeshkut, të alternuarës viktoriane, për telajo apo për dyer dritare?- pyeti gjithë seriozitet Jashu. Naimi u step nga larmia e dërrasave të bredhit dhe ngadalë tha :
            -...po mashkull-femra them...
            - Mashkull-femër ka finlandeze tre metroshe dhe 8 centimetra të gjërë, rumune dy metroshe me gjërësi 10, po pak më të trashë, ruse 6 centimetra me 1 e gjysëm të trashë dhe me gjatësi variabël. Ka edhe të vendit, po ajo ka probleme të stazhionimit.
Lumi i metrave, centimetrave dhe vendeve europiane, të cilat Naimi shpesh i ngatërronte, se nuk kishte qënë i fortë në gjeografi, e mbyti, ndaj mjeku Hana bëri shenjë ta linin atë muhabet e të vazhdonin me matjet. Pas pak edhe Jashu e mbylli bllokun dhe e pyeti:
            - Në sa variante e do preventivin?
            - Në sa e bëni zakonisht?
            - Për shtetëroret në tre, kurse për privatët në dy. Në rast emergjencash bëjmë fillestarin dhe pastaj shtojmë me ato që dalin gjatë punimeve.
            - Po...ky rasti i im si në emergjencat duhet futur apo jo?-pyeti i pasigurt mjeku Hana.
            - Normal. Duket që është një emergjencë e gjallë. Kur e ke biletën e kthimit?
            - Për tre javë.
            - Normal. Mund ta shtysh?
            - Jo s'e humbas punën. Pse?
            - Në rast se na dilte ndonjë situatë e paparashikueshme. Po me këto që shikoj unë, i mbarojmë për 10 ditë dhe kemi edhe një javë tjetër për të paparashikuarat.
            - Jashu, ti vërtet je nga të rinjtë që të marin gjak në vetull! Më thuaj sa bëjnë të gjitha dhe le të fillojmë punimet një orë e më parë.
            - Je i sigurt doktor? Ndoshta do ishte mirë të konsultoheshe edhe me gruan në Amerikë?
            Naimi u mendua pak, por vazhdoi i bindur:
            - Shikojmë shumën totale, që do dalë nga preventivi dhe vendosim.
            - Normal. Ky më duket mendim shumë i pjekur doktor. Shkojmë ulemi në "Guguburger" dhe për njëzet minuta ta jap në dorë.
            Në "Guguburger", i mobiluar më shumë si "Arbys", brenda një çerek ore, Jashu i vuri përpara preventivin dhe Naimi i gëzuar tha me vehte "këtij i thonë fast-preventiv, tamam sipas parimit "të ndërtojmë shpejt , mirë dhe lirë". Nuk ishte edhe aq lirë, se shifra përfundimtare ishte 9.500 Euro, që përfshinte edhe një TVSH, të cilën mjeku e kuptoi si taksë për televizionin shqiptar. E megjithatë duhej bërë. Me droje pyeti:
            - Nuk mund të bëhet pak më lirë Jashu? Euroja është shumë lart me dollarin dhe nuk e di në mund t'i mar dot të gjitha brenda dy javëve.
            - Doktor do punë me cilësi? Nuk mund të bëhet më lirë nëse do që t'i rezistojnë kohës edhe fizikisht edhe moralisht...Po ul 500 Euro po nuk mund të bëj më shumë në kurriz të cilësisë.
            - Shumë faleminderit Jashu! Duhet të paguaj paradhënie?

            - Janë të gjitha të parashikuara në Kontratën-tip. Ja tani po e mbush dhe lexoje me vëmendje para se ta firmosësh. Paradhënia është vetëm në masën 20%.- dhe Jashu i "Jashukonstrakshën shpk" filloi të mbushte kontratën-tip, ndërsa Naim Hana po bënte me mendje llogaritjet 20% të 9000 eurove që me kursin 1.3 të dollar-euros, bënin rrumbullak 2240 dollarë. I mbeteshin edhe 160 dollarë nga ato që kishte në hotel, po i duhej t'i telefononte Artemisit, që t'i dërgonte nga fondi i emergjencës për punimet emergjente, që do kryheshin sipas kontratës tip dhe preventivit të vetëm, që bëhej në çdo rast emergjent. Në kontratë ishin përcaktuar qartë data e fillimit dhe përfundimit të punimeve, këstet e pagesave dhe mjekut i pëlqeu shumë që 20 përqindshi i fundit paguhej pas gjashtë muajsh. Firmoi, shtrënguan duart me përzëmërsi me Jashun dhe e ftoi të shkonin në Grand Hotel Voloreka, për t'i dhënë këstin e parë. Ndjehej i lumtur që pas refuzimit të Soxhukut, kishte takuar një ndërtues kompetent si presidenti i "Jashukonstrakshën". E kuptoi që ndërtimet në Bredhishtë nuk bëheshin më si në kohën e NëShëNë-ve. Ato fillonin në një ditë të caktuar dhe mbylleshin në një ditë të caktuar. Rikonstruksioni i apartamentit dy dhoma gjumi + dhomë ndenie pa aneks, si e përcaktoi në kontratë do fillonte të nesërmen dhe do të përfundonte dhjetë ditë më vonë. Vijonin firmat.

3016 km nen rrena (kreu V)

Kreu i pestë,
ku tregohet
që Ferid Bregut
i vdes vjehrra.

           


            -C'të bëjmë me të sëmurin Kloca?-pyeti infermierja Zina posa Feridi kishte hyrë në dhomën e mjekëve.
            - I thuaj Naimit, që nuk mund të shkoj ta shoh. Ka ndodhur diçka e rëndë. Kanë sjellë pa shpirt time vjehrrë- tha shpejt e shpejt doktor Bregu dhe doli.
            Zina e ndoqi pas dhe më pas u kthye në korridorin në të djathtë, për të njoftuar doktor Hanën. E gjeti duke i fërkuar tëmthat Vasfiut dhe i bëri me shenjë ta ndiqte pas. "Ka vdekur e vjehrra e doktor Bregut. Në reanimacion janë"- i tha nën zë dhe priti. Mjeku u nis në drejtim të repartit të reanimacionit, duke i bërë shenjë Zinas të kujdesej për depresionsin. Feridin e gjeti me dy infermiere duke bërë përkujdesjet e fundit mbi trupin e pajetë të kuzhinieres Dafinë. I hodhi krahun shpatullave dhe e pyeti me zë të ulët:
            - Ku është Dëfrimja?
            - Iku me të motrën të bëjnë gati shtëpinë. Ishte kaq e papritur...
            - E gjora Dafinë, që qeshte aq shumë.
            - Ke kohë të vish me mua Naim të bëjmë gjërat që na duhen për varrimin? Njoh Bimin, që ka atë funeralsen "Drita e Shpirtit".
            -Si jo. Edhe po të kesh njerëz për të lajmëruar, hidhem unë se Bredhishta kaq është.
            -Ri pas meje Naim. Kam siklet të bëj përgatitjet që më lanë, se nuk kam bërë ndonjëherë. Njerëzit tani lajmërohen me celularë. Edhe 80 vjeçarët kanë nga një.
            Kështu, përfunduan të dy në agjensinë funerale të Bimit, pa u kapur dot gjatë rrugës nga përfaqësuesit e agjensisë konkuruese, të lajmëruar në kohë nga infermierja Zina.
            -C'të ka ndodhur vëlla Ferid-hapi krahët i mallëngjyer Bim Bedeli, pronari i vetëm e fuqiplotë i  agjensisë të varrimeve të prenotuara apo urgjente, "Drita e Shpirtit". Kurrë se mendoja i dashur doktor, se do kishe nevojë ndonjë ditë për shërbimet e mia modeste. - dhe i mori mbi sup kokën Feridit të trondur nga humbja e papritur e të vjehrrës- Qaj mbi këtë sup ku janë derdhur kaq e kaq lotë Bredhishtarësh të vrerosur. Nuk je i vetmi në fatkeqësi. Të gjithë do qajmë dhe do e ndajmë me ty dhimbjen-shtoi Bim Bedeli, që para se të hapte agjensinë, kishte dhënë letërsi në një fshat jo larg qytezës. Pastaj e mblodhi veten dhe pyeti:
            -Si e do arkmortin doktor? Kemi disa lloje prej drurësh nga më të veçantët. Bile edhe një dru errët afrikan, që shkon shumë me karakterin e të ndjerës.
            Naimi filloi të mendonte, si mund ta njihte Bimi vjehrrën e Feridit, e cila kishte qënë një grua e qeshur, e kolme dhe e thjeshtë, tamam si çdo kuzhiniere e një restoranti të kategorisë së tretë, në çdonjërën nga qoshet e shumta të globit tonë të rrumbullt.
            -..nuk e di si thua ti Naim?-pyeti Feridi me mendjen e ngarkuar me porositë e shpejta të Dëfrimes për myftiun, darkën mortore, qirinjtë qumësht të bardhë dhe tenxheren e madhe të hallvës, më të madhen e llojit në Bredhishtë dhe gjithë rrethinat, të cilën e kishte Vasfi Kloca.
            -Nuk e di , ti i di shpenzimet...për mua, të tepërtat duhen prerë.
            -Ashtu them edhe unë. Po pyes Dëfrimen-dhe mjeku i çoroditur më shumë se i plagosur nga humbja e vjehrrës, telefonoi të shoqen, e pyeti nën zë dhe e mbylli menjëherë i zbardhur në fytyrë. Naimi po e hetonte me sy.
            -...më të shtrenjtin tha. Nuk kursen për të jëmën.
            - E dija që atë do zgjidhte Dëfrimja.-u hodh Bim Bedeli- Sa qejflleshë është, po aq vlerëson edhe dhimbjen. E dini masën apo të përzgjedh unë?
            Feridi ngriti supet dhe Bim Bedeli vazhdoi:
            - Darkën mortore, me sa ju njoh të dy fiset, po them ta bëjmë për 333 ose 500 vetë. Me siguri jot shoqe do vendosë për të dytën, po unë të kam mik dhe po e lemë të hapur. Vendosim pas varrimit, në varësi të varrimsave.
            Naimit po i dukeshin krejt të reja të gjitha. Darka për 333, varrimsat dhe "me që të kam mik e lemë të hapur". "Kë lini të hapur ju zoti Bedeli" donte të çirrej, po e dinte që në këto raste ishte më mirë të rinte i heshtur dhe përzishëm, sikundër ishte zakon në anët e tij kur ndodhte një vdekje e papritur. Priti deri sa Feridi firmosi dhe dha kaparin për ceremoninë e plotë, e cila përfshinte edhe kazanin e hallvës, të cilin nuk mund ta siguronin dot pa para, për shkak të depresionit akut të Vasfi Klocës, pastaj pyeti:
            -Po hoxhën ose myftiun duhet ta lajmërojmë ne apo e bën agjensia?
            -Mos u shqetësoni. Edhe pse nuk i përket shërbimit tonë funeral, i cili është plotësisht i pavarur nga tre fetë kryesore, për Feridin do e bëj një përjashtim. Do e kontaktoj vetë hoxhë Klajdin.- dhe me këto fjalë, i dha përqafimin e fundit doktor Bregut dhe dorën doktor Hanës, të cilët u nisën të lehtësuar drejt banesës Bregu, ku kishin filluar ritet e përcjelljes së ish-kuzhinieres së qeshur të gjelltoreve "Blerimi", "Krimea", "Pekini", "Plava e Gucia" dhe së fundi "Guguburger". Ndërkohë, Bim Bedeli kishte formuar numurin e celularit të hoxhës, që e kishte gjetur menjëherë në gërmën M- medreseklajdi. Pas dy zileve u dëgjua zëri i Klajdit, që tingëllonte i ndryshëm me zërin që kumbonte çdo mëngjez, kur falte namazin.
            -.......
            - Alekym selam Klajdi ...jam Bim Bedeli...duhet të vini për një varrim të një mikut tim...më fal varrimi është i të vjehrrës...në orën 4 e kemi menduar...mirë takohemi dhjetë minuta më parë në varrezat...do vish me makinën tënde?...mirë...alekym selam.
            Hoxha Klajdi ishte i ri dhe kishte studiuar vetem një vit në Medresenë e kryeqytetit dhe ndonëse ja kishin ndruar emrin në Hoxhë Qerimi, ai nuk mërzitej kur Bredhishtarët e thërrisnin si më parë Klajdi ose Hoxhë Klajdi. Ishte i papërtuar dhe shkonte në gjithë ngjarjet fetare dhe jofetare të bredhishtarëve duke filluar nga rrethprerjet, përcjelljet për haxhillëk dhe haxhillëkpritjet për ata që nuk kërkonin strehim politik në Arabinë Saudite e deri diskutimet e përmbledhjeve poetike. Sigurisht që nuk mund të linte dasmat që bëheshin gjatë muajit të Ramazanit dhe për më tepër përcjelljet për në vendin e amëshuar. Ritet dhe lutjet fetare i kryente me përpikmëri dhe shumë fetarë pleq, që kujtonin ende Hoxhën Enver, theshin me plot gojë që Hoxhë Klajdi ishte me të vërtetë udhëheqësi shpirtëror, që kishin pritur me durim për disa dhjetvjeçarë.
            Ndërkohë, të dy kanatat e portës së Bregëve ishin hapur dhe njerëzit hynin e dilnin për të ngushëlluar Dëfrimen dhe motrat e saj Rrëfimen, Premtimen dhe Mbarimen. Dafina kishte bërë katër çupa të shëndoshka dhe të qeshura si vetja e tani të katërta herë qanin e herë vinin buzën në gaz duke kujtuar shakatë e guzhinieres, e cila ishte nisur e qetë për në xhenet. Naimi i ndenji pranë Feridit në dhomën e burrave, gjë që e lehtësoi shumë dhëndrin e dëshpëruar, se ngushëlluesit pyesnin për Amerikën dhe arsyen e vizitës të papritur të gjinekologut në Bredhishtë. Kishte syresh që dinin për Karolinën e Veriut edhe më shumë se ç'kishte mësuar mjeku Hana gjatë gjashtë viteve ikanake. Po ai e dinte, që bredhishtarët gjithnjë I kishin mbajtur sytë nga Bota e re dhe lexonin e shikonin në tv çdo gjë rreth Amerikës. Kështu deri sa Premtimja, nga dera e dhomës i bëri shenjë Naimit të dilte në korridor.
            -Sollën arkmortin po se nxe mamin!- i pëshpëriti me sytë gjithë lot.
            -Po ku është Bim Bedeli?
            -S'e di. Dy djem e sollën dhe ikën.
            -Po ik unë e të vete ta ndroj. Ja të mar biçikletën e Feridit e ta ve mbi të.
            -Po jo mo Naim, se kush të shikon ty goxha doktor nga Amerika me arkmort në biçikletë, po shko sa të porositësh një më të madh. Ti e di gjërësinë e mamit.
Naimi u step një çast, por duke ditur që nuk ishte vendi dhe koha për pyetje të tjera u nis me vrap drejt agjensisë funerale të Bim Bedelit. Bimi ishte duke dhënë porosi në telefon për darkën e përmortshme dhe i kërkoi të priste sa të mbaronte. Pastaj e pyeti:
            -Perfekt deri tani ngjarja e dhimbshme e doktor Bregut?
            -Jo dhe aq perfekt. Arkmorti është i vogël e nuk e futim dot të ndjerën.
            -Si ka mundësi? S'më ka ndodhur ndonjëherë të gaboj me masat? Mos e kini futur nga ana e poshtme? I provuat të gjitha variantet?
            - I provuam veç një varianti. Të të futnim ty të parin, po s'ishe - e humbi durimin Naim Hana.
            Bim Bedeli u skuq e filloi të belbëzonte:
            -...të lutem shum'...nuk të lejoj...të lutem shum'...gjëra që ndodhin...Po të m'i kishit sjellë masat nuk do ndodhte...C'masa ka e ndjera? Gjatësi, gjërësi, diametër.
            -Masën më të madhe që ke.
            -Nuk kam nga ata me dru afrikan. Nuk është mirë të ndryshojmë ngjyrën në mes të mortit. Ka pasoja të rënda për familjen sipas gojdhënave burimore.
            -Bim Bedeli, mos më detyro të shkoj në agjensia konkuruese. Mund të kenë ata me të njëjtën ngjyrë dhe ju mbyllim edhe gojën burimoreve.
            -...dale bre pse rrëmbehesh...do shikoj se mos kam nga ata me pishë të zezë dhe rregullohet edhe kjo punë. Për dhjetë minuta e keni në shtëpi.
            Naimi iku pa e përshëndetur Bedelin, i cili e kishte mbajtur fjalën, se kur arriti në shtëpinë e Ridit, pasi ishte ndruar në hotel, të gjithë po bëheshin gati të niseshin pas arkmortit prej pishe të zezë, që ishte po njëlloj me atë me dru të errët afrikan, për të përcjellë Dafinën në banesën e fundit. Procesionin e udhëhiqte hoxhë Klajdi. Dukej që dinte çdo gjë më së miri, se vetëm me disa lëvizje të kursyera të duarve dhe arkëmortmbajtësit e vendosën arkmortin pishëzi mbi një gur të latuar të bardhë. Pasi priti që të pranishmit u vendosën në disa rrjeshta krah dhe pas tij, Hoxha nderi pëllëmbët para dhe filloi të këndonte arabisht lutjen e xhenazes. Naimi ishte disa vende në të djathtë të hoxhës dhe trupi i madh i burrit të Mbarimes, nuk e linte të shihte shokun e tij të dëshpëruar. Dielli që ishte në të perënduar, ju ngronte kurrizet katër rrjeshtave të gjatë me bredhishtarë, që po përcillnin sipas gjithë riteve të kuzhinieren e nderuar, me fytyrë të drejtuar nga Qabeja dhe pëllëmbët e duarve nga qielli. Hoxhë Klajdi kishte një zë të butë e të ëmbël, gati të kadiftë dhe vetë lutja e xhenazes kishte nota të tilla, që e futën në një botë mistike e ju duk sikur shihte dervishët rrotullues, që kishte parë shumë vite më parë në Stamboll. Filluan t'i vërtiteshin edhe pamjet para vetes, qeparizat, bredhat e posaprerë, gurët e vjetër me majë, memorialët e rinj me mermer të bardhë, kurorat me lule artificiale, 4 bishtat e lopatave mbi dy togjet e dheut dhe nuk e kuptoi, që e kishte kapitur gjumi më këmbë.
            -Po ky hoxha ka liçencë?- u dëgjua një zë i ngjirur, që e përmendi. Përreth u dëgjua një mërmëritje mosaprovimi dhe vetëm dy të kukurisura të mbytyra. Ndoqi edhe për disa çaste zërin e Klajdit dhe e kuptoi, që kishte harruar të mbante pëllëmbët para. "Kështu s'kam për të fjetur"mendoi dhe ju nguli syve pëllëmbëve të skuqura, ku ngaterroheshin dy vija paralele me një të pjerrët. "Cila është e vdekjes? Kjo e pjerrëta? Qënka e shkurtër djalli! Si dihet, se mund të jetë edhe një nga paralelet dhe kjo e pjerrëta mbase është e parave. Apo s'ka vijë të parave? dashuri, vdekje, para..." dhe fustanellat e bardha të dervishëve u shfaqën sërish në një rrotullim të shtruar e që s'kishte të...

            -Ooojjj...tubekstafurullah!....pjellë e të paudhit...skandal" e hodhën përpjetë dhe pa që edhe burrat përreth i kishin prishur rradhët. Hoxhë Klajdi ngrinte dhe ulte duart duke përsëritur në arabisht, fjalë që nuk kuptoheshin në ishin të hijshme apo të pahijshme, lutje apo mallkime. Nuk ishte në ëndërr. Të pranishmit kishin harruar të vdekurën në arkmort dhe të skuqur pëshpërisnin me njëri tjetrin rreth skandalit. Bim Bedeli kishte përfshirë për gryke Hilmi Kërrin e dehur, ish kamarierin rom të "Plava dhe Gucisa", i cili mërmëriste, që hoxha e kishte zgjatur shumë ceremoninë, ndaj ishte detyruar t'i fuste gishtin në prapanicë.